Në kohën kur gjurmët digjitale mund të lënë ndikim të përhershëm, njerëzit janë gjithnjë e më të shqetësuar për të dhënat që ndajnë në dhe me rrjetet sociale. Ndonëse këto platforma ofrojnë lidhshmëri dhe ndërveprim të paparaparë, ato gjithashtu mbajnë një mori të dhënash personale që përdoruesit mund të dëshirojnë t’i menaxhojnë ose t’i fshijnë. Nga Fejsbuku, përmes Instagramit, Jutjubit, Tviterit e deri te TikToku, pyetja është: “Nëse dhe si mund të kthejmë kontrollin e të dhënave tona personale në internet?”

Hapësira digjitale është e mbushur me gjurmë të jetëve tona – çdo postim, koment dhe ndërveprim kontribuon në enigmën e pranisë sonë në internet. Për fat të mirë, platformat e mediave sociale ofrojnë mënyra për të menaxhuar dhe madje për të fshirë të dhënat personale.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për postim të padëshiruar nga e kaluara ose për të dhënat të ndara me aplikacionet e palëve të treta, përdoruesit tani kanë fuqinë t’i monitorojnë identitetet e tyre digjitale.

Nëse konsideroni se të dhënat tuaja personale nuk nevojiten më për qëllimin për të cilin janë mbledhur, ju kundërshtoni mënyrën e përpunimit të tyre, konsideroni se përpunimi është i paligjshëm ose kundërshtoni mbledhjen e të dhënave për qëllimet e marketingut të drejtpërdrejtë, tani keni mundësinë të kërkoni fshirjen e një pjese të të dhënave që këto platforma i mbledhin për ju.

Mënyra se si përdoruesit mund të menaxhojnë ose të kërkojnë fshirjen e të dhënave të tyre janë të ngjashme në shumicën e platformave, ndërsa si shembuj se si përdoruesi mund t’u qaset të dhënave të tyre personale, morëm tre nga rrjetet sociale më të njohura për momentin – Fejsbuk, Instagram dhe TikTok.

Photo by Brett Jordan on Unsplash

Fejsbuku

Përdoruesit mund t’i kërkojnë Fejsbukut t’i fshijë të dhënat personale rreth tyre, sipas Rregullativës së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR). Në këtë rast, Fejsbuku duhet të veprojë sipas kërkesës brenda 30 ditëve.

Sipas Qendrës së llogarive të përdoruesit në këtë platformë, ka disa mënyra në të cilat përdoruesit e Fejsbukut mund të fshijnë një pjesë nga të dhënat e tyre, duke përdorur veglat për të parë informacionet konkrete dhe për t’i fshirë ato. Gjithashtu është e mundur të fshihet përgjithmonë llogaria e përdoruesit në këtë platformë, e cila do t’i fshijë të gjitha informacionet në një hap.

Përdoruesit mund t’u qasen të dhënave dhe aktiviteteve të tyre përmes këtij linku. Këtu përdoruesit mund t’i gjejnë të gjitha të dhënat personale që i kanë ndarë me rrjetin social, duke përfshirë edhe emrin dhe mbiemrin, datëlindjen, profesionin, arsimin dhe vendet ku jetojnë ose kanë jetuar, adresën, por edhe numrin e telefonit dhe adresën elektronike.

Fejsbuku këtu ofron përmbledhje të të dhënave si hobi, muzika dhe ngjarjet dhe momentet e rëndësishme të jetës që përdoruesi i ka publikuar ndonjëherë në këtë platformë.

Këtu mund të shihet edhe historiku i kërkimit, komentet e lëna, pëlqimet, anëtarësimet në grupet e Fejsbukut, etj.

Më pas, secila prej këtyre të dhënave ose ndërveprimeve mund të fshihet veçmas nga përdoruesi.

Sipas veglës së fshirjes së përhershme të llogarisë së përdoruesit, nëse përdoruesi vendos të fshijë plotësisht llogarinë e tij, të gjitha fotografitë, postimet, videot dhe përmbajtjet e tjera që përdoruesi i ka shtuar do të hiqen përgjithmonë.

Pastaj, Fejsbuku shpjegon se një pjesë e informacioneve, të tilla si mesazhet që përdoruesi u ka dërguar miqve të tyre, mund të jenë ende të dukshme për miqtë edhe pasi përdoruesi të fshijë llogarinë e tij.

Faqja e internetit „avg.com“ shënon që llogaritë e fshira të përdoruesve mund të kthehen brenda 30 ditëve dhe nëse përdoruesi nuk e aktivizon llogarinë e tij pas skadimit të 30 ditëve pas fshirjes së profilit, të gjitha të dhënat e përdoruesit do të fshihen.

Përdoruesit e këtij rrjeti social mund të kërkojnë gjithashtu kopje të të gjitha të dhënave për ta që disponon Fejsbuku dhe sipas të dhënave të marra të kërkojnë fshirjen e informacioneve të caktuara ose të të gjitha informacioneve. Pas kësaj, Fejsbuku do të miratojë vendim nëse të gjitha informacionet e kërkuara për t’u fshirë, mund të hiqen.

Photo by Solen Feyissa on Unsplash

Instagrami

Mënyra e qasjes dhe fshirjes së të dhënave në Instagram është pothuajse e njëjtë si në rastin e Fejsbukut. Këto dy rrjete sociale janë pjesë e gjigantit teknologjik “Meta”.

Përdoruesi mund t’u qaset të dhënave të tij dhe, ashtu si në Fejsbuk, mund të kërkojë kopje të të dhënave që rrjeti social i ruan për të.

Nëse vendos të fshijë përgjithmonë llogarinë e tij të përdoruesit, dhe rrjedhimisht të dhënat që platforma i ka për të, përdoruesi mund të theksojë arsyen pse vendosi në këtë hap – për shkak të shqetësimeve në lidhje me të dhënat personale, për shkak të reklamave, shqetësimeve për privatësinë ose arsye të tjera.

Megjithatë, pavarësisht fshirjes së llogarisë suaj, si Fejsbuku ashtu edhe Instagrami mund të ruajnë një pjesë nga të dhënat e përdoruesit për një periudhë të caktuar kohore. Platformat e bëjnë këtë për arsye të ndryshme, mes tyre, siç thuhet në shpjegimet – për të parandaluar mashtrimin dhe keqpërdorimin, për t’i përmirësuar produktet dhe shërbimet e tyre dhe për t’i respektuar obligimet e tyre ligjore.

фото: Solen Feyissa на Unsplash

TikToku

Politika e privatësisë e TikTokut ofron gjithashtu mënyrë në të cilën përdoruesit mund të hyjnë, fshihen, përditësohen ose korrigjohen një pjesë e të dhënave të tyre.

pjesën e privatësisë të TikTokut shkruan se përdoruesit mund të kërkojnë informacione në lidhje me të dhënat e tyre personale, të paraqesin shkeljen e privatësisë ose të bëjnë pyetje të caktuar lidhur me të dhënat personale duke plotësuar këtë formular në internet.

Në faqen e privatësisë së këtij rrjeti social, theksohet se përdoruesi mund të ankimojë çdo vendim të miratuar nga platforma në lidhje me kërkesën e përdoruesit.

Edhe në këtë rrjet social përdoruesit mund të kërkojnë kopje të të dhënave që TikToku i ruan për ta, të cilat të dhëna mund të përfshijnë emrin e përdoruesit, historikun e videos, historikun e komenteve dhe cilësimet e privatësisë.

Pastaj, TikToku thekson se disa të dhëna nuk do të jenë të disponueshme për shkarkim, siç janë të dhënat që ndikojnë në privatësinë e përdoruesve të tjerë.

Shumica e rrjeteve sociale ruajnë një pjesë të të dhënave të përdoruesve edhe pasi përdoruesi do ta fshijë llogarinë e tij nga platforma, megjithëse, në shumicën e rasteve, nuk është e qartë se sa kohë ruhen të dhënat e tilla.

Kështu, për shembull, TikToku shkruan se i ruan informacionet “për aq kohë sa është e nevojshme për të mirëmbajtur platformën dhe qëllimet e tjera të theksuara në Politikën e Privatësisë”, por edhe për “harmonizimin me detyrimet kontraktuese dhe ligjore”.

Çfarë në rast të keqpërdorimit të të dhënave tona?

Qytetarët mund të kërkojnë edhe fshirjen e të dhënave kur konsiderojnë se të dhënat e tyre në rrjet të caktuar social janë keqpërdorur. Nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDHP) thonë se në pajtim me politikat e privatësisë së rrjeteve sociale, vetë platformat i inkurajojnë përdoruesit që t’i paraqesin keqpërdorimet me të dhënat e tyre personale, duke i përdorur veglat e tyre të vetë-shërbimit. Rrjetet sociale i ofrojnë gjithashtu këto vegla ndihmëse në pjesën e mbështetjes së përdoruesit.

Kështu, nëse një person ka krijuar profil të rremë me të dhënat tona në Fejsbuk ose Instagram dhe rrejshëm paraqitet si ne, në pajtim me politikat e privatësisë së këtyre platformave, duhet t’i ndjekim hapat për të paraqitur profilin e rremë.

“Pasi të parashtroni fletëparaqitjen, administratori i rrjetit social do t’ju kontaktojë në adresën e e-mailit që e keni theksuar dhe do t’ju informojë për masat/hapat e ndërmarra. Nëse nuk merrni përgjigje, mund të kontaktoni Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në adresën tonë të e-mailit. Agjencia do të raportojë në ekipin administrativ në Fejsbuk ose Instagram përmes kontaktit që e kemi dhe ai do të hiqet pasi të përcaktojnë me procedurë se ka ndodhur realisht”, thonë nga AMDHP-ja.

Nga Agjencia shtojnë se veprojnë vetëm për parashtresat që u referohen personave fizikë, të dhënat personale të të cilëve përpunohen në kundërshtim me ligjin.

“Në këtë mënyrë Agjencia u ndihmon qytetarëve që të përshpejtojnë procedurën kur ka shkelje serioze të të drejtave të tyre apo për ata qytetarë që nuk dinë se si ta bëjnë këtë vetë”, thonë nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

faqen e saj zyrtare të internetit, AMDHP-ja ka publikuar udhëzime se si qytetarët mund t’u qasen veglave të mbështetjes së përdoruesit në rrjetet sociale dhe t’i heqin profilet e rreme.

Për një pjesë të rasteve në të cilat bëhet fjalë për parandalimin, zbulimin dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale të kryera përmes internetit, fletëparaqitjet i kalojnë në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Sektori për Krimin Kompjuterik dhe Forenzikën Digjitale) dhe Prokurorisë Publike, për të kryer hetim dhe për të zbuluar kryerësin.

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje: