Foto: Pamje nga transmetimi me video
Digjitalizimi do të sillte një avantazh të madh si për qytetarët, ashtu edhe për transparencën dhe llogaridhënien e autoriteteve lokale, por për të arritur nivelin e kërkuar do të duhet shumë mund dhe para. Ndërkohë duhet të vazhdohet puna për procesin e “digjitalizimit” të komunave nën kontrollin e njëfarë “qendre”, sepse përpjekjet e pavarura nuk sjellin shumë dobi.
Këto janë disa nga vëzhgimet kryesore të diskutantëve në tryezën e sotme të rrumbullakët “Si të arrijmë deri te e-komunat me interes për qytetarët?” e cila u mbajt virtualisht, përmes Zoom-it dhe u transmetua në Facebook.
Në ngjarjen e organizuar nga Fondacioni “Friedrich Naumann” – Evropa Juglindore dhe Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektivat Euroatlantike (IQMPE) folën Ivajlo Conev, Koordinator i Projektit të Fondacionit “Friedrich Naumann”, më pas Ministri i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, Goran Milevski; Dushica Perishiq, Drejtoreshë Ekzekutive e BNJVL-së; Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”; Emili Jovanoviq – Llokvenec, analiste biznesi/specialiste e sistemeve të informacionit në UNDP; si dhe Bojan Kordalov, komunikolog dhe koordinator i Programit në IQMPE.
Foto: Pamje nga transmetimi me video
Foto: Pamje nga transmetimi me video
Sipas ministrit Milevski, veçanërisht në kohën e krizës së pandemisë me Kovid-19, është i mundur transformimi digjital i komunave dhe kjo është përcaktuar në prioritetet e Qeverisë për digjitalizim dhe për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Sipas ministrit, shteti është faktor kyç që mund të sigurojë digjitalizim të vërtetë, gjegjësisht transformim digjital të komunave, në mënyrë që ato të ofrojnë shërbime digjitale cilësore, theksoi Ministri i Vetëqeverisjes Lokale.
“E-shërbimin për ndërtim e ofrojnë të gjitha komunat – kjo është dëshmi se me mbështetjen e nivelit qendror mund të ofrohen shërbime digjitale”, është i bindur Milevski.
Siç tha Dushica Perishiq, Drejtoreshë Ekzekutive e BNJVL-së, digjitalizimi, ndonëse ka filluar shumë kohë më parë, tani ka humbur në projekte të ndryshme, të cilat nuk kanë lidhshmëri me njëra tjetrën. Prandaj, digjitalizimi i vërtetë duhet kërkuar në zgjidhje, gjegjësisht mjete që do të aplikohen kudo, edhe atë menjëherë.
“Digjitalizimi është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët, por nuk është një gjë e re. Që në vitin 2009 apo 2010 u krijua mjeti “Raporto problemin”, dhe më pas u shfaqën mjete të tjera me mbështetjen e sponsorëve, dhe tani ai mjet digjital nuk përdoret, megjithëse mund të plotësojë shumë nevoja. Prandaj, nuk mendoj se donatorët janë kyç për digjitalizim, por duhet vullnet tek ne për ta bërë digjitalizimin, tha Perishiq.
Sipas Bardhyl Jasharit, drejtor i Fondacionit “Metamorfozis”, përditësimi i shërbimeve digjitale, por edhe i informacionit, është një nga sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen komunat, kështu që vetëm 20% e komunave kanë përditësime të rregullta të informacioneve kryesore, si për shembull zyrtari për informata me karakter publik, theksoi Drejtori Ekzekutiv i “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.
Bardhyl Jashari Foto: Fragment nga diskutimi online në Zoom.
Ai tha se digjtalizimi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por pjesë e një strategjie në nivel shtetëror, për të shfrytëzuar përfitimet reale të këtij instrumenti për çdo qytetar, pavarësisht se ku jeton.
“Vetëm atëherë do t’i ndjejmë përfitimet, përndryshe do të përsëriten të njëjtat gabime. Këtë e tregoi edhe analiza që e bëmë “se duhet një vizion, një strategji”, shpjegoi Jashari.
Ndaje: