Edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk nga Fondacioni Metamorfozis/ Paneli: Demokratizimi i të dhënave – Fuqia, qasja dhe përgjegjësia
Në një kohë kur të dhënat janë shndërruar në pasurinë më të rëndësishme të shoqërisë digjitale, mbetet ende e hapur dilema se kush i kontrollon ato, kush përfiton prej tyre dhe si përdoren. Inteligjenca artificiale po e përshpejton kapacitetin për të përpunuar sasi të mëdha informacioni dhe për të gjeneruar vlerë, por bashkë me përfitimet rriten edhe rreziqet. Këto dilema dhe perspektiva ishin në qendër të panelit që shqyrtoi rolin e Intelegjencës Artificiale dhe të dhënave të hapura në avancimin e demokratizimit të informacionit, në kuadër të edicionit të 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-shoqëri.mk, shkruan Portalb.mk.
Lupka Ivanovska, shefe e Njësisë për Çështje Juridike dhe Normative në Ministrinë e Transformimit Digjital, theksoi se institucionet po përgatiten për hapa konkretë në muajt e ardhshëm, duke u mbështetur në ekspertizën vendore dhe duke përfshirë të gjithë palët e interesit, përfshirë shoqërinë civile.
“Një nga parimet tona është që proceset t’i përfundojmë deri në fund. Hapja ndaj qytetarëve do të thotë përmirësim i besimit në institucione”, tha ajo.
Ivanovska u shpreh se zhvillimet e shpejta të AI, të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, kërkojnë kujdes të shtuar në hartimin e zgjidhjeve ligjore: “Do të jemi të kujdesshëm se si do të përdoret në shtetin tonë.”
Nga ana tjetër, Viktor Mitevski, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Hulumtime dhe Analiza – ZMAI, nënvizoi se të dhënat e hapura nuk mund të funksionojnë pa kërkesë dhe presion nga përdoruesit.
“Duhet të ecim përpara dhe t’u japim hapësirë përdoruesve të krijojnë presion, sidomos për të dhënat që dalin nga puna e tyre,” tha ai.
Sipas Mitevskit, AI mund të jetë një mjet kyç për hapjen më të madhe të institucioneve dhe përpunimin më të shpejtë të të dhënave. Por ndryshimi më i rëndësishëm duhet të ndodhë brenda administratës:
“Institucionet duhet ta ndryshojnë mënyrën se si i shohin të dhënat. Ato nuk janë pronë e punonjësve që punojnë aty. Duhet të largohemi nga modeli ku me xhelozi i ruajmë të dhënat. Nuk është puna e institucioneve kush dhe si i përdorë, përgjegjësia e tyre është t’i ndajnë të dhënat,” tha mes tjerash Mitevski.
Perspektivë teknike mbi ritmin marramendës të zhvillimit të AI dha Hristijan Gjorevski, profesor në FETI, i cili pranoi se edhe vetë komuniteti shkencor është befasuar nga progresi i tre viteve të fundit.
“Përpiqemi të jemi një hap me të. Ky mjet mund të shkaktojë edhe probleme dhe huti,” tha ai, duke theksuar nevojën për qasje të disiplinuar dhe të menduar mirë.
Edhe ai nënvizoi se institucionet nuk duhet të fokusohen te përdoruesi final i të dhënave, por te vet procesi i ofrimit të tyre.
Ndërsa Irena Bojaxhievska, eksperte për politikat e të dhënave të hapura, hodhi dritë mbi sfidat që mbeten të pandryshuara pavarësisht përparimit teknologjik.
Ajo vuri në dukje se të dhënat e hapura do të mbeten po aq të rëndësishme edhe në vitet që vijnë, por pyetjet që shtrohen sot në kontekstin e AI janë akoma më komplekse.
“Për AI gjithçka është e dhënë çdo gjë që vendosim në internet. Por saktësia varet nga ajo që ne vetë kemi publikuar,” tha ajo.
Bojaxhievska paralajmëroi se AI nuk pret që institucionet të hapin të dhënat, sepse ajo mund të gjenerojë përmbledhje edhe pa referenca të sakta: “Kur e pyes AI nga vijnë të dhënat, më përgjigjet ‘ashtu është’, pa ma dhënë burimin.” Ajo tha se ligji i ri për të dhënat e hapura është një bazë e mirë, por “nuk i zgjidh të gjitha problemet.”
Sot në Shkup mbahet edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk Nga Fondacioni Metamorfozis.
Konferenca e 21-të Ndërkombëtare e-Shoqëri. Foto: Vanço Xhambaski
Zbatimi i inteligjencës artificiale po ndodh me ritme më të shpejta sesa krijimi i kornizave rregullatore ose miratimi i standardeve minimale për krijimin dhe përdorimin e saj të përgjegjshëm. Ekspertët e kësaj lëmie gjatë diskutimit në kuadër të konferencës vjetore ‘E-shoqëri’ nxorën në pah rreziqet e “rregullimit pas eksperimentimit”, dilemat etike të përfshirjes së inteligjencës artificiale në klasa dhe shërbimet publike, si dhe nevojën për masa të hershme mbrojtëse për të mbrojtur drejtësinë dhe përfshirjen për të gjithë qytetarët. U prezantua edhe Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale ‘Vezilka’ në RMV, shkruan Portalb.mk.
Derisa algoritmet e formësojnë jetët tona, të drejtat dhe integriteti i njeriut vihen në pikëpyetje. Në të gjithë Bashkimin Evropian, Ligji për Inteligjencën Artificiale (IA) përcakton standarde për drejtësi, transparencë dhe përgjegjësi, por vendeve jo-anëtare të BE-së u lihet ta rregullojnë vetë përdorimin e përgjegjshëm të IA-së.
Duke folur mbi rreziqet e rregullimit pas eksperimentimit, dilemat etike të integrimit të inteligjencës artificiale në klasa dhe shërbime publike, si dhe nevojën urgjente për masa mbrojtëse të hershme për të mbrojtur drejtësinë dhe përfshirjen për të gjithë qytetarët, ekspertët nga rajoni dhe më gjerë ndanë përvojat dhe sugjerimet e tyre.
Ledia Canga, eksperte e menaxhimit të rreziqeve të sigurisë kibernetike nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike i Shqipërisë, theksoi se sfidat e reja të IA-së nuk janë vetëm trend dhe teknologji, por the pikë kthyese se çka njerëzit mund të jenë në kohën e inteligjencës artificiale, megjithatë sipas saj nuk ka IA pa njerëzit.
Ledia Canga. Foto: Vanço Xhambaski
Ajo sqaroi se në këtë drejtim, krijuesit dhe krijesa janë duke u zhvilluar së bashku, por që kjo mund të rregullohet dhe këtu institucionet kanë shumë punë.
“Inteligjenca Artificiale po zhvillohet shpejtë, sistemet po bëhen më komplekse dhe pasojat janë reale. Le ta prioritizojmë gjykimin njerëzor, integriteti njerëzor patjetër të mbetet konstant”, tha Canga.
Sipas saj, rreziku më mirë është të parandalohet se sa të detektohet.
“Ajo që do na mbrojë nuk është teknologjia, por mënyra se si do e rregullojmë dhe si do ta përdorim atë”, tha Canga.
Canga thekson se kjo fushë do monitorim të vazhdueshëm, dhe mes tjerash përmendi hapat institucional që Shqipëria po merr në këtë drejtim.
“IA po bashkëvepron me institucionet kombëtare, megjithatë masat mbrojtëse po ecin më ngadalë sesa bashkëveprimet e IA-së. Prandaj, institucionet duhet të balancojnë inovacionin dhe përgjegjësinë”, theksoi Canga.
Nga ana tjetër, AnastasiaIlievska, menaxhere e komunitetit në Brainster Next, sqaroi për projektin e lidhur me IA-në në RMV të quajtur “IA në klasa”, i cili rezultoi nga bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Bransteer për përfshirjen e IA-së në arsim.
Ilievska thotë se është e rëndësishme të mësohet, por edhe të krijohet.
“Qëllimi ishte si t’i edukojmë profesorët e shkollave të mesme për përdorimin IA-së në arsim, në mënyrë që mund ti implementojnë në klasë, dhe t’i mësojnë nxënësit mbi IA-në”, tha Ilievska.
Ajo theksoi se duhet të bëhen ndryshime të shpejta si te mësimdhënësit, po ashtu edhe te nxënësit, pasi siç sqaroi ajo, të rijnë tani më janë mjaft kreativ. Si shembull përmendi rastin e disa nxënësve nga Manastiri të cilët kanë krijuar një sistem AI të cilin e kanë shitur në SHBA.
“Hapat duhet të jenë shumë preciz dhe të saktë”, porositi ajo.
Anastasia Ilievska. Foto: Vanço Xhambaski
Zia Perko Rogelj, anëtare e Këshillit Këshillimor të të Rinjve në Këshillin e Evropës dhe anëtare bordit të “Connect International” tha se misioni i tyre është ta sjellin njerëzimin në jetën digjitale.
“Mbrojtja e të drejtave të njeriut është jashtëzakonisht e rëndësishme, prandaj ne përpiqemi të adresojmë diskriminimin dhe narrativet e tjera negative. Rregullimi është i nevojshëm dhe duhet të vijë i pari për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të të rinjve, dhe inovacioni duhet të vijë i dyti”, tha Zia Perko Rogelj.
Ajo theksoi gjithashtu se të rinjtë duhet të kenë hapsirë dhe të jenë të përfshirë dhe të dëgjuar. Për këtë, siç tha ajo, përgjegjësi të madhe kanë qeveritë.
Zia Perko Rogelj. Foto: Vanço Xhambaski
Si mund të kapërcehet ky boshllëk rregullator në RMV?
Për këtë, Mila Brown, studiuese e politikave të inteligjencës artificiale prezantoi gjethejt e studimit të saj mbi Përshtatjen e politikave të Maqedonisë së Veriut me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale.
“Hulumtimi tregoi se vendi ka një sistem të fortë kibernetik dhe mbrojtje të përgjithshme të të dhënave, por sistemi ligjor nuk është shumë gjithëpërfshirës dhe kapaciteti institucional nuk është i pajisur mjaftueshëm”, tha Brown.
Ajo mes tjerash tha se nëse RMV-ja dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të punojë në këtë drejtim. Megjithatë, sipas saj, kapacitetet institucionale janë me kapacitete të kufizuara.
“IA nuk është më pyetje e së ardhmes por e së tashmes”, tha ajo.
Milla Brown. Foto: Vanço Xhambaski
Vezilka, IA qendra që pritet ta transformojë RMV-në
Në Maqedoninë e Veriut tani më është prezantuar Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale ‘Vezilka’, projekt ky i cili synon krijimin e një ekosistemi shtetëror për përdorim të përgjegjshëm dhe të besueshëm të inteligjencës artificiale.
Ky projekt në vlerë totale prej rreth 6 milionë eurosh, realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, ndërsa bashkëfinancohet nga Ministria e Transformimit Digjital dhe Fakulteti i Shkencave Informatike dhe i Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI) si bartës i projektit.
Duke prezantuar këtë qendër, profesor Igor Mishkovski nga FINKI, sqaroi se ky projekt fokusohet dhe do të transformojë pesë fusha prioritare: shëndetësia, energjia e gjelbër, bujqësia, gjuha, administrata publike. Ndër të tjera, ai përmendi sfidat dhe mundësitë.
“Maqedonia e Veriut është aktualisht në fazë të hershme të adoptimit të inteligjencës artificiale, me depërtim të kufizuar në sektorët industrialë, publikë dhe shoqërorë”, tha Mishkovski.
Igor Mishkovski. Foto: Vanço Xhambaski
Ai theksoi se ‘Vezilka’ ka pesë objektiva kryesore strategjike, edhe atë: Forcimi i ekosistemit kombëtar të IA-së; ofrimi i shërbimeve të IA-së të përshtatura për startup-et, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe institucionet publike; zhvillimi dhe mbajtja e talenteve në IA; mundësimi i bashkëpunimit strategjik; mbështetja e Qeverisë.
“Vezilka duhet të mbahet mend si pishtari i inteligjencës artificiale të përgjegjshme dhe të përqendruar te njeriu në RMV duke e sjellë teknologjinë inteligjente më afër qytetarëve dhe duke e kanalizuar atë drejt ndryshimeve domethënëse shoqërore. Tre vjet nga tani, dua që ne të shikojmë prapa dhe të themi: Ky ishte momenti kur gjithçka ndryshoi”, tha Mishkovski.
‘Vezilka’ do të jetë njësi partnere e fabrikës evropiane të AI “Pharos”, me seli në Greqi, gjë që do t’u mundësojë institucioneve, studiuesve, kompanive dhe start-up-eve maqedonase qasje në superkompjuterët evropianë dhe hapësirat e avancuara të të dhënave. Ajo do të funksionojë si qendër trajnimi dhe zhvillimi të kapitalit njerëzor, ku do të organizohen trajnimet, projektet praktike dhe programet edukative në fushën e inteligjencës artificiale.
Ndryshe, sot në Shkup mbahet edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk Nga Fondacioni Metamorfozis. Këtë vit, Konferenca do t’i kushtohet temës “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital”, duke hulumtuar se si përparimi i shpejtë teknologjik po i riformëson qëndrueshmërinë demokratike, të drejtat e njeriut dhe besimin shoqëror në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.
Konferenca e 21-të Ndërkombëtare e-Shoqëri. Foto: Vanço Xhambaski
Procesi i digjitalizimit krijon mundësi të rëndësishme për zhvillim, por në të njëjtën kohë bart edhe rreziqe të shtuara që e minojnë sigurinë e shteteve, institucioneve dhe qytetarëve. Manipulimet me informacionet dhe sulmet kibernetike paraqesin një sfidë serioze për stabilitetin dhe besimin në proceset demokratike, sidomos në kushte të dinamikave komplekse gjeopolitike dhe lidhshmërisë gjithnjë e më të madhe të shoqërive u tha në Konferencën “E-shoqëri.mk” të organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, transmeton Portalb.mk.
Me çfarë kërcënimesh ndaj sigurisë dhe stabilitetit përballen shtete të ndryshme në rajon dhe Evropë dhe cilat janë mënyrat e ndërtimit të bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar që kanë për qëllim avancimin e rezistencës dhe mbrojtjes nga rreziqet kibernetike dhe informative ishin tema të sesionit “Rezistenca ndaj kërcënimeve informative dhe kibernetike si faktor i stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, i cili u mbajt në kuadër të edicionit të 21 të Konferencës “E-shoqëri.mk” të organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis”.
Sazdovski: Sanksionet janë një zgjidhje e suksesshme kundër kërcënimeve hibride
Mirosllav Sazdovski, analist i lartë në Qendrën Evropiane për Ekselencë në Trajtimin e Kërcënimeve Hibride nga Finlanda e theksoi si një shembull të sulmit kibernetik me ndikim të madh rastin e prerjes së kabllove nënujore në Detin Balltik që ndodhi vitin e kaluar. Aktivitetet e anijes cisternë me pronësi të dyshimtë provokuan një përgjigje nga Finlanda dhe faktorët rajonalë, nga e cila, sipas Sazdovskit, duhet të nxirren përfundime se si duhet të veprohet gjatë trajtimit të kërcënimeve hibride.
Mirosllav Sazdovski, analist i lartë në Qendrën Evropiane për Ekselencë në Trajtimin e Kërcënimeve Hibride nga Finlanda. Foto: Metamorfozis
“Ngjarja shkaktoi dobësimin e shërbimeve të komunikimit, gjë që për shoqëritë që janë të varura nga digjitalizimi është një sfidë e madhe. Por, reagimi i shpejtë i koordinuar i Finlandës, identifikimi i shpejtë i ngjarjes dhe hetimi që dha përgjigje në pyetjet rreth anijes cisternë dhe veprimi i përbashkët me Estoninë ndikuan në besimin e qytetarëve,” tha Sazdovski.
Ngjarja, e cila ndodhi shumë shpejt pasi Finlanda dhe Suedia u bënë anëtare të NATO-s, padyshim që nuk ishte një incident i rastësishëm, por një aktivitet hibrid që kishte për qëllim të shkaktojë frikë, panik, frikësim dhe mosbesim në grupin e vendeve Balltike, por edhe brenda NATO-s. Nga ana tjetër, sipas Sazdovskit, pas këtij rasti u rrit ndërgjegjësimi i publikut dhe i institucioneve për cenueshmërinë ndaj aktiviteteve të mëdha hibride dhe shumë vende e përforcuan procesin e monitorimit të infrastrukturës kritike dhe nevojën për gatishmëri për reagim të shpejtë.
“Gjatë kërcënimeve hibride kundërshtari zakonisht është nën radar dhe sanksionet janë një nga zgjidhjet që po dëshmohen si të suksesshme. Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Rusisë, gjë që u tregua si një zgjidhje efikase, ndërsa bashkë me ngrirjen e aseteve financiare, bllokimin e kapaciteteve prodhuese dhe kontrollin e eksportit të teknologjisë, bëri që çmimi i sulmit hibrid të jetë shumë më i lartë se përfitimi,” tha Sazdovski.
Romaniuk: Burimi kryesor i informacionit në Ukrainë është aplikacioni “Telegram”
Anastasiia Romaniuk, analiste për platformat digjitale nga Rrjeti Qytetar Opora në Ukrainë, thotë se në vendin që po përballet me luftën burimi primar për lajme është aplikacioni “Telegram” përmes të cilit informohen pothuajse 70 përqind e popullatës, edhe pse ai nuk i rregullon aspak përmbajtjet që publikohet.
Romaniuk thotë se narrativat që përhapin gjuhë të urrejtjes dhe dhunë transmetohen përmes kanaleve anonime të Telegramit që kanë qindra mijëra abonentë me audiencë milionëshe dhe ndikim të madh, e që janë pa asnjë përgjegjësi ose rregulla etike.
“Përmes kanaleve sekrete targetohet politika e mobilizimit dhe përhapen narrativa që të mos u besohet autoriteteve ushtarake dhe të mos pranohen ftesat për mobilizim. Përhapet frikë dhe nxitet armiqësia e qytetarëve ndaj shtetit,” thotë Romaniuk dhe thekson se ata po punojnë në mënyrë aktive në hulumtimin e narrativave në Telegram, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u kundërshtuar, sidomos në kushtet aktuale në Ukrainë ku mungojnë edhe një numër i mjaftueshëm i informacioneve zyrtare publike nga institucionet dhe ushtria.
Anastasiia Romaniuk, analiste për platformat digjitale nga Rrjeti Qytetar Opora në Ukrainë. Foto: Metamorfozis
Rizaov: Përforcimi i koalicioneve rajonale dhe ndërkombëtare si zgjidhje
Goran Rizaov, koordinator i programit në Fondacionin “Metamorfozis” dhe kryeredaktor përgjegjës i Agjencisë së Lajmeve Meta.mk, është i mendimit se ekspozimi i gjatë ndaj dezinformatave bën që qytetarët të mos i besojnë askujt përveç njerëzve të tyre më të afërt, duke u mbyllur në qarqe të vegjël ku nuk kanë nevojë as t’i verifikojnë informacionet.
Si shembuj të sulmeve kibernetike që ndodhën në vend kohët e fundit Rizaov e përmendi sulmin ndaj infrastrukturës së servisit publik – Radiotelevizionit të Maqedonisë, për shkak të të cilit vetëm tre ditë para zgjedhjeve lokale nuk u transmetua ditari kryesor dhe ballafaqimi i kandidatëve për kryetarë të komunave, si dhe rastin e sulmit kibernetik me mijëra bote në profilin e Instagramit të gazetës “Slloboden Peçat”.
“Sulmi ndaj RTM ndoshta as që do të ishte zbuluar nëse informacioni nuk do të bëhej viral në rrjetet sociale. Drejtuesit e servisit publik u drejtuan tek të nesërmen me një njoftim të shkurtër se bëhej fjalë për një sulm kibernetik ndaj infrastrukturës, por ajo që është interesante është se askush nuk kontrolloi nëse vërtet kjo ishte ajo që ndodhi, as se cilat ishin lajmet që duhej të transmetoheshin atë mbrëmje,” tha Rizaov.
Ai thekson se sulmi kibernetik ndaj “Slloboden Peçat” është një shembull i keqpërdorimit të algoritmeve të rrjeteve sociale që përdoren për rritjen artificiale të shtrirjes, të cilat në këtë rast janë përdorur nga një palë e tretë për të arritur një efekt krejtësisht të kundërt, pra me lënien e qindra komenteve në fakt të zvogëlohet shtrirja e profilit.
“Zgjidhje për përballje me kërcënimet kibernetike ka, për shembull aty janë mundësitë për koalicione rajonale dhe ndërkombëtare që duhet të përmirësohen, përforcohen dhe zgjerohen, ndërsa shoqëria civile është ajo që duhet ta udhëheqë këtë luftë,” tha Rizaov.
Goran Rizaov, koordinator i programit në Fondacionin “Metamorfozis”. foto: Metamorfozis
Petroviq: Në Serbi sulmet kibernetike ndaj qytetarëve vijnë nga tre anë
Nikolla Petroviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë ISAC nga Serbia thotë se në këtë vend kërcënimet kibernetike dhe sulmet hibride në hapësirën informative zënë vendet e fundit të kërcënimeve të larta, ndërsa më të lartat vijnë nga aktorët politikë në pushtet.
Nikolla Petroviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë ISAC nga Serbia. Foto: Metamorfozis
“Ky është një trend shumëvjeçar në Serbi ku kontrollin mbi mediat dhe hapësirën informative e kanë njerëz që nuk kanë kapacitet. Serbia është vendi i parë në Evropë për kah numri i sulmeve përmes email-it përmes të cilave sulmohen të dhënat personale të qytetarëve me përmbajtje me viruse dhe mjete të tjera. Sa i përket këtij lloji të sulmeve vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë me mbi 20 përqind në nivel botëror,” thotë Petroviq.
Ai thekson se në Serbi sulmet ndaj qytetarëve vijnë nga tre anë. Nga autoritetet dhe institucionet që i përdorin dezinformatat për ta imponuar ndikimin e tyre, qendrat e huaja të fuqisë nga Rusia dhe Kina që kanë interesat e tyre, si dhe nga entitetet private që duan të imponojnë fuqi. Kjo gjë shkakton mosbesim tek popullata dhe mbyllje të saj në qarqe të ngushta me njerëz tek të cilët kanë besim.
“Mjeti më i rëndësishëm për rezistencë ndaj fushatave dezinformative dhe sulmeve kibernetike është edukimi. Ndoshta është i kushtueshëm dhe merr kohë, por është i përsosur dhe jep rezultatet më të mira dhe konkrete,” tha Petroviq.
Konferenca Ndërkombëtare “E-shoqëria.mk” vazhdon gjatë gjithë ditës, ndërsa në orët e pasdites do të ndahet çmimi “Ilija Zhupanovski” për arritje të jashtëzakonshme në përballjen me dezinformatat.
Edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk nga Fondacioni Metamorfozis këtë vit i është kushtuar temës “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital”, duke hulumtuar se si përparimi i shpejtë teknologjik po i riformëson qëndrueshmërinë demokratike, të drejtat e njeriut dhe besimin shoqëror në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.
Konferenca e 21-të Ndërkombëtare e-Shoqëri. Foto: Portalb.mk
Integriteti është kusht për një transformim të vërtetë digjital , i cili nuk ka vlerë nëse qytetarët vazhdojnë të presin radhë para sporteleve për shërbime. Ishte kjo vetëm një nga pikat e prezantuara në edicionin e 21 të Konferencës Ndërkombëtare për e-Shoqëri, që u mbajt sot me temë “Integriteti në thelb të transformimit digjital”, transmeton Portalb.mk.
Ky event i organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis” e bashkoi komunitetin e ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtar, institucionet dhe përfaqësuesit diplomatikë, për t’i shqyrtuar sfidat dhe mundësitë të cilat i sjell epoka e re digjitale.
Konferencën e sivjetme e hapi drejtori ekzekutiv i “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, i cili theksoi se transformimi digjital nuk duhet kuptuar vetëm si një proces teknologjik, por si një ndryshim thelbësor shoqëror në të cilin një rol kyç luan integriteti.
“Kur e zgjodhëm temën e kësaj konference ne kishim parasysh tre dimensione. I pari, integriteti institucional. I dyti është qasja njerëzore ndaj inteligjencës artificiale (IA). Ne duhet ta pyesim veten: a janë dizajnuar këto sisteme tduke i marrë në konsideratë të drejtat e njeriut? Apo shndërrohen në kuti të zeza? Integriteti në IA do të thotë transparencë dhe algoritme të drejta. Dimensioni i tretë është integriteti njerëzor, rezistenca e qytetarëve ndaj dezinformatave dhe aftësia për të menduar në mënyrë kritike. Transformimi digjital duhet të nënkuptojë jetë më të mirë, shërbime pa pritur rradhë dhe pa frikë nga keqpërdorimi i të dhënave dhe pa hapa të pafund byrokratike. Nëse nuk e arrijmë këtë, atëherë nuk kemi transformuar asgjë, thjesht kemi shtuar një shtresë digjitale mbi joefikasitetin,” theksoi drejtori Jashari në fjalën e tij hyrëse.
Bardhyl Jashari në Konferencën e 21-të Ndërkombëtare e-Shoqëri. Foto: Portalb.mk
Ai u bëri një thirrje të qartë institucioneve, komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile, që së bashku të ndërtojnë një shoqëri digjitale në të cilën teknologjia i shërben dinjitetit njerëzor ndërsa integriteti është parim udhëheqës në çdo reformë.
“Thirrja ime e sotme drejtuar institucioneve: T’i shndërrojmë strategjitë në reforma konkrete. Të punojmë së bashku, t’i hapim dyert për partneritet të vërtetë dhe t’i bëjmë shërbimet funksionale për qytetarët. Për komunitetin ndërkombëtar: Vazhdoni të na mbani në standarde të larta. Na ndihmoni të integrohemi në mekanizma si Democracy Shield, jo si pranues pasivë, por si partnerë aktivë. Na mbështetni në mirëmbajtjen, përdorimin dhe përhapjen, jo vetëm të ekspertizës, por edhe të potencialit demokratik ndërtimin e të cilit në sektorin civil e keni ndihmuar ju. Për shoqërinë civile: Të vazhdojmë të përfshihemi në krijimin e politikave. T’i edukojmë dhe t’i informojmë qytetarët për teknologjinë, sfidat dhe përfitimet. Të jemi rojtarë të integritetit. Të kujdesemi që kur të kthehemi në këtë epokë digjitale të mos shohim vetëm se kemi blerë kompjuterë apo smartfonë të rinj. Të shohim se kemi ndërtuar një shoqëri ku teknologjia i shërben dinjitetit njerëzor, ku shërbimet janë efikase dhe ku integriteti nuk është vetëm një qëllim, por parim udhëheqës në gjithçka që bëjmë,” përfundoi Jashari.
Andonovski: Pa integritet, transformimi digjital mund të bëhet mjet për diskriminim
Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, në fjalimin e tij theksoi se transformimi digjital është një ndryshim i thellë shoqëror që do të sjellë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset, por vetëm nëse bazohet në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“Transformimi digjital është një ndryshim i thellë shoqëror, i cili mund të sjellë shërbime më efikase për qytetarët dhe mundësi të reja për të bërë biznes. Por, pa sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut ai mund të shndërrohet në mjet për diskriminim dhe manipulim. E nevojshme është që të ndërtojmë një shoqëri digjitale moderne, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, e cila do t’u shërbejë qytetarëve. Integriteti i institucioneve është i rëndësishëm dhe duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe kompanive. Sipas shifrave të fundit numri i qytetarëve që përdorin portalin e-shërbime është rritur, shërbim ky që u mundëson atyre t’i realizojnë shërbimet përmes smartfonit të tyre pa pritur radhë në sportel,” theksoi Andonovski.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në Konferencën e 21-të Ndërkombëtare e-Shoqëri. Foto: Portalb.mk
Ai shtoi se përgjegjësit në ministri po punojnë për Wi-Fi zona pa pagesë.
“Ato nuk duhet të jenë privilegj, por e drejtë e të gjithë qytetarëve në vend. Përveç kësaj, më shumë se 35 institucione janë të lidhura dhe shkëmbejnë dokumente pa letra. Një aspekt tjetër është IA e përgjegjshme. IA sjell potencial të madh dhe rreziqe për privatësinë, diskriminimin, manipulimin me informacionin. Ne po punojmë në projekte pilot, javën e ardhshme do ta kemi portalin data.gov.mk, i cili do të përdorë një chatbot që do t’i plasojë informacionet më lehtë. IA pa një strategji të qartë i ekspozon qytetarët ndaj rreziqeve. Prandaj, po krijojmë një kornizë dhe udhëzime të harmonizuara me standardet. Në këtë konferencë mund të flasim për këto çështje. Kur flasim për integritetin të rëndësishme janë tri gjëra– qytetarë të sigurt, institucione të qasshme dhe inovacione të kahëzuara. Kjo duhet të bëhet realitet në mënyrë që qytetarët të ndiejnë përfitime nga ndryshimet që po i bëjmë. Për këtë na nevojitet partneriteti me të gjithë ju, si edhe me partnerët ndërkombëtarë,” theksoi Andonovski, i cili e falënderoi “Metamorfozis” që këtë temë nuk e lë në margjina, por i jep rëndësi të madhe dhe e vendos atë në qendër.
Ben Nupnau: Maqedonia mund të jetë lidere në transformimin digjital
Zëvendësambasadori i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau, përkujtoi se integriteti dhe të drejtat e njeriut janë kyçe për një transformim të suksesshëm digjital dhe se Maqedonia tashmë po merr pjesë në mënyrë aktive në iniciativat evropiane në këtë fushë.
“Duhet të kemi një infrastrukturë të fortë – siguri kibernetike dhe edukim mediatik. Duhet të harmonizohemi me standardet evropiane, të harmonizohemi me idealet e BE-së. Qytetarët kanë përfitime nga këto politika, ndërsa Maqedonia përmes projektit ‘Vezillka’ është anëtare aktive e Rrjetit Evropian për IA.
“Do vazhdojmë të punojmë me ju për problemet me dezinformatat. Shtetet jashtë BE-së mund t’i aplikojnë mjetet me të cilat do të ruhet siguria e informacionit. Duke i përdorur burimet Maqedonia mund të jetë lidere në transformimin digjital. Po punojmë së bashku për ta siguruar hapësirën digjitale dhe për mbrojtje nga ndikimet e dëmshme,” theksoi Nupnau.
Zëvendësambasadori i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau. Foto: Portalb.mk
Le Rigoleur: Është përgjegjësi kolektive që transformimi digjital të zhvillohet në mënyrë etike
Ambasadori i Francës, Christophe Le Rigoleur, përkujtoi se lufta kundër dezinformatave është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme franceze.
“Tema e integritetit është e lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në të gjitha shoqëritë. Kjo është një konferencë vjetore e “Metamorfozis”, në të cilën flitet për tema relevante. Sot ne po flasim për mbrojtjen e qytetarëve në Internet, po flasim për sfidat që burojnë nga transformimi digjital. Që transformimi digjital të jetë i suksesshëm dhe që të nxisë rritjen ekonomike këto përpjekje duhet të përparojnë edhe më shumë. Kjo temë na kujton se transformimi digjital është një mjet që duhet ta përdorim me përgjegjësi. Në nivel global Franca është thellësisht e përfshirë në hapësirën digjitale të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut“, tha Le Rigoleur në fjalimin e tij para të pranishmëve.
Ambasadori i Francës, Christophe Le Rigoleur. Foto: Portalb.mk
Bakel:Integriteti i informacionit është bazë e demokracisë
Këshilltarja për stabilitet rajonal e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, Jantine Bakel paralajmëroi se bota është e mbushur me dezinformata nga aktorë vendas dhe të huaj, gjë që shkakton erozion të integritetit të informacionit dhe prandaj, sipas saj, është e rëndësishme që informacionet mbi të cilat ne ndërtojmë mendime të jenë të besueshme.
“Për këtë arsye Holanda u jep mbështetje organizatave në luftën kundër dezinformatave. Shumë gazetarë i përforcuan kapacitetet e tyre, të njohin, dokumentojnë dhe raportojnë për ndikimin e huaj. Kështu ata u ndihmojnë qytetarëve ta kuptojnë këtë luftë dhe ta zvogëlojnë dëmin. Strategjitë e suksesshme që zbatohen këtu mund të jenë të dobishme edhe për ne. Ne besojmë se transformimi digjital duhet t’i shërbejë shoqërisë, e jo anasjelltas. Sistemet digjitale i transformojnë administratat, shëndetësinë, arsimin dhe sigurinë. Kur punojnë në mënyrë etike ato i fuqizojnë qytetarët, në të kundërtën i zvogëlojnë vlerat demokratike. Mosdiskriminimi duhet të jetë në thelb të çdo vendimi. Qytetarët duhet ta dinë se si përdoren të dhënat e tyre. Në Holandë të drejtat e njeriut i shohim si diçka për të cilën nuk diskutohet, qeveritë duhet të tregojnë se teknologjia digjitale përdoret me përgjegjësi. Holanda mbetet e përkushtuar të punojë me ju për këtë temë të rëndësishme,” tha Bakel.
Këshilltarja për stabilitet rajonal e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, Jantine Bakel. Foto: Portalb.mk
Sa reni rezistent ndaj ndikimeve antidemokratike?
Përmes një kuizi interaktiv të pranishmit në këtë event kontrolluan sa janë rezistent ndaj ndikimeve antidemokratike. Pyetjet i përfshinë burimet më të shpeshta të informimit, besimin në teoritë e konspiracionit dhe qëndrimet ndaj ndryshimeve klimatike.
“Sipas hulumtimeve të “Metamorfozis” qytetarët më shpesh informohen përmes kontakteve personale dhe televizionit. Është shqetësues fakti që një numër i konsiderueshëm i të anketuarve besojnë se ekziston një ‘grup sekret’ që i kontrollon ngjarjet globale, përfshirë këtu luftërat, gjë që tregon për një përhapje të gjerë të teorive të konspiracionit. Edhe më alarmante është se një pjesë e qytetarëve mendojnë se ndryshimet klimatike janë një trillim, gjë që e pasqyron ndikimin e dezinformatave në perceptimin publik,” tha Despina Kovaçevska, specialiste për media në “Metamorfozis”.
Siç theksoi ajo, inkurajuese është që qytetarët e pranojnë se dezinformatat janë një problem serioz edhe pse e pranojnë edhe se e kanë të vështirë që t’i dallojnë ato.
“Shumica e qytetarëve presin që Qeveria të ndërmarrë masa për mbrojtjen nga dezinformatat dhe të sigurojë integritet në hapësirën publike. Në këtë drejtim, ne si “Metamorfozis” kemi përgatitur një udhërrëfyes për mbrojtjen e demokracisë nga kërcënimet e dezinformatave, i cili kërkon veprim të koordinuar të të gjithë aktorëve. Në këtë kuptim kyçe është edhe mbështetja financiare, sepse aktorët antidemokratikë kanë në dispozicion burime të konsiderueshme. Qëllimi ynë është që të veprojmë së bashku në mënyrë strategjike dhe, në fund, të sigurojmë një strategji rajonale të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim më të fortë kundër këtyre ndikimeve,” theksoi Kovaçevska.
Çmimi në fjalë ndahet për kontribute të shquara në gazetarinë profesionale, etikën e medias dhe raportimin me interes publik në Maqedoni. Kjo ceremoni nderon individët dhe mediat që promovojnë integritetin, transparencën dhe llogaridhënien në sferën e medias.
Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të organizohet në sesionin përmbyllës të konferencës, ndërsa ngjarja do të udhëhiqet nga Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalbit, dhe Biljana Georgievska, drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës së Medias të Maqedonisë.
Qëllimi i këtij aktiviteti nuk është vetëm të ofrojë ndihmë financiare të njëhershme, por të krijojë një mjedis të sigurt dhe strukturë për zhvillimin afatgjatë të mediave të vogla me rëndësi lokale dhe specifike.
Mediat lokale janë segmenti më i cenueshëm në peizazhin mediatik, duke u përballur me sfida të shumta krahasuar me mediat e mëdha kombëtare. Megjithatë, pikërisht këto media janë thelbësore sepse i krijojnë storjet më autentike dhe i trajtojnë drejtpërdrejt problemet dhe nevojat e komuniteteve lokale, të cilat rrallë gjejnë hapësirë në mediat kombëtare.
Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” ka kënaqësinë të shpallë fituesit e granteve në kuadër të thirrjes publike për mbështetjen e mediave të vogla dhe lokale, ku propozimet e tyre për projekte i dorëzuan madje 29 aplikantë, ndërsa pesë shtëpi mediatike do të marrin mbështetje financiare dhe mentoruese për krijimin e përmbajtjeve mediatike me interes publik.
Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, u përzgjodhën mediat e mëposhtme që do të punojnë në tema specifike me interes publik:
Qëllimi i këtij aktiviteti nuk është vetëm të ofrojë ndihmë financiare të njëhershme, por të krijojë një mjedis të sigurt dhe strukturë për zhvillimin afatgjatë të mediave.
Projekti rajonal SMS Facility – Mbështetje për mediat e vogla nga Ballkani Perëndimor, i financuar nga Bashkimi Evropian, zbatohet në partneritet me pesë organizata të shoqërisë civile për mbështetje të mediave – Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile CPCD (Bosnje dhe Hercegovinë), si partner kryesor, Thomson Media (Gjermani), Shkenca dhe Inovacioni për Zhvillim SCIDEV (Shqipëri), Kosovo Glocal (Kosovë) dhe Qendra për Tranzicion Demokratik (Mali i Zi).
Përveç mbështetjes financiare për prodhimin e përmbajtjeve, projekti ofron gjithashtu një komponentë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të mediave. Fituesit do të kenë qasje në mbështetje mentoruese nga ekspertë, si dhe në kurse edukative, punëtori dhe trajnime. Janë zhvilluar edhe mjete dhe metodologji të specializuara për vetëvlerësim dhe zhvillim organizativ.
Kjo qasje gjithëpërfshirëse synon t’u ndihmojë mediave të vogla ta përmirësojnë prodhimin e tyre multimedial dhe ta rrisin ndikimin e tyre në komunitetet ku veprojnë, dhe gjithsesi, të ndërtojnë modele të qëndrueshme biznesi.
Fondacioni Metamorfozis i përgëzon mediat e përzgjedhura dhe i pret me padurim storjet që do të dalin nga ky bashkëpunim.
Fondacioni Metamorfozis e mbështet iniciativën e EDRI-t, Iniciativës Evropiane për të Drejtat Digjitale, pjesë e së cilës është edhe “Metamorfozis” – e cila paralajmëron se “Omnibusi Digjital” i Komisionit Evropian përfaqëson një kthim të rëndësishëm mbrapa për mbrojtjet digjitale në BE. Komunikatën e plotë për shtyp mund ta lexoni këtu.
Omnibusi Digjital i propozuar nga Komisioni Evropian përfaqëson një nga kthimet më të rëndësishme prapa në mbrojtjen e të drejtave digjitale në BE deri më sot. Edhe pse paraqitet si një ushtrim teknik që synon thjeshtimin dhe harmonizimin e legjislacionit, organizatat e shoqërisë civile si EDRi paralajmërojnë se kjo do të rihapë dhe do t’i dobësojë shtyllat kryesore të kornizës evropiane për të drejtat digjitale, duke përfshirë GDPR-në, Direktivën për Privatësinë Elektronike dhe pjesë të Ligjit për Inteligjencën Artificiale. Për Maqedoninë e Veriut, një vend që po harmonizohet në mënyrë aktive me standardet e BE-së dhe përpiqet të forcojë qeverisjen demokratike përmes transformimit digjital, këto zhvillime nuk duhet të perceptohen si të largëta ose të parëndësishme.
Edhe pse Maqedonia e Veriut ende nuk është anëtare e BE-së, standardet rregullatore evropiane e formësojnë mënyrën se si zhvillohen politikat digjitale në të gjithë rajonin. Institucionet, kompanitë dhe organizatat tona të shoqërisë civile kanë tendencë të përputhen me normat e BE-së, kryesisht përmes harmonizimit ligjor ose përmes varësisë sonë nga teknologjitë dhe platformat e bazuara në BE. Në rast se BE-ja i dobëson masat e saj mbrojtëse të privatësisë ose e kufizon fushëveprimin e mbrojtjes së të dhënave personale, kjo do të dërgojë një mesazh shumë të fortë se një dobësim i tillë i rregullave është i pranueshëm, gjë që do t’a bëjë më të vështirë për vende si i yni të këmbëngulin për standarde më të forta të orientuara drejt qytetarëve dhe të drejtave të njeriut. Kjo është veçanërisht shqetësuese në procesin e përpjekjeve tona për të avancuar shërbime transparente dhe të përgjegjshme elektronike, për të ndërtuar besimin e publikut dhe për të siguruar përfshirjen e komuniteteve të cenueshme në sferën digjitale.
Për Maqedoninë e Veriut, rreziqet janë veçanërisht kritike. Dobësimi i rregullave të privatësisë të BE-së mund të çojë në një pranim më të gjerë të praktikave që u lejojnë kompanive të kenë më lehtë qasje në të dhënat nga pajisjet personale, të profilizojnë individë pa pëlqimin e tyre të plotë ose të përdorin informacione të ndjeshme për t’i trajnuar sistemet e inteligjencës artificiale me mbikëqyrje të kufizuar. Këto trende i dëmtojnë në mënyrë disproporcionale komunitetet e cenueshme të cilat janë tashmë të ekspozuara ndaj diskriminimit, keqpërdorimit të të dhënave dhe aftësisë së kufizuar për të kontestuar vendimet algoritmike. Nëse mjedisi rregullator zhvendoset drejt “lehtësisë për korporatat” në vend të mbrojtjes së publikut, këto komunitete mund të përballen me pabarazi edhe më të thella digjitale.
Në një rast të tillë, ky kthim mbrapa në BE do të mund t’i minojë përpjekjet shumëvjeçare për të promovuar qeverisjen e përgjegjshme digjitale, gjë që mund t’i inkurajojë institucionet të miratojnë qasje të ngjashme “më të lehta” ndaj menaxhimit të të dhënave, duke i dhënë përparësi efikasitetit ndaj të drejtave ose shpejtësisë ndaj masave mbrojtëse. Kjo do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me përpjekjet tona të vazhdueshme për të siguruar që transformimi digjital funksionon për t’i mbrojtur dhe për t’u shërbyer qytetarëve, e jo në kurriz ose në dëm të tyre.
Prandaj, këto zhvillime rreth Omnibusit Digjital duhet të monitorohen me kujdes dhe të diskutohen publikisht në Maqedoninë e Veriut, sepse ajo që ndodh në BE ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen tonë digjitale. Përderisa jemi duke i formësuar kornizat tona ligjore, strategjitë e transformimit digjital dhe shërbimet elektronike, duhet të këmbëngulim që privatësia, transparenca dhe llogaridhënia të mbeten themele të panegociueshme, pa lejuar që trendet rajonale t’i normalizojnë masat më të dobëta mbrojtëse ose t’i reduktojnë të drejtat digjitale në çështje lehtësimit administrativ. Në vend të kësaj, duhet të përqendrohemi në një transformim të përgjegjshëm digjital që kërkon masa të forta mbrojtëse, procese gjithëpërfshirëse dhe përkushtim për t’i mbrojtur të gjitha komunitetet, veçanërisht ato që janë më të rrezikuara.
Më 26 nëntor (e mërkurë) 2025, në Klubin e Deputetëve në Shkup u mbajt Forumi Kombëtar – Panairi i Organizatave të Shoqërisë Civile: “Bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile”, i organizuar nga “Civica Mobilitas” dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në forum folën Kryeministri i QeverisëHristijan Mickoski, Sekretari i Përgjithshëm, Igor Janushev dhe disa nga ministrat e Qeverisë, si dhe ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Ekselenca e Tij, Christoph Sommer.
Forumi Kombëtar mundësoi debate dhe prezantime të arritjeve të përfituesve të grantistëve të Civica Mobilitas përmes një seksioni ekspozitash, si dhe diskutime në panel mbi tema të ndryshme me interes, të tilla si arsimi, shëndetësia, digjitalizimi, mjedisi jetësor, qeverisja e mirë, bashkëpunimi midis qeverisë dhe shoqërisë civile, vetëqeverisja lokale, etj.
Një nga segmentet qendrore ishte paneli “Digjitalizimi”, të cilin e moderoi Milla Josifovska Danillovska, Menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis. Në hapje të panelit, ajo e theksoi rëndësinë e transformimit të përgjegjshëm digjhital si bazë për shërbime më të mira, më të shpejta dhe më efikase publike, të cilat sjellin më shumë transparencë, më pak korrupsion dhe përfitime reale për qytetarët. Për më tepër, ajo e theksoi rolin kyç të organizatave të shoqërisë civile në avancimin e politikave publike, transparencës dhe njohurive mediatike.
Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski, mbajti fjalim në këtë panel ku theksoi se digjitalizimi si një transformim strategjik nuk është vetëm një proces teknologjik, por një ndryshim thelbësor në mënyrën se si funksionon shteti dhe si ofrohen shërbimet publike. “Gjatë një viti e gjysmë të kaluar, kemi treguar se një tranzicion i suksesshëm digjital është i mundur vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të hapur midis institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.”
“Qëllimi ynë është ta zgjerojmë dhe ta thellojmë këtë model. Me atë rast, planifikojmë që në konsorciumet e ardhshme evropiane organizatat e shoqërisë civile të jenë partnerë të barabartë. Vetëm përmes një qasjeje të partneritetit, dialogut të hapur dhe veprimeve të përbashkëta mund të krijojmë shërbime digjitale që janë cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të sigurta për të gjithë qytetarët” – tha Andonovski.
Publiku bëri një sërë pyetjesh që lidheshin me rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, edukimin digjital të të gjithë popullsisë, mbështetjen për lirinë e mediave dhe raportimin e përgjegjshëm, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e politikës së të dhënave të hapura, shërbimet publike dhe proceset e tjera që lidhen me digjitalizimin.
Paneli përfundoi me një ftesë për të vazhduar diskutimin në edicionin e 21-të të konferencës e-Shoqëri.mk, e cila do të mbahet më 10 dhjetor në hotelin “Holiday Inn” në temën “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital.”
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, mori pjesë në takimin e konsorciumit të partnerëve të Programit të Aktivizmit Digjital. Takimi u zhvillua në Sarajevë, para mbajtjes së konferencës ndërkombëtare Megafon 2025.
Partnerët e programit u mblodhën në Sarajevë për dy ditë rrjetëzimi intensiv, reflektimi dhe planifikimi për të ardhmen. Fokusi i takimit ishte se si përmes Programit të Aktivizmit Digjital mund të mbështeten organizatat e shoqërisë civile dhe individët në mbarë botën përmes teknologjisë, mjeteve, njohurive, aftësive, mundësive për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe inteligjencës artificiale etike.
Takimi shërbeu si një kujtesë për forcën dhe inovacionin në komunitetin global – Programin e Aktivizmit Digjital, i cili udhëhiqet nga partneri i hershëm i Fondacionit Metamorfozis, Fondacioni Techsoup.
Më 10 dhjetor 2025 në Hotelin “Holiday Inn” (Shkup),do të mbahet edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.mk në temën “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital”.
Këtë vit, Konferenca do të fokusohet në mënyrën se si përparimi i shpejtë teknologjik po i riformëson qëndrueshmërinë demokratike, të drejtat e njeriut dhe besimin shoqëror në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Transformimi digjital sjell një potencial të madh për inovacion, efikasitet dhe gjithëpërfshirje, por gjithashtu i ekspozon cenueshmëritë ndaj manipulimeve, kërcënimeve kibernetike dhe përdorimit joetik të teknologjisë. Sigurimi i integritetit si bazë e këtij transformimi është çelësi për ndërtimin e sistemeve të sigurta, transparente dhe të përgjegjshme që i mbrojnë qytetarët, duke mundësuar njëkohësisht përparimin. Sfida qëndron në gjetjen e ekuilibrit të duhur midis shfrytëzimit të përfitimeve të transformimit digjital dhe mbrojtjes nga rreziqet që dëmtojnë stabilitetin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor.
Fondacioni Metamorfozis organizoi një hakaton si pjesë e Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile të CIVICUS. Ngjarja u mbajt në Bangkok, Tajlandë, nga 1 deri më 5 nëntor 2025. Pesë ekipet, duke punuar me përkushtim, përfunduan dhe i paraqitën prezantimet e tyre demonstruese. Gjatë disa muajve të ardhshëm, ata do të punojnë në zhvillimin e një prototipi, nën mentorimin dhe drejtimin e Fondacionit Metamorfozis dhe CLi, me mbështetjen e CIVICUS.
Pesë projektet e zhvilluara përmes Hakatonit dhe të të mbështetura në fazën e granteve dhe mentorimit, janë renditur më poshtë.
“Path2Action” është një udhëzues hap pas hapi që u ndihmon organizatorëve në terren t’i shndërrojnë idetë në ngjarje të vërteta, shpejt dhe lehtë. Ai udhëzon në procesin e vendosjes së objektivave, përcaktimit të audiencës, formatit të aktivitetit, afatit kohor dhe rolet, ndërkohë që sugjeron partnerë, ofron një model buxheti dhe një listë kontrolli për logjistikën, si edhe gjeneron automatikisht materiale informuese në disa gjuhë. Brenda më pak se 30 minutave, përdoruesit marrin një plan të qartë, një listë detyrash dhe materiale të gatshme për t’u shpërndarë, për të nisur veprime efektive dhe të organizuara mirë.
“CrossCheck Lite” është një mjet i efektshëm dhe i fokusuar te privatësia, që u ndihmon gazetarëve dhe studiuesve të verifikojnë shpejt informacionin në të gjithë rajonin. Ai u lejon përdoruesve të fusin pretendime ose materiale mediatike, i analizon dhe i kategorizon automatikisht përmbajtjet dhe ofron burime dhe prova të rëndësishme brenda pak sekondave. I dizajnuar për t’u integruar pa probleme në rrjedhat ekzistuese të punës në redaksi, ai mbështet verifikimin e shpejtë, dokumentimin dhe bashkëpunimin. Struktura e tij fleksibile lejon përditësime dhe zgjerim të lehtë, duke siguruar që të mbetet efektiv edhe nëse ndryshojnë mjediset e informacionit dhe nevojat për verifikim.
„ActiVibe“ është një aplikacion i përshtatshëm për të rinjtë, që ofron storje fushatash dhe udhëzime praktike. Aplikacioni përfshin një seksion “Rezistenca jo e dhunshme” me mësime nga shembuj të së kaluarës, të tilla si: Të rinjtë armenë që përdorën artin e rrugës për të nxitur dialogun, ose një fushatë gjeorgjiane që dështoi, duke nxjerrë në pah gabimet që duhen shmangur. Brenda pak minutash, përdoruesit fitojnë qasje në taktika kreative, një listë kontrolli për sigurinë dhe inkurajime që burojnë nga përvojat e bashkëmoshatarëve. Qëllimi është fuqizimi i të rinjve me shembuj nga bota reale, udhëzime hap pas hapi dhe mjete të sigurta dhe kreative që e shndërrojnë frustrimin qytetar në aktivizëm konstruktiv.
Ky mjet është një sistem digjital inteligjence për rreziqet, i bazuar në inteligjencën artificiale, i dizajnuar për t’u ndihmuar organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të pavarura që të parashikojnë dhe t’u përgjigjen fushatave të urrejtjes dhe dezinformatave. Qëllimi i tij është të ofrojë zbulim të hershëm të narrativeve armiqësore, vlerësim të rrezikut në kohë reale, mbështetje të gatshme për komunikim gjatë krizave, trajnime për rezistencë dhe udhëzime pas veprimeve—në mënyrë që organizatat të mund të veprojnë në mënyrë proaktive në vend që të improvizojnë nën presion.
“Paketa e Mjeteve për Komunikimin gjatë Sulmeve me Dezinformata” është një udhëzues i strukturuar që u ndihmon OShC‑ve dhe mediave të reagojnë shpejt dhe në mënyrë efektive kur janë në shënjestër të sulmeve. Ai ofron udhëzime hap pas hapi, modele mesazhesh shumëgjuhëshe të miratuara paraprakisht, pako provash me informacion të verifikuar dhe një matricë kanalesh për të prioritizuar shpërndarjen e mesazheve. Qëllimi i tij është të neutralizojë sulmet në kohë reale, duke i dokumentuar në të njëjtën kohë portalet, llogaritë dhe rrjetet e trollëve, për të ndërtuar mbrojtje më të forta kundër fushatave të ardhshme.
Më shumë lajme rreth produkteve të tyre do të pasojnë së shpejti.
Me mbështetjen e CIVICUS dhe në partneritet me Iniciativën për Njohuri Qytetare, Fondacioni Metamorfozis e zbaton projektin “Hakatoni i Demokracisë Digjitale – i cili synon të inkurajojë zhvillimin e zgjidhjeve inovative digjitale për të avancuar demokracinë dhe për të forcuar sektorin e shoqërisë civile.
Më 19 nëntor 2025, në hapësirat e Europe House në Manastir, u mbajt punëtoria lokale CarGrow 2.0, aleancës qytetare që e monitoron dhe e mbështet zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes. Punëtoria kishte për qëllim të prezantojë rolin e CARGrow 2.0 si një aleancë qytetare për monitorimin e reformave dhe të inkurajonte përfshirjen e organizatave lokale, aktivistëve dhe ekspertëve në procesin e monitorimit dhe avokimit. Ngjarja ishte e hapur dhe interaktive, me qëllim të ndërtimit të besimit dhe forcimit të kontributit qytetar në procesin e integrimit evropian.
Si pjesë e punëtorisë, Marijana Jançeska – Ugarkoviq foli për masat e planifikuara dhe të zbatuara në fushën e Digjitalizimit. Fondacioni Metamorfozis ka publikuar tashmë dy përmbledhje të angazhimeve të përmbushura dhe të parashikuara në fushën e Digjitalizimit nga Agjenda e Reformave, njëri në prill të vitit 2025, që është i disponueshëm këtu, dhe një përmbledhje në korrik të vitit 2025, që është i disponueshëm këtu.
Në janar të vitit 2025, si pjesë e CarGrow 2.0, Fondacioni Metamorfozis do të publikojë edhe raportin e tretë mbi aktivitetet e realizuara në fushën e Digjitalizimit. Raportet përmbajnë një pasqyrë të përgjithshme të situatës në këtë fushë, identifikim të segmenteve ku nevojitet kontributi i qytetarëve dhe sugjerime për aktivitete të ardhshme.
Nën organizim të Fondacionit “Metamorfozis”, ndërsa në bashkëpunim me International IDEA, sot në Shkup në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik u prezantua raporti “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI (Ndikime dhe manipulime të huaja të informacionit – Foreign Information Manipulation and Interference) gjatë zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut”. Dokumenti është përgatitur sipas një metodologjie ndërkombëtare që aplikohet gjatë përgatitjes së raporteve të ngjashme në partneritet me organizatat në Moldavi, si dhe në Senegal dhe Bregun e Fildishtë, raporton Portalb.mk.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është identifikimi i faktorëve që mundësojnë përhapjen e dezinformatave dhe manipulimeve përmes ndikimit të huaj gjatë proceseve zgjedhore, si dhe njohja e dobësive strukturore që e bëjnë vendin të prekshëm ndaj ndikimeve të dëmshme të organizuara.
Dezinformatat e rrënojnë besimin në demokraci
Khushbu Agrawal nga International IDEA shpjegoi se ky raport është pjesë e një projekti ndërkombëtar për luftimin e ndërhyrjeve të huaja në proceset zgjedhore dhe për ndërtimin e rezistencës në shoqëri.
“Në më shumë se 20 zyra në të gjithë botën ne punojmë për integritet zgjedhor, sidomos në kontekstin e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike. Ne analizojmë se çfarë e bën Maqedoninë e Veriut objektiv për ndikim dhe se cilat strategji përdoren nga aktorët që duan të manipulojnë. Fushatat dezinformative krijojnë mosbesim në proceset demokratike”, tha Agrawal.
Promovimi i raportit “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI-t gjatë zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut”. Foto nga Vanço Xhambaski
Goran Rizaov nga Fondacionit “Metamorfozis”, i cili është bashkautor i raportit me Despina Kovaçevska dhe Matej Trojaçanec, theksoi se fokusi i raportit nuk është aq shumë tek vetë ndikimi i dëmshëm i huaj, por mbi të gjitha, tek faktorët në vend që krijojnë hapësirë për përhapjen e dezinformatave dhe depërtimin e FIMI.
“Raporti nuk merret aq shumë me ndërhyrjet e huaja se sa me ‘mosndërhyrjen e brendshme’, më saktësisht ai i identifikon dobësitë në një shoqëri e të cilat e mundësojnë dhe e inkurajojnë përhapjen e ndikimit të dëmshëm dhe dezinformatat nga qendra të ndryshme të fuqisë. Këto janë kushte, praktika dhe dobësi në sistem”, theksoi Rizaov.
Si grupe mundësuesish u theksuan rrjetet sociale, sfera ligjore dhe rregullatore, mediat dhe gazetaria, institucionet dhe praktikat politike, si dhe mjedisi socio-politik dhe kulturor, ndërsa si nxitës raporti e thekson industrinë e manipulimit të informacionit, ekonominë e vëmendjes, si dhe qasjen në burime të huaja.
Narrativat antigjinore, instrument për ndikim
Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet çështjeve gjinore, me ç’rast Despina Kovaçevska thekson se një pjesë e madhe e narrativave antigjinore që shfaqen në vendin tonë janë “të importuara” dhe shpesh përdoren si mjet për ndikim politik.
“Përmes çështjeve gjinore po sulmohet edhe BE-ja. Po përhapen histori se si në Holandë ose Gjermani fëmijët “vishen me rroba të gjinisë tjetër”, dhe se e njëjta gjë do të na imponohet nëse anëtarësohemi në BE. Narrativa të tilla kanë ndikuar edhe në proceset e brendshme; Ligji për Barazinë Gjinore u tërhoq pas protestave”, tha Kovaçevska.
Ajo shtoi se gratë janë ende të nënpërfaqësuara në politikë, duke e theksuar faktin se në zgjedhjet e fundit kishim vetëm dy kryetare komune gra.
Promovimi i raportit “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI-t gjatë zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut”. Foto nga Vanço Xhambaski
“Gratë nuk kanë mbështetje. Por barazia gjinore nuk vlen vetëm për gratë, duhet punuar edhe me burrat”, shtoi Kovaçevska.
Duke folur për rrjetet sociale, ajo tha se dezinformatat përhapen kryesisht në TikTok, Facebook, Instagram dhe platformën X, ndërsa rregullimi i rrjeteve sociale është pothuajse inekzistent.
“Institucionet reagojnë ndaj komenteve me gjuhë urrejtjeje vetëm nëse ka dhunë të drejtpërdrejtë”, tha ajo.
Mediat janë hallkë e dobët në mbrojtjen kundër dezinformatave
Rizaov foli edhe për sektorin mediatik si një nga segmentet më të cenueshëm.
“Mediat nuk është e vetëqëndrueshme sepse nuk kanë fonde të mjaftueshme. Kjo i bën ato të cenueshëm ndaj ndikimeve politike, sidomos përmes financimit shtetëror, gjë që mund të çojë drejt vetëcensurimit”, theksoi ai.
Si shembull ai e theksoi sjelljen e institucioneve gjatë tragjedisë në Koçan, kur Qeveria, përmes një deklarate, u mbajti leksion mediave për atë se çfarë është etika gazetareske, domethënë se nuk u lejohet t’i regjistrojnë dhe fotografojnë momentet e tragjedisë.
Sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale, Rizaov tha se inteligjenca artificiale gjithnjë e më shumë po përdoret në prodhimin e lajmeve të përditshme.
“Nuk them se kjo është diçka e keqe, por lexuesi duhet ta dijë se përmbajtja është krijuar në mënyrë sintetike”, tha ai, duke theksuar se pagat e ulëta, vendet e pasigurta të punës dhe presionet ekonomike krijojnë një mjedis në të cilin gazetaria profesionale mbijeton me vështirësi, gjë që ndikon në rënien e besimit në mediat kryesore.
Matej Trojaçanec nga “Metamorfozis” i prezantoi përfundimet e raportit dhe tha se lufta kundër FIMI kërkon bashkëpunim të koordinuar midis qeverisë, mediave, shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit privat.
“Dezinformatat janë kërcënim për demokracinë, besimin publik dhe aspiratat për integrimin euroatlantik”, theksoi ai.
Promovimi i raportit “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI-t gjatë zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut”. Foto nga Vanço Xhambaski
Si rekomandime kryesore të shënuara në raport janë: zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie kombëtare për luftë kundër dezinformatave, reformimi i reklamave politike dhe financimit të mediave, rikthimi i besimit publik përmes institucioneve transparente dhe edukimit mediatik, harmonizimi i rregulloreve me Bashkimin Evropian dhe përforcimi i kornizave ligjore përmes bashkëpunimit ndërsektorial.
Pas prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit u mbajt një seancë dialogu me palët e interesuara, ku si folës morën pjesë Biljana Georgievska, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Etikës në Media, Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe Riste Zmejkovski nga Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.