Më 27 qershor, në kuadër të Samitit të Lirisë së Internetit, Fondacioni Metamorfozis organizoi një diskutim në panel mbi barazinë digjitale, duke inkurajuar një diskutim për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor përmes prizmit të grave dhe komunitetit LGBTI+.

Ky sesion trajtoi ndërthurjen kritike të të drejtave të njeriut dhe mjediseve digjitale në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë në atë se si këto çështje ndikojnë në grupet e margjinalizuara, duke i përfshirë gratë dhe komunitetin LGBTI+. Nëpërmjet diskutimit, të pranishmit diskutuan për atë se cilat janë sfidat me të cilat përballen këto grupe në internet, nga trajtimi i pabarabartë deri te sulmet e synuara në hapësirën digjitale. Duke i shtjelluar kornizat aktuale ligjore dhe shoqërore, si dhe boshllëqet në mekanizmat e mbrojtjes dhe zbatimin e tyre, ky diskutim nxiti një kuptim më të thellë të hapave të nevojshëm për të siguruar që të drejtat digjitale mbrohen në mënyrë universale.

Përmes njohurive të ekspertëve dhe dialogut interaktiv, pjesëmarrësit ndanë strategji për përmirësimin e politikave, për përpjekjet për avokim dhe përfshirjen e komunitetit për të krijuar një peizazh digjital vërtet gjithëpërfshirës që i respekton të gjitha të drejtat e njeriut në internet. Folës në panel ishin Natasha Petkovska nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (Maqedonia e Veriut), Maja Bjellosh nga Qendra për Politikat e Sigurisë nga Beogradi (Serbi), hvala vale nga Shoqata për Komunikim Progresiv, dhe Meri Jordanovska nga Agjencia e lajmeve Meta.mk (Maqedonia e Veriut), së bashku me moderatoren Milla Josifovska Danilovska nga Fondacioni Metamorfozis.

“Efekti i abuzimit me teknologjitë e reja mbi të drejtat e njeriut, veçanërisht mbi komunitetet e margjinalizuara, nuk njeh kufij dhe është një sfidë universale që e prek të gjithë shoqërinë. Raporti Vjetor mbi të Drejtat Digjitale në Ballkanin Perëndimor për vitin 2023 i Rrjetit Ballkanik të Gazetarëve Hulumtues (BIRN) bë në dukje një dyfishim të shkeljeve të të drejtave digjitale nga 782 në vitin 2022 në 1.427 në vitin 2023, duke përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin, manipulimin digjital dhe mashtrimin kompjuterik si më të zakonshmet”- theksoi Josifovska Danillovska.

Ajo shtoi se në kontekstin e sotëm të abuzimit të mediave sociale dhe teknologjisë për të minuar të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të komuniteteve të margjinalizuara, por edhe tendencën aktuale të rritjes së së djathtës në rajon dhe në BE si një prelud i një reagimi kundër të drejtave të grave dhe komunitetit LGBTI+, me të vërtetë është e rëndësishme të krijohen mekanizma adekuatë për të siguruar një mjedis digjital të sigurt për të gjithë.

Ndaje: