Sfida bashkëkohore me të cilën po ballafaqohen shtetet e Ballkanit Perëndimor është digjitalizimi i shërbimeve publike. Kësisoj, kjo paraqet një proces të thellë për të gjitha vendet, mirëpo i cili nuk është i pamundur, pasi shtetet tani më vetëm se po përparojnë në këtë drejtim, kush më pak e kush më shumë. Mjafton vullneti politik, mësimi nga praktikat pozitive të vendeve tjera dhe këmbëngulja e institucioneve që vendet të hapërojnë më shpejt drejt digjitalizimit.

Këto ishin përfundimet e përfaqësuesve të qeverive të shteteve të Ballkanit Perëndimor në dialogun rajonal për Agjendën Digjitale në Tiranë, me fokus në sfidat, kapacitetet, gatishmërinë e institucioneve për shërbime online, organizuar nga Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me lëvizjen “Mjaft” nga Shqipëria, në kuadër të projektit Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA, shkruan Portalb.mk.

Këtij procesi aktualisht në rajon po i prin Shqipëria e cila ka digjitalizuar 95% të shërbimeve publike.

Aldo Merkoçi nga Lëvizja civile “Mjaft” e Shqipërisë theksoi se pandemia e Covid-19 ka qenë një shtytës kryesor për procesin e digjitalizimit dhe e dyta vullneti politik për të parë këtë si një detyrim, pasi e njëjta nuk është një politikë e lehtë për t’u implementuar.

“Digjitalizimi tani më nuk është diçka e së ardhmes por është e së tashmes. Me sulmet kibernetike po futemi në një botë të re diplomatike”, tha Merkoci nga nikoqirët e kësaj konference.

“Shërbimet publike plotësisht digjitale”
“Shërbimet publike plotësisht digjitale”

Për Maqedoninë e Veriut, para se të kalohet në digjitalizim është mirë që procesi të jetë mirë i formuluar. Nëse procesi është tollovi, kjo nënkupton se jemi duke digjitalizuar tollovi. Fokusi i vendit duhet të jetë më pak shërbime por më të rëndësishme dhe më të sofistikuara. Kështu shprehet ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.

“Në Maqedoninë e Veriut ne fatmirësisht filluam të digjitalizojmë shërbimet publike me Ipa fonde para disa viteve, pastaj MSHIA vazhdoi procesin dhe ne tani jemi në këtë pikë ku analizojmë se çfarë kemi digjitalizuar dhe çfarë duhet te vazhdojmë të digjitalizojmë”, tha Aliti.

Ai theksoi se nga këto shtatë muaj që ai është në krye të kësaj ministrie kanë bërë disa shërbime. Ai thekson se shumica e qytetarëve në fakt nuk e dinë se ekzistojnë shërbimet që janë të qasshme në formë elektronike. Si rezultat për këtë sipas tij është se institucionet nuk janë të lejuara që të angazhojnë kompani marketingu t’i reklamojnë këto shërbime në televizione.

“Përdorim mediat sociale për promovim por kjo nuk është e mjaftueshme, ky është një nga problemet kryesore”, tha Aliti.

Referuar progresit të Shqipërisë, ai thekson se nuk ka kompetencat dhe fuqinë politike për të bërë diçka si Edi Rama në Shqipëri, pasi siç thotë ai “nuk e kemi këtë luks për momentin në vend, duhen edhe ministrat tjerë”.

“Në Maqedoninë e Veriut jemi në mes të rrugës, nuk jemi keq por nuk jemi aty ku duhet. Po punojmë, të digjitalizojmë atë që lehtëson jetën e qytetarëve”, përfundoi Aliti.

“Shërbimet publike plotësisht digjitale”
“Shërbimet publike plotësisht digjitale”

Ministrja e Shqipërisë për Standardet e Shërbimeve, Milva Ikonomi theksoi se për dallim nga RMV-ja, shteti I tyre ka shfrytëzuar fondet publike për të bërë marketing të shërbimeve publike elektronike të cilat janë të digjitalizuara në 95%.

Ajo thotë se tani është momenti që Qeveritë e të gjitha vendeve duhet të ndryshojnë pasi procesi i digjitalizimit është diçka tani më se bashkëkohore.

“Shembulli i Estonisë se si po përparon në këtë drejtim përbën një presion për ne për tu përmirësuar”, tha Ikonomi.

Ajo thotë se përmes digjitalizimit luftohet korrupsioni.

“Sa më shumë digjitalizohemi, aq më shumë ulet korrupsioni. Shtetet duhet të mendojnë së bashku. Duhet si regjion të krijojmë strukturë kundër krimit kibernetik që të mbrojmë qytetarin digjital”, tha mes tjerash Ikonomi.

Zyrtari i Lartë i Planifikimit të Politikave nga Zyra e Kryeministrit të KosovësKushtrim Canolli thekson se Kosova ka filluar procesin që u nxit kryesisht nga pandemia.

“Kemi filluar platformën elektronike e-Kosova ku kemi marrë shembuj nga e-albania, edhe pse kemi shkuar më ngadalë. Disa nga sfidat janë korniza ligjore e cila është diverzive dhe e shpërndarë e cila nuk flet me parimet e Komisionit Evropian. Sfida tjera janë edhe back-up sistemet te cilat duhet te përditësohen”, tha Canolli, duke theksuar se komunat qëndrojnë më dobët sa i përket digjitalizimit, por që po punohet në atë drejtim.

“Shërbimet publike plotësisht digjitale”
“Shërbimet publike plotësisht digjitale”

Ai gjithashtu theksoi se Kosova aktualisht po përballet me mungesë të kapaciteteve profesionale dhe mungesë të ekspertëve të IT-së në sektorin publik. Mirëpo, që pavarësisht këtyre ka edhe storje suksesi në këtë drejtim.

Qytetarët e Malit të Zi janë të vetmit në rajon që kanë letërnjoftime digjitale që nga viti 2020.

Mali i Zi poshtë lartë të njëjtat sfida si vendet e rajonit, kështu pohon Këshilltarja në Ministrinë e Administratës Publike në Mal të Zi- Milica Vuçiniq .

“Jemi duke bërë progres por jo në shpejtësinë që qytetarët po presin. Sfidë kemi me institucionet që nuk janë gati të transferohen në digjitalizim. Pa një infrastrukturë të mirë nuk mund të zhvillojmë shërbime të mira. Pa vullnet politik është e pamundur të bëhet transformim digjital”, tha Vuçiniq.

Nga sekretariati për Politika Publike nga Qeveria e Serbisë, Ninoslav Kekiç theksoi se vendi i tyre nuk ka qenë në më të shpejtën të mundshme për sa i përket digjitalizimit, por që po punojnë nga afër me qytetarët dhe bizneset se çfarë shërbimesh digjitale ata duan.

“Ne kemi ndryshuar strategjinë në vitin 2016. Nuk mund të arrijmë shërbime elektronike të përshtatshme pa biseda me qytetarët. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë për digjitalizim, sepse jemi në mënyrën e njëjtë si Shqipëria për të digjitalizuar gjithçka. Prioriteti jonë janë shërbimet tërësisht digjitale. Sfidë mbetet menaxhimi i ndryshimit2, tha Kekiç.

Mbi të gjitha, përfaqësuesit e Qeverive theksuan se rol të madh në të gjithë proces bartin aftësitë digjitale të qytetarëve ku atje ku ka mungesë, duhet të investohet.

Kur jemi te kjo, një një panel të dytë ku praktikat e tyre në këtë drejtim ndanë organizatat qytetare nga rajoni të angazhuara në këtë drejtim.

“Shërbimet publike plotësisht digjitale”
“Shërbimet publike plotësisht digjitale”

Mila Josifovska Danilovska nga Fondacioni Metamorfozis në RMV, kontribuoi në diskutim duke theksuar rëndësinë e fokusimit në asistimin e çdo qytetari në nivel lokal për përdorimin e shërbimeve elektronike për nevojat e tyre. Ajo tregoi se përmes Skemës së Granteve të Vogla të iniciativës ICEDA të mbështetur nga Komisioni Evropian, Metamorfozis ka kanë dhënë 15 nën-grante për OJQ-të nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, të cilët në bashkëpunim me institucionet kanë krijuar dhe drejtojnë 16 qendra mbështetëse të e-qeverisjes .

“Nëpërmjet 16 qendrave të mbështetjes së e-qeverisjes, rreth 31.734 qytetarë u trajnuan gjithashtu se si të përmirësojnë aftësitë e tyre digjitale dhe të përdorin shërbime elektronike publike specifike të interesit të tyre, përmes të cilave u ndërgjegjësuan më shumë për mundësitë por edhe për kërcënimet që mbart vetë transformimi digjital”, tha Josifovska Danilovska.

Ajo theksoi se këto qendra duhet të njihen nga institucionet e vendit dhe të sigurohet mbështetje nga ana e tyre për të vazhduar lehtësimin e përhapjes së shkrim-leximit digjital dhe katalizimin e pranimit të transformimit digjital nga qytetarët.

Mila Josifovska Danilovska, “Shërbimet publike plotësisht digjitale”
Mila Josifovska Danilovska, “Shërbimet publike plotësisht digjitale”

Dje, për të njëjtën temë, duke iu referuar reformave dhe procesit të Shqipërisë në fushën e digjitalizimit, pjesëtarë të organizatave civile diskutuan për të njëjtën.

Përfundimi në të cilën arritën ata është se digjitalizimi është e tashmja dhe e ardhmja, sa më shpejtë që shtetet digjitalizojnë shërbimet e tyre publike, aq më mirë dhe më lehtë është për qytetarët për t’i marrë të njëjtat. Pasi në këtë formë edhe korrupsioni zvogëlohet. Kësisoj, e rëndësishme është që shtetet të marrin praktikat më të mira nga njëra-tjetra dhe t’i implementojnë ato.

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfosis (Maqedonia e Veriut), Akademia për E-Qeverisje (Estoni), Levizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshim Demokratik (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

 

Ndaje: