Konferenca “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, 20 qershor 2023; Foto: Vanço Xhambaski, CC BY

Dezinformatat elektronike përhapen dhe tashmë askush nuk është imun ndaj tyre. Ato janë një kërcënim për shoqëritë. Lufta kundër dezinformimit kërkon një partneritet mes institucioneve dhe shoqërisë civile. Kjo u theksua në konferencën e sotme “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, e organizuar nga Qendra Presidenciale për Edukim Politik në bashkëpunim me Fondacionin “Metamorfozis”.

Gjatë hapjes së konferencës të pranishmëve iu drejtuan Presidenti Stevo Pendarovski, Dirk Jan Kop, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut, Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, si dhe Prof. d-r. Aleksandar Lj. Spasov, kryetar i Këshillit Programor të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, këshilltar i Presidentit për politikë të brendshme, politikë të jashtme dhe çështje kushtetuese dhe profesor i çrregullt në Fakultetin Juridik “Justiniani I” pranë UKM-së.

“Dezinformatat si një mjet për të shkaktuar apo për të thelluar ndarjet shoqërore, gjegjësisht si një mjet për luftë psikologjike, nuk janë një fenomen as i ri, e as i panjohur. Ato janë të pranishme në të gjitha shoqëritë në intervale kohore të ndryshme dhe janë përdorur nga grupe të ndryshme brenda dhe jashtë shoqërive. Në këtë kuptim, shoqëritë demokratike janë veçanërisht të cenueshme, sepse pluralizmi i mendimeve dhe i qëndrimeve, gjegjësisht liria e shprehjes përfshin edhe lirinë e mospajtimeve verbale që janë vetë thelbi i shoqërive demokratike dhe mënyra se si merren vendimet në to”, theksoi presidenti Pendarovski në fjalimin e tij gjatë hapjes së konferencës.

Presidenti Stevo Pendarovski në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, 20 qershor 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Ai tha se të gjitha informacionet, përveç atyre me karakter të sigurisë, duhet të jenë në dispozicion të publikut sepse e vërteta është arma më e mirë kundër dezinformatave dhe gënjeshtrave.

“Për një rezistencë afatgjate të shoqërisë maqedonase çelësi është arsimi. Në sistemin arsimor duhet të përfshijmë përmbajtje që kanë të bëjnë me edukimin mediatik, ndërsa unë rekomandoj edhe përfshirjen e edukimit politik në sistemin e rregullt arsimor në frymën e vlerave demokratike. Qendra Presidenciale për Edukimin Politik tashmë ka nisur një iniciativë të tillë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byronë e Zhvillimit të Arsimit dhe Fondacionin Westminster Democracy të Britanisë së Madhe dhe pikërisht nesër do të promovohet publikimi me udhëzime dhe rekomandime të qarta për zbatimin e politikave në këtë segment”, theksoi Presidenti.

Ambasadori Jan Kop foli për interesin e Holandës dhe të Maqedonisë së Veriut i cili është i qartë, e që është se të dyja vendet duan stabilitet dhe prosperitet.

“Prandaj vendi, përveç i NATO-s, duhet të jetë edhe anëtar i BE-së”, tha ambasadori.

Ambasadori Jan Kop në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, 20 qershor 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Ambasadori Jan Kop rikujtoi se që nga fillimi i agresionit rus ka pasur shumë dezinformata.

“Narrativi përforcohet nga aktorët lokalë për përfitime politike afatshkurtra ose për më shumë pëlqime në mediat sociale. Këtë vit ne shënojmë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Ajo që ka qenë konstante ndër vite është se Holanda është miku më besnik dhe mbështetësi më i fortë i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim e saj në BE. Kemi kënaqësinë të mbështesim Fondacionin Metamorfozis, i cili punon në projekte mbi dezinformatat dhe propagandën që vjen nga aktorët ekstremistë në rajon. Nëse fokusohemi vetëm në verifikimin e informacionit dhe debankimin, mbetemi gjithmonë një hap prapa. Nevojitet një rezistencë sociale ndaj informacionit, e kjo kërkon udhëzime dhe legjislacion kombëtar. Njerëzit nuk duhet të besojnë gjithçka që lexojnë, nxënësit duhet t’i pyesin mësuesit e tyre, ndërsa qytetarët duhet t’u parashtrojnë pyetje autoriteteve. Ne kemi nevojë për mendimtarë më kritikë, më analitikë dhe më lateral”, theksoi ambasadori holandez.

Drejtori i Metamorfozis, Bardhyl Jashari, theksoi se që nga viti 2011 Fondacioni e ka njohur këtë problem dhe ka filluar të merret fillimisht me verifikimin e fakteve.

Drejtori i Metamorfozis, Bardhyl Jashari, në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, 20 qershor 2023; Foto: Vanço Xhambaski

“Me kalimin e kohës ne pamë që dezinformatat janë një problem shumë serioz. Ato janë edhe një problem i sigurisë dhe duhen trajtuar si të tilla. Për probleme të tilla komplekse sociale mendojmë se ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të gjetur një zgjidhje dhe për t’i reduktuar dëmet nga fushatat dezinformative. Duhet të krijojmë një sistem që do t’i reduktojë ndikimet e dëmshme. Pikërisht për këtë ajo puna e përbashkët është shumë e rëndësishme. Roli i organizatave joqeveritare është i rëndësishëm, duhet të punohet në edukimin e qytetarëve, në ndëtimin e kapaciteteve, analizave dhe hulumtimeve që do të mundësojnë një kredibilitet edhe më të madh të asaj që po bëjmë. Presim që institucionet shtetërore të jenë më transparente dhe të mos lënë hapësirë për manipulime. Komuniteti akademik, mediat tu përmbahen standardeve të tyre. Ky mision nuk është i pamundur nëse punojmë bashkë dhe fokusohemi në luftën kundër dezinformatave”, tha drejtori Jashari.

Në konferencë profesori Aleksandar Spasov në prezantimin e tij tha se është e nevojshme ta luftojmë propagandën dhe të ndërtojmë një sistem.

“Propaganda dhe dezinformatat tashmë prej kohësh janë mes nesh. Veprimi i tyre është i fuqishëm si në planin gjeopolitik, ashtu edhe në atë të brendshëm politik. Dhe jo vetëm një sistem që do të përbëhet vetëm nga organet shtetërore, por një sistem rezistence nga ana e gjithë shoqërisë. Lufta më efektive kundër propagandës është nëse vetë shoqëria të mund të dallojë se çfarë është stereotip, çfarë është paragjykim, çfarë është gënjeshtër dhe çfarë është e vërtetë”, tha profesori Spasov.

Profesori Aleksandar Spasov në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Në kuadër të konferencës mbahet edhe sesioni i titulluar “Situatat aktuale dhe sfidat lidhur me ndikimin e dezinformatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në të cilën folës janë Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë së Zbulimit, Mile Bosnjakovski, sekretar i përgjithshëm i kabinetit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Filip Stojanovski, drejtor për partneritet dhe zhvillim të resurseve në Fondacionin “Metamorfozis”, si dhe Biljana Georgievska, drejtoreshë ekzekutive e “Këshillit për etikë në media të Maqedonisë”.

Lufta me dezinformata nuk duhet të shihet si rrezikim i lirisë së shprehjes ose censurë, pasi që nuk bëhet fjalë për publikim naiv të lajmeve, por fushatat dezinformuese janë proces shtetëror i organizuar dhe drejtuar i cili ka për qëllim manipulimin me mendimin publik dhe trysni ndaj bartësve të vendimeve.

Këtë mes tjerash e tha drejtori i Agjencisë së Zbulimit, Erolld Musliu në panel diskutimin “Situatat dhe sfidat aktuale lidhur me ndikimin e dezinformatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në kuadër të konferencës “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i organizuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Qendra Presidenciale për Arsimim Politik.

Musliu paralajmëroi se RMV do të jetë në shënjestër të propagandës dezinformuese për ndryshimet kushtetuese, çështjen e kishës dhe zgjedhjet në vitin 2024.

Erolld Musliu në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

“Kremlini i shfrytëzon kapacitetet që t’i kontrollojë dhe drejtojë “mjetet” proruse OJQ, klerin kishtar, subjektet politike, gazetarët, mediat, internet portalet dhe personat me ndikim në rrjetet sociale, të cilët e ndihmojnë propagandën ruse në rajon. Startegjia hibride ruse është e projektuar për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut bazohet në shfrytëzimin e “dritareve të mundësive”. Prej këtu, çështjet e hapura dhe integrimet e ngadalësuara euroatlantike i japin mundësi Rusisë që të jetë aktor efektiv malinj në rajon”, tha Musliu.

Ai tha se për momentin në RMV zhvillohet operacion klasik i kontrollit refleksiv nëpërmjet fushatës zgjedhore lidhur me procesin e pranimit të Kishës Ortodokse Maqedonase Kryepeshkopata e Ohrit.

Drejtori i Agjencisë së Zbulimit gjithashtu njoftoi se në vend ka edhe ndikim kinez.

“Mund të them se ekzistojnë indicie se po paguhet në media lokale që të publikohen tekste me rëndësi strategjike për Kinën, por me harmonizim rajonal dhe lokal”, tha Musliu.

Mile Boshnjakovski, sekretar gjeneral i Kabinetit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi se mediat e kanë humbur rolin e tyre në krijimin e mendimit publik, ndërkaq tanimë rrjetet sociale janë dominante.

“Vlerësoj se rrjetet sociale në mënyrë dominante e kanë marrë rolin e mediave, pra ato nuk funksionojnë si media, por janë media sipas të gjitha definicioneve se çfarë në fakt është një medium në kuptimin e trasnmetimin e informatave, të rëndësishme për qytetarët”, tha Boshnjakovski.

Mile Boshnjakovski në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Ai tregoi një shembull se si, një lajm i rrjeteve sociale ka shkaktuar një valë dezinformatash. Bëhet fjalë për fushatën e njohur në opinion se në RMV do të vendosen emigrantë nga vendet e lindjes së mesme.

“Është e saktë se Maqedonia e Veriut do të krijojë qendër për azil, pasi që e vjetra ishte rrënojë dhe ende ësthë rrënojë. Nga kjo informatë se RMV do të ndërtojë qendër të re të azilit u krijua më tej në mediat tradicionale informatë se do të sjellim migrantë, me miliona [migrantë]. Pastaj, pas disa ditëve, kjo u rrit në një fushatë të përgjithshme nacionale, ku u mblodhën edhe nënshrkime [kundër sjelljes së migrantëve] – të mos lejojmë që të hyjnë, ndërkaq çështja është e thjeshtë – kush të hyjë? Absurd. Sot, dezinformatat më nuk kanë nevojë që t’ua japin mediat tradicionale atë mbështetje të turpshme. Sot menjëherë prekin deri te pjesa më e madhe e opinionit”, tha Boshnjakovski, duke shtuar se RMV është e prekshme ndaj fushatave dezinformuese, sidomos duke e pasur parasysh polarizimin politik.

Drejtor për partneritete dhe zhvillimin e resurseve, në Fondacionin Metamorfozis, Filip Stojanovski, e tregoi përvojën me rrjedhën e projektit Qendra për luftë me dezinformata nga Ballkani Perëndimor.

“Qëllimi kryesor i projektit tonë është që të ekspozohen dhe zbulohen të gjitha ndikimet e dëmshme të huaja të cilat shprehen nëpërmjet dezinformatave dhe dukuritë e ngjashme duke filluar nga propaganda deri te manipulimet e ndryshme mediatike dhe politike. Të shohin se cila është rrjedha e tyre, prej ku vijnë. Për atë është e rëndësishme që fillimisht të ndërtohet kapacitet. Gjatë periudhës së kaluar me dezinformata merren shumë pak faktorë në shoqërinë tonë dhe për atë në nivel rajonal fillimisht kemi ndërtuar një rrjet të partnerësh, të cilat përbëhen prej organizatave të cilat deri më tani janë marrë me dezinformata, para se gjithash me verifikim të fakteve, por edhe llojeve tjera të organizatave që merren me mediat, të rinjtë dhe think thank që merren me analiza të aspekteve të sigurisë dhe të tjerave, pasi që në këto dy fusha në përgjithësi nuk ka shumë bashkëpunim”, tha Stojanovski.

Filip Stojanovski në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Ai shtoi se çdo organizatë prej vendeve të rajonit, punon në ndërtimin e formave nacionale të bashkëpunimit me organizata tjera civile dhe institucione shtetërore, ndërkaq në aspektin rajonal bashkëpunojnë veçanërisht në detektimin e dezinformatave të cilat janë tejkufitare, të cilat adaptohen në forma dhe janë shumë më të dëmshme.

“Të tilla janë dezinformatat që lidhen me marrëdhëniet ndëretnike në vendin tonë, në vendet fqinje ku ka probleme ndëretnike me komunitetin shqiptar paraqiten në mënyrë më të ndryshme se si ndodhin te ne, ndërkaq perceptim shtesë vjen prej Serbisë te ne dhe përdoren aktorët keqdashës lokal që t’i paraqesin strukturat e caktuara etnike më keq. Dhe ky është një rreth apo spiralë e keqe. Ne filluam me kapacitet tona të Metamorfozis. Është e vërtetë se verifikimi i fakteve është esenciale, por nuk është e mjaftueshme”, shtoi Stojanovski.

Drejtoresha ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë, Biljana Georgievska theksoi se vetërregullimi ka potencial dhe gjithandej nëpër Evropë këto këshille nuk heqin dorë, por tentojnë që në mënyrë të ndryshme sa më shumë opinioni të paraqesë ankesa për përmbajtjet në media.

“Vetërregullimi është mjet i shkëlqyer në duart e qytetarëve, institucioneve dhe organizatave joqeveritare që ta kundërshtojnë arbitraritetin në media, mosnjohurisë, gabimeve të qëllimshme dhe të paqëllimshme. Ky, tani për tani është monitoringu më i mirë i punës së mediave, të cilat vullnetarisht angazhohen që të bashkohen për gazetari më cilësore dhe më me ndikim, për standarde më të larta, për mospërzierje as nga autoritetet e as nga elitat politike apo të bizneset. Vetërregullimi është promovim i gazetarisë cilësore për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe në kontekst më të gjerë, për rezistencë më të madhe të demokracisë në shoqëri. Vetërregullimi definohet si angazhin i profesionistëve mediatik që do të thotë se angazhohen për gazetari cilësore që ta mirëmbajnë dialogun me publikun”, tha Georgievska.

Biljana Georgievska në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Ajo shtoi se përvoja nga ankesat dhe puna e Komisionit të Ankesave në KEMM tregon se mes qindrave mediave, kryesisht online, ka dhe prej tyre që nuk e pranojnë këtë mekanizëm të vetërregullimit, që ashpër i hedh poshtë ofertat për ndërmjetësim apo korrigjim të gabimeve.

“Vetërregullimi duhet të promovohet shumë edhe më tej, të ngritët vetëdija te qytetarët se mediat nuk janë lojëra dhe gazetarët nuk guxon të jenë vetëm mbajtës të mikrofonëve ose copy-paste njerëz të padukshëm. Patjetër duhet të investohet në arsimimin e qytetarëve për liri më të madhe të shprehjes”, shtoi Georgievska.

Në sesionin e dytë të titulluar “Zgjidhjet dhe hapat e ardhshëm – rekomandime për veprim të përbashkët” do të flasin Elida Zylbeari, menaxhere e projektit në Fondacionin “Metamorfozis”, Svetllana Siljanoska, bashkëpunëtore për komunikim dhe marrëdhënie me publikun për NATO-n dhe çështjet e sigurisë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Petra Ballazhiq, përfaqësuese e “Qendrës për Perspektivë Evropiane” nga Republika e Sllovenisë dhe Rosana Aleksoska, përfaqësuese e Asociacionit Qytetar – MOST.

Ndërtimi i rezistencës ndaj dezinformatave është një çështje që ka më shumë dimensione – duke filluar nga siguria kombëtare, e deri tek promovimi i lirive të medias, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i rolit të shoqërisë civile si nxitëse e demokratizimit, dhe pikërisht për këtë arsye gjithëpërfshirja është e domosdoshme. Theksoi kështu Elida Zylbeari, menaxhere e projektit në Fondacionin “Metamorfozis”.

Hapi i ardhshëm, siç tha ajo, është shndërrimi i rekomandimeve në aktivitete të përbashkëta.

“Kjo, para së gjithash, do të thotë konsultim me të gjitha palët e interesuara që në fund të prodhohet një dokument i caktuar – a do të jetë kjo një strategji, apo do të jetë ndonjë dokument tjetër, këtë do ta shohim në fund, një dokument që do ta japë kornizën për luftën kundër dezinformatave dhe ndikimeve të huaja përmes fushatave me dezinformata. Ne si palë e përfshirë në këtë proces propozojmë që ky të jetë një proces konsultativ sa më i hapur, që të ketë disa ndërveprime që askush të mos mbetet jashtë procesit, sepse ky nuk është një proces i Metamorfozis, i Qeverisë apo i ShGM-së, por është një proces i përbashkët”, tha Zylbeari.

Elida Zylbeari në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Në dokumentin me të cilin do të përfundonte ky proces do të duhej të dihej se cili aktor shoqëror çfarë përgjegjësie do të ketë dhe çfarë duhet të bëjë që të kontribuojë në reduktimin e këtyre ndikimeve të dëmshme, për të cilat Zylbeari tha se “nuk mund të zhduken”.

“Plani është që të vazhdojmë me këtë proces nëpërmjet një qasjeje sistematike për ndërtimin e kulturës së mendimit kritik dhe dialogut social në të gjitha nivelet, duke filluar nga sistemi arsimor, marrëdhëniet e institucioneve dhe palëve të interesuara në të gjithë sektorët, si dhe në nivel të familjeve dhe individëve. Gjithashtu, në varësi të burimeve, ne do kishim dashur të ftojmë përfaqësues nga vendet më të zhvilluara demokratike që kanë edhe një nivel të lartë të edukimit mediatik të vijnë këtu dhe të na prezantojnë shembujt e tyre që të na ndihmojnë ta përshtasim qasjen tonë dhe ta marrim atë që funksionon dhe që është e mirë, por që nuk do ta kërcënojë lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave”, tha Zylbeari.

Por recetë të saktë për ta luftuar dezinformimin që dihet se funksionon nuk ka. Çdo shoqëri ballafaqohet me sfida të tilla në mënyrën e vet dhe pak a shumë ka sukses në luftën kundër dezinformatave, tha bashkëpunëtorja për komunikim dhe marrëdhënie me publikun për NATO-n dhe për çështje të sigurisë në Qeverinë e RMV-së, Svetllana Siljanoska.

Sipas saj, para se të shqyrtohen zgjidhjet e problemit, duhen parë qëllimet e atyre që “me vetëdije, të organizuar, qëllimisht dhe me buxhet krijojnë dezinformata”.

“Një nga qëllimet është minimi i besimit tek institucionet. Qëllimi i dytë është lëkundja e dëshirës apo nevojës së qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike. Njërën e shohim përmes besimit të ulët që tregohet ndaj të gjithë aktorëve shoqërorë, përfshirë edhe ndaj ne institucioneve. Të dytën e shohim përmes refuzimit për të marrë pjesë në proceset demokratike si referendumi, regjistrimi. Institucionet demokratike kanë dëshirë dhe qëllim që qytetarët të marrin pjesë në proceset demokratike ashtu siç duhet në një vend të zhvilluar”, tha Siljanoska.

Svetllana Siljanovska në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

“Aspekti i tretë është pasivizimi. Kur një qytetar është i ekspozuar ndaj shumë informacioneve, e ka shumë të vështirë që të arrijë tek ai i sakti. Në fund, ai me vetëdije zgjedh që të mos informohet. Ndërsa qytetarët e painformuar marrin vendime të painformuara. Kjo që u bë evidente sidomos gjatë periudhës pas fillimit të luftës në Ukrainë. Intensiteti i narrativave të ndryshme për të njëjtën situatë është më i madh se kurrë më parë. Nëse më parë dezinformatat kishin për qëllim të vënë në kundërshtim dy koncepte, tani kanë për qëllim të krijojnë një plejadë të tërë narrativash, që kur një qytetar të fillojë të informohet, kjo gjë të bëhet puna e tij. Kur të fillojë të informohet dhe të kërkojë informacione të sakta, në fund të heqë dorë dhe të thotë “me vetëdije të plotë zgjedh të mos informohem.” Kjo është një shoqëri në të cilën vendimet i marrin një përqindje shumë e vogël e njerëzve dhe qytetarëve”, tha Siljanoska.

 

Udhëheqësja e projektit dhe komunikimit strategjik në Qendrën për Perspektivë Evropiane nga Sllovenia, Petra Ballazhiq, ndau rezultatet e një hulumtimi të opinionit publik në lidhje me informacionin, i cili është realizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor në nivel rajonal.

Sipas këtij hulumtimi, 72 përqind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se dezinformatat janë problem në vendet e tyre. 57 përqind kanë qenë deri diku të bindur se mund të identifikohen me lajmet që paraqesin realitetin e tyre, për çka Ballazhiq tha se nga ana tjetër ndodhet një 43 përqindësh i qytetarëve që nuk e dinë nëse mund të identifikohen me informacionin që e lexojnë.

Petra Ballazhiq në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

Ballazhiq gjithashtu tha se pjesa më e madhe, mbi 50 përqind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë informuar nëpërmjet mediave vendase, 44 përqind nëpërmjet miqve dhe familjes, ndërsa 13 përqind kanë besim te qeveritë e tyre.

“Kjo do të thotë që nëse keni dezinformatë e cila është përhapur mirë në një vend të Ballkanit Perëndimor, ata persona që besojnë në këtë dezinformatë mund ta ndajnë atë me miqtë e tyre në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai informacion qarkullon. Lajmi i fundit pikëllues është se 55 përqind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor nuk u besojnë qeverive të tyre, gjë që vë në pikëpyetje efektivitetin e komunikimit publik”, tha Ballazhiq, dhe shtoi se është në interesin e të gjithëve që të forcohet rezistenca rajonale ndaj dezinformatave përmes një bashkëpunimi të përbashkët.

Ajo e theksoi Maqedoninë e Veriut si shembull pozitiv të një vendi që ka bërë hapa të mëdhenj para në luftën kundër dezinformatave. Sipas saj, një zgjidhje e mundshme është që vendet e Ballkanit Perëndimor të shkëmbejnë informacione dhe praktika të mira dhe të mësojnë nga njëri-tjetri dhe si shembull për këtë ajo i theksoi organizatat dhe mediat për vërtetimin e fakteve që kanë pasur bashkëpunim ndërkufitar.

“Një tjetër gjë është sigurimi i bashkëpunimit sektorial. Problemi është se ne në Ballkanin Perëndimor kemi vështirësi të realizojmë bashkëpunim me të gjithë shoqërinë. Është e vështirë që qeveritë dhe mediat të ulen bashkë”, shtoi Ballazhiq.

Narrativat janë posaçërisht të rëndësishme në procesin e ardhshëm në luftën kundër dezinformatave, ndërsa të kuptuarit e kësaj lufte dhe të mësuarit se si të përballemi me të do të jenë një proces paralel, tha Rosana Aleksoska, menaxhere e programit “Lufta kundër lajmeve të rreme dhe narrativave” nga Asociacioni qytetar “MOST”.

Pse është i rëndësishëm narrativi? Sepse te një pjesë e popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por dhe në Ballkan, sidomos tek popullata ortodokse, ekzistojnë disa besime, perceptime dhe keqkuptime të gabuara që mundësojnë që dezinformatat ta gjejnë rrugën e tyre dhe të ndikojnë. Kjo do të thotë se ky proces nuk është njëkahësh – sa më shumë dezinformata, shtrembërime informative dhe ndikim – aq më shumë këto keqkuptime të rrënjosura do të bëhen edhe më të thella”, theksoi Aleksoska.

Procesi është sfidues dhe në të duhet të përfshihet sistemi arsimor, politik, mediat dhe aktorët e tjerë.

“Nevojitet një proces gjithëpërfshirës shoqëror në të cilin do të përpiqemi fillimisht të kuptojmë, ndërsa pastaj ta definojmë saktë armikun”, tha Aleksoska, dhe shtoi se dezinformatat janë vetëm një nga mjetet e ndikimit të dëmshëm dhe malinj të Rusisë.

Rosana Aleksoska në Konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Vanço Xhambaski

“Po, qëllimi është të krijohen distorzione dhe ndarje, të minohet besimi tek institucionet, tek media, tek organizatat e shoqërisë civile, tek aleatët tanë, megjithatë qëllimi tjetër shumë i rëndësishëm është të vërshohet procesi i informimit me aq shumë të dhëna të ndryshme që njerëzit të mbeten të hutuar dhe të mos dinë se çfarë të besojnë”, shtoi Aleksoska.

Ajo i përshëndeti nismat rajonale, por tha se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të bëhet në dëm të integrimeve euroatlantike.

“U bëj thirrje të gjithëve që ta braktisin konceptin e të paangazhuarve, sepse Perëndimi – sot jemi ne. Ne jemi Perëndimi. Integrimet euroatlantike nuk duhet ta pësojnë për shkak të nismave rajonale”, tha Aleksoska.

Me sesionin e titulluar “Zgjidhjet dhe hapat e ardhshëm – rekomandime për veprim të përbashkët” të cilin e moderoi Despina Kovaçevska, specialiste për monitormin e mediave në Fondacionin “Metamorfozis” u përmbyll Konferenca „ Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut “, në të cilën përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe medias diskutuan për disa nga çështjet më të rëndësishme të luftës kundër dezinformatave.

 

hubmk

Ndaje: