Digjitalizimi – prioritet në planet kombëtare të veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur të vendeve të Ballkanit Perëndimor
Partneriteti për Qeverisje të Hapur – Veprime lokale – Ndikim Global
Si një iniciativë globale, Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) është një partneritet i gjerë i përbërë nga entitete të nivelit kombëtar dhe lokal që punojnë së bashku për të krijuar plane veprimi me hapa konkretë – angazhime – për një spektër të gjerë çështjesh. Që nga viti 2011, ideja e PQH është që qeveria e hapur është më e qasshme, më e përgjegjshme dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe se përmirësimi i marrëdhënieve midis njerëzve dhe qeverisë së tyre ka përfitime afatgjata dhe eksponenciale për të gjithë.
Duke punuar në një kontekst më të gjerë të prapambetjes demokratike, mbylljes së hapësirës qytetare dhe rritjes së politikës autoritare dhe populiste, ky partneritet i pjekur i 78 anëtarëve kombëtarë që përfshin një numër në rritje të autoriteteve lokale dhe mijëra pjesëmarrës të shoqërisë civile, ka mundësuar bashkëkrijimin e mbi 4.000 reformave të hapura të qeverisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave treguan ndikim të madh.
Burimi: Ueb-faqja e PQH
Ballkani Perëndimor në Partneritetin për Qeverisje të Hapur
Ndër anëtarët kombëtarë të kësaj iniciative janë edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria (2011), Bosnja dhe Hercegovina (2014), Mali i Zi (2011), Maqedonia e Veriut (2011) dhe Serbia (2012), kurse Kosova është i vetmi vend që nuk është pjesë e këtij procesi pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’u anëtarësuar.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është autoriteti i vetëm legjislativ midis vendeve të Ballkanit Perëndimor që është pjesë e kësaj iniciative globale dhe për herë të parë gjyqësori i Maqedonisë së Veriut u bë pjesë e Planit më të fundit Kombëtar të Veprimit për PQH (PKV), me qëllim të përmirësimit të hapjes dhe transparencës së tyre ndaj publikut.
Kjo analizë e shkurtër do të fokusohet në përpjekjet në kuadër të iniciativës së vendeve të synuara të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e rrjetit rajonal ICEDA, ku Bosnja dhe Hercegovina nuk është e përfshirë.
Digjitalizimi si prioritet në planet kombëtare të veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur të Ballkanit Perëndimor
Me një fokus më të vogël apo më të madh, veçanërisht për ato plane që u zhvilluan në fillimet e pandemisë së Kovid-19, qeveritë e Ballkanit Perëndimor i kanë përgatitur PKV-të e tyre me digjitalizim në sektorë të ndryshëm të vendosur si prioritete.
Një nga komponentët kryesorë në PKV-në e fundit 2020-2021 të Shqipërisë është qeverisja digjitale e fokusuar në zgjerimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike, zgjerimin e portalit të të dhënave të hapura dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike në qendrat për shërbimet e integruara dhe sportelet e shërbimit. Kur bëhet fjalë për pikën e parë, Shqipëria digjitalizoi së fundmi të gjitha shërbimet publike dhe kështu e përmbushi angazhimin e saj, por u përball me disa pengesa në praktikë, kryesisht sepse u mbyllën në mënyrë të papritur sportelet ku qytetarët mund të kërkonin mbështetje. Digjitalizimi i shërbimeve publike është kthyer në një pengesë për grupet e margjinalizuara me mungesë aftësish dhe të infrastrukturës digjitale siç theksohet nga anëtarë të caktuar të komunitetit rom. Për më tepër, për shkak të sulmeve kibernetike kohët e fundit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit të Shqipërisë u detyrua të mbyllte shërbimet publike online dhe faqet e internetit të qeverisë.
Ndër të tjera, PKV për PQV 2021-2023 për Maqedoninë e Veriut përmban angazhime në lidhje me transparencën, llogaridhënien, proaktivitetin dhe gjithëpërfshirjen, parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë, ofrimin e shërbimeve publike, qasjen në drejtësi dhe mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike. Të gjitha këto angazhime përfshijnë një komponent të digjitalizimit ose transformimit digjital të fokusuar më së shumti në hartimin e zgjidhjeve dhe mekanizmave të reja inovative digjitale, të dhëna të hapura, ofrimin e më shumë shërbimeve elektronike, etj.
Në kuadër të PKV-së së njëjtë, Kuvendi vendos theks të madh në përmirësimin e infrastrukturës së tyre të TIK-ut, duke përmirësuar kështu qasjen e tyre për qytetarët. Ndër disa prej angazhimeve të Kuvendit në këtë drejtim janë edhe zhvillimi i disa platformave dhe zgjidhjeve digjitale (ueb-faqja e re e Kuvendit, portali online për të dhëna të hapura, platforma për propozime dhe iniciativa nga qytetarët drejt autoritetit legjislativ, zgjidhje softuerike për monitorimin e procesit legjislativ nga publiku, hapja e softuerit për arkiv elektronik për kërkim publik), prokurimi i pajisjeve të nevojshme digjitale (kamera me pajisje përcjellëse për transmetimin e seancave në internet, zgjidhje softuerike për të mundësuar përkthimin nga të folurit në tekst) dhe sigurimi i sigurisë digjitale përmes nënshkrimeve digjitale për deputetët dhe shërbimin parlamentar.
Gjyqësori i Maqedonisë së Veriut është gjithashtu një plan thelbësor i PKV-së, i cili i fokuson përpjekjet e tij në përmirësimin e portalit elektronik të gjykatës, sistemin elektronik të trajnimit bazë dhe të vazhdueshëm të gjyqtarëve, marrëdhëniet me publikun të gjykatave dhe cilësinë dhe disponueshmërinë e të dhënave dhe informacionit për funksionimin e Këshillit Gjyqësor.
Ashtu si dy vendet e mëparshme, PKV për PQH 2020-2022e Serbisë, gjithashtu e përmend digjitalizimin si pjesë e nismës së inovacionit teknologjik. Angazhimet për sa i përket teknologjisë dhe inovacionit duhet ta përmirësojnë hapjen dhe përgjegjshmërinë përmes promovimit të teknologjive të reja që ofrojnë mundësi për ndarjen e informacionit dhe pjesëmarrjen e publikut.
Ndërkohë, PKV-ja e re për Malin e Zi është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit dhe pritet t’u ofrojë qytetarëve qasje më të mirë në shërbimet publike, përfshirje më të madhe në krijimin e politikave për financimin publik, si dhe përfshirjen e grupeve të nënpërfaqësuara në krijimin e politikave. Gjithashtu pritet që PKV-ja të përfshijë aktivitete në përputhje me transformimin digjital brenda sektorit publik dhe shërbimeve elektronike. Kur bëhet fjalë për PKV-në e mëparshme 2018-2020 në një rast, zyrtari i lartë për hulumtime, Mekanizmi i Raportit të Pavarur për PQH, Andreas Pavlu tha se përpjekjet përmes këtij plani kanë ardhur me rezultate të kufizuara në fushat e mësipërme.
Burimi: Iniciativa për Partneritet për Qeverisje të Hapur e Kosovës
Pasi që Kosova nuk është anëtare e kësaj iniciative, situata në anën e tyre është pak më ndryshe kur bëhet fjalë për formalitetet, por përpjekjet e tyre për ta afruar qeverinë me popullin nuk mungojnë. Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës vendosi të nisë procedurat për anëtarësimin e tyre në këtë nismë shumëkombëshe, por mori përgjigje negative. Megjithatë, me ndihmën e Open Data Kosovo, Kosova ka krijuar platformën e saj informative që i ofron të gjitha dokumentet e rëndësishme dhe informacionet e tjera relevante në lidhje me përpjekjen e tyre të dytë për t’u bërë pjesë e iniciativës. Ata, po punojnë gjithashtu për krijimin e PKV-së së tyre 2022-2024, shtyllat kryesore të të cilit janë anti-korrupsioni, qeverisja digjitale, hapja e të dhënave dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje. Me zhvillimin e PKV-së, Kosova synon të aplikojë edhe një herë për anëtarësim në PQH në muajt e fundit të vitit 2022.
Sektori civil (nuk është) i përfshirë në bashkë-krijimin e PKV-së për PQH
Përderisa në disa vende sektori civil është kryesisht dhe drejtpërdrejt i përfshirë në përbërjen dhe zbatimin e PKV-së së vendeve të tyre, në disa vende ky sektor nuk është i përfshirë. Organizatat civile në Serbi nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në aktivitetet e PKV për PQH, por e ndjekin punën e Qeverisë dhe dorëzojnë raporte për aktivitetet e tyre, ndërsa në procesin e fundit të bashkë-krijimit të PKV-së në Maqedoninë e Veriut, 86% e pjesëmarrësve në proces ishin OJQ-të ndërsa pjesa e mbetur prej 14% vinin nga institucionet. Ky proces i bashkë-krijimit përbëhej nga 3 takime informative-edukative online, 12 takime online për identifikimin e nevojave dhe problematikave, analizë, prioritizim etj. dhe mbi 60 takime individuale. Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural si pjesë e rrjetit ICEDA kanë marrë pjesë me përkushtim në këtë proces dhe kanë arritur të ndërhyjnë në disa angazhime duke siguruar fokus në të dhënat e hapura, hapjen institucionale dhe transparencën dhe digjitalizimin e shërbimeve publike në fusha të ndryshme.
Maqedonia e Veriut është gjithashtu i vetmi vend me një platformë të projektuar posaçërisht për e-pjesëmarrjen e dedikuar për PQH që i lejon grupet e punës të krijojnë së bashku PKV-në, të informojnë dhe të informohen për procesin dhe progresin e secilit komponent të PKV-së. Kjo platformë synon të prezantojë në mënyrë interaktive dhe të detajuar procesin e realizimit të angazhimeve dhe arritjeve në kuadër të PKV-së aktuale, për të mundësuar monitorim të papanguar të zbatimit të tij. Për më tepër, ajo ofron një paraqitje vizuale të PKV-së dhe një përshkrim të statusit të zbatimit duke u bazuar në treguesit e suksesit të vendosur për çdo arritje të detyrimeve konkrete në një fushë specifike prioritare. Kjo platformë u krijua nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të Projektit për Pjesëmarrje Qytetare me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).
Burimi: Iniciativa për Partneritet për Qeverisje të Hapur – Maqedonia e Veriut
Në Kosovë, Komiteti Koordinues Kombëtar për përgatitjen e PKV-së për PQH të Kosovës 2022-2024 përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qeveritare, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve tjera relevante. Open Data Kosovo si OSHC është anëtare e këtij komiteti dhe kontribuon në përgatitjen e PKV-së, ku ofron informacione për temat që kanë të bëjnë me Agjendën Digjitale.
Një nga vërejtjet e Andreas Pavlu për PKV-në malazeze 2018-2021 ishte se Mali i Zi i plotësonte standardet minimale në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe OJQ-ve. Lidhur me këtë, personi i kontaktit për PQH në Mal të Zi në Ministrinë e Administratës Publike, Marija Jankoviq, theksoi se ka shumë sfida në zbatimin e PKV-së për PQH, duke u shprehur se një nga sfidat është ekipi operacional dhe dinamika e takimeve të tij, dukshmëria dhe mënyra se si është bërë monitorimi i PKV-së së mëparshme. Ajo theksoi se mandati i ekipit operativ prej katër vitesh po përfundon dhe se Ministria ka filluar konsultimet se si duhet të duket ekipi i ri operacional, cila duhet të jetë struktura, detyrat e tij dhe si të krijohet një mjedis efikas për planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e efekteve të PKV-së. Jankoviq gjithashtu tha se Ministria e Administratës Publike po organizon një sërë takimesh konsultative me palët e interesuara për të përcaktuar detyrimet për ciklin e ardhshëm të zbatimit të PKV në Malin e Zi dhe për krijimin e PKV-së së re.
Ndikimi i Partneriteti për Qeverisje të Hapur në rajon
Anëtarësimi në këtë iniciativë dhe zbatimi i PKV për PQH nuk duhet të nënkuptojë thjesht “shënimin si i realizuar” në listën e aktiviteteve, por duhet të ndërtohet mbi punën e përbashkët të përkushtuar nga shumë aktorë, në mënyrë që përpjekjet të sjellin rezultate të prekshme që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe do të mundësojnë kapërcimin e hendekut mes tyre dhe institucioneve.
Serbia shënon 2 rezultate pozitive nga PKV-ja e finalizuar për PQH në fushën e digjitalizimit. Gjatë vitit 2021 ka përfunduar zhvillimi teknik i portalit për e-konsultime dhe portali tashmë është aktiv. Të gjithë qytetarët mund ta ndjekin dhe të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes publike. Një tjetër rast pozitiv ishte “Të mbroj” që është një sistem për raportimin elektronik, reagimin dhe monitorimin e dhunës që përfshin fëmijët, si dhe mbështetjen e viktimave, i cili është krijuar dhe ka filluar të zhvillohet.
Në vitin 2021, në konkurrencë me mbi 100 aplikacione për mjete inovative, angazhimi për komuna më transparente në Maqedoninë e Veriut e fitoi çmimin e tretë në nivel evropian për ndikimin në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe cilësinë e demokracisë. Angazhimi i shpërblyer është një grup mjetesh që janë krijuar dhe vënë në funksion në tre vitet e mëparshme, të cilat kanë kontribuar në përmirësimin e transparencës fiskale në nivel lokal, kanë mundësuar monitorimin e drejtpërdrejtë të seancave të 18 komunave, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në 24 komuna. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të angazhimit “Krijimi i mjeteve të reja për përmirësimin e transparencës financiare dhe llogaridhënies së njësive të vetëqeverisjes lokale”, bartës i të cilit është Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Me këtë rast, ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, deklaroi publikisht se njohja e këtyre rezultateve të treguara përmes këtij çmimi në Samitin Global është “njohje e vërtetë dhe e sinqertë e përpjekjes dhe partneritetit të përbashkët mes qeverisë, sektorit civil dhe komunitetit të donatorëve që ofron zgjidhje efektive dhe afatgjata për sfidat me të cilat përballet shoqëria”.
Përveç Maqedonisë së Veriut, me këtë çmim u nderuan edhe vende të tjera nga Ballkani Perëndimor. Në të njëjtën kategori, Serbia e mori vendin e dytë në nënkategorinë Evropa për shërbime publike ePAPER, ndërsa Shqipëria e fitoi vendin e dytë në kategorinë Çmime për inovacion lokale për PQH, nënkategoria: Evropa, për WhatsApp Counselor.
Raporti mbi rezultatet kalimtare të Malit të Zi 2018-2021 gjithashtu vë në dukje disa suksese në zbatimin e PKV-së për PQH, siç është zgjerimi i mjeteve për pjesëmarrjen online të publikut, përmirësimi i qasjes në informacionin e qeverisë dhe të dhënat e hapura, përmirësimi i transparencës buxhetore dhe kryerja e një studimi për mbrojtjen e informatorëve. Aktivitete të tjera përfshijnë prezantimin e dokumentit online për identifikim, mbledhjen e taksave përmes interneti dhe raportimin e tatimit përmes internetit, megjithatë, për shkak të paqëndrueshmërisë politike zbatimi është ngadalësuar dhe raporti thekson se “Megjithëse plani i veprimit përfshinte aktivitete potencialisht me ndikim rreth pjesëmarrjes online të publikut (Angazhimi 2), qasja në informacion (Angazhimi 3) dhe transparenca buxhetore (Angazhimi 6), përfundimi i kufizuar i tyre i ka penguar ata të arrijnë rezultate të dukshme ose ndryshime në praktikën e qeverisjes së hapur.”
Për informacion konkret në lidhje me PKV-në për PQH më të fundit për çdo shtet anëtar, shihni linket më poshtë:
- Shqipëria – PKV 2020-2022
- Mali i Zi – PKV 2018-2020
- Maqedonia e Veriut PKV 2021-2023
- Serbia PKV 2020-2022
—————————————————————————————————————————————
Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis, Të dhënat e hapura Kosovë – (Open Data Kosovo) (ODK), Akademia për e-Qeverisje (eGA), Partnerët për Ndryshim Demokratik Serbi, Lëvizja MJAFT, dhe OJQ-ja 35 MM.
Ndaje:
Tekste të tjera në blog
Hulumtimi mbi dezinformatat dhe shoqërinë civile i nxjerr në pah sfidat e mëdha demokratike në Evropë
05.09.2024
TechSoup, përmes Programit të tij të Aktivizmit Digjital, ka publikuar katër raporte gjithëpërfshirëse për hartëzimin rajonal që hedhin dritë mbi sfidat kritike dhe nevojat urgjente të organizatave të shoqërisë civile nëpër Evropë. Të zhvilluara me përpjekje të përbashkëta përmes rrjetit të partnerëve të TechSoup-it në Evropën Qendrore dhe Lindore, këto raporte ofrojnë një përmbledhje të […]
Rekomandimi ynë për lexim gjatë verës
29.07.2024
Kur bëhet fjalë për lexim gjatë verës, shumica do të zgjidhnin përmbajtje të lehta argëtuese, por për ata që janë të interesuar për diçka më të thellë, ne kemi një rekomandim të shkëlqyeshëm. “Mirazhi i së vërtetës: kompleksitetet dhe sfidat e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor” është lexim i përsosur për ata që duan të mësojnë […]
Forumi i Qeverisjes së Internetit në Japoni bën thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një interneti që i fuqizon të gjithë njerëzit
02.12.2023
Koment në Forumin e Qeverisjes së Internetit në Kioto nga Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis Forumi i Qeverisjes së Internetit (IGF) është një nga platformat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për politikat e internetit. Ai shërben si një forum vjetor që mbahet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara duke u mundësuar palëve […]
SI TË (MBI)JETOJMË NË NJË SHOQËRI TË PËRMBYTUR NGA URREJTJA NË INTERNET?
14.11.2023
Fotoja nga Freepik Një nga sfidat më të mëdha kur ne si aktivistë/e kuir (“queer”) përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe vullnetin institucional për jetën tonë të përditshme është të qëndrojmë të qetë, të arsyeshëm dhe të sigurt përballë përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtjes ndaj nesh dhe komuniteteve tona. Periudhën e kaluar, si […]
RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtes në internet, posaçërisht ndaj grave – PORTALB
13.11.2023
Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva) Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, […]
Balancimi midis Lirisë së të shprehurit dhe Gjuhës së urrejtjes
10.11.2023
Liria e shprehjes është një bazë themelore e një shoqërie demokratike. Paaftësia e shtetit për të kufizuar këtë të drejtë, pa një ” arsye të justifikueshme “, është një tregues i nivelit të pjekurisë demokratike të një shoqërie. E drejta për lirinë e shprehjes është e garantuar nga një seri aktesh ligjore ndërkombëtare, të cilat […]