Duke folur për rëndësinë dhe luftën me lajmet e rreme, Zylbeari tregoi se rruga për verifikimin e fakteve është plot sfida dhe e mundimshme, pasi aktorë të ndryshëm vazhdimisht ndërmarrin veprime të ndryshme për të dezinformuar popullin. Për këtë, ajo tregoi se si Fondacioni Metamorfozis ka punuar në këtë drejtim në dekadën e kaluar.
“Ne filluam verifikimin e fakteve dhjetë vjet më parë dhe gjithashtu filluam me premtimet e politikanëve, gënjeshtrat e tyre dhe i dokumentuam të gjitha dhe ishim shumë të interesuar t’i ndjekim se çfarë dhe si thonë. Pas një kohe, në 2012-n e pamë që kjo nuk mjaftonte sepse po jetonim në një kohë që sundoheshim nga të ashtuquajturin regjim. Këta politikanë dhe qeveria kishin kapur të gjitha ato media shtetërore dhe interneti ishte e vetmja hapësirë e lirë që mund të vepronim, në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht”, tha Zylbeari.
Duke u bazuar në atë që qytetari është në qendër të misionit Metamorfoziz, që t’i mundësojë qytetarit të marrë vendime, të jetë aktiv, të marrë pjesë në politikë-bërje, Zylbeari tha se për të ndodhur kjo, duhet të njëjtit të marrin informacione që janë të besueshme, të vërteta dhe të denjë për të marrë vendimin e duhur.
“Por informacionet, mesazhet që vinin nga politikanët-qeveria ishin propagandë, dezinformata. prandaj në vitin 2013 kemi filluar me shërbimin e verifikimit të fakteve në gjuhën shqipe dhe maqedonase, me qëllim që të kontrollojmë faktet e përmbajtjeve të publikuara në media. Ne po përpiqeshim të kontrollonim përmbajtjen me një metodologji strikte dhe transparente që nuk është asgjë e re, ajo bazohet në kodin e gazetarisë. Ishte e rëndësishme të bëhej kryesisht në shqip dhe maqedonisht, sepse dy propaganda të ndryshme po përhapeshin në dy etni të ndryshme”, tha Zylbeari.
Por, përsëri as kjo nuk mjaftoi, siç sqaroi ajo ndikimi dhe dezinformatat nga jashtë janë të përhapura ende më shumë dhe kanë për qëllim të polarizojnë më shumë shoqërinë. Për këtë, Zylbeari sqaroi se tani Metamorfozis po punon në disa gjuhë të ndryshme për t’u bërë ballë këtyre dezinformatave.
“Kjo është arsyeja pse, ne tani po punojmë në gjuhë të ndryshme, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht dhe shqip për të provuar të identifikojmë dhe hartojmë të gjithë këta aktorë, të gjithë ekosistemin e dezinformimit të propagandës, të propagandës së Kremlinit, duke u përpjekur të hetojmë dhe vërtetojnë se kjo është tendencë”, tha Zylbeari.
Ndër të tjera theksoi se në hulumtimin e fundit nga Metamorfozis, jepen të gjitha rekomantimet për aktorët dhe kontributin që duhet të japin ndaj kësaj lufte hibride.
Së bashku me Zylbearin në këtë panel folën edhe Angie Dronbic Holan– kryeredaktorja e PolitiFact nga SHBA-të; Milijana Rogaç– gazetare dhe hulumtuese e medias nga OJQ-ja Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi) CRTA nga Sërbia; Enock Nyariki– menaxher në Rrjetin Ndërkombëtar pët verifikimin e Fakteve (IFCN) dhe Ieva Ivanauskaite– drejtuese e departamentit të zhvillimit të biznesit në Delfi- organizata më e madhe e lajmeve në internet në shtetet baltike.
Konferencën mund ta ndiqni drejtpërdrejt, ndërsa pjesën e panelit mbi “Ngritjen e nismës për verifikimin e fakteve” mund ta ndiqni nga minuta 01:13:00
Ndryshe, konferenca POINT organizohet nga anëtarët e rrjetit ACTION SEE, pjesë e së cilës është edhe Fondacioni Metamorfozis.
Përveç Zylbearit, sot në konferencë foli edhe kryeredaktori i Vërtetmatësit në gjuhën maqedone- Vlladimir Petrevski ndërsa nesër zëvendës-kryeredaktori i Meta.mk– Bojan Bllazhevski.