Ka filluar punimet edicioni i 5-të i Forumit të Paqes që mbahet në Bazel të Zvicrës. Në këtë forum ku marrin pjesë figura të njohura politike, aktivistë të organizatave, akademikë ekspertë, biznesmenë dhe nga e tërë bota diskutohet për efektet e pandemisë së virusit korona në jetët tona, njofton Portalb.mk.
“Cilat janë pasojat e COVID-19 në ruajtjen e paqes dhe nxitjes së konflikteve në qytetet e ndryshme të botës? A po përçahen dhe bëhen më konkurruese vendet e urbanizuara? A do te jetë pandemia shtytje për më shumë përpjekje të përbashkëta dhe kujdes të përbashkët me tyre?” janë këto disa nga çështjet që do të diskutohen për tre ditë me radhë në këtë forum i cili për dallim nga vitet e kaluara, po mbahet online.
Nga Maqedonia e Veriut, përfaqësues dhe folës është drejtori i Fondaciont Metamorfozis, Bardhyl Jashari. Ai do të ketë fjalim në panelin për aktivizmin në rrjetet sociale, nesër më 21 janar 2021 në ora 13.
Jashari thotë se në kontekstin tonë aktivizmi në përgjithësi dhe jo vetëm ai digjital është sfidues dhe i vështirë.
“Shumë shpesh, dhe kjo ishte ende më e dukshme në të kaluarën gjatë regjimit të mëparshëm, njerëzit pushojnë së luftuari dhe aktivizmi i tyre për drejtësi sociale dhe barazi, për ata merr më shumë kuptim që të tregojnë besnikëri ndaj partisë politike në pushtet në këmbim për një vend pune ose ndonjë lloj tjetër stimulimi ekonomik.” shprehet Jashari.
Për të pasur aktivizëm, njerëzit kanë nevojë për kauzë, shtoi ai dhe se ata veprojnë vetëm nëse kujdesen vërtet për diçka.
“Këtu rol të rëndësishëm luajnë rrjetet sociale, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes dhe ndarjen e informacioneve dhe mesazheve të ndryshme, e tëra kjo është pjesë kritike e aktivizmit, por duhet të shndërrohet në veprim për të nxitur ndryshime të vërteta. Si dhe duhet të përdoret së bashku me forma tradicionale të aktivizmit për të qenë i suksesshëm.” deklaroi ai.
Pas fjalimeve, do të mbahet dhe një punëtori në këtë temë.
Në këtë punëtori do të prezantohen format e ndryshme të aktivizmit digjital në rrjetet sociale në vende të prekura nga konfliktet.
“Në shumë vende ka pasur protesta gjatë pandemisë, cilat janë mundësitë dhe rreziqet nëse protestat digjitalizohen?” thuhet në përshkrimin e punëtorisë.
Në këtë forum fjalim do të ketë edhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.
Për të ndjekur punimet në kohë reale klikoni në këtë link.
Forumi i Paqes në Bazel është i pari i kësaj natyre. Është forumi i parë në botë që merret me çështjen e paqes në botë në mënyra të ndryshme dhe në nivele të larta të hierarkisë së shoqërisë sonë.
Ndaje: