Në kuadër të iniciativës së rrjetit ICEDA, institucionet përkatëse, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile nga vendet e synuara nga Ballkani Perëndimor u takuan në Tiranë për të diskutuar mundësitë dhe sfidat për transformimin e plotë të shërbimeve publike në shërbime elektronike përfundimtare dhe ofrimin e tyre efektiv për qytetarët. Ky takim rajonal u zhvillua më 22 shtator në Tiranë me qëllim shkëmbimin e njohurive, ideve dhe praktikave të mira midis vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve elektronike publike bazuar në shembullin e Shqipërisë, pasi ky është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i digjitalizoi të gjitha shërbimet publike. Ky takim kishte për qëllim edhe të frymëzonte mendimin kreativ dhe inovativ dhe të krijonte lidhje profesionale cilat duhet të çojnë në shërbime elektronike më efikase në të gjithë rajonin.

Takimi u mbajt në një rreth të mbyllur për një grup të përzgjedhur palësh të interesuara që punojnë në zbatimin e disa aspekteve që lidhen me identitetin digjital dhe shërbimet elektronike, duke përfshirë Romina Kostanin, Drejtore e Inovacionit dhe Programeve IPA Gov, Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (Shqipëri), Anxhela Bega, Specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile (Shqipëri), Kushtrim Canolli, Zyrtar i Lartë i Planifikimit të Politikave, Zyra e Kryeministrit (Kosovë), Debora Peci, Democracy Plus (Kosovë), Fjolla Çavolki, Rrjeti i Gjeneratës së Ardhshme (Kosovë), Amara Korshiq, Zyra për TI dhe Qeverisje Elektronike e Qeverisë së Serbisë (Serbi), Ninoslav Kekiq, Sekretariati për Politika Publike, Qeveria e Serbisë (Serbi), Predrag Tema, Bridges&Creations / DX Lab (Serbi), Kristina Petrovska, Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë (Maqedonia e Veriut), Lilijana Jonoski, Koalicioni Rural (Maqedonia e Veriut), Fisnik Xhelili, Portalb (Maqedonia e Veriut), Milica Vuçiniq, Këshilltare në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi (Mali i Zi), Vanja Llazareviq, Këshilltare në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi (Mali i Zi), si dhe partnerët e ICEDA.

Gjatë prezantimit të saj, zonja Kostani tha se digjitalizimi i shërbimeve në Shqipëri ka qenë një proces i gjatë, e jo diçka që ndodhi brenda natës. Qeveria e pa rëndësinë dhe vlerën e transformimit digjital të administratës publike dhe vendosi t’i investojë burimet dhe përpjekjet e saj për ta lehtësuar jetën e qytetarëve. Revolucioni digjital në Shqipëri filloi në vitin 2013 me digjitalizimin e 12 shërbimeve publike, për të përfunduar me 1.225 shërbime elektronike publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset në vitin 2022. Më tej ajo tregoi se në fillim ishte e vështirë të bindeshin institucionet që ta transferonin punën e tyre online dhe të ndryshonin mënyrën e të menduarit të punonjësve të tyre, të gjithë procedurën se si e menaxhonin të gjithë sistemin e shërbimit dhe thjesht të përshtateshin me realitetin e ri të digjitalizimit. Sipas zonjës Kostani, është shumë e rëndësishme që në gjithë këtë proces të ketë një lider që do të ishte forca shtytëse për ndryshimet e këtilla sociale, e në këtë rast ishte vetë kryeministri.

Që nga viti 2017, duke u bazuar në mësimet e nxjerra, ata arritën ta centralizojnë të gjithë infrastrukturën. Edhe pse sistemet hostohen në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, bazat e të dhënave janë në pronësi të institucioneve që i ofrojnë shërbimet. Të lidhura me platformën e ndërveprimit të qeverisë së tyre, të dhënat tregojnë se përmes saj ka rreth 19 milionë transaksione mujore, 780.000 aplikime mujore për shërbime elektronike, 26.000 aplikime ditore (20% bizneset dhe 80% qytetarët). Mbështetja që e kanë në këtë proces vjen nga palë të ndryshme, e mbështetës i tyre është Microsoft, i cili ofron licenca dhe mbështetje për transformimin digjital në 10 vitet e fundit.

Për sa i përket optimizimit të kornizës kohore dhe të kostove në periudhën midis viteve 2020 dhe 2022, ata vlerësojnë se përdoruesve u kanë kursyer 9 milionë euro dhe 990 vite për pritje në radhë. Gjatë pandemisë, ata arritën të ofrojnë shërbime elektronike për mbi 1.2 milionë qytetarë dhe biznese, duke kursyer 1.36 milionë euro, si dhe 293 vite pritje në radhë. Ata e llogaritsn numrin e viteve duke u bazuar në një pritje të përkohshme prej 15 minutash në radhë, duke mos e përfshirë kohën që i duhet përdoruesit për të arritur deri te shërbimi, si dhe kostot, pa i llogaritur kostot e karburantit, parkimit ose kosto të tjera që mund t’i kenë përdoruesit e shërbimit. Siç theksoi zonja Kostani, shumë vlerësime ndërkombëtare e vlerësojnë këtë progres digjital të Shqipërisë, si p.sh. OBEZH-i, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, OKB-ja, KE-ja, ReSPA.

Ajo më tej tregoi se ky transformim ndodhi në tre faza. Fillimisht, në janar të vitit 2020, u ofruan 400 shërbime elektronike, e meqenëse pandemia filloi pikërisht në atë kohë, kjo ishte koha e duhur për të kaluar në ofrimin e shërbimeve online. Në disa raste ju duhej të shkonit ende për të marrë kopje të shtypura nga vetë institucioni, por nga maji i vitit 2022 u vendos që përgjigjet nga institucioni të jenë elektronike për rreth 95% të shërbimeve nëpërmjet eAlbania. Një tjetër gjë shumë e rëndësishme që e përmendi ajo është se qytetarët nuk kanë më nevojë të dorëzojnë dokumente që i posedojnë tashmë institucionet e vendit, si çertifikatat e lindjes, çertifikatat e shtetësisë etj.

Znj. Kostani foli edhe për Agjendën Digjitale Shqiptare 2022-2026. Kjo strategji bazohet në 4 shtylla kryesore, përkatësisht qeverisjen digjitale, bizneset digjitale, edukimin digjital dhe qytetarët digjitalë. “Qeverisja digjitale” bazohet në mundësimin e politikave digjitale, proceseve inteligjente dhe zgjidhjeve të avancuara në platforma të sigurta (IA, mësimi i makinës, “cloud IoT”, “blockchain”), ndërsa shtylla e “biznesit digjital” është më e fokusuar në shërbime dhe operacione të qasshme, proaktive të gatshme për biznesin (eResidence, FinTech, rritje e përdorimit dhe aplikimit të teknologjisë në zhvillim për bizneset). Shtylla e përqendruar në transformimin e të mësuarit dhe arsimit është “edukimi digjital” (të mësuarit elektronik, aftësitë digjitale, modifikimi i kurrikulës dhe përfshirja e TIK-ut në shkolla, më shumë programe për “start-up”-e, internet më i sigurt për fëmijët), ndërsa “qytetarët digjitalë” ka të bëjë me qytetarët dhe privatësinë, transparencën e të dhënave dhe shërbimet për qytetarët (rritja e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe akte ligjore që lidhen me privatësinë, zgjidhjet e gjelbra, qytetet/fshatrat e zgjuara).

Ana Toskiq Cvetinoviq nga Partner Serbi, duke u përpjekur të krahasojë se ku qëndron Serbia në këtë drejtim, ka bërë disa pyetje nga këndvështrimi i qytetarëve. Ajo ishte kurioze të mësonte se çfarë mekanizmash përdorin për t’i përfshirë qytetarët në këtë proces, veçanërisht analfabetët digjitalë. Ajo pyeti për mbrojtjen e të dhënave në dritën e sulmeve kibernetike të fundit në Shqipëri, si dhe raportin e punonjësve të sektorit publik të angazhuar në ofrimin personalisht të shërbimeve në të kaluarën kundrejt nëpunësve publikë që i ofrojnë shërbimet online.

Znj. Kostani tregoi se gjatë viteve 2013-2020 janë bërë shumë fushata së bashku me udhëzimet për eAlbania, kryesisht përmes mediave tradicionale dhe atyre sociale dhe ajo që u konstatua është se nëse njerëzve u lini të zgjedhin, ata nuk do t’i ndryshojnë shprehitë e tyre. Personat që shkojnë në sportelet e shërbimit ndihen më të sigurt kur e kryejnë shërbimin në sportel, sepse ka kush t’u tregojë nëse dokumentacioni është i plotë dhe i saktë. Gjatë pandemisë së KOVID-19, kur njerëzit nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të përdornin eAlbania, ajo që panë ishte se të gjithë mund të përdornin shërbimet elektronike. Për çështjen e punonjësve, ajo tha se në vend që njerëzit të mbeten të papunë, ata sapo kanë ndryshuar fushëveprimin e tyre dhe tani janë investuar në ofrimin e shërbimeve elektronike.

Lidhur me sigurinë e të dhënave si një temë e nxehtë në rajon, ajo beson se ata janë rikuperuar nga sulmet kibernetike me ndihmën e partnerëve të tyre të NATO-s dhe Microsoft-it në mënyrë që ta përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre kibernetike. Kjo nuk ishte një situatë e panjohur, sipas saj: “Ky ishte sulmi më i rëndë kibernetik që kemi përjetuar, por ne çdo ditë përjetojmë sulme më të vogla që dështojnë.”

Milla Josifovska Danillovska nga Fondacioni Metamorfozis shtroi disa pyetje në lidhje me qasjen digjitale, reduktimin e korrupsionit dhe ekonominë gri përmes digjitalizimit të shërbimeve publike, si dhe planet e institucioneve për ngritjen e kapaciteteve të të gjithë të punësuarve për të garantuar ofrimin e sigurt dhe efikas të e-shërbimeve për qytetarët.

Për çështjen e sigurisë, znj. Kostani tha se e kanë ndryshuar të gjithë mënyrën e qasjes në infrastrukturën e tyre në bazë të modelit të besimit zero. Tani ka shumë kufizime në sistemin e tyre si p.sh. askush nuk mund të shkarkojë ose fshijë të dhëna vetë. Në këtë proces ato mbështeten nga Microsoft-i përmes një kontrate qeveritare. Gjithashtu është paraparë që edhe partnerët e tjerë të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të tyre qeveritarë. Ata i kanë politikat e tyre të sigurisë që janë të përditësuara, por megjithatë duhet të kujdesen për t’i zbatuar ato.

Më tej ajo përmendi se di disa raste kur dikush i ka ofruar dikujt një shërbim elektronik për një shumë të caktuar. eAlbania është një markë dhe askush nuk mund ta përdorë atë në këtë kuptim, andaj institucioni i saj i pengoi ata të promovoheshin si “ofrues të shërbimeve të eAlbania” dhe i gjobiti. Ajo konsideron se kjo është shumë e vështirë për ta kontrolluar. Për sa i përket qasjes digjitale, ajo tregoi se një tjetër agjenci i ka të dhënat.

Diskutimi u fokusua tek sfidat e përfshirjes së të gjithë administratës publike, kostot e këtij investimi në transformimin digjital, pagesat online për shërbimet elektronike, si dhe digjitalizimi i lëshimit të pasaportave dhe letërnjoftimeve.

 

Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjedën Digjitale – ICEDA”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura – Open Data Kosovo (Kosovë).

Ndaje: