Konferenca “Global Fact”, e cila paraqet tubimin më të madh në botë të verifikuesve të fakteve, do të mbahet online nga 22 deri më 30 qershor. Në tubimin virtual njëjavor në virtual.globalfact7.com pritet të marrin pjesë mbi 150 ligjërues nga më shumë se 40 vende të ndryshme, të cilët do të diskutojnë për situatën dhe për të ardhmen e verifikimit të fakteve.

Anëtarët e ADN-Ballkan, të cilët janë gjithashtu anëtarë të Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve (IFCN), do të zhvillojnë një seancë të veçantë me titull Luftimi i dezinformatave ndërkufitare:Përvojat e Rrjetit Ballkanik për Luftimin e Dezinfomatave.

Paneli do të zgjasë një orë të martën, 30 qershor, duke filluar nga ora 13:00 sipas orës verore të Evropës Qendrore (Shkup, Beograd, Tiranë, Prishtinë), gjegjësisht nga 14:00 sipas orës verore të Evropës Lindore (Athinë, Sofje).

Në mesin e pjesëmarrësve në sesion do të jetë edhe Bardhyl Jashari nga Fondacioni Metamorfozis si nikoqir/moderator, si dhe panelistët e mëposhtëm:

  • Filip Stojanovski – Fondacioni Metamorfozis
  • Klodiana Kapo – Faktoje.al
  • Thanos Sitistas – Ellinika Hoaxes
  • Milena Popoviq- Istinomer.rs

Fokusi i këtij diskutimi është çështja “Si të përballemi me manipulimet e mediave që përjetojnë mutacione gjatë përhapjes përtej kufijve”.

Fenomeni i dezinformimit ndërkufitar meriton vëmendje të veçantë. Këto manipulime qarkullojnë në sferat politike/mediatike kombëtare, përshtaten që të përputhen me kërkesat e propagandës lokale dhe shpesh kthehen në vendin e origjinës në një formë edhe më toksike, duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin. Duke kuptuar se trajtimi i këtij problemi kërkon përmirësimin e praktikave ekzistuese të verifikimit të fakteve, anëtarët e IFCN nga pesë vende të Ballkanit i bashkuan forcat me pesë organizata të tjera që angazhohen për gazetari dhe përgjegjshmëri publike dhe e formuan Rrjetin Ballkanik për Luftimin e Dezinformatave, si bërthamë e një fronti të gjerë veprimi me më shumë palë të interesuara kundër demagogjisë populiste dhe ekstremiste.

Në kuadër të panelit, secili pjesëmarrës do ta paraqesë perspektivën e vendit të tij, duke u bazuar në përvojat e organizatës dhe do të ndajë një shembull konkret të luftës kundër dezinformimit ndërkufitar. Gjithashtu, të gjithë pjesëmarrësit do të bëjnë bashkërisht krahasime dhe sintezë të përpjekjeve të përbashkëta.

Ky sesion është në pjesën private dhe është në dispozicion vetëm për pjesëmarrësit e regjistruar të konferencës.

Ndaje: