Më 30 nëntor, me fillim në orën 12:00 në hotelin Panoramika në Shkup, do të mbahet edicioni i 17-të i konferencës ndërkombëtare e-Shoqëri.mk në temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”.

Fillimi i konferencës do të shënohet me fjalime hyrëse, ndërsa moderator i ngjarjes do të jetë Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis. Pjesëmarrësve do t’u drejtohen: Julian Vassalo, Zëvendës Shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut; Erik Janovski, Përfaqësues i USAID-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut; Jeton Shaqiri, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Christina Mand, Eksperte e Lartë për E-Demokraci në Akademinë për e-Qeverisje nga Estonia. Folësit do të ofrojnë këndvështrimin dhe vlerësimin e tyre për gjendjen e demokracisë sot dhe do të flasin sesi teknologjia e formëson qeverisjen e mirë dhe pjesëmarrjen qytetare. Ky sesion, do t’i ekspozojë gjithashtu kërcënimet e mundshme në internet për liritë dhe të drejtat civile dhe rolin e shoqërisë civile në parandalimin e tyre.

Përveç hapjes së konferencës, në ditën e parë të konferencës janë paraparë dy sesione në temat: E-pjesëmarrja dhe e- Angazhimi: Perspektivat rajonale – veprimet lokale” dhe “Të dhënat e hapura: Kur oferta dhe kërkesa takohen në gjysmë të rrugës.” Me qëllim të promovimit të vlerës së të dhënave në epokën digjitale, në kuadër të konferencës e-Shoqëri.mk do të mbahet edhe një Hakaton për të dhënat e hapura.

Edicioni i sivjetshëm i konferencës e-Shoqëri.mk do të zgjasë 4 ditë dhe përbëhet nga 7 sesione, 2 fjalime frymëzuese, 2 trajnime dhe 1 punëtori, dhe kryesisht do të diskutohet për gjendjen e demokracisë sot, si dhe për atë se si teknologjia e formëson përkufizimin e qeverisjes së mirë dhe angazhimin qytetar në kushtet e sotme. Gjithashtu do të diskutohen edhe sfidat e epokës digjitale me fokus të veçantë në dezinformimin dhe sigurinë në internet. Aktivistë, ekspertë, gazetarë, nëpunës shtetërorë dhe mbështetës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë do t’i ndajnë pikëpamjet dhe opinionet e tyre mbi temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”.

“Këtë vit jemi fokusuar në sfidat që paraqiten nga praktikimi i demokracisë në epokën digjitale, por edhe në mundësitë që i ofron digjitalizimi për ta ngritur këtë çështje në një nivel më të lartë duke pasur parasysh të drejtat dhe liritë digjitale. Inovacionet digjitale e transformojnë rrënjësisht vendimmarrjen demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në ndryshimet shoqërore, dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të jemi në hap me trendet më të fundit teknologjike, por më e rëndësishmja – të sigurojmë që çdo qytetar (pa përjashtim) të mund të jetë pjesë e tyre. Është me rëndësi thelbësore që të gjithë aktorët të përfshihen në këtë proces, dhe për këtë arsye presim që kësaj konference t’i bashkohen përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, mediave, akademisë, sektorit të biznesit, ekspertë dhe qytetarë nga Evropa dhe më gjerë, që bashkërisht të diskutojmë dhe të ofrojmë zgjidhje konkrete dhe hapa të ardhshëm për veprim”, theksoi Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.

Ngjarja do të jetë në format hibrid, me ç’rast dita e parë dhe e fundit e konferencës (30 nëntor dhe 3 dhjetor) do të mbahen në hotelin Panoramika, dhe disa nga pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në ngjarje drejtpërdrejt, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të mund t’i ndjekin seancat online përmes platformës ZOOM dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen e Fondacionit Metamorfozis në Facebook.

Agjendën e konferencës e-Shoqëri.mk mund ta shihni këtu: Agjenda-е-Shoqëri.mk-2021

Ndaje: