Në mëngjesin e 24 qershorit, në Podgoricë u hapën Dialogjet Rajonale për Agjendën Digjitale me pyetjen “A mund të kemi shërbime elektronike cilësore pa identitet digjital?”. Aktiviteti u mbajt në format hibrid, me prezencë fizike në Hotel Podgorica dhe nëpërmjet internetit, gjatë të cilit u mblodhën më shumë se 60 të interesuar.

Ngjarja filloi me një diskutim në panel mbi identitetin digjital, i moderuar nga Snezhana Nikçeviq – OJQ 35mm (Mali i Zi), e cila theksoi se shkëmbimi i përvojave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e shërbimeve elektronike dhe për atë se si mund të përdoret identiteti digjital për përmirësimin, prezantimin e shërbimeve të reja, më të mira, është një nga arsyet kryesore që ky është një shans shumë i rëndësishëm për të gjithë pjesëmarrësit për të fituar njohuri se si t’i përdorin më tej praktikat e mira nga rajoni. Diskutimit iu bashkuan edhe disa panelistë nga Ballkani Perëndimor, konkretisht Vangjush Stavro – Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme (Shqipëri), Habit Hajredini – Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit (Kosovë), Marija Suzhiq – Instituti për Zhvillim dhe Inovacione (Serbi), Aleksandra Xhankiq – Drejtoria për Dokumente Personale dhe Qëndrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme (Mali i Zi), dhe Milla Josifovska Danillovska – Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut).

“Një nga sfidat më të mëdha me të cilat po ballafaqohemi aktualisht është niveli i ulët i informacionit për përdorimin e letërnjoftimit elektronik” – tha znj. Aleksandra Xhankiq nga Drejtoria për Dokumente Personale dhe Qëndrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi. Ajo i theksoi përfitimet e eID-së, e cila përveç identifikimit elektronik, ka edhe nënshkrim elektronik të kualifikuar dhe sqaroi se pasi qytetarët t’i aktivizojnë këto certifikata digjitale të vendosura në eID, do të mund më shpejt të kenë qasje në disa shërbime elektronike. Ajo shtoi gjithashtu se edhe pa i aktivizuar certifikatat e mësipërme, eID-ja mund të përdoret për të njëjtat qëllime si edhe ID-ja e gjeneratës së mëparshme.

Vangjush Stavro, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve Brendshme nga Shqipëria, shpjegoi se qeveria e tyre ka vendosur të kalojë plotësisht online, duke thënë se “e-Albania, që është portali ynë qeveritar i lançuar rreth vitit 2015, në vitin 2017 ne filluam të prodhojmë certifikatat e para elektronike ose të vulosura digjitale, sepse i japim edhe një vulë elektronike dokumentit që konfirmon se është dokument i një organi qeveritar dhe nga viti 2022 qeveria jonë vendosi që nga 1 maji gjithçka të jetë online”. Ai shtoi gjithashtu se “edhe pse i kemi të gjitha këto shërbime, nuk i kemi zhvilluar vetëm këto shërbime” dhe tha “në rregull, le t’i publikojmë këto shërbime, le t’i vendosim të gjitha online dhe gjërat do të funksionojnë. Por, jo. Ne kemi gjithashtu një Agjenci që bën monitorimin, kështu që kemi një sistem si cikël që ofron informata kthyese.” Z. Stavro theksoi rëndësinë që qytetarët të marrin informata kthyese, kurse qeveria të ketë një sistem monitorimi për të patur një portal plotësisht funksional për qeveri elektronike dhe shërbime elektronike që në fakt funksionojnë.

Sa i përket sfidave kryesore nga perspektiva e sektorit civil, zonja Marija Suzhiq nga Instituti për Inovacione dhe Zhvillim nga Serbia tha se më i rëndësishëm është besimi mes qytetarëve dhe qeverisë. “Mendoj se qytetarët janë vërtet skeptikë në lidhje me shërbimet elektronike sepse nuk kanë besim të plotë te qeveria sepse nuk janë të njohur me atë që do ta bëjnë qeveritë e tyre me të dhënat e qytetarëve kur i mbledhin ato, nëse ia kalojnë ato një pale të tretë apo diçka të ngjashme”. Prandaj, mendoj se është shumë e rëndësishme që sektori publik para publikut – t’u shpjegojë qytetarëve se çfarë po bëjnë me të dhënat, si përdoren, kush i përdor ato, etj.”

Paneli i radhës iu kushtua prezantimit të Observatorit të Agjendës Digjitale – Raporti i Vendit dhe Udhërrëfyes për Avancimin e Agjendës Digjitale në Mal të Zi (2022). Panelistët që diskutuan çështjet kryesore, sfidat dhe rekomandimet që dalin nga raporti i përgatitur nga OJQ 35mm ishin Jasmina Muliq, Studiuese e asociuar – DeFacto Consultancy, Lepa Zuniq – Drejtore ekzekutive në Parents.me, Mirsad Haxhaliq – drejtor ekzekutiv në Super Hub, dhe Nevenka Kapiçiq – Koordinatore e programeve në organizatën rinore rome “Walk with Us – Phiren Amenca”.

Disa nga rekomandimet kryesore që dolën nga Raporti Kombëtar i vitit 2022 bazohen kryesisht në hulumtime të mëparshme dhe përfshijnë punë të vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve të nëpunësve shtetërorë dhe sigurimin e depërtimit më të mirë të internetit, veçanërisht në mesin e familjeve me të ardhura më të ulëta.

Gjithashtu, ajo që njihet si një segment i rëndësishëm, e që i referohet kornizës legjislative, është se “theksi duhet vënë në zbatimin e ligjeve tashmë ekzistuese, miratimin e akteve nënligjore, informimin e qytetarëve për mundësitë që ua ofrojnë zgjidhjet ligjore për komunikim më të lehtë dhe më efikas me autoritetet shtetërore”.

U theksua se pavarësisht kornizës ligjore të krijuar, zbatimi praktik i asaj që e mundëson ligji është dukshëm më i ngadalshëm. Sipas konkluzioneve të raportit, përdorimi i nënshkrimeve digjitale është në nivel të ulët, për shkak të njohjes së pamjaftueshme të rregulloreve, kuptimit të pamjaftueshëm të dobisë së tij dhe kompleksitetit të aktivizimit të eID-së, dhe se është e nevojshme të merret në konsideratë qasja në aktivizimin e ID-së për të gjithë qytetarët e Malit të Zi. U tha se është e rëndësishme që të gjithë vendimmarrësit përkatës të punojnë në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, por edhe në rritjen e numrit të atyre shërbimeve që mund të realizohen tërësisht në mënyrë elektronike, me fushata intensive informuese që do të nxisin nivelin e përdorimit të këtyre shërbimeve elektronike.

Sa i përket rëndësisë së organizatave të shoqërisë civile, të pranishmit u pajtuan se qytetarët duhet të kenë mbështetje gjatë përdorimit të shërbimeve dhe se roli i sektorit të shoqërisë civile në sferën e transformimit digjital është para së gjithash ndërmjetësimi në komunikimin ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Panelistët u pajtuan gjithashtu se njëra nga detyrat e tyre më të rëndësishme është të punojnë drejtpërdrejt me grupet e tyre të synuara, por edhe se ka një sërë sfidash me të cilat përballen si në nivelin e burimeve dhe të kapaciteteve, ashtu edhe në nivelin e qytetarëve. Motivimi dhe niveli i edukimit digjital, sipas konkluzionit të të pranishmëve, është në nivel të pamjaftueshëm.

Nevoja për ndryshimin e vetëdijes dhe ndryshimion e shprehive që nuk nënkuptojnë një rutinë dekadash dhe shkuarje në sportel është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët, si dhe institucionet dhe nëpunësit shtetërorë. Transformimi digjital para së gjithash nënkupton ndryshim social, që do të thotë se të gjithë duhet të punojmë së bashku, përfunduan panelistët.

——————————————————————————————————————

Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjedën Digjitale – ICEDA”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura – Open Data Kosovo (Kosovë).

Ndaje: