Në epokën e digjitalizimit dhe pritshmërive të qytetarët për të pasur një qasje të shpejtë dhe të lehtë në informacion me karakter publik, konflikti mes transparencës dhe të drejtës për qasje të lirë në informacion kundrejt imperativit për mbrojtjen e të dhënave personale është shndërruar në një shqetësim të rëndësishëm për qeveritë dhe institucionet në mbarë botën. E njëjta gjë vlen edhe për ne në Maqedoninë e Veriut, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politikat për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, disa herë ka theksuar se çdo qytetar ka të drejtë të ketë qasje në informacion që është i domosdoshëm për të fituar një pasqyrë se si funksionon sistemi, si përdoren paratë e qytetarëve, si përdoret buxheti dhe në të njëjtën kohë të ketë mundësinë të zbulojnë dobësitë, lëshimet dhe të alarmojë për të gjitha mospërputhjet.

“Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve padyshim se janë elementet më të rëndësishme në procesin e përballjes me korrupsionin, por edhe në forcimin e integritetit”, tha Gërkovska në fund të muajit shkurt të këtij viti në fjalimin e saj gjatë prezantimit të Udhëzuesit për përmirësimin e transparencës të institucioneve në sektorin publik.

Nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik (AQLI) theksojnë se informacioni me karakter publik që është krijuar ose është në dispozicion të poseduesve të informacionit, si pjesë e veprimit zyrtar nga ana e institucioneve – poseduese të informacionit, duhet të jetë i qasshëm për publikun, pra, poseduesit e informacionit duhet të jenë transparent në mënyrë proaktive në punën e tyre.

“Interesi publik është i pacenueshëm dhe çdo institucion – posedues i informacionit me karakter publik është i obliguar që punën e tij ta bazojë në mbrojtjen e interesit publik”, thanë nga AQLI për Meta.mk.

Megjithatë, institucionet në Maqedoninë e Veriut përballen me një dilemë delikate gjatë vendosjes se cilave të drejta duhet tu jepet përparësi kur iu përgjigjen kërkesave për qasje në informacion me karakter publik. Ato shpesh herë duhet të zgjedhin mes transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Ekuilibrimi i transparencës dhe privatësisë

E drejta për qasje në informacion me karakter publik dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale janë dy të drejta themelore të njeriut, të inkorporuara në korniza të ndryshme ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare. Nga njëra anë, e drejta për qasje në informacion me karakter publik promovon transparencë, përgjegjshmëri dhe pjesëmarrje të qytetarëve në qeverisje, siguron që qytetarët të jenë të mirë-informuar për veprimet dhe vendimet e autoriteteve publike, me çka nxitet besimi dhe zvogëlohen mundësitë për korrupsion. Nga ana tjetër, mbrojtja e të dhënave personale e mbron privatësinë e individëve, duke parandaluar keqpërdorimin e informacionit të ndjeshëm dhe dëmin e mundshëm që mund të rezultojë nga zbulimi i paautorizuar.

Dilema e institucioneve

Organeve qeveritare, agjencive publike dhe institucioneve shpesh u besohen të dhëna të ndjeshme për individët, të cilat mund të variojnë nga të dhëna mjekësore deri te informacione financiare. Në të njëjtën kohë, këto institucione, të cilat kanë zyrtarë për të ndërmjetësuar në ushtrimin e së drejtës për qasje të lirë në informacion me karakter publik, pritet që të sigurojnë një nivel të lartë transparence dhe të hapjes ndaj publikut.

Vitin e kaluar, duke u bazuar në Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik (LQLIKP), sipas Raportit vjetor për vitin 2022, vetëm në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut janë dërguar 58 kërkesa për marrjen e informacionit me karakter publik. Ndërsa te Zyra e Kryeministrit, siç konfirmojnë për Meta.mk nga shërbimi për ndërmjetësim në realizimin e së drejtës për qasje të lirë në informacion me karakter publik, vitin e kaluar janë dërguar mbi 30 kërkesa të tilla me pyetje për konkluzionet nga seancat, për menaxhimin e tokës shtetërore, numrin e punonjësve nga grupet e cenueshme, honorarët e këshilltarëve të angazhuar, e kështu me radhë.

Si nga Qeveria ashtu edhe nga AQLI thonë se kërkesat më të shpeshta për qasje në informacion me karakter publik kanë të bëjnë pikërisht me çështje brenda fushëveprimit të punës së poseduesve të informacionit, të cilat janë krijuar ose janë në dispozicion të poseduesve të informacionit.

“Megjithatë, ka edhe raste kur kërkuesit, kryesisht persona fizikë, drejtohen me kërkesë për qasje të lirë në informacion me karakter publik, edhe pse nga përmbajtja e kërkesës duket se janë palë në një procedurë të caktuar, të cilët kërkojnë realizimin e ndonjë të drejte apo interesi që i tangon vetëm ata, ndërsa procedura zhvillohet para institucionit – posedues të informacionit. Sipas kësaj, qytetarët drejtohen me kërkesë për qasje të lirë në informacion me karakter publik duke e ditur se në këtë mënyrë kanë të drejtën e mbrojtjes para Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, në rast se hasin në heshtje nga administrata. Pa dallim të kësaj, Agjencia vepron edhe për ankesat e dorëzuara nga këta kërkues”, thonë nga AQLI.

Në raste të tilla, sipas kësaj Agjencie, ka një përdorim joadekuat të së drejtës për qasje të lirë në informacion me karakter publik, për arsye se këta kërkues, të drejtën e tyre që i tangon personalisht dhe që nuk përfaqëson asnjë interes publik, mund dhe duhet ta ushtrojnë në përputhje me ligjet materiale sipas të cilave punon dhe vepron institucioni para të cilit zhvillohet lënda e tyre.

Frekuenca me të cilën institucionet përballen me këtë dilemë varet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë këtu natyrën e informacionit të kërkuar, kontekstin në të cilin bëhet kërkesa dhe normat ligjore dhe kulturore në fuqi në lidhje me privatësinë dhe transparencën. Rastet e profilit të lartë ose rastet që përfshijnë çështje kontestuese kanë më shumë gjasa ta nxjerrin këtë dilemë në plan të parë.

Nga kabineti i Kryeministrit sqaruan se klasifikimi i informacionit është një proces i ndërlikuar dhe për qasje në informacione të caktuara, si për shembull ato që janë të shënuara si konfidenciale apo sekrete shtetërore, kërkohet një certifikatë sigurie, ndërsa detyrimisht duhet të kontrollohet edhe nëse një informacion i caktuar ka një afat të caktuar të fshehtësisë, ndërsa është e detyrueshme edhe të bëhet një test për dëmin që mund ta shkaktojë një dëm potencial ndaj privatësisë personale kundrejt përfitimeve të mundshme të transparencës.

“Nëse dëmi është shumë më i madh se përfitimi, mbrojtja e të dhënave personale mund të mbizotërojë”, thonë nga kabineti i Kryeministrit.

Nga atje po ashtu rikujtojnë se përveç të drejtës për të dhënë informacion të pjesshëm, sipas LQLIKP-së institucionet mund ta refuzojnë kërkesën për qasje në rastet nëse informacioni është i klasifikuar me një shkallë adekuate të fshehtësisë sipas ligjit, nëse zbulimi i të dhënave rrezikon privatësinë, nëse zbulimi i të dhënave cenon konfidencialitetin e procedurës tatimore, nëse informacioni lidhet me një hetim ose procedim ligjor dhe publikimi i tyre do të shkaktonte pasoja negative, ose nëse informacioni lidhet me pronësi industriale ose intelektuale, pra përmban një patentë, model, mostër, vulë tregtare ose malli ose shenjë për origjinën e produktit.

Cila e drejtë duhet të mbizotërojë?

“Megjithatë, edhe pse një informacion i caktuar është i mbrojtur, ka raste kur mund të miratohet qasja në të, por vetëm nëse testi për dëmin potencial tregon se publikimi i tij nuk do të shkaktojë pasoja më negative sesa interesi publik që do të arrihej me publikimin e tij, sipas ligjit. Nëse informacioni është pjesë e një dokumenti që mund të ndahet pa e rrezikuar sigurinë e tij, ai mund të ndahet nga dokumenti dhe kërkuesi të informohet për përmbajtjen e pjesës së mbetur të dokumentit”, thonë nga kabineti i Kryeministrit.

Nga AQLI thonë se sipas dispozitave ligjore, kur bëhet fjalë për një person të zgjedhur ose të emëruar që kryen funksion publik në nivel qendror ose lokal, ose një person që është anëtar i një këshilli drejtues ose mbikëqyrës të një ndërmarrjeje publike, si dhe një person i cili është nëpunës administrativ, përjashtim nga informacioni me karakter publik janë vetëm të dhënat personale si numri i vetëm i qytetarit ose numri i letrës së njoftimit ose numri i pasaportës, adresa postare e shtëpisë, numri privat i celularit ose telefonisë fikse, adresa e postës elektronike private.

“Të gjitha informacionet e tjera si lartësia e pagës neto apo bruto, lartësia e kompensimeve për pjesëmarrje në këshilla drejtuese apo mbikëqyrëse, shpenzimet për përfaqësim apo shpenzimet e udhëtimit etj., si dhe biografitë e këtyre personave në fushën e karrierës profesionale, lloji dhe niveli i shkollimit, përvoja e punës dhe të ngjashme, përbëjnë informacion me karakter publik dhe të njëjtat duhet të publikohen në mënyrë pro-aktive nga poseduesit e informacionit, si dhe informacionet e tjera me karakter publik në përputhje me dispozitën e nenit 10 të LQLIKP-së. Për këtë informacion me karakter publik nuk kërkohet pëlqim, por për çdo gjë tjetër kërkohet deklaratë për pëlqim nga personi të dhënat e të cilit përpunohen”, theksojnë nga AQLI.

Nga atje theksojnë se praktikat më efektive për minimizimin e të dhënave personale që zbulohen gjatë kërkesave për qasje në informacion me karakter publik, për të mbështetur transparencën dhe privatësinë, duhet të bazohen në përputhje me dispozitën e nenit 6, paragrafi 4 i LQLIKP-së, nëse dokumenti ose një pjesë e tij përmban informacione nga paragrafi (1) i këtij neni, të cilat mund të ndahen nga dokumenti pa e rrezikuar sigurinë e tij, poseduesi i informacionit e ndan atë informacion nga dokumenti dhe e informon kërkuesin për përmbajtjen e pjesës tjetër të dokumentit.

“Ndarja e informacionit që përmban të dhëna personale mund të bëhet me anonimizimin e të dhënave personale, ashtu që ato të mbulohen me një marker të errët ose të mbulohen me korrektor dhe më pas një dokument i tillë të fotokopjohet për ta evituar mundësinë e zbulimit të të dhënave personale”, thonë nga AQLI.

Për sa i përket përballjes me sfidën e ekuilibrimit të së drejtës për qasje të lirë në informacion me karakter publik dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik shpreh qëndrimin se institucionet duhet të arrijnë një ekuilibër harmonik ndërmjet dy aspekteve të rëndësishme në kontekstin e ruajtjes së të drejtave themelore të njeriut. Në të njëjtën kohë, institucionet duhet të synojnë një shkallë të lartë të hapjes ndaj qytetarëve dhe në këtë mënyrë të krijojnë një shoqëri të mirë-informuar dhe të mbrojtur.

 

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje: