Në kuadër të aktiviteteve të tij dhe si kontribut në krijimin e Strategjisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale që i respekton të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, Fondacioni Metamorfozis, me ndihmën e ekspertëve, përgatiti një “Hulumtim mbi efektin e teknologjive të reja, me fokus të veçantë në inteligjencën artificiale, mbi të drejtat e njeriut”, i cili, ndër të tjera, propozon një minimum të standardeve etike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë vendimmarrjes automatike.

Fondacioni Metamorfozis zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, si drejtues të grupit të punës për Strategjinë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, ku i njohu të pranishmit me hulumtimin dhe standardet etike.

Në takim u theksua se, megjithëse zhvillimi i inteligjencës artificiale ka çuar në një progres digjital transformues global që ndikon gjithnjë e më shumë në jetën tonë të përditshme, punën, familjen, shëndetin, shoqërimin, privatësinë dhe ka potencial për të përmirësuar shumë aspekte të përvojës njerëzore, për shkak të rrezikut të dizajnimit dhe përdorimit joetik të saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme të vendosen dispozita dhe rregulla për përdorimin e saj, të cilat i marrin parasysh të drejtat e njeriut dhe garantojnë mbrojtje të barabartë për të gjithë.

Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme gjatë rregullimit të inteligjencës artificiale është që korniza ligjore të miratojë një qasje me në qendër njeriun, duke i rezistuar dehumanizimit të pashmangshëm të qasjes së shkaktuar nga zhvillimi i teknologjisë. Ashtu siç inteligjenca artificiale vazhdon të depërtojë në jetën tonë të përditshme, nevoja për të mbrojtur të drejtat e njeriut pa e ngulfatur përparimin teknologjik po bëhet sfidë më e madhe.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Epokën e Inteligjencës Artificiale” që zbatohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, me mbështetje financiare nga Shoqata Amerikane e Avokatëve – Iniciativa për Sundimin e Ligjit (ABA ROLI – American Bar Association – Rule of Law Initiative).

Ndaje: