Teknologjia e njohjes së personave është në rritje në sektorë dhe industri më të ndryshme, si një mënyrë për të verifikuar njerëzit gjë që është më e sigurt dhe më e volitshme sesa metodat tradicionale të verifikimit siç janë fjalëkalimet, kartat e dedikuara elektronike dhe ngjashëm (më shumë se si funksionon teknologjia e njohjes së fytyrave, mund të lexoni këtu). Megjithatë, kjo teknologji është e kufizuar, së pari nga arritjet teknologjike dhe më pas edhe nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë tekst, do t’i shqyrtojmë aspektet ligjore dhe etike të teknologjisë së njohjes së personave, me fokus në kufizimet e saj sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale është miratuar me qëllim legjislacioni i Maqedonisë t’i afrohet legjislacionit modern të Bashkimit Evropian, para se gjithash të jetë në hap me teknologjinë dhe me sfidat të cilat i sjell ajo në aspekt të mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë së njeriut. Ky ligj i kufizon mënyrat dhe masën e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave personale. Teknologjia e njohjes së personave, në atë pikëpamje është e kufizuar në disa aspekte.

Fillimisht, personi i cili dëshiron të implementojë dhe të përdorë teknologji të tillë për qëllime të caktuara, doemos duhet të ketë bazë juridike dhe qëllime legjitime për atë. Përkatësisht, personi doemos duhet të tregojë se përdorimi i teknologjisë së tillë, kontribuon në qëllimet për të cilat përdoret (nuk përdoret “vetëm sepse ashtu dëshirojmë”) dhe jep shkallë të lartë të sigurisë për dallim nga masat tjera të sigurisë. Gjithashtu, personi, pas një kohe të caktuar, duhet ta rishikojë përdorimin e kësaj teknologjike dhe qëllimet për të cilat përdoret dhe të sjellë konkluzion nëse ende ka nevojë për përdorimin e saj.

 

Image by teguhjati pras from Pixabay.

Më tutje, Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale parashikon kufizim në masën e të dhënave personale që mblidhen dhe përpunohen (nga teknologjia e njohjes së fytyrave, në këtë rast), përkatësisht nuk lejon mbledhje tej mase të të dhënave personale me të cilat do të tejkalohen, ose do të jetë plotësisht në kundërshtim me qëllimet për të cilat përdoret teknologjia. Personi i cili dëshiron të implementojë teknologji për njohje të fytyrave, doemos duhet të dëshmojë se mbledhja e të dhënave personale është proporcionale me qëllimet legjitime dhe se shmanget çfarëdo mbledhje tej mase.

Më në fund, Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale parasheh të drejtën që qytetarët të njihen me mënyrën dhe me masën e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave të tyre personale, si dhe ku ruhen, në raste të caktuara të mund ta tërheqin pëlqimin e tyre për mbledhje dhe përpunim të të dhënave, si dhe të kërkohet që të dhënat e tyre personale të fshihen nga baza e të dhënave ku ruhen. Për shkak të këtyre faktorëve, ndonjëherë implementimi i teknologjisë për njohje të fytyrave është një proces shumë i ndërlikuar dhe kufizimet i tejkalojnë përparësitë.

Nga ana tjetër, përdorimi i kësaj teknologjie është i kufizuar edhe në aspekte etike. Teknologjia vetvetiu nuk është e përkryer, ajo është e kufizuar në aspekt të zhvillimit të pjesëve të veçanta që e përbëjnë (sensorët, kamerat, softuerët e ndryshëm etj.) dhe mund të bëjë gabime. Një shembull për gabime të tilla është njohja e fytyrave te binjakët identikë. Sepse binjakët kanë karakteristika shumë të ngjashme fizike, teknologjia e njohjes së fytyrave mund t’i identifikojë gabimisht këto persona, gjë që paraqet problem për sigurinë. Më tutje, kjo teknologji mund të ketë paragjykime dhe të jetë diskriminuese ndaj personave të caktuar, shpesh për shkak të bazave të të dhënave në bazë të të cilave ajo është “trajnuar”. Si shembull për këtë është përdorimi i kësaj teknologjie te telefonat e mençur. Gjegjësisht, në raste të caktuara kjo teknologji nuk ka arritur t’i njohë më mënyrë precize fytyrat e përdoruesve me ngjyrë më të errët të lëkurës ose me struktura të ndryshme të fytyrës. Në raste të tilla, teknologjia e njohjes së fytyrave i humb përparësitë e saj (siç është autentifikimi i shpejtë dhe i lehtë i përdoruesve) dhe në vend të kësaj, mund të shkaktojë dëm, përkatësisht t’i ndalojë përdoruesit që të mos kenë qasje në pajisjet e tyre. Prandaj, kjo teknologji duhet të zhvillohet dhe përsoset më tej, me qëllim të minimizimit të gabimeve, të rritjes së sigurisë dhe të reduktimit të rreziqeve nga përdorimi i saj dhe të mundësohet harmonizim i plotë me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Teknologjia e njohjes së fytyrës ka përparësitë e saj kur bëhet fjalë për autentifikimin e shpejtë dhe të sigurt të përdoruesve, por ka kufizime juridike dhe etike në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale. Harmonizimi me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, siç janë baza juridike, qëllimet legjitime, transparenca, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për personat që duan të implementojnë dhe përdorin teknologji të tilla. Gjithashtu, çështjet etike, siç janë rreziqet nga paragjykimet e vetë teknologjisë gjë që mund të shpijnë në diskriminim te përdoruesit, janë thelbësore për të siguruar përdorimin e përgjegjshëm të kësaj teknologjie dhe për të respektuar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, si dhe liritë dhe të drejtat e tjera të tyre.

 

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje: