Мени

U mbajt konferenca e dhjetë ndërkombëtare “e-Shoqëri.mk”

Më 11 dhjetor, në hapësirat e City Hall në Shkup, u mbajt konferenca e dhjetë jubilare ndërkombëtare e-Shoqëri.mk në temën: “Të drejtat e njeriut në internet – Liria e të shprehurit, gjuha e urrejtjes dhe privatësia në botën digjitale”. Konferencën e ndoqën 135 pjesëmarrës nga sektori publik, privat dhe ai joqeveritar në vend dhe më gjerë.

VX2_4322

Ngjarjen, e cila u organizua nga fondacioni Metamorfozis, e hapi ambasadorja e Francës në Maqedoni, ekselenca e saj, Lorans Oer, e cila e potencoi rëndësinë e të drejtave të njeriut në kohën e zhvillimit të madh të internetit dhe teknologjive të reja.

“Sot mbi një miliardë njerëz janë të lidhur në internet. Qasja në internet duhet të konsiderohet si e drejtë themelore e njeriut, dhe të gjithë ne duhet ta mbrojmë atë” – tha zonja Oer. “Të dhënat tona personale janë me të vërtetë të çmueshme dhe hapësira e lirisë individuale duhet të mbrohet. Kjo e prek edhe shoqërinë civile, edhe arsimin edhe sektorin publik”, shtoi ajo.

Fjalime hyrëse në sesionin për rëndësinë e të drejtave të njeriut mbajtën edhe ekselenca e saj Marijane Berec, zëvendës shefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, z. Ljupço Prenxhov, zëvendës ministër për vetëqeverisje lokale, z. Ivo Ivanovski, ministër për shoqëri informatike dhe administratë, z. Robin Lidëll, ministër këshilltar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, zonja Katrin-Ameli Shasan, sekretare gjenerale e Institutit ndërkombëtar për të drejtat e njeirut dhe paqe nga Kaeni, dhe z. Bardhyl Jashari, drejtor i fondacionit Metamorfozis.

“Kur jemi të lidhur në internet duhet të kemi kujdes për veprimet tona. Njerëzit regjistrohen në shërbime dhe aplikacione pa i lexuar të drejta dhe obligimet e tyre, dhe pa e ditur se çka do të ndodhë me të dhënat e tyre. Duhet të bëhet trajnimi i qytetarëve që t’i dijnë të drejtat dhe obligimet e tyre kur e përdorin internetin” – tha z. Ivo Ivanovski.

“Të gjithë duam të jemi të sigurtë, mirëpo e përdorim internetin pa u menduar se si do të ndikojë kjo në sigurinë tonë” – tha zonja Berec, duke bërë thirrje për përdorimin e përgjegjshëm të internetit. “Duhet të kemi kujdes se si sillemi njëri ndaj tjetrit”, shtoi atje.

“Pa lirinë e të shprehurit nuk mund të kemi sistem të vendosur mirë. Liria e të shprehurit është baza e demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit” – apeloi z. Lidëll.

“Liria e të shprehurit është e mbrojtur që moti, mirëpo me zhvillimin e teknologjive të reja ballafaqohemi me model të globalizuar, ndërsa gjyqësia dhe legjislacioni duhet ta ndjekin atë” – tha zonja Katrin-Ameli Shasan.

Zëvendës ministri për vetëqeverisje lokale, z. Prenxhov, tha: “Qytetarët duhet të jenë të mbrojtur nga gjuha e urrejtjes. Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë dhe rajonit të Normandisë së Ulët paraqet shembull të mirë të këmbimit të praktikave në aspekt të të drejtave të njeriut.”

Z. Bardhyl Jashari potencoi se nuk duhet të frikësohemi nga interneti, por se nëpërmjet edukimit dhe ndërtimit të vetëdijes për përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të internetit ai të mbetet i lirë.

Në sesionet tjera, për lirinë e të shprehurit, gjuhën e urrejtjes në internet dhe privatësinë, folën ekspertë nga vendi dhe jashtë.

10858020_10152921888921873_5678336263311705444_n

Sesioni i dytë që iu kushtua lirisë së të shprehurit filloi me prezantimin e zonjës Anjes Serf, nga Universiteti i Kaenit, e cila foli për praktikat, përvojat dhe tendencat që kanë të bëjnë me lirinë e të shprehurit në Francë. Ajo shtoi se shpifja dhe ofendimi në Francë janë rregulluar me ligj që nga viti 1881, ndërsa ligjvënësit francezë poashtu e kanë rregulluar edhe shqetësimin në internet.

Pastaj, zonja Katerina Sinadinovska nga Këshilli për etikë të mediave, foli në temën: Mekanizmat vetërregullues për përkrahjen e lirisë së të shprehurit dhe për qëllimin kryesor të Këshillit për etikë të mediave, ideja e të cilit është të mos lejojë që qendrat e fuqishme të politikës dhe të biznesit t’i kontrollojnë mediat.

Në sesionin e njëjtë, z. Dragan Sekullovski nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonis foli për shprehitë mediatike të qytetarveë, përvojat dhe rastet aktuale që kanë të bëjnë me ligjin për media.

Zonja Meri Jordanovska, gazetare hulumtuese, foli për arsimin dhe për atë se si liria e të shprehurit është përfshirë në programin zyrtar mësimor, si dhe për ndodhitë aktuale rreth marshit studentor.

Në sesionin e tretë që iu kushtua gjuhës së urrejtjes në internet, z. Filip Stojanovski nga fondacioni Metamorfozis, foli për projektet aktuale për luftën kundër gjuhës së urrejtjes në internet dhe e promovoi aplikacionin e ri për celularë që ka për qëllim edukimin dhe luftimin e kësaj dukurie.

Zonja Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë foli për denoncimin e gjuhës së urrejtjes në internet dhe e potencoi faktin se viktimë e gjuhës së urrejtjes mund të jetë çdokush.

Për nevojën e promovimit të gjuhës pozitive në vend të gjuhës së urrejtjes foli z. Millosh Ristovski nga Qendra për dialog ndërkulturor, i cili e prezantoi Lëvizjen kundër gjuhës së urrejtjes.

“Arsimi ka rol të rëndësishëm për zhvillimin e të rinjve, ndërsa edukimi për të drejtat e njeriut është kyç”, tha zonja Sara Barnie-Liroj nga Instituti ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe paqe, e cila foli në temën se si gjuha e urrejtjes dhe tensionet etnike/fetare janë përfshirë në programin zyrtar mësimor në shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoni dhe në Francë, si dhe prezencën apo mungesën e tyre.

Sipas z. Petrit Saraçinit nga Instituti maqedonas për media, i cili i prezantoi konstatimet kryesore nga projekti kundër gjuhës së urrejtjes “bezomrazno.mk”, ka nevojë për sfidim të vazhdueshëm të sistemit si luftë kundër gjuhës së urrejtjes.

Sesioni i katërt i konferencës iu kushtua temës së privatësisë. Sesionin e hapi z-sha Tamara Resavska nga fondacioni Metamorfozis, e cila foli për të drejtat e fëmijëve në internet, dhe potencoi se qëllimi nuk është që të frikësohen fëmijët që të mos e përdorin internetin, por se ata duhet të edukohen për përdorim të sigurt të internetit.

Pastaj, zonja Liljana Pecova – Ilievska, nga Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale e prezantoi projektin “Orë nga privatësia” dhe foli për kornizën ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë, si dhe për përvojat e drejtorisë në këtë temë.

Z. Vlladan Joler, nga Share Defense foli për atlasin e privatësisë në internet: strukturat e padukshme, duke e paraqitur internetin në një dritë tjetër, me ç’rast theksoi se ne vetëm jemi eksportues të të dhënave tona personale.

Sesioni i pestë dhe i fundit, i quajtur Sinergji, i bashkoi përvojat nga mësimi për të drejtat e njeriut në internet, të cilat i prezantoi z. Darko Taleski, arsimtar, e pastaj z. Riste Zmejkovski nga BIRN Maqedoni, foli për organizatat qytetare dhe mediat.

Prezantues i fundit ishte z. Stefan Aleksiq, nga  Forumi arsimor rinor, i cili foli për të rinjtë në media dhe për aktivizmin rinor, me ç’rast i prezantoi edhe aktivitetet e Radios MOF.

Konferenca u realizua në kuadër të projektit “Bashkëpunimi i decentralizuar ndërmjet rajonit të Normandisë së Ulët dhe Republikës së Maqedonisë”, e në bashkëpunim me Institutin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe pae nga Kaedni dhe paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit shumëvjeçar të fondacionit Metamorfozis dhe rajonit të Normandisë së ulët në fushën e të drejtave të njeriut.

Fotografitë nga konferenca mund t’i shihni në Flickr.