Në pjesën e dytë të serisë sonë, ne u njohëm me mënyrat në të cilat caku ynë – Artani – i cili mund të jetë secili prej nesh, do të sulmohej nga hakerët dhe pse një sulm i tillë do të ketë sukses. Në këtë pjesë, do të flasim për mënyrat në të cilat mund të bëheni cak më i vështirë dhe ta zvogëloni rrezikun e një sulmi nga hakerët.

Image by Mohamed Hassan from Pixabay

Bëhet fjalë për higjienën bazë, jo për teknologjinë e lartë

Mënyrat për t’u mbrojtur nga një sulm hakerësh nuk kërkojnë njohuri të teknologjisë së avancuar e as ekspertizë të lartë. Ato kërkojnë vetëm që të jemi të disiplinuar dhe ta praktikojmë ekuivalentin digjital të higjienës së rregullt. Me pak fjalë, gjithçka që duhet të bëjmë është ta zvogëlojmë pak rehatinë tonë personale dhe ta rrisim pak disiplinën tonë.

Çfarë humbi Artani gjatë sulmit të hakerëve?

Artani ishte viktimë e një sulmi hakerësh. Ai humbi një pjesë të jetës së tij digjitale, dhe ndoshta një shumë të caktuar parash. Por më shumë se kaq, Artani shpenzoi shumë kohë dhe para shtesë duke u përpjekur ta kthente jetën e tij digjitale në normalitet, dhe për këtë duhej të komunikonte me ekipe të ndryshme mbështetëse, ta vërtetojë identitetin e tij, të bisedojë me policinë dhe avokatët, të blejë pajisje të reja, t’u kërkojë falje shumë miqve të tij që janë sulmuar përmes profileve të tij të hakuara.

Njihuni me Artanin e ri

Artani sot është një njeri i ri. Pak më me përvojë, shumë më pak u beson të tjerëve dhe është shumë më i disiplinuar. Artani ndaloi së përdoruri rrjetet sociale, kaloi shumë kohë duke i ndryshuar fjalëkalimet e tij, e përditëson rregullisht kompjuterin e tij. Ai madje e ndryshoi edhe adresën e tij të e-mailit, duke shpresuar që ta bënte veten më pak cak për hakerët.

Në vend që të ketë nevojë që të bëheni njeri i ri dhe ta kufizoni ose të mbyllni jetën tuaj digjitale, provoni rregullat e mëposhtme për higjienën bazë të sigurisë kibernetike.

Një çelës i përshtatshëm dhe i ndryshëm për çdo derë

Ashtu siç përdorim çelësa të ndryshëm për dyert e shtëpisë, automjetit, kutisë postare, duhet të përdorim edhe fjalëkalime të ndryshme për të gjitha ueb-faqet tona. Çelësat tuaj nuk kanë nivel të njëjtë kompleksiteti – dyert më të rëndësishme kanë çelësa që janë më të vështirë për t’u kopjuar dhe bravë që janë më të vështira për t’u thyer. Prandaj, fjalëkalimet tuaja duhet të jenë komplekse në mënyrë që të mos thyhen lehtë.

Dy çelësa për dyert e rëndësishme

Duke qenë se kemi dy bravë në dyert e rëndësishme dhe përdorim dy çelësa të ndryshëm, në ueb-faqet e rëndësishme duhet të kemi të aktivizuar autentifikimin e dyfishtë. Ky mekanizëm quhet autentifikim me shumë faktorë dhe zakonisht është një numër gjashtëshifror që ndryshon çdo 30 sekonda. Këtë numër e keni në celularin tuaj në aplikacionin përkatës, ose e merrni me SMS. Edhe nëse dikush e qëllon fjalëkalimin tuaj, nuk do të jetë në gjendje të gjejë numrin që e keni në pajisjen tuaj dhe ai ndryshon çdo 30 sekonda.

Ashtu siç e bëjmë servisin e automjetit, në të njëjtën mënyrë duhet ta mirëmbajmë edhe pajisjen digjitale.

Pajisjet digjitale – kompjuterët, telefonat celularë, kompjuterët tabletë kanë softuer që duhet të përditësohet rregullisht. Ashtu siç nuk e lejojmë automjetin tonë të funksionojë me të njëjtin vaj, por e rifreskojmë, njësoj duhet t’i përditësojmë edhe versionet e softuerit të pajisjeve tona digjitale.

Nëse diçka është shumë e mirë për të qenë e vërtetë – nuk është e vërtetë.

Pavarësisht nëse mesazhet që i merrni janë me SMS, e-mail, Viber apo diçka tjetër, merrni të gjitha mesazhet me rezervë. Nëse mesazhet premtojnë të ardhura pa mundim, fitim të shpejtë, shpërblime, lidhje të papritura romantike, të gjitha këto janë shumë të mira për të qenë të vërteta. Dhe me të vërtetë nuk janë të vërteta, mos u besoni.

Dhe tani çfarë?

Shpresojmë që me këtë seri artikujsh t’ju kemi ndihmuar të paktën sadopak të jeni më të sigurt në jetën tuaj digjitale. Vërtetë, kjo nënkupton më shumë kujdes, më shumë disiplinë dhe pak më pak rehati. Realiteti është se ne të gjithë jemi vetëm njerëz – do të lodhemi, do të na bjerë përqendrimi, nuk do të jemi mjaft të vëmendshëm. Përballë nesh, sulmuesit përdorin automatë që nuk do të lodhen e as do të mërziten duke na sulmuar.

Prandaj, le të përdorim teknikën që nuk lodhet në mbrojtjen tonë – ta mbajmë të përditësuar, me fjalëkalime të ndryshme komplekse dhe gjithmonë të lëmë pak kohë dhe të shtojmë pak dyshim përpara se të reagojmë ndaj mesazheve që i marrim.

Autor: Bozidar Spirovski

Ky tekst është përgatitur si pjesë e projektit “Qeverisja e Mirë në Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga DCAF – Qendra e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë dhe i financuar nga Zyra për Punë të Jashtme, Komonuelthi dhe Zyra për zhvillim e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e DCAF dhe të donatorit.

Ndaje: