Nga data 13 deri më 15 mars, në hotelin Gardenia në Veles u mbajt trajnimi “Verifikimi i fakteve dhe mjetet e tjera për luftën kundër dezinformatave”, i organizuar nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë nga verifikuesit më të mirë të fakteve se si të njohin dhe të demaskojnë dezinformatat dhe lajmet e rreme, dhe përmes punës praktike t’i mësojnë mënyrat e verifikimit të fakteve. Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme duke pasur parasysh se jetojmë në një kohë kur jemi dëshmitarë të një numri në rritje të informacioneve të rreme dhe të dezinformatave në jetën tonë të përditshme, diçka që mund të çojë në pasoja të rënda shoqërore, por edhe globale.
Gjashtë pjesëmarrësit më të mirë të serisë prej tre trajnimesh, njëri prej të cilëve tashmë është mbajtur, do të kenë mundësinë për praktikë njëmujore të paguar në njërën nga tri organizatat mediatike të Fondacionit Metamorfozis (Vërtetmatësi, Meta.mk dhe Portalb.mk) gjatë verës së ardhshme. Ndërsa, tre më të mirët do të shkojnë në një vizitë studimore njëjavore në SHBA me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarët (ICFJ) në Uashington.
Ngjarja është pjesë e projektit “Gazetaria për gjeneratën e re”, të cilin Fondacioni Metamorfozis e zbaton në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (International Center for Journalists – ICFJ), dhe me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, në periudhën nga shtatori i vitit 2023 deri në korrik të vitit 2024.
Ndaje: