Digjitalizimi nuk është një qëllim në vetvete dhe nuk mjafton vetëm të diskutohet dhe të kuptohet potenciali i teknologjive digjitale, por është gjithashtu e nevojshme të gjendet një mënyrë për t’i integruar ato në mënyrë më efektive në punën e administratës publike, e gjithë kjo për të ngritur cilësinë e shërbimeve të ofruara nga qytetarët. Për këtë qëllim, Fondacioni Metamorfozis së bashku me partnerët, nëpërmjet projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA, të bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian, ndau nën-grante përmes skemës së granteve të vogla për iniciativat avokuese që trajtojnë çështje specifike me të cilat përballen qytetarët e Ballkanit Perëndimor në lidhje me fushat e mbuluara nga Agjenda Digjitale.

Më 26 dhe 27 janar 2022, ekipi i Fondacionit Metamorfozis i vizitoi nën-grantistët nga Maqedonia e Veriut, gjegjësisht Qendrën për Inovacionin Social Blink 42-21 dhe Forumin Arsimor Rinor për të diskutuar për aktivitetet e tyre, sukseset dhe sfidat me të cilat përballen në promovimin dhe zbatimin e projekteve të tyre.

Në partneritet me Ballkoni 3, Qendra për Inovacionin Social Blink 42-21 e zbaton projektin “mKomuniteti për e-Komunitetin” përmes të cilit synojnë ofrimin e shërbimeve elektronike me cilësi të lartë në nivel lokal dhe rritjen e numrit të përdoruesve të shërbimeve elektronike lokale. Ata synojnë ta bëjnë këtë duke ofruar të paktën 3 e-shërbime të reja të vetëqeverisjes lokale përmes m-komunitetit në dy komuna të tjera dhe duke u mundësuar kështu qytetarëve komunikimin më të lehtë me sektorë të ndryshëm të atyre komunave, si dhe duke ofruar rekomandime për politika për të gjitha 81 komunat, Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale për digjitalizimin e shërbimeve.

mKomuniteti është një platformë digjitale interaktive që u mundëson qytetarëve dhe pushtetit lokal të komunikojnë drejtpërdrejt dhe të kontribuojnë së bashku për një komunë më të mirë. Aplikacioni celular dhe në ueb “mKomuniteti” (mZaednica) e promovon konceptin e pjesëmarrjes në celular (m-pjesëmarrja), u mundëson përdoruesve të përdorin një telefon celular, tablet ose kompjuter për të komunikuar drejtpërdrejt me punonjësit në sektorët komunalë, për të ushtruar të drejtat e tyre dhe për të ndikuar në aktivitetet e ndërmarra nga komuna. Aktualisht Komuna e Vallandovës, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Koçanit janë pjesë e mKomunitetit.

Së bashku me Radio MOF dhe Portalb-in, Forumi Arsimor Rinor e zbaton projektin “Aksioni Studentor për Shërbime Arsimore të Digjitalizuara”, i cili synon përmirësimin e shërbimeve elektronike të ofruara për studentët dhe adresimin e digjitalizimit në arsimin e lartë. Nëpërmjet takimeve konsultative me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe organizatat studentore, ata synojnë t’i identifikojnë nevojat e studentëve dhe të krijojnë një politikë të shkurtër të përbërë nga rekomandime specifike për përmirësimin e aspekteve digjitale të strategjisë së re të arsimit të lartë të krijuar nga Këshilli Kombëtar i Arsimit të Lartë. Gjithashtu, ata do të organizojnë një Hakaton tre-ditor për mjetet/zgjidhjet digjitale për arsimin e lartë, i cili do të rezultojë me një mjet të ri digjital të gatshëm për t’u përdorur për studentët, të cilin do t’ia ofrojnë MASH-it për përdorim falas.

Ndryshimet politike që kanë ndodhur në vend në muajt e fundit, duke filluar me zgjedhjet lokale ku pati një përmbysje dhe ndryshim të madh të shumë kryetarëve të komunave dhe të administratës komunale, deri në ndryshimin e shumë ministrave dhe anëtarëve të kabineteve të tyre, ishin një sfidë e madhe për të dyja iniciativat. Si sfidë e madhe është konstatuar edhe mosnjohja e nevojës për digjitalizim nga disa institucione, ndërsa në komunat ku ka vullnet politik mungojnë kapacitetet për aplikimin e mjeteve digjitale. Në periudhën e ardhshme, përfituesit e granteve do të bëjnë përpjekje shtesë për t’i kapërcyer këto sfida dhe për t’i zbatuar me sukses iniciativat e tyre për ta lehtësuar qasjen e qytetarëve në shërbimet publike elektronike dhe për t’u mundësuar atyre t’i ndjejnë përfitimet e digjitalizimit.

——————————————————————————————————————————————

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: