Grupi Këshillëdhënës i Ekspertëve të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian, u takua sot me partnerët e ICEDA për të dëgjuar rreth progresit të projektit dhe rrjetit, si dhe për strategjinë e tyre deri në fund të projektit. Gjithashtu u diskutuan arritjet nga viti i parë i zbatimit të projektit, si dhe sfidat me të cilat përballet ekipi i projektit dhe rrjeti.

Në takim morën pjesë ekipi i projektit nga 5 vendet e synuara të Ballkanit Perëndimor, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe anëtarët e Grupit këshillues të ekspertëve.

Grupi Këshillëdhënës i Ekspertëve është një organ rajonal, ku si anëtarë janë shumë palë të interesuara, i krijuar për të ofruar këshilla mbi strategjinë e përgjithshme për projektin ICEDA. Grupi përbëhet nga zyrtarë qeveritarë të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt në zbatimin e aktiviteteve që lidhen me Agjendën Digjitale në kuadër të institucioneve të tyre. Qëllimi i krijimit të grupit të ekspertëve ishte që të fitohet kontribut dhe udhëzime gjatë zbatimit të Veprimit që do të ndihmojë partnerët e ICEDA të arrijnë qëllimet e tyre në secilin prej vendeve.

Grupi i ekspertëve është planifikuar të takohet disa herë gjatë projektit, t’i dëgjojë raportet për planet dhe aktivitetet aktuale dhe të dëgjojë nga Këshilli Drejtues për pikëpamjet e tyre mbi këto dhe prioritetet e ardhshme, si dhe për problemet kryesore.

Grupi Këshillëdhënës i Ekspertëve përbëhet nga 5 anëtarë nga institucione nga Ballkani Perëndimor, shumica e të cilëve ishin të pranishëm në takim ose u përfaqësuan nga zëvendësit e tyre, përkatësisht: z. Lorin Imeri, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Ofrimin e Shërbimeve të Integruara Shqipëri – ADISA (Shqipëri) i përfaqësuar nga z. Ili Sado nga ADISA, z. Agim Kukaj, Shef i Departamentit të TIK-ut në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (Kosovë), i shoqëruar nga znj. Fjolla Restelica Ahmeti nga i njëjti institucion, znj. Bojana Bajiç, Drejtore e Përgjithshme e Departamentit të Digjitalizimit dhe Sistemeve të Informacionit në Ministrinë e Financave dhe Mbrojtjes Sociale (Mali i Zi), z. Znj. Elena Mançeva, Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (Maqedonia e Veriut) dhe z. Millan Dobrijeviç, Shef i Departamentit për Zhvillimin e Agjendës Digjitale në Ministrinë e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit (Serbi), zëvendës i të cilit ishte z. Slobodan Markoviç, Këshilltar Digjital i UNDP Serbi. Anëtarët u zgjodhën në bazë të njohurive të tyre të specializuara, aftësisë për t’i përfaqësuar interesat e aplikuesve dhe aftësisë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve me të cilat mund të përballet projekti. Gjatë përcaktimit të anëtarësimit në këtë grup, vëmendje i është kushtuar edhe ekuilibrit gjinor, shpërndarjes gjeografike dhe përfaqësimit të përdoruesve.

 

Pas një diskutimi produktiv në takim, anëtarët e Grupit të Ekspertëve pranuan rëndësinë e kësaj iniciative, duke thënë se “Si Qeveri, ne jemi me shumë fat që në këtë proces të digjitalizimit, OShC-të janë në anën tonë, në mënyrë që të ndihmojmë qytetarët së bashku. Ne i konsiderojmë OShC-të si partnerët tanë, ato na ndihmojnë shumë në afrimin e Agjendës digjitale tek qytetarët, sepse ato na ofrojnë perspektiva të ndryshme për këto çështje. “Me ndihmën e dialogut, rrjetëzimit, ngritjes së kapaciteteve, partneritetit dhe edukimit, ky projekt është një mjet fantastik për të arritur pikërisht atë – ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe promovimin, formësimin dhe zbatimin e Agjendës digjitale.” – znj. Elena Mançeva, Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (Maqedonia e Veriut), e cila gjithashtu u zgjodh Kryetare e Grupit Këshillëdhënës të Ekspertëve.

Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis shpjegoi se si ata e konsiderojnë Agjendën Digjitale si pjesë të jetës së përditshme dhe sa e rëndësishme është për organizatat e shoqërisë civile dhe qeveritë t’i zgjidhin këto probleme. Filipi theksoi një shembull se si nga njerëzit kërkohet të regjistrohen për të marrë vaksinën kundër Kovid-19. Përvoja tregon se disa njerëz nuk i kanë aftësitë digjitale të nevojshme për këtë proces. Kështu, qëllimi i ICEDA është të rrisë aftësitë e tilla dhe të rrisë disponueshmërinë e shërbimeve elektronike. “ICEDA shpëton jetë”, tha Filip Stojanovski.

Slobodan Markoviç nga UNDP Serbi përmendi se është jashtëzakonisht e rëndësishme përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në procesin e e-qeverisjes sepse: 1) Shërbimet qeveritare që po futen në përdorim nuk janë të përqendruara tek përdoruesit, por përkundrazi ato janë krijuar për t’iu përshtatur vetëm procesit të tyre administrativ. Është e rëndësishme për OShC-të të avokojnë për qytetarët; 2) Transparenca: Qeveritë duhet t’i bëjnë të disponueshme informacionet në lidhje me mënyrën e funksionimit të algoritmeve, çfarë bëhet me të dhënat, etj. Ai më tej theksoi se qeveritë kanë nevojë për presion të jashtëm dhe organizata që i monitorojnë proceset e tyre. Ai gjithashtu nënvizoi se siguria kibernetike është diçka që qeveritë duhet të adresojnë, ndërsa ICEDA mund të punojë për të ndihmuar këto institucione të ndërtojnë praktikat e tyre të sigurisë kibernetike në këtë proces.

Milla Josifovska Danillovska nga Fondacioni Metamorfozis theksoi se ka mungesë të bazave të të dhënave për numrin e përdoruesve të të gjitha e-shërbimeve, të cilat, siç tha ajo, janë shumë të rëndësishme për, ndër të tjera, zhvillimin e politikave dhe mjeteve të tjera elektronike. Duke e ditur numrin e përdoruesve të e-shërbimeve, qeveritë së bashku me palët e tjera të interesuara mund të shohin se ku mund të ketë problem dhe të hetojnë përdorimin e ulët të një shërbimi të caktuar, në mënyrë që ta bëjnë atë më të përshtatshëm për përdoruesit, për ta sjellë atë më pranë qytetarëve dhe në përgjithësi, për t’i përshtatur shërbimet me nevojat e qytetarëve, por edhe për të krijuar e-shërbime të reja për qytetarët bazuar në bazë të mësimeve të nxjerra. Në lidhje me këtë, Snezhana Nikçeviç nga 35 MM bëri një pyetje se si duhet zgjidhur problemin e rritjes së përqindjes së përdoruesve të e-shërbimeve. Për këtë, propozimet duhet të vijnë nga mësimet e nxjerra nga vendet e tjera që kanë kaluar nëpër këtë proces, përveç fushatave promovuese për një angazhim më të madh të qytetarëve dhe konsultimit me institucionet për të parë se cilat e-shërbime janë prioritet i tyre.

Blerta Thaçi, anëtare e Këshillit Drejtues, theksoi një përvojë të organizatës Open Data Kosovo në bashkëpunim me Agjencinë përgjegjëse për zhvillimin e platformës së re e-Kosova, për të cilën Agjencia kishte disa keqkuptime. Ajo theksoi se duke i mbledhur e-shërbimet nga të gjitha institucionet në Kosovë, Agjencia kishte përshtypjen se ajo vetë do të duhej t’i ofronte këto shërbime, mirëpo organizata u shpjegoi se proceset do të mbesnin të njëjta, gjegjësisht secila agjenci do të kryente shërbimet e saj, por se qytetarët do të kishin vetëm një kanal për ta bërë këtë, në vend që të kishin llogari të shumta nëpër agjenci të ndryshme. Kjo çoi në përfundimin se bëhet fjalë edhe për të kuptuarit dhe vetëdijësimin e vetë institucioneve për të gjithë konceptin e digjitalizimit dhe platformave të centralizuara për e-shërbime, të cilat mund të adresohen më tej nga ICEDA.

Takimi mbaroi me një përmbledhje të shkurtër të takimit, duke i theksuar përfundimet kryesore dhe nevojën për hapat e ardhshëm, duke përfshirë:

  • Ndihmën për institucionet publike në hartimin e shërbimeve të orientuara drejt klientit;
  • Trajtimin e çështjeve të sigurisë në internet, të tilla si privatësia e të dhënave;
  • Ngritjen e vetëdijes qytetare dhe institucionale në lidhje me procesin e digjitalizimit;
  • Konsultimin me prioritetet e qeverisë për e-shërbimeve dhe harmonizimin e përpjekjeve;
  • Punën për ndryshimet ligjore në mënyrë që të krijohet hapësirë për e-shërbime më efikase dhe procese digjitale publike.

——————————————————————————————————————————————

Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Ndaje: