Dezinformimi është një problem akut jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte një nga konkluzionet e diskutimit të sotëm në panel “Ndërtimi i përgjegjësisë sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformatave”, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik.
Filip Stojanovski, Drejtor për partneritete dhe zhvillim të burimeve në Metamorfozis, theksoi se rrjetëzimi në nivel kombëtar dhe rajonal është i rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve, por edhe një formë që ofron sinergji, gjegjësisht shuma e përpjekjeve të përbashkëta është shumë më e madhe se shuma e thjeshtë e përpjekjeve individuale për sa i përket dezinformatave.
Në luftën kundër dezinformatave, është e nevojshme të punohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, të angazhohen të gjithë aktorët dhe të përfshihen të gjitha grupet e synuara në shoqëri. Vendi ka një ndjeshmëri të madhe ndaj dezinformatave në mesin e popullatës sonë, dhe në të njëjtën kohë ka përpjekje të mëdha për ta shfrytëzuar këtë nga nxitës të ndryshëm të ndikimeve të dëmshme nga vendet e huaja.
“Kjo është arsyeja pse një grup organizatash që merren me zhvillimin e gazetarisë profesionale dhe edukimin mediatik së bashku nisën një iniciativë që çoi në një grup rekomandimesh për veprim të përbashkët. Këto 11 organizata i dorëzuan rekomandimet palëve kryesore të interesit, gjegjësisht institucioneve shtetërore para së gjithash, me kërkesë për të nisur iniciativë për krijimin e kornizës strategjike për luftimin e dezinformatave në vend, ku do të jenë të përfshira të gjithë palët e interesuara”, tha Stojanovski.
Ai shtoi se ne duhet të punojmë së bashku dhe të jemi gjithëpërfshirës në ndërtimin e strategjisë kombëtare për të luftuar dezinformatat.
“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore i pranuan mesazhet dhe ranë dakord të nisin zyrtarisht një proces për të ndërtuar rezistencë ndaj dezinformatave, ndërsa hapat e ardhshëm janë një proces konsultimi edhe më i gjerë për të zhvilluar një kornizë strategjike kundër dezinformatave”, shtoi ai.
Hapat e mëtutjeshëm do të zhvillohen në varësi të vullnetit të institucioneve, thotë Stojanovski, duke theksuar se pret që të ofrojnë një orar dhe infrastrukturë konkrete për zhvillimin e institucioneve.
Nikolla Petroviq, Drejtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë – ISAC Fund, prezantoi përvojat nga Serbia për problemin e dezinformatave. Petroviq theksoi se situata në Serbi nuk ka ndryshuar për një kohë të gjatë në aspektin e edukimit mediatik dhe dezinformatave. Në Serbi, iniciativat e këtilla për forcimin e edukimit mediatik nuk janë mbështetur kurrë nga partitë politike.
“Analfabetizmi mediatik është vlerë tradicionale në Serbi”, theksoi Nikolla Petroviq, duke shtuar se me përjashtime të vogla të disa mediave, ky realitet ka historinë e vet që shkon me dekada.
Ai thekson se Serbia nuk është vetëm pranuese e ndikimeve të huaja në sferën mediatike, por edhe qendër rajonale për bartjen e mëtutjeshme të dezinformatave të tilla. Ai vuri në dukje zyrat e Russia Today dhe Sputnik në Serbi, si dëshmi për fuqinë e ndikimit rus në Serbi.
Me këtë rast, ai e përmend komponentin politik dhe ato forca politike në Serbi që kanë bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse, e cila sot është bërë vëllazëri.
“Serbia dhe partitë e saj politike kanë një marrëdhënie aq të ngushtë me Rusinë, saqë madje është e vështirë të zvogëlohet ky nivel afërsie. Kjo është arsyeja pse Sputnik dhe RT janë të pranishme në Serbi”, tha Petroviq.
Ai shtoi se për shkak të analfabetizmit mediatik në Serbi, titujt e mediave me përmbajtje të dyshimtë kanë numrin më të madh të klikimeve. Fushatat antiperëndimore në Serbi filluan në këtë nivel në vitin 2008 pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kur Rusia pa një mundësi të madhe për të hyrë në hapësirën mediatike serbe.
“Kjo e shtyn Serbinë si një vend të izoluar që nuk e sheh të ardhmen e saj në BE dhe shoqërinë perëndimore,” tha Nikola Petroviq nga fondi ISAC.
Krahas gjithë asaj që vjen nga Rusia, në Serbi ka edhe analistë dhe politikanë vendas që përdoren si burime për të përhapur narrative proruse, për t’i forcuar ato më tej. Një numër i madh i burimeve perëndimore shfrytëzohen edhe për përhapjen e dezinformatave dhe propagandës ruse nga mediat serbe, të cilat, edhe pse shpeshherë me natyrë proruse, nuk prezantohen si të tilla në mediat serbe.
“Serbia është shumë e rëndësishme, sepse mediat tona marrin përmbajtje jokritike nga sfera mediatike serbe dhe pastaj ia plasojnë ato publikut tonë përmes gazetarisë copy-paste”, theksoi Stojanovski në diskutimin e sotëm në panel.
Jona Plumbi, gazetare e shërbimit shqiptar të verifikimit të fakteve Faktoje.al, ndau përvojën e saj me dezinformimin në Shqipëri. Ajo theksoi se në Shqipëri dominon gazetaria e keqe dhe se dezinformatat dhe informatat e gabuara janë të përhapura gjerësisht. Nëpërmjet verifikimit të fakteve që e bën Faktoje.al, ata duan të kapërcejnë problemin që paraqitet te njerëzit, i cili nuk është se ata nuk janë gjendje të vendosin se çfarë është lajm i rremë dhe çfarë jo.
Në fakt, ata u përfshinë në disa fushata të edukimit mediatik në Shqipëri, si dhe realizuan një video tutorial për të rinjtë, për t’u dërguar atyre mesazhe se është e rëndësishme të verifikojnë atë që dëgjojnë. Ata angazhuan edhe figura publike (aktorë, këngëtarë, sportistë) për të shpërndarë mesazhin tek publiku për rëndësinë e edukimit mediatik.
Faktoje po punon me Universitetin e Tiranës për të ofruar një lëndë për edukimin mediatik dhe ajo është një lëndë zgjedhore në Fakultetin e Gazetarisë, por synimi i tyre është ta bëjnë atë lëndë të detyrueshme në këtë fakultet.
“Po punojmë edhe me partnerët tanë në rajon, sepse është shumë e dobishme për ekspozimin e dezinformatave. Duhet të bashkëpunojmë me partnerët tanë në rajon për të treguar rrjedhën e dezinformatave në rajon”, thotë Jona Plumbi, duke shtuar se duhet kuptuar se disa nga këto tema të nxehta nuk janë problem vetëm për t’u përhapur në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera.
Albulena Halili, bashkëpunëtore shkencore në Institutin Maks van der Shtul në Universitetin e Evropës Juglindore, në diskutimin në panel i promovoi aktivitetet e tyre që nga fillimi me punë e deri më sot.
Një ekip studiuesish nga ky institut të cilët vijnë nga fusha të ndryshme – siguria, diplomacia, komunikimi, gazetaria, TI-ja, synojnë të punojnë në vend, por edhe në Ballkan, me dezinformatat në nivel akademik. Pas krijimit të ekipit hulumtues nga Universiteti i Evropës Juglindore, që në vitin 2020 ata u bënë pjesë e projektit Fake Spotting të udhëhequr nga Universiteti i Bolonjës dhe disa qendra akademike nga Evropa.
Ata marrin pjesë në konferenca të ndryshme, shkruajnë blogje dhe stafi i tyre merr pjesë me punime shkencore për hulumtimet e kryera që i publikojnë në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, tha Albulena Halili, e cila është drejtuese e Media Literacy & Disinformation Research Cluster. “Jemi shumë të kënaqur që deri më sot kemi arritur të mbledhim kaq shumë bashkëpunëtorë dhe kjo flet për seriozitetin e qasjes që mund ta kemi si shtet. Nuk duhet vetëm një komunitet gazetarësh dhe verifikuesish të fakteve, por të gjithë së bashku mund të jemi kundër kësaj sfide në luftën kundër dezinformatave”, tha Albulena Halili.
Despina Kovaçevska, specialiste e monitorimit të mediave në Fondacionin Metamorfozis, para panelit prezantoi raportin më të fundit tremujor të monitorimit për tendencat dhe narrativet e dezinformimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili u përgatit për periudhën korrik-shtator 2023 si pjesë e projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” i mbështetur nga Mbretëria e Holandës.
“Ndikimet e huaja malinje i përdorin dezinformatat për të shkaktuar konfuzion dhe përçarje, për të rrënjosur ndjenjat antiperëndimore, për ta paraqitur Rusinë si një alternativë ndaj BE-së dhe për të shkaktuar sa më shumë polarizim në shoqëri,” tha Kovaçevska.
Edhe në raportin më të fundit tremujor dominuan narrativet dezinformuese – lufta në Ukrainë, sulmet ndaj Perëndimit, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sulmet ndaj BE-së, teoritë e konspiracionit dhe konflikti në Izrael.
Edhe në periudhën korrik-shtator të këtij viti, narrativi dominues i dezinformatave është lufta në Ukrainë, me ç’rast dezinformatat që po përhapen synojnë të justifikojnë Rusinë se po kryen një operacion special në Ukrainë, se Rusia po lufton kundër nazistëve, se Perëndimi është fajtor për luftën në Ukrainë dhe të ngjashme.
Menjëherë pas luftës në Ukrainë, narrativi kryesor është demonizimi i qytetërimit perëndimor, gjegjësisht dezinformimi përdoret për të portretizuar shoqëritë perëndimore si dekadente dhe të korruptuara moralisht.
“Kishte shumë dezinformata për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe narrativi zakonisht ishte se Kosova është shtet i rremë, se është burim krimi, se është kërcënim për Serbinë dhe BE-në dhe vendoseshin paralele midis asaj që Rusia po i bën Ukrainës dhe atë që Perëndimi ia ka bërë Serbisë”, tha Kovaçevska.
Në tremujorin e tretë të këtij viti është prezent edhe narrativi i sulmeve ndaj BE-së, përmes dezinformatave që po përhapen se Be-ja po i shantazhon vendet e Ballkanit Perëndimor, se e shkel të drejtën ndërkombëtare, se e mbron fashizmin dhe sjelljen fashiste, se e mbështet pedofilinë dhe e mbështet komunitetin LGBT+.
“Ajo që ne mund ta bëjmë është edukimi mediatik, në mënyrë që vetë qytetarët dhe gazetarët të përballen me dezinformatat”, tha Kovaçevska.
Bashkëbiseduesit e panelit dërguan mesazhe se duhet inkurajuar roli edukativ i mediave në edukimin digjital dhe mediatik, si dhe të kuptuarit se si qytetarët mund të fitojnë aftësi për të marrë me sukses informacionin në botën digjitale. Gjithashtu, komuniteti akademik dhe hulumtues duhet të flasë, të shkruajë dhe të hulumtojë shumë më tepër për përhapjen e dezinformatave në Ballkan. Gjithashtu, në arsim duhet të futet edukimi mediatik.
“Pa lirinë e medias, është e pamundur të kemi një proces demokratik”, tha Nikolla Petroviq nga Serbia.
Goran Rizaov, menaxher i Programit Mediat për Demokraci, theksoi se shumë gjëra që duhet të bëhen janë urgjente, por mendon se më e rëndësishmja është edukimi, edhe atë jo vetëm i të rinjve, në luftën kundër dezinformatave. Ai ka edhe një mesazh për qytetarët – që të mos i shikojnë dhe lexojnë ato media që nuk janë të besueshme.
“Redaktorët duhet të bëjnë punën e tyre, të verifikojnë faktet. Gjëja e tretë është që partitë politike të heqin dorë nga fermat e tyre të trolleve. Nëse e bëjnë këtë, atëherë përhapja e dezinformatave nuk do të jetë aq virale. Edhe institucionet duhet të rrisin transparencën e tyre”, tha Rizaov.
Me panelin “Ndërtimi i rezistencës shoqërore ndaj efekteve të dëmshme të dezinformatave” sot u hap edicioni i 5-të i Ditëve të Edukimit Mediatik.
Ndaje: