Më 8 korrik, në Impact Hub Beograd (Serbi), CRTA dhe partnerët e projektit ICEDA organizuan një takim rajonal për shkëmbimin e njohurive “Inteligjenca Artificiale (AI) dhe algoritmet në e-shërbimet qeveritare: Procesi i imunizimit gjatë Kovid-19”, i cili u përqendrua në përdorimin e algoritmeve të avancuara në proceset e imunizimit gjatë pandemisë së Kovid-19 në Serbi. Në takim morën pjesë palët e interesuara përkatëse nga Ballkani Perëndimor të cilëve iu ofrua hapësirë për shkëmbim të njohurive dhe përvojave, si dhe mundësi për të mësuar nga përvoja serbe me përdorimin e algoritmeve në proceset e njohura gjerësisht të suksesshme të vaksinimit, si dhe Strategjinë e tyre zhvillimit të AI (2020-2025) si i vetmi dokument i tillë strategjik në Ballkanin Perëndimor.
Në takim morën pjesë përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të ICEDA, Zhaklina Cagoroska (Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut), Albert Aliu dhe Arbnor Halili (Global CT në Kosovë), Ersila Qeramixhiu, (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në Shqipëri), Anka Dabanoviq (Ministria e Administratës Publike, Shoqëriës Digjitale dhe Mediave në Malin e Zi), Drazhen Vujoviq (Qeveria e Malit të Zi) dhe Aleksandar Linç (Data Science Serbia / Grupi i Punës për Inteligjencën Artificiale).
Takimi u hap nga organizatat CRTA dhe Metamorfozis, të cilat i përshëndetën të ftuarit dhe ua shpjeguan qëllimin e tij. Bardhyl Jashari e ndau frymëzimin për ta krijuar këtë projekt dhe rrjetin ICEDA në përputhje me Agjendën Digjitale. Ai përmendi se teknologjitë digjitale nuk përdoren plotësisht dhe njerëzit nuk i përdorin e-shërbimet shumë shpesh. Për shkak se të gjithë partnerët përpiqen ta përfshijnë perspektivën qytetare në çdo politikë, mjet ose praktikë publike, ishte më se e rëndësishme për ata të bashkonin forcat dhe të nisnin një iniciativë të përbashkët që do të bashkonte sektorin e shoqërisë civile, mediat, institucionet dhe qytetarët, në formësimin dhe zbatimin e përbashkët të Agjendës Digjitale. “Kur flasim për e-shërbimet qeveritare, qëllimi i institucioneve publike është zakonisht të gjenerojnë të ardhura, e jo ta bëjnë jetën e qytetarëve më të mirë dhe më të lehtë. Përmes këtyre dialogjeve ne përpiqemi të krijojmë një themel të fortë për diskutimin e problemeve dhe formësimin e Agjendës Digjitale në nivelin rajonal, duke u përpjekur të mos lëmë askënd pas. Ngjarjet si këto janë mundësi perfekte për të kontribuar në këtë proces të transformimit digjital,” – shtoi ai.
Takimi vazhdoi me një prezantim të detajuar nga Aleksandar Linc nga Data Science Serbia, i cili ishte pjesë e grupit të punës për hartimin e Strategjisë për Inteligjencën Artificiale (AI) të Serbisë 2020-2022 dhe gjithashtu një nga themeluesit e kësaj iniciative para Qeverisë së Serbisë. Nga prezantimi i tij, pjesëmarrësit mësuan për sfondin e kësaj nisme, Strategjinë për AI, aplikacionet për AI në qeveri dhe rolin që palët kryesore të interesit e luajnë në zbatimin e saj. Ai theksoi se megjithëse Strategjia u zhvillua për 3 muaj, u deshën 2 muaj para kësaj për të krijuar një grup pune sepse institucionet nuk kishin njerëz që e kuptonin konceptin. I pyetur se cilat çështje ishin më të spikatura gjatë krijimit të Strategjisë, ai tha se sfida më e madhe ishte kërkesa nga organizatat e shoqërisë civile për institucionet që ta krijojnë atë, si dhe lidhja me njerëzit që kanë ekspertizë. Ai gjithashtu i këshilloi ata që të përqendrohen në diçka që mund të bëjë përparim, ata duhet të komunikojnë dhe t’i kuptojnë çështjet (kompanitë, mediat, OShC-të, profesionistët). Ai theksoi se ne si shoqëri civile, institucione, sektor i biznesit dhe të tjerët, jemi përgjegjës jo vetëm për vendet tona të punës për të cilat marrim rrogë, por edhe para shoqërisë, prandaj është e rëndësishme të bashkëpunojmë në procese të këtilla. Megjithatë, ai tha, “ne duhet të jemi realistë nga të dy palët (OShC-të dhe qeveritë), sepse shpesh ndodh që të dy palët të mos kenë ekspertizë ose të ketë vështirësi në zbatim, gjë që duhet të shënohet në fillim”. Ai gjithashtu foli për etikën dhe përdorimin e sigurt të AI si një çështje kryesore, pasi të dhënat ndonjëherë mund të jenë të padrejta dhe ta shkatërrojnë jetën e njerëzve nëse përdoren kundër nesh. Ai paralajmëroi se ato duhet të përdoren moralisht nga të gjitha palët, pasi pasojat mund të jenë serioze.
Aleksandri gjithashtu e prezantoi procesin e imunizimit kundër Kovid-19 dhe zbatimin e tij në Serbi, si shembulli më i suksesshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjë që provokoi shumë diskutime midis të pranishmëve. Ai vuri në dukje se regjistrimi për t’u imunizuar në faqen e internetit është i shkurtër dhe i lehtë, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë procesin dhe t’u sigurojnë njerëzve një zgjedhje kur bëhet fjalë për atë se cilën vaksinë do të dëshironin ta merrnin.
Ndërsa disa nga pjesëmarrësit theksuan se po e replikonin shembullin serb, përfaqësuesit nga Mali i Zi treguan se këtë e bënin më të lehtë për përdorim, pa mundësinë për ta zgjedhur vaksinën. Aleksandri tha se ofrimi i mundësisë për të zgjedhur për njerëzit është baza e demokracisë dhe se vendi është përgjegjës për qytetarët e tij, prandaj edhe është përfshirë ky aspekt. Përfaqësuesit nga Kosova, të cilët kanë përvojë shumëvjeçare në këtë fushë treguan se një komponent kyç i e-shërbimeve që i kanë zhvilluar është zvogëlimi i nevojës për plotësimin e dokumenteve fizike. Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, njerëzit duhej të shtypnin, plotësonin dhe nënshkruanin një formular të pëlqimit për vaksinim.
Në lidhje me çështjen e logjikës së prioriteteve të algoritmeve që qëndrojnë pas aplikacionit për vaksinim të secilit vend, të gjitha institucionet ranë dakord që mosha dhe sëmundjet kronike luajnë një rol kryesor. Zhaklina Cagorska konsideron se ata kanë filluar ta ulin kufirin e moshës pasi të gjithë personat e interesuar nga kategoritë e moshave më të larta dhe ata me probleme shëndetësore u vaksinuan, dhe nga java e ardhshme i kanë hapur të gjitha frontet e vaksinimit për këdo pa ndonjë detyrim për t’u regjistruar paraprakisht në aplikacion. Ajo theksoi se ata aktualisht po luftojnë për të arritur deri te të gjithë qytetarët që nuk janë imunizuar që të vaksinohen, por në të njëjtën kohë duke i respektuar protokollet e privatësisë së të dhënave. Ajo përmendi se i shqyrtojnë disa opsione, duke përfshirë dërgimin e ftesave përmes e-mailit dhe mesazheve telefonike, por meqenëse bëhet fjalë për privatësi, ata janë në koordinim me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave. Ajo vuri në dukje se ishte e rëndësishme për të gjithë njerëzit që të vaksinohen në mënyrë që të fitojnë imunitet dhe ta ruajnë shëndetin e tyre, por gjithashtu e theksoi rëndësinë e ndjekjes së rregullave për mbrojtjen e të dhënave.
Diskutimi u pasua nga një demonstrim i disa aplikacioneve të inteligjencës artificiale, të tilla si asistentë virtualë të qeverisë (motorë të dizajnuar për t’i kuptuar pyetjet e parashtruara nga publiku dhe për dhënë përgjigje adekuate) në Austri, Singapor dhe Estoni dhe zbulimi i mashtrimit nga shërbimi tatimor (bashkëpunimi me fakultetet e shkencave teknologjike dhe shërbimin tatimor). Takimi përfundoi me të menduarit për praktikat e vetë pjesëmarrësve, si dhe me të menduarit për atë që mund ta replikojnë në vendet e tyre nga shembujt pozitivë që i kanë mësuar.
Albumi nga kjo ngjarje mund të shikohet këtu.
Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
Ndaje: