Tashmë nuk shtrohet pyetja nëse duhet të mbrohen të dhënat personale ose jo, ajo gjë është e domosdoshme, ndërsa për implementim adekuat të ligjeve që i mbrojnë të dhënat personale nevojiten shumë më shumë resurse dhe angazhim – ky është konkluzioni i eventit të sotëm “Bashkë për mbrojtjen e të dhënave personale” që u mbajt në Europe House në Shkup. Ky event u organizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian bashkë me Fondacionin Metamorfozis, Agjencinë për mbrojtjen të dhënave personale dhe Qendrën për hulumtime dhe analiza juridike, me rastin e 28 janarit – Ditës evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në epokën e teknologjisë, internetit dhe globalizimit, mbrojtja e të dhënave personale bëhet çdo ditë e më e rëndësishme, tha në prononcimin e tij Steffen Hudolin, shefi i sektorit për bashkëpunim pranë Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Ai përkujtoi hulumtimin e universiteteve Cambridge dhe Stanford të vitit 2015, i cili ka treguar se vetëm të dhënat e përdoruesve të rrjetit social Facebook dinë më shumë për njerëzit sesa vetë ato ose sesa i njohin miqtë e tyre.

“Mbrojtja e të dhënave personale nënkupton shumë më shumë se vetëm grumbullim dhe keqpërdorim të të dhënave tona. Ajo domethënë mbrojtje kundër manipulimit, diskriminimit dhe transparencës. A e dimë ne përdoruesit se ku ruhen dhe për çfarë qëllimesh ruhen të dhënat tona? Fusha e të dhënave personale është e rëndësishme për BE-në në raport me atë se si mund t’i formësojmë ekonomitë dhe ta nxitim tranzicionin digjital me legjislaturë të duhur dhe implementim dhe nxitje të vetëdijes publike”, tha Hudolin.

Ai shtoi se Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë pjesë e të gjitha konsultimeve dhe negociatave në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe rikujtoi se raporti i fundit i Komisionit evropian për vendin tonë në këtë fushë e njohu dedikimin dhe punën e Agjencisë, si dhe progresin e arritur në raport me pajtueshmërinë e regullativave dhe mbrojtjen e të dhënave personale të BE-së.

“Të mendohemi para se të klikojmë”, është mesazhi që Hudolin e drejtoi me rastin e Ditës evropiane për mbrojtjen të dhënave personale.

Drejtori i Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale të Republikë së Maqedonisë së Veriut (AMDHP), Imer Aliu rikujtoi se miratimi i ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale në vitin 2020 dhe hyrja e tij në fuqi në gusht të vitit 2021 kanë qenë me rëndësi të veçantë për vendin tonë.

Mirëpo, sa i përket procesit të pajtueshmërisë së legjislaturës sektoriale me ligjin, shtoi Aliu, nuk ka progres të veçantë për shkak se nuk implementohen në mënyrë të vazhdueshme.

“Vëmë re një mosrespektim të obligimit për dorëzim nga ana e propozuesve, ministrive dhe organeve të tjera deri te Agjencia, të materialeve, propozim ligjeve, akteve nënligjore dhe normave të tjera që janë në çfarëdo mënyrë të lidhura me mbrojtjen e të dhënave personale.

Përveç kësaj, moment tjetër është mosveprimi i ministrive dhe organeve të tjera gjatë pajtueshmërisë të zgjidhjeve ligjore dhe nënligjore, sipas mendimeve, sugjerimeve dhe rekomandimeve nga ana e Agjencisë”, tha Aliu.

Ai shtoi se nevojiten punësime të reja dhe mjete plotësuese financiare për motivim, mbajtje në punë dhe përmirësim profesional të burimeve njerëzore në Agjenci me qëllim që të parandalohet largimi i kuadrove ekzistues, por edhe që të trajnohen kuadro të reja.

Drejtori i AMDHP- së tha se në tre muajt e ardhshëm do të përpilohet një strategji e re dhjetëvjeçare për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila do të jetë udhërrëfyes për punën e mëtutjeshme të Agjencisë.

Foto nga ngjarja "Bashkë për mbrojtjen e të dhënave"
Dançe Danillovska Bajdevska, drejtor programor i Fondacionit Metamorfozis | foto: Meta.mk

Të gjithë së bashku si individë, përfaqësues të institucioneve, organizatave të qytetarëve dhe bizneseve, duhet të sillemi më me përgjegjshmëri dhe të ndërtojmë një kulturë të mbrojtjes së privatësisë, tha në prononcimin e saj drejtoresha programore e Fondacionit Metamorfozis, Dançe Danillovska Bajdevska.

Ajo shtoi se kjo nënkupton përfshirje në formësimin e agjendës digjitale dhe implementimin e teknologjive digjitale, por edhe marrje parasysh më mirë dhe më seriozisht të implikimeve etike dhe juridike që i sjellin teknologjitë digjitale.

“Mesazhi ynë është që nuk duhet të kemi frikë prej teknologjive digjitale, nuk duhet të bëjmë rezistencë kundrejt digjitalizimit, përkundrazi duhet ta përdorim, por njëkohësisht të angazhohemi, të mësojmë njëri nga tjetri se si ta përdorim atë në mënyrë të sigurt në dobinë tonë. Mendojmë se nevojiten gjithnjë e më shumë resurse që të angazhohemi si shoqëri në të cilën qytetarë të angazhuar dhe të vetëdijshëm shërbehen në mënyrë aktive me mjete inovative për realizimin e të drejtave dhe detyrimeve qytetare të tyre. Me më shumë resurse dhe angazhim të përbashkët qëllimi është që të ketë zbatim adekuat të ligjeve, përfshirë edhe Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, që është një dobi shumë e rëndësishme civilizuese në raport me mbrojtjen e privatësisë”, theksoi Danillovska Bajçevska.

Është e pakontestueshme se kjo temë është e re edhe në BE, edhe atje po shqyrtohen të gjitha mënyrat dhe qasjet ndaj kësaj të drejte fondamentale të njeriut. Nuk ka shans të dytë për shkeljen e privatësisë së dikujt, tha Lidija Stojkova – Zafirovska, kryetare e Këshillit ekzekutiv të Qendrës për hulumtime dhe analiza juridike.

Ajo shtoi se me rëndësi është që tu kushtohet vëmendje grupeve të margjinalizuara që janë më së shumti të ekspozuara ndaj rrezikut për keqpërdorim të të dhënave personale, e ato janë më së shpeshti vajzat, migrantët dhe gazetarët.

Stojkova – Zafirovska foli edhe për nevojën e sigurimit të mbrojtjes gjyqësore të të dhënave personale dhe privatësisë.

“Kemi arritur konkluzione dhe rekomandime në pjesën e asaj se si të avancohen dituritë specifike të gjykatësve kur gjykojnë raste të këtillë trendesh dhe të drejtash të reja, por edhe teknologjisë që merr një formë të re. Temat e reja të teknologjive informatike, e drejta ekologjike, inxhineringu gjenetik, klonimi – janë diçka që gjykata duhet ta ndjekin që të mund t’i kuptojnë nevojat dhe tu sigurojnë drejtësi qytetarëve kur kanë nevojë”, tha Stojkova – Zafirovska.

Në event u zhvillua edhe një diskutim mbi atë se si zbatohet në praktikë Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale dhe si duhet të gjitha palët e interesuara të veprojnë së bashku, i moderuar nga Milla Josifovska Danillovska nga Fondacioni Metamorfozis.

Emes Savoia – Keleti, nëpunës për mbrojtjen e të dhënave në Shërbimin evropian për veprim të jashtëm tha se tashmë nuk është çështje nëse duhet të mbrohen të dhënat personale. Ajo e sqaroi punën e Zyrës për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila siguron këshilla, funksionon si kontrollues dhe kontrollon dokumente të ndryshme publike që kanë të bëjnë me privatësinë e qytetarëve.

Savoia – Keleti e prezantoi dhe sqaroi Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale të BE-së.

“Ekziston një trend që numër i madh shtetesh të miratojnë ligje për mbrojtjen e privatësisë që janë të inspiruar nga legjislatura evropiane dhe ne jemi shumë krenarë me këtë. Kuptohet që hasim edhe në sfida sepse individët duan të kenë të dhëna dhe privatësi të mbrojtur, ndërsa nga ana tjetër bizneset e kuptojnë se mbrojtja e të dhënave personale u jep vlerë konkurruese. Ato e dinë se duhet të fitojnë besimin e përdoruesve të shërbimeve të tyre”, tha Savoia – Keleti, duke rikujtuar se Maqedonia e Veriut është një nga shtetet e para që e nënshkruan dhe ratifikuan Konventën e Këshillit të Evropës që ka të bëjë me mbrojtjen e të dhënave personale.

Rreziqet rriten, shtoi ajo, duke i këshilluar përdoruesit e internetit të informohen dhe t’i vlerësojnë rreziqet para së të klikojnë diku.

“Duhet të kini kujdes jo vetëm për të dhënat tuaja, por edhe për të dhënat e të tjerëve. Duhet të jemi të përgjegjshëm. Asnjëherë nuk është bërë fjalë për ndalesë të përdorimit të të dhënave personale, por bëhet fjalë për obligimin që të merren parasysh rregullat që vlejnë dhe këtë duhet ta bëjmë me kujdes dhe vëmendje të veçantë. Privatësia e të dhënave nuk është diçka që është mirë ta kemi, por është diçka e domosdoshme që ta kemi”, shtoi Savoia – Keleti.

Sllobodanka Sllavkovska nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale e prezantoi faqen e re të internetit të përgatitur me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe informoi mbi mundësitë dhe funksionet që do të jenë dispozicion në të.

Sllavkovska i përkujtoi institucionet se gjatë miratimit të propozim-ligjeve dhe akteve nënligjore, të njëjtat t’i dorëzojnë deri te AMDHP-ja, sepse shpesh qytetarët përjetojnë dëme materiale për shkak se dikush ka qenë i papërgjegjshëm më të dhënat e tyre, sepse në një farë mënyrë këtë ja kanë mundësuar ligjet.

“Vitin e kaluar patëm disa zgjidhje ligjore që kishin reagim negativ tek opinioni, ndërsa Agjencia nuk u konsultua farë për të njëjtat”, tha Sllavkovska.

Vesna Radinovska nga Fondacioni Metamorfozis e prezantoi projektin “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit inkluziv digjital”. Ajo shtoi se organizata në bazë ditore është në kontakt me kontrolluesit, të cilët informojnë mbi atë se sa vështirë shkon implementimi i ligjit, më së shumti për shkak të mungesës së resurseve, por edhe për shkak të inflacionit, krizës energjetike dhe pandemisë së Kovid-19.

Për projektet e Qendrës për hulumtime dhe analiza juridike foli Milena Josifovska, e cila rikujtoi rolin e rëndësishëm që e kanë gjykata dhe prokuroritë në forcimin e mbrojtjes së të dhënave personale.

Link deri tek origjinali: “Bashkë për mbrojtjen e të dhënave personale”: Nuk ka shans të dytë për shkeljen e privatësisë së një individi – PORTALB

Ndaje: