Menyja

Fondacioni “Metamorfozis” nënshkruan Memorandum bashkëpunimi me komunën e Gostivarit

Në prani të kreut të Delegacionit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, në një ceremoni rasti, komuna e Gostivarit dhe Fondacioni “Metamorfozis”, sot nënshkruan Memorandum bashkëpunimi për “Projektin për forcimin e turizmit inovativ”.

Në emër të komunës së Gostivarit, memorandumin e nënshkroi kryetari Arben Taravari, ndërsa në emër të Fondacionit Metamorfozis, drejtori ekzekutiv i Fondacionit, Bardhyl Jashari.

Projekti synon të promovohet një sektor energjik turistik, i cili në mënyrë efikase u përshtatet nevojave të tregjeve vendore dhe ndërkombëtare dhe të kontribuojë në përshpejtimin e rritjes dhe stimulimit të hapjes së vendeve të reja të punës në zonën turistike ndërkufitare midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, më saktësisht në rajonin e Gostivarit dhe Elbasanit.

Në përputhje me memorandumin, Fondacioni Metamorfozis obligohet që t’i promovojë vlerat e të gjitha vendeve potenciale dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit në rajonin e Pollogut, ndërsa komuna e Gostivarit do të sigurojë informacione, ekspertizë dhe përvojë, si dhe do t’i nxisë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe të gjitha palët e interesuara që në mënyrë aktive të kontribuojnë në realizimin e objektivave të projektit.

Kohëzgjatja e Memorandumit të bashkëpunimit është nga data 19 mars 2018 deri më 31 mars 2020. Projekti financohet nga Programi për bashkëpunim ndërkufitar i Bashkimit Evropian.