Grafikon

Sipas hulumtimit të fundit, Qeveria e Maqedonisë tregoi shkallë të hapjes prej 75.61% dhe rezultate më të mira në rajon dhe një rritje prej 23.27% në krahasim me periudhën e mëparshme. Hulumtimi është bërë nëpërmjet Indeksit të shkallës së hapjes, të dizajnuar sipas Metodologjisë unike për monitorim që përkon me nevojat dhe rekomandimet për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky hulumtim për shkallën e hapjes, llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve në Maqedoni dhe në 5 vende të rajonit u zhvillua në periudhën nga dhjetori i vitit 2017 deri në fund të shkurtit të vitit 2018.

Për dallim nga ky hulumtim, në hulumtimin e parë, qeveria ishte në vendin e fundit me vetëm 52.34% të shkallës së hapjes gjatë vitit 2016.

Indeksi i shkallës së hapjes është një tregues i përbërë që e përcakton shkallën e hapjes së qeverive të Ballkanit Perëndimor ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, dhe është krijuar me qëllim që të përcaktohet se deri në çfarë mase qytetarët e Ballkanit Perëndimor marrin informacione të përshtatshme dhe të kuptueshme nga institucionet.

Për t’u matur shkalla e hapjes së institucioneve janë ndjekur standardet ndërkombëtare, rekomandimet e marra nga disa raporte të BE-së për vendet e rajonit, si dhe shembuj të praktikës së mirë. Institucionet janë vlerësuar sipas treguesve specifike sasiorë dhe cilësorë, si për shembull: qasja në informata në ueb-faqet zyrtare të institucioneve, cilësia e kornizës ligjore për çështje të caktuara, burime të tjera të informimit të publikut, të dhënat e publikuara për punën e institucionit, furnizimet publike, informacione për shpenzimin e parave publike, e kështu me radhë.

dsc_3962
– Rezultatet e matjes së hapjes së institucioneve në kuadër të projektit ACTION SEE tregojnë se rekomandimet nga raporti i vitit të kaluar ishin të dobishme për institucionet dhe se disa prej tyre janë zbatuar. Kjo shihet edhe në përparimin e shënuar nga të gjitha vendet e përfshirë në projekt në shkallën e hapjes së institucioneve. Jam veçanërisht i kënaqur nga fakti që Maqedonia më nuk është e fundit në rajon dhe se e kemi qeverinë më të hapur. Indeksi i hapjes gjithashtu tregon se, megjithatë ende jemi larg nga niveli i vendeve anëtare të BE-së dhe se mbetet për t’u bërë edhe shumë punë për të arritur atë nivel. Roli ynë si një OJQ është ta ndjekim procesin, të japim rekomandime dhe të inkuadrohemi në tejkalimin e sfidave që lidhen me hapjen e institucioneve shtetërore – tha Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për internet dhe shoqëri ,”Metamorfozis” , dhe menaxher i projektit ACTION SEE.

Sipas Liljana Pecova – Ilieska, koordinatore e projektit ACTION SEE, pasqyra e përgjithshme që e fituam nëpërmjet Indeksit është se në fakt kemi përparim të caktuar në kuadër të institucioneve, në pjesën e pushtetit ekzekutiv, mirëpo dhe rënie të madhe të shkallës së hapjes në fushën e gjyqësisë, organeve të drejtësisë dhe pushtetit lokal.

– Jemi larg përparimit të plotë në bazë të llogaridhënies dhe integritetit. Ne edhe më tutje do të kërkojmë nga institucionet zbatim të vazhdueshëm të përkushtimeve për transparencë dhe është me rëndësi se monitorimi do të vazhdojë me fazën e tretë nga dhjetori i vitit 2018 deri në fund të shkurtit të vitit 2019. Pason një periudhë e prezantimit të rezultateve te të gjitha palët e interesuara dhe të shpërndarja e rekomandimeve për qeverisje të mirë, duke i përcaktuar hapat konkretë që duhet t’i ndërmarrin institucionet – tha Pecova-Ilieska.

Ministri pa portofol i angazhuar për komunikim, llogaridhënie dhe transparencë, Robert Popovski, sot u takua me përfaqësuesit e fondacionit “Metamorfozis”, të udhëhequr nga drejtori programor, Filip Stojanovski, dhe tha se Maqedonia përpiqet të jetë lider në transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi, jo vetëm në rajon, por dhe shumë më gjerë.

Sa i përket parimeve të veçanta – institucionet te ne tregojnë rezultate të mira në publikimin e informacioneve nga fusha e qasjes së lirë në informacione, pjesërisht të mira për informacionet për furnizimet publike dhe më pak të mira në fushën e raporteve për punën e kryer, vlerësimin e transparencës buxhetore dhe financiare, ndjekjen e dokumenteve strategjike, dhe kështu me radhë.

Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit ACTION SEE – përgjegjësi, teknologji dhe rrjet i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, të cilin e implementon Fondacioni “Metamorfozis”, së bashku me partnerë të tjerë nga rajoni.

Ndaje: