Sot, më 25 nëntor 2020, u mbajt pjesa e parë e konferencës “e-Shoqëri.mk – Angazhimi dhe efektiviteti – qeverisja e mirë dhe interneti”, e organizuar nga Fondacioni Metamorfozis.
Konferenca u hap nga z. Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, z. Jeton Shaqiri, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës z. David Geer, Shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj. Kristina Reinslau, Drejtore e Programit për e-Demokraci në Akademinë për e-Qeverisje nga Estonia dhe Chris Worman, Drejtor i Lartë për Integrimin e Komunitetit në Techsoup Global;
“Askush nga ne nuk dëshiron një e-shoqëri, që do të na imponohej, për shkak të ndonjë rrethane fatkeqe, siç është Kovid-19. Duam një e-shoqëri ku puna, mësimi dhe argëtimi në internet do të jetë zgjedhja jonë, ku do të ndihemi të sigurt, do të dimë ta përdorim teknologjinë me kompetencë, do të jemi më efikas në punën tonë dhe ky transformim digjital që të gjithë e përjetojmë të formësohet në përputhje me prioritetet dhe nevojat e tyre. “Sa i suksesshëm do të jetë transformimi digjital dhe sa do të kontribuojë në cilësinë e jetës sonë, varet nga ajo sa aktivisht do të jemi të përfshirë në krijimin e një hapësire, gjegjësisht ambienti që përfshin infrastrukturën teknike, por edhe kornizën institucionale dhe ligjore që do të kontribuojë në përdorimin e mirëfilltë të teknologjisë” – deklaroi Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, z. Jeton Shaqiri, në fjalën e tij theksoi se Qeveria në periudhën e ardhshme do të punojë për të zvogëluar hendekun digjital. Shaqiri vuri në dukje se sipas hulumtimeve dhe parashikimeve të BE-së, në vitin 2020 madje 90 përqind e vendeve të punës do të kërkojnë një nivel të caktuar të aftësive digjitale. Ai theksoi se ata do të punojnë në përmirësimin e aftësive digjitale të të gjithë popullsisë.
Kristina Reinslau, Drejtore e Programit për e-Demokraci në Akademinë për e-Qeverisje, Estoni, në prezantimin e saj të sotën e paraqiti shembullin pozitiv të Estonisë për transformimin e shpejtë dhe të suksesshëm digjital të hoqërisë dhe përfshirjen e komuniteteve në të. Në rastin e Estonisë, kjo ishte e mundur si rezultat i qeverisë progresive, sektorit proaktiv të TI-së, por edhe vetë shoqërisë. Me këtë rast, ishte i rëndësishëm partneriteti i krijuar midis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, që rezultoi në miratimin e zgjidhjeve të mençura.
Shefi i Delegacionit të BE-së në RMV, David Geer, në fjalimin e tij në konferencë tha se për të përfituar nga revolucioni digjital, shumë gjëra duhet të jenë në vendin e vet. Duhet të kemi infrastrukturë dhe duhet të rishikohet plani i investimeve për ta ndihmuar zhvillimin e një infrastrukture të tillë. Po ashtu, duhet të ekzistojë një kornizë rregullatore që do të mundësojë të jemi të sigurt se kjo është një fushë korrekte e lojës, tha Geer. Ai gjithashtu theksoi se një mënyrë në të cilën BE-ja e ndihmon Maqedoninë e Veriut është duke mbështetur e-shërbimet për kompanitë dhe qytetarët. Qytetarët tani mund të marrin të dhëna në internet, në vend që të presin në radhë.
Chris Worman, i Lartë për Integrimin e Komunitetit në Techsoup Global, theksoi se duhet ta përdorim strukturën bazë që është në dispozicion për të digjitalizuar shoqërinë. Kjo infrastrukturë themelore e digjitalizimit ka disa komponente, dhe nëse njëra prej tyre hiqet, e gjithë infrastruktura mund të prishet.
“E para është lidhja, a kanë njerëzit internet. E dyta janë mjetet, a kanë njerëzit mjete për të përdorur internetin, e treta është a kanë aftësi për të përdorur internetin, e katërta janë politikat, a ka politika të mjaftueshme për të siguruar që shoqëria civile mund ta përdorë internetin në mënyrë të sigurt dhe e fundit është se a kemi komunitete për mësim, gjegjësisht vende ku njerëzit mund të zhvillohen dhe të mësojnë përderisa teknologjia ndryshon” – shpjegoi Worman.
Më shumë detaje rreth secilit sesion mund të gjeni në www.meta.mk dhe www.portalb.mk
Pjesa e dytë e konferencës “e-Shoqëri.mk – Angazhimi dhe efektiviteti – qeverisja e mirë dhe interneti” do të mbahet nesër, më 26 nëntor 2020. Agjendën e ngjarjes mund ta shihni në këtë link: https://e-society.mk/wp-content/uploads/2020/11/Agenda-e-Society-2020_3.pdf.
Konferenca e-Shoqëri.mk organizohet nga Fondacioni Metamorfozis përmes projekteve “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” dhe “Mendim Kritik për qytetarët me shkathtësi mediatike”, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura gjatë konferencës në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
Ndaje: