Tre përfaqësues të Fondacionit Metamorfozis nga data 28 deri më 30 qershor po marrin pjesë në trajnimin “Si të mbështesim organizatat e shoqërisë civile në transformimin e tyre digjital”, i cili po mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Në trajnim marrin pjesë përfaqësues të organizatave partnere nga Portugalia, Republika Çeke, Austria, Hungaria dhe Polonia dhe eventi zhvillohet në ambientet e organizatës Entrajuda, e cila është banka e parë ushqimore e hapur në Portugali.
Përfaqësuesit e sektorit civil kanë mundësinë të mësojnë në detaje mbi parimet kryesore të menaxhimit të ndryshimeve, por edhe të informohen për kuadrin e transformimit digjital Techsoup si pjesë e procesit të menaxhimit të ndryshimit. Disa raste studimore u shqyrtuan në thellësi si shembuj pozitivë nga Portugalia, Maqedonia e Veriut dhe Polonia në mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në transformimin e tyre digjital. Theks i veçantë u vendos në platformat e internetit të krijuara për të mbështetur punën vullnetare në Portugali (https://bolsadovoluntarido.pt), për të mbështetur njerëzit që përballen me mungesë ushqimi në Portugali (http://rededeemergencia.pt) dhe për të mbështetur Ukrainën pas fillimit të agresionit rus (www.wehelpukraine.org)
Trajnimi u mundësoi pjesëmarrësve të mësojnë më shumë për partneritetin ndërmjet partnerëve të korporatave dhe organizatave të shoqërisë civile në zbatimin e transformimit digjital, por edhe menyrën se si sektori joqeveritar mund të vazhdojë me transformimin digjital pas përfundimit të pandemisë Covid-19. Vëmendje të veçantë të të pranishmëve tërhoqi takimi me ekipin e Microsoft-it nga Portugalia, me të cilin u shkëmbyen përvoja në lidhje me zbatimin e transformimit digjital në sektorin jofitimprurës.
Pjesëmarrësit e eventit kanë mundësinë që të njihen me detajet më të rëndësishme në lidhje me termat “privacy” dhe “cyber-security”, por edhe të vizitojnë bankën e parë ushqimore në Portugali dhe të shikojnë nga afër aktivitetet e saj të përditshme.
Trajnimi synon që të përmirësojë kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile në zbatimin e mëtejshëm të transformimit digjital, si në kuadër të projekteve të tyre ashtu edhe më gjerë në kontekstin e shoqërive prej nga vijnë.
Ngjarja në Lisbonë është pjesë e projektit “Forcimi i shoqërisë civile përmes transformimit digjital”, i cili organizohet me mbështetjen e Agjencisë kombëtare për programet edukative evropiane dhe lëvizshmërinë në kuadër të programit Erasmus+.
Ndaje: