Nëse do të ishim në orë mësimore në shkollë të mesme, atëherë vendi për reformat në sektorin e medias në periudhën e kaluar do të merrte më së shumti notë midis treshit dhe dyshit për atë që është bërë deri më tani. Në këtë mënyrë, Zoran Fidanovski, gazetar dhe anëtar i Këshillit të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike (ASHAAM) e përshkroi situatën me përmbushjen e Reformave Urgjente Prioritare (RUP) në lidhje me lirinë e shprehjes, të cilat i paraqiti në kuadër të prezantimit të sotëm të Raportit Periodik të Monitorimit nga projekti Observatori për Reforma Mediatike (ORM) që implementohet nga Fondacioni “Metamorfozis”.
Në katër shtyllat e RUP, Raporti i Monitorimit Periodik për periudhën nga 1 maji deri më 15 gusht 2020 tregon se reformat në media në transmetuesin publik të radiodifuzionit RTM kanë filluar, por deri më tani nuk janë përmbushur. “Në RTM edhe në këtë periudhë të monitorimit, munguan reformat thelbësore për ta bërë atë një transmetues të vërtetë publik për qytetarët” – thuhet në raport.
Violeta Gligoroska, koordinatore e projektit në Fondacionin “Metamorfozis”, thotë se nuk ka asnjë reformë thelbësore kur bëhet fjalë për RTM-në, por ka aktivitete fillestare që janë larg transformimit të saj në shërbim për qytetarët. Ajo vuri në dukje se ka mungesë të stafit në transmetuesin publik, veçanërisht në redaksitë që përgatisin programe në gjuhët e pakicave në vend.
Me të u ndërlidh Zoran Fidanovski, i cili theksoi në debat se njohuritë e tij tregojnë se RTM-ja urgjentisht ka nevojë për 70 deri në 80 gazetarë, të cilët do t’i forconin redaksitë që prodhojnë programe radio-televizive në transmetuesin publik të radiodifuzionit. Sipas njohurive të tij, RTM-së i mungojnë më shumë se 150 të punësuar nëse merret parasysh edhe nevoja për personel teknik.
Sa i përket shtyllës së dytë, reformat në media në fushën e reklamimit të qeverisë dhe parave publike në media u përmbushën pjesërisht gjatë periudhës së raportimit.
“Në përgjigje të trajtimit të pasojave ekonomike të krizës së koronavirusit, qeveria ka dhënë ndihmë shtetërore edhe për transmetuesit kombëtarë, sikurse edhe për të gjitha subjektet ekonomike. Për më tepër, ajo udhëzoi NP RDK të mos i ngarkojë mediat të paguajnë për sigurimin e furnizimit me energji për pajisjet radiodifuzive për vitin 2020 dhe për marrjen me qira të hapësirës afariste për vitin 2020. Përveç kësaj, Qeveria i subvencionoi kontributet e të gjithë punonjësve të mediave për muajt qershor, korrik dhe gusht 2020” – thuhet Raportin e publikuar Periodik të Monitorimit.
Në lidhje me këtë, Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave shprehu pikëpamjen e tij se reklamimi i qeverisë dhe shpenzimi i parave publike nuk duhet të ekzistojnë, e lëre më të rregullohen me ligj. Ai iu referua reklamimit të paguar politik të partive politike, për të cilat Georgievski konsideron se vetë mediat kërkojnë para të tilla publike, duke u nisur nga fakti që sistemi mediatik në vend është i mbingopur me media dhe kurrë nuk ka funksionuar në bazë komerciale.
Ai gjithashtu i kritikoi subvencionet nga buxheti i shtetit për të mbuluar shpenzimet e shtypjes dhe të shpërndarjes së medias së shkruar, si një program nga i cili deri më tani nuk është e mundur të vërehen efektet që i kanë shkaktuar te mediat e shkruara. Për t’u kritikuar janë edhe vetëqeverisjet lokale, konsideron Dejan Georgievski, të cilët vazhdojnë të shpenzojë mjete të konsiderueshme për blerjen e llojeve të ndryshme të shërbimeve mediatike, veçanërisht në mediat lokale.
Në shtyllën e tretë të RUP, Raporti i Monitorimit Periodik konkludon se reformat metodologjike janë përmbushur plotësisht. Megjithatë, Violeta Gligoroska nga Fondacioni “Metamorfozis” thotë se poseduesit e informacionit publik mbeten problem, sepse disa nga institucionet në vend edhe më tej nuk u përgjigjen në kohën e duhur kërkesave të parashtruara për qasje në informatat me karakter publik. Arsyeja kryesore për të mos marrë qasje në informata është heshtja e institucioneve përkatëse ndaj kërkesave të parashtruara.
Sa i përket shtyllës së katërt të RUP për reformën e mediave në fushën e shpifjes dhe ofendimit, nuk ka pasur asnjë përparim në periudhën raportuese. Kanë filluar aktivitetet për të ndryshuar legjislacionin, por ato nuk janë përmbushur ende.
“Edhe pse në periudhën e mëparshme të monitorimit Ministria e Drejtësisë njoftoi për aktivitetet fillestare që synojnë përmirësimin e Ligjit për Përgjegjësinë Qytetare për Shpifje dhe Ofendim, në këtë periudhë ministria e linjës informoi se për shkak të krizës globale të koronavirusit, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) e ka shtyrë deri në fund të shtatorit përgatitjen e analizës për zbatimin e Ligjit për Përgjegjësinë Qytetare për Shpifje dhe Ofendim” – thuhet në raportin e publikuar.
Teksti u përgatit në kuadër të projektit “Observatori për Reforma Mediatike“, që zbatohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri” Metamorfozis “, me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i shpreh pikëpamjet e “Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Ndaje: