Në Veles u mbajt debati i dytë publik për draft Strategjinë për Transparencë 2023-2026, organizuar nga Kabineti Qeveritar për Politika të qeverisjes së mirë, në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis.

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, në debatin publik u drejtua me një citim të ish-sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan: “Nëse korrupsioni është sëmundje, transparenca është pjesë qendrore e trajtimit të tij. “

Me këtë ilustroi rëndësinë e jashtëzakonshme të transparencës, si parim i mirëqeverisjes, në përballjen e dukurive shkatërruese korruptive në shoqëri.

“Forcimi i transparencës në të gjitha nivelet në sistem është një nga parakushtet më të rëndësishme për parandalimin e korrupsionit dhe për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të institucioneve, të cilat duke inkorporuar dhe zbatuar në mënyrë konsekuente këtë parim bëhen më të përgjegjshme, më të ndërgjegjshëm dhe më efikase në kryerjen e funksionit të tyre si shërbim ndaj qytetarëve”, theksoi Gërkovska.

Ajo iu referua faktit se në vitet e fundit transparenca e institucioneve është përmirësuar dukshëm dhe kjo për shkak të vendosmërisë për të krijuar mekanizma, miratimin e legjislacionit përkatës dhe zhvillimin dhe zbatimin e politikave. Kjo, sipas Gërkovskës, ka rezultuar në forcimin e disiplinës fiskale me hapjen e thesarit, e cila i mundësoi opinionit të ketë një pasqyrë të shpenzimeve, por edhe duke i hapur institucionet për publikun dhe duke mundësuar qasje më të lehtë në informata.

Dançe Danilovska-Bajdevska, drejtoreshë programore në Fondacionin Metamorfozis, tha se fondacioni ka punuar për gati dy dekada për të forcuar vetëdijen dhe kapacitetet e qytetarëve dhe shoqërisë civile në mënyrë që ata të marrin plotësisht rolin e aktivistëve për demokracinë, duke mbështetur autoritetet në përmbushjen e rolit të tyre demokratik për të punuar për të mirën e shoqërisë.

“Metamorfozis ka kryer kërkime përmes Indeksit të Hapjes për shtatë vite me radhë dhe sugjeron se në shumë raste prania e politikave përkatëse të hapjes nuk ka kontribuar në rritjen e ndjeshme të hapjes dhe transparencës së të gjitha institucioneve të pushtetit ekzekutiv. Është vërejtur mungesa e një qasjeje strategjike ndaj hapjes në vend”, tha Danilovska-Bajdevska.

Prandaj, në këtë mënyrë, Metamorfozis ofron një proces gjithëpërfshirës nga të gjithë aktorët për të përcaktuar drejtimin strategjik për funksionimin transparent të institucioneve. Përmes dokumentit, angazhimi është që të vendoset një kulturë e funksionimit transparent të institucioneve, në mënyrë që të parandalohet ndikimi i zyrtarëve në transparencën e institucioneve.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është një nga vendet e pakta që përgatit dokumente strategjike siç është Strategjia për transparencë dhe hapat e mëtutjeshëm synojnë ruajtjen e hapjes, pa u tërhequr nga ajo që është arritur deri më tani, dhe institucionet që po shkojnë prapa duhet të arrijnë nivelin e atyre që kanë bërë përparimin më të madh në aspektin e transparencës.

Sipas Irena Bojaxhievskës, eksperte që ka punuar në këtë strategji, praktikat e qeverisjes së mirë dhe qeverisjes së hapur duhet të bëhen standard në punën e përditshme.

Strategjia e Transparencës 2023-2026 dhe Plani i Veprimit shoqërues, të cilat sot ishin objekt i një seance të dytë publike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe medias, parashikojnë një qasje strategjike që duhet të forcojë ndjeshëm ndërgjegjësimin, por edhe veprimin proaktiv të kësaj fushe.



Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.

Ndaje: