Programet inteligjente si DeepAI dhe DALL-E që gjenerojnë imazhe, ose Synthesia dhe Colossyan që janë të parët në gjenerimin e videove realistike, natyrshëm kanë nxitur frikë te popullata e gjerë, frikë se në mos fotot dhe videot tona që i shpërndajmë në rrjete sociale mund të përdoren për të gjeneruar foto dhe video të rrejshme.

Vitin e kaluar Ben Zhao, një profesor në Universitetin e Chicago-s, së bashku me katër studentët e tij, Shawn Shan, Wenxin Ding, Josephine Passananti dhe Haitao Zheng formuan një ekip për krijimin e një programi inteligjent që do të pengojë krijimin e fotografive të rreme me mjete të inteligjencës artificiale (IA).

Programi në fjalë, Glaze, është i qasshëm për publikun që nga marsi i vitit 2023 dhe “infekton” fotografitë në atë mënyrë që programet tjera inteligjente të mos munden t’i përdorin për të “mësuar” si të gjenerojnë fotografi tjera. Për syrin e njeriut, origjinali dhe fotografia e infektuar duken të njëjta.

Arsyeja përse Glaze nuk mund të përdoret ende për çfarëdo lloj fotografie është për shkak se nuk funksionon mirë për fotografi që janë më të thjeshta në kompozicion, si psh një foto me një subjekt dhe prapavijë njëngjyrëshe. Fotografia ka nivelin e njëjtë të mbrojtjes, por pas infektimit dallohet me sy se nuk është e njëjta.

Ekipi i Zhao’s po punon vazhdimisht me programin, por në fund të fundit është e tëra një punë vullnetare me një ekip të vogël, kështuqë nuk mund të arrihet shumë për një kohë të shkurtër. Për këtë arsye, në faqen e tyre kërkohet çfarëdo ndihme vullnetare që mund të ofrohet nga donatorë ose programues tjerë.

“Është e rëndësishme për ne që jo vetëm të vazhdojmë ta ofrojmë Glaze pa pagesë, por edhe të zgjerojmë aftësitë e tij mbrojtëse”, shkruan Zhao për ata që janë të interesuar të ndihmojnë.

Vetëm 50 fotografi të infektuara mjaftojnë për t’i ngatërruar programet inteligjente që gjenerojnë fotografi

hulumtimin e tyre më të fundit, ekipi i Zhao’s trajnoi një model të IA për të gjeneruar fotografi, në bazë të modeleve të Stable Diffusion. Ata fillimisht në bazën e të dhënave vendosën vetëm fotografi origjinale, kurse në ciklin e dytë shtuan 50 fotografi të infektuara, pastaj 100 dhe në fund 300.

Modeli i Stable Diffusion i trajnuar me fotografi origjinale funksiononte në rregull, por me vetëm 50 fotografi të infektuara ai filloi të gjenerojë gjëra të tjera: një qen të deformuar kur i kërkohej të gjenerojë qen, një objekt që ngjan si valixhe prej metali kur i kërkohej të gjenerojë çantë, pikturë gjysmë abstrakte kur i kërkohej të gjenerojë një pikturë të një skene fantastike etj. Pas 300 fotografive të infektuara në bazën e të dhënave, rezultatet pas gjenerimit nuk u përshtateshin aspak kërkesave.

Rezultatet e përpjekjes së modeleve të IA për të gjeneruar fotografi, të klasifikuara në bazë të numrit të fotografive të infektuara që kanë pasur në bazën e të dhënave. Fotoja e marrë me leje nga autorët e punimit
Rezultatet e përpjekjes së modeleve të IA për të gjeneruar fotografi, të klasifikuara në bazë të numrit të fotografive të infektuara që kanë pasur në bazën e të dhënave. Fotoja e marrë me leje nga autorët e punimit

Programet që gjenerojnë fotografi janë në përgjithësi të trajnuara me foto të vjedhura nga interneti dhe atë pa leje. Kompanitë e inteligjencës artificiale si OpenAI, Meta, Google dhe Stability AI po përballen me një grumbull padish nga artistë që thonë se punimet e tyre digjitale janë marrë pa leje dhe pa i kompenzuar, por ende nuk ka një zgjidhje ligjore për këtë çështje.

Megjithatë, edhe po të ndryshojë ligji, kompanitë mund shumë lehtë t’i shfaqin vetëm të dhënat që janë marrë me leje dhe t’i fshehin të tjerat, e kjo mund të sjellë vetëm seanca të stërzgjatura dhe të shtrenjta gjyqësore. Sipas ekipit vullnetar, kjo çështje mund të zgjidhet më lehtë me programe si Glaze, meqë një fotografi e infektuar, nuk është e dallueshme as me sy, e madje, nëse origjinali nuk ekziston në internet për të bërë krahasim, nuk mund të dallohet as me program. Një numër i vogël i fotografive të infektuara në internet do të ngatërronin të gjitha modelet e IA që trajnohen me fotografi të vjedhura, e për më tepër, meqë nuk mund të dallohet nëse një foto është origjinale ose e infektuar, kompanitë e IA do të duhej ta fshijnë tërë bazën e të dhënave dhe të fillojnë nga fillimi.

Në tetor të vitit 2023, i njëjti ekip nxori në treg edhe Nightshade, një program shtojcë, i cili përdoret bashkë me Glaze për të maskuar stilin e punimit digjital. Kjo do të thotë që nëse në internet ka mjaftueshëm imazhe të infektuara me Glaze dhe më pas të maskuara me Nightshade, programet inteligjente që gjenerojnë fotografi jo vetëm që nuk do të mund të gjenerojnë fotografi përkatëse, por nuk do të mund ta kopjojnë as stilin e atij punimi, p.sh jo vetëm që do të gjenerojnë një valixhe në vend të çantës, por nëse kërkohet një çantë reale, do të gjenerojnë një valixhe të vizatuar me laps.

Për modelet e IA, fotografia e infektuar tregon krejtësisht diçka tjetër

Në qoftë se fotografitë i krahasojmë në nivel të pikselëve, mund të shihet Glaze/Nightshade ka ndërruar dhe zëvendësuar shumë pikselë në gjithë sipërfaqen e fotografisë.

Dallimet në pikselë mes punimit origjinal (në të majtë) dhe atij të infektuar (në të djathtë) të Tamara Menzi. Ilustrim nga Portalb.mk
Dallimet në pikselë mes punimit origjinal (në të majtë) dhe atij të infektuar (në të djathtë) të Tamara Menzi. Ilustrim nga Portalb.mk

Nga afër mund të vërehet një pjesë e ndryshimit me sy, por për një program inteligjent dy pamjet janë krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra.

“Ndërsa sytë e njeriut shohin një imazh që është kryesisht i padallueshëm nga origjinali, modeli i IA sheh një përbërje krejtësisht të ndryshme në imazh. Për shembull, sytë e njeriut mund të shohin një imazh të një lope në një fushë të gjelbër kryesisht të pandryshuar, por një model i IA mund të shohë një çantë të madhe lëkure të shtrirë në bar”, thotë Zhao.

Shpjegimi i Zhao-s mund të duket i pakuptimtë, por modelet e IA-së funksionojnë në atë mënyrë që nuk e analizojnë fotografinë si të plotë, por e ndajnë atë në blloqe dhe analizojnë pikselët brenda një blloku.

Për shembull, nga punimi i lartpërmendur i Menzi-t është veçuar një pjesë, të cilën një model IA e përshkon me blloqe që kanë vend për 36 pikselë. Për bllokun e parë (brenda katrorit të gjelbër), modeli mund të kuptojë se të gjithë pikselët janë pak a shumë të një ngjyre, kurse në bllokun e dytë, modeli mund të kuptojë se prej njërit qosh të bllokut deri në qoshen tjetër, pikselët gradualisht kalojnë nga ngjyra e zezë në të kaltër. Ai gjithashtu mund të kuptojë se në këtë bllok ka një “vijë” të pjerrët që ndan pjesën e zezë nga pjesa e kaltër.

Mënyra se si IA e analizon një fotografi. Ilustrim nga Portalb.mk
Mënyra se si IA e analizon një fotografi. Ilustrim nga Portalb.mk

Në qoftë se këtij modeli i jepen mjaftueshëm fotografi çantash të themi, ai do të krahasojë cilat blloqe kanë veçori të ngjashme dhe kështu do të ruajë disa veçori të përgjithshme të çantave, si: vija harkore (krahët e çantës), objekt rrumbullak ose kënddrejta në mes të një numri blloqeve me ngjyrë të njëjtë (pulla që kyç çantën), etj.

Glaze/Nightshade zëvendësojnë dy blloqe që kanë pikselë me nuanca të ngjjshme dhe pastaj në mënyrë të rëndomtë i riorganizojnë pikselët brenda bllokut. Duke qenë se nga larg fotografia duket e njëjtë, por nga afër ka renditje të çrregulluar të pikselëve, modeli i IA-së “sheh” diçka tjetër nga ajo që sheh syri i njeriut.

Softuerët inteligjentë për mbrojtje të të drejtave autoriale janë në luftë me kohën

Glaze dhe Nightshade, po edhe softuerët tjerë inteligjentë që në mënyrat e tyre mbrojnë të drejtat autoriale, nuk do të jenë zgjidhje e përhershme, kështu thotë Nebojsa Gelevski, dizajner grafik dhe themelues i kompanisë “KOMA”.

“Sfidat që vijnë me zhvillimin e shpejtë të IA kërkojnë gjetjen e zgjidhjeve që janë gjithashtu të shpejta. Këta softuer duket se ofrojnë mbrojtje të së drejtës së autorit nga shkarkimi dhe futja e paligjshme në bazat e të dhënave të gjeneratorit të imazheve të IA, por unë jam disi i bindur se kjo nuk do të jetë një zgjidhje e përhershme. Unë pres që mjetet e IA do të riprogramohen për të shmangur këto mbrojtje”, theksoi ai.

Gelevski është i mendimit se na duhet edhe zgjidhje ligjore.

Nebojsha Gelevski, foto nga Akademia Brainster
Nebojsha Gelevski, foto nga Akademia Brainster

“Bashkimi Evropian ka miratuar një projektligj (Akt AI), akti i parë i tillë globalisht, i cili do të synojë t’u ofrojë krijuesve të IA, si dhe atyre që aplikojnë dhe përdorin aplikacione të inteligjencës artificiale, kërkesa dhe detyrime të qarta në lidhje me përdorimet specifike të inteligjencës artificiale. Prej aty besoj se edhe për këtë problem do të krijohen zgjidhje ligjore, ndoshta ndalime me të cilat gjeneruesit e imazheve nuk do të lejohen të kenë në databazën e tyre imazhe për të cilat nuk kanë rregulluar të drejtën e autorit. Ndoshta do të nënkuptojë gjithashtu organe rregullatore ose raste të ngjashme që do të jenë në gjendje të kryejnë kontrolle në bazat e të dhënave të tyre, të cilat do të duhet të përdorin mjetet e IA për të kontrolluar bazat e të dhënave me miliarda imazhe… Gjithçka po zhvillohet kaq shpejt, saqë është e vështirë të parashikohet se në cilin drejtim do të ecin gjërat”, thotë Gelevski.

Për tendencën për të përdorur inteligjencën artificiale në luftën kundër dezinformimit Gelevski shtoi se nuk është diçka e papritur, manipulimi dhe keqinformimi janë në natyrën njerëzore dhe teknologjia ka ofruar vetëm një mjet më të ri, më të sofistikuar për përdorim. Ai është i mendimit se do të na duhen një kombinim veglash, e jo vetëm IA, për t’u mbrojtur.

“Nuk jam i sigurt se do të jemi në gjendje të mbrohemi plotësisht që të mos bëhemi viktima të manipulimit apo keqinformimit të dikujt. Nga sa lexova, ekspertët besojnë se duhen gjetur mënyra të ndryshme, si shkrim-leximi mediatik dhe digjital, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë se çfarë është dezinformim apo manipulim, të kenë bashkëpunim ndërsektorial të aktorëve të ndryshëm në luftën kundër dezinformimit, transparencë më të madhe. të institucioneve, etj., por jo edhe miratimin e zgjidhjeve ligjore, për të shmangur rrezikun e rrezikimit të lirisë së fjalës” tha ai.

Inteligjenca artificiale, mik dhe armik në luftën kundër dezinformimit

Përdorimi i inteligjencës artificiale në detektimin e dezinformatave prek edhe Maqedoninë e Veriut. Në fund të shkurtit u organizua një vebinar për këtë çështje, ku ishin të ftuar gazetari Bojan Shashevski, fotoreporteri Zvonko Pllavevski dhe avokati Valentin Pepeljugoski.

Të ftuarit debatuan sa në të vërtetë dëmton dhe sa ndihmon inteligjenca artificiale në dezinformim dhe luftën kundër dezinformimit.

Shashevski tha se inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme në krijimin e disa fotografive “stock” – për shembull, nëse duhet të publikohet ndonjë njoftim për një punëtori, atëherë mund të gjenerohet një foto me tavolina dhe pjesëmarrës, sipas dëshirës së gazetarit.

“Por, inteligjenca artificiale nuk mund t’i zëvendësojë gazetarët që shkojnë në terren për t’i pyetur njerëzit dhe për të marrë deklarata, që bëjnë anketa dhe që përgatisin raporte”, theksoi Shashevski.

Fotoreporteri Pllavevski shprehu shqetësimin e tij lidhur me atë se se si përmbajtjet e rreme të krijuara nga Inteligjenca artificiale do të ndikojnë në besimin tashmë të luhatur tek mediat. Pllavevski theksoi shembullin e fotografisë që fitoi çmim, e e cila në fakt është krijuar me Inteligjencë artificiale.

Webinari i titulluar “Inteligjenca artificiale në media – pro dhe kundër”

Megjithatë, Pllavevski tha se ai mendon se edhe pse inteligjenca artificiale është e dobishme për gjenerimin e fotografive “stock”, ajo nuk mund ta zëvendësojë fotoreporterin që do të filmojë një ngjarje aktuale në vendin e ngjarjes.

Pllavevski përshëndeti faktin që kompani të caktuara, si Meta, pronari i Facebook-ut dhe Instagram-i, kanë njoftuar se do të zbatojnë politikën e vendosjes së vulës në fotot e krijuara me Inteligjencë artificiale, e cila do të shënonte saktësisht se me cilin softuer është krijuar një fotografi e caktuar.

Avokati Valentin Pepeljugoski e përfshiu aspektin juridik si dhe rregulloret e nevojshme si reagim ndaj pranisë masive të teknologjisë së Inteligjencës artificiale në media, por edhe më gjerë.

Ai përshëndeti faktin se në Bashkimin Evropian tashmë janë implementuar rregulloret për shënimin e përmbajtjeve të krijuara me Inteligjencë artificiale. Mirëpo, Pepeljugoski theksoi se parë nga një këndvështrim më i gjerë mungojnë rregulloret në media dhe në lidhje me krimin kibernetik.

Sipas kryeredaktores së Portalb.mk, Elida Zylbeari mediat mund të jenë ato që kanë më shumë nevojë për softuerët inteligjentë në luftën kundër manipulimeve të informacionit. Ajo thotë se kjo është një temë shumë e rëndësishme për t’u diskutuar dhe hulumtuar më gjerësisht në shoqërinë tonë.

“Duhet të fillojmë me përdorimin e algoritmeve të zgjuara dhe teknikave të inteligjencës artificiale që mund të identifikojë manipulimet dhe të ndërhyjë në kohë për të parandaluar përhapjen e dezinformimit në rrjetet sociale dhe në internet në përgjithësi”, thotë ajo.

Mirëpo, Zylbeari shtoi se softuerët inteligjentë ende nuk janë në nivel për ta luftuar pa mbikëqyrje dezinformimin në media.

Elida Zylbeari, menaxhere projekti në Fondacionin Metamorfozis dhe kryeredaktore e Portalb.mk. Foto: Vanço Xhambaski
Elida Zylbeari, menaxhere projekti në Fondacionin Metamorfozis dhe kryeredaktore e Portalb.mk. Foto: Vanço Xhambaski

“Është e rëndësishme të kuptohet se softuerët nuk janë zgjidhje e vetme për luftimin e manipulimeve dhe dezinformimit. Këto softuerë duhet të jenë në gjende të dallojnë kontekstin, gjuhën dhe kulturën e një vendi të caktuar, gjë që ende nuk e kanë arritur ta bëjnë prandaj dhe kanë vështirësi në njohjen e spineve, formave të dezinformimit, fotografive dhe narrativeve të dëmshme. Madje, disa manipulime mund të jenë më të sofistikuar dhe të ndryshme nga algoritmet që njihen tashmë, duke e bërë këtë sfidë për softuerët për të zbuluar dhe parandaluar ato. Prandaj, pavarësisht nga potenciali i tyre, softuerët duhet të përdoren në bashkëpunim me njerëzit dhe strategjitë e tjera për të luftuar manipulimet dhe dezinformimin. Një qasje e integruar, ku teknologjia përdoret për të mbështetur punën njerëzore dhe anasjelltas, mund të jetë më efektive për të mbrojtur informacionin e saktë dhe për të ndërtuar një mjedis më të shëndetshëm informacioni për të gjithë”, thotë Zylbeari.

Me qenë se IA është zhvilluar shumë më shpejt nga ç’kemi pasur kohë ne të adaptohemi me të, te popullata e gjerë është nxitur një frikë se IA do të na “mbizotërojë”: Ne nuk e dimë a kemi aq aftësi sa të mos i lejojmë një programi inteligjent të na gënjejë, mashtrojë dhe fundja, të na tejkalojë në të gjitha aspektet. Mirëpo, puna e Zhao-s, Shan-it, Ding-ut, Passananti-t dhe Zhengut na rikujtojnë se e ardhmja nuk është një luftë mes njeriut dhe IA-së, por një luftë e njeriut me IA kundër njeriut me IA. Nuk duhet të harrojmë se inteligjenca artificiale në thelb nuk është një qenie, por një vegël.

Link deri tek origjinali: IA kundër IA: Inteligjenca artificiale, mik dhe armik në luftën kundër dezinformimit – Portalb

Ndaje: