Hapja e njësive të vetëqeverisjes lokale paraqet kusht kryesor për demokraci, që u mundëson qytetarëve të jenë të informuar, gjë që është parakusht i domosdoshëm për pjesëmarrje të barabartë në jetën politike, vendimmarrjen efektive dhe kërkimin e përgjegjësisë nga institucionet për politikat që i zbatojnë.

Në këtë drejtim, deri tani 31 njësi të vetëqeverisjes lokale e mbështetën Deklaratën për Hapjen, llogaridhënien dhe transparencën e vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut me të cilën u obliguan t’i ndjekin dhe t’i respektojnë parimet e hapjes dhe të ndërmarrin aktivitete për përmirësimin e vazhdueshëm të politikave të tyre të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes.

Me nënshkrimin e Deklaratës ato u përkushtuan se do të bëjnë përpjekje plotësuese për të qenë më të hapur ndaj qytetarëve, transparencën ta bazojnë në të dhëna dhe informata të hapura; të vendosin procedura të qarta për vendimmarrjen me pjesëmarrje, si dhe procedura të qarta për marrjen e shërbimeve publike, me përgjegjësi të shpjegojnë se për çka i kanë përdorur paratë publike që i kanë pasur në dispozicion dhe si e kanë përmirësuar jetën gjithë qytetarëve dhe të komuniteteve që janë në kuadër të kompetencave të tyre.

Deri tani komunat në vijim e kanë nënshkruar Deklaratën për hapjen, llogaridhënien dhe transparencën e vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut: Aerodromi, Manastiri, Bogovina, Brvenica, Buteli, Velesi, Vevçani, Vrapçishti, Gazi Baba, Demir Hisari, Gjorçe Petrovi, Zhelina, Qendra e Zhupës, Ilindeni, Kavadari, Karposhi, Kratova, Krusheva, Kumanova, Kriva Pallanka, Llozova, Makedonski Brodi, Mavrova dhe Rostusha, Ohri, Radovishi, Qyteti i Shkupit, Tearca, Tetova, Zelenikova, Zrnovci dhe Shtipi.

Fondacioni Metamorfozis, në kuadër të Projektit të USAID për Pjesëmarrjen e Qytetarëve, do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për komunat në përpjekjet e tyre për të përmirësuar transparencën dhe hapjen, por gjithashtu do të vazhdojë të monitorojë shkallën në të cilën komunat i respektojnë parimet e hapjes dhe qeverisjes demokratike.

Ndaje: