Qëllimet dhe aktivitetet e vendimmarrësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të orientuara dhe si qëllim përfundimtar të kenë ofrimin e qasjes së barabartë në shërbime për të gjithë qytetarët e tyre dhe të jenë sa më gjithëpërfshirës. Ky ishte përfundimi i panelit për “Prioritet në Planet Kombëtare të Veprimit të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur të vendeve të Ballkanit Perëndimor (storje të suksesshme)”, i cili u mbajt sot në Prishtinë në kuadër të projektit ICEDA (Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale) në bashkëpunim me partnerin nikoqir të ICEDA-s Open Data Kosovo– Kosovë, mbi temën e “Qeverisjes digjitale në rajon përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur dhe iniciativave të tjera”, shkruan Portalb.mk.

Pjesëmarrësit nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia ndanë eksperiencat e vendeve të tyre për sa i përket transformimit digjital përmes Planeve Kombëtare të Veprimit (PKV) të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur (PQH).

Ata ofruan një pasqyrë më të gjerë për sa i përket përpjekjeve që po bëhen në vendet e tyre në lidhje me trajtimin më thellësisht të transformimit digjital përmes PNV, dhe se si procesi digjitalizimit është transformuar përmes PNV.

Kur jemi te kjo nismë, Kosova është në fillim të kësaj nisme, ku vetëm dje Qeveria e Kosovës miratoi Planin Kombëtar të Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur dhe që do fillojë implementimin në vitin 2023.

Kushtrim Canolli, nga zyra e kryeministrit të Kosovës duke theksuar këtë tha se viti 2023 do jetë viti i një transformimi digjital në këtë drejtim.

Zotimet e Planit të Veprimit janë: qeverisja digjitale, të dhënat e hapura, pjesëmarrja qytetare si dhe antikorrupsioni.

“Të pasurit e një platforme qendrore të fortë është prioritet për Qeverinë e Kosovës… Ajo çfarë po bëjmë është investimi apo intervenimi edhe në çështje të tjera”, theksoi Canolli, i cili mes tjerash theksoi se kanë nënshkruar një marrëveshje me Francën së fundmi e cila do ndihmojë në transformimin digjital.

Për atë se si do të trajtojnë aftësitë digjitale të qytetarëve, ai tha se do të punohet seriozisht me gjëra konkrete dhe jo me gjeneralizime të tipit se digjitalizimi është i mirë, por se do të fokusohen veç e veç në tema të ndryshme për të rritur vetëdijen digjitale te qytetarët.

Hulumtuesi nga Qendra për Politika Evropiane – Serbi, Millosh Pavkoviq theksoi se organizata ku ai është pjesë si aktor i pavarur, është pjesë e bashkëpunimit të Qeverisë në këtë drejtim. Ai nënvizoi se ndonëse digjitalizimi është prioritet në Serbi, përsëri ka ulje dhe ngritjet e veta.

“Është e rëndësishme që Qeveria të bëjë kampanja dhe t’ i informojë qytetarët për të marrë pjesë”, tha Pavkoviq, duke theksuar se në raste të caktuara mungesa e një baze së të dhënave përbën problem.

Sa i përket aktiviteteve në vazhdim, si theksoi se qeveria duhet të shfaq angazhim real për t’i përmbushur prioritetet. Mes tjerash tha se pikat të cilat nuk janë përmbushur me PNV aktuale parashihet të bëhen me tjetrën.

Nga ana tjetër, Lidija Ljumoviç, nga Drejtoria për Inovacion- Mal i Zi theksoi aktivitetet e ndërmarra nga vendi i saj në këtë drejtim dhe për planet të cilat pritet të implementohen në të ardhmen.

Qëllimi i këtyre diskutimeve synon shkëmbimin e njohurive ndërmjet palëve të interesuara (institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile) nga Ballkani Perëndimor dhe për fillimin e një dialogu produktiv për punë më të mirë mbi problemet që lidhen me transformimin digjital përmes iniciativave globale si Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH).

Ngjarja ishte e hapur për publikun dhe mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Çfarë është Partneriteti për Qeverisje të Hapur?

Si një iniciativë globale, Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) është një partneritet i gjerë i përbërë nga entitete të nivelit kombëtar dhe lokal që punojnë së bashku për të krijuar plane veprimi me hapa konkretë – angazhime – për një spektër të gjerë çështjesh. Që nga viti 2011, ideja e PQH është që qeveria e hapur është më e qasshme, më e përgjegjshme dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe se përmirësimi i marrëdhënieve midis njerëzve dhe qeverisë së tyre ka përfitime afatgjata dhe eksponenciale për të gjithë. Ky partneritet i 78 anëtarëve kombëtarë që përfshin një numër në rritje të autoriteteve lokale dhe mijëra pjesëmarrës të shoqërisë civile, ka mundësuar bashkëkrijimin e mbi 4.000 reformave të hapura të qeverisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave treguan ndikim të madh.

Ballkani Perëndimor në Partneritetin për Qeverisje të Hapur

Ndër anëtarët kombëtarë të kësaj iniciative janë edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria (2011), Bosnja dhe Hercegovina (2014), Mali i Zi (2011), Maqedonia e Veriut (2011) dhe Serbia (2012), kurse Kosova është i vetmi vend që nuk është pjesë e këtij procesi pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’u anëtarësuar, vetëm dje vendi miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH).

Digjitalizimi si prioritet në planet kombëtare të veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur të Ballkanit Perëndimor

Me një fokus më të vogël apo më të madh, veçanërisht për ato plane që u zhvilluan në fillimet e pandemisë së Kovid-19, qeveritë e Ballkanit Perëndimor i kanë përgatitur PKV-të e tyre me digjitalizim në sektorë të ndryshëm të vendosur si prioritete.

Përndryshe, dje partnerët e projektit të ICEDA (Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale) në bashkëpunim me partnerin nikoqir të ICEDA-s Open Data Kosovo Kosovë, në kuadër të dialogëve rajonale për agjendën digjitale diskutuan për sfidat dhe arritjet mbi temën e “Qeverisjes digjitale në rajon përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur dhe iniciativave të tjera”.

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për E-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshim Demokratik (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, i njëjti promovon shërbime digjitale më të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Link deri tek origjinali: https://portalb.mk/826716-prioritet-ne-pkv-te-e-rajonit-duhet-te-jete-qasja-dhe-gjitheperfshirja-e-barabarte-e-qytetareve-permes-digjitalizimit/

Ndaje: