Punësimi dhe të drejtat dhe obligimet që dalin nga marrëdhënia e punës në legjislacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përfshihen me disa ligje, si: Ligji për marrëdhëniet e punës, Ligji për sigurimin pensional dhe invalidor, Ligji për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë, Ligji për sigurim shëndetësor, Ligji për evidenca në fushën e punës, Ligji për punësimin e personave me invaliditet, si dhe me ligje tjera nga fusha e të drejtës së punës. Krahas këtyre ligjeve, marrëdhëniet e punës përfshihen edhe me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale (më tutje: LMDHP) në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale të cilat janë të domosdoshme për krijimin dhe përmbushjen e të drejtave dhe detyrimeve të punëtorëve, por edhe në lidhje me detyrimet e punëdhënësve për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave personale.

Punësimi mund të ndahet në tre faza: të treguarit interes për themelimin e marrëdhënies së punës, përkatësisht parashtrimi i aplikimit për punë, themelimi i marrëdhënies së punës dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës. Në secilën prej këtyre fazave, punëdhënësi përpunon të dhëna që janë dhënë nga punëtori (ose punëtori potencial) që janë të dhëna personale, e që janë të domosdoshme ligjërisht për përmbushjen e qëllimeve për punësim dhe që i nënshtrohen kontrollit dhe mbrojtjes në bazë të dispozitave të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në lidhje me aktivitetet gjatë aplikimit për vend pune, punëtori shpreh vullnetin e tij për të lidhur marrëdhënie pune me punëdhënësin duke dërguar rezyme të shkurtër dhe në disa raste dokumentacion shtesë, siç është letra e motivimit, diploma dhe dokumente tjera të ndryshme me kërkesë të punëdhënësit. Të dhënat e zakonshme personale të përfshira zakonisht në aplikacion përfshijnë emrin dhe mbiemrin e aplikantit, adresën dhe vendbanimin, emailin, nivelin e arsimit, numrin e telefonit për kontakt, etj. Gjithashtu, dokumentacioni mund të përfshijë edhe informacione shtesë të cilat nuk janë të domosdoshme dhe nuk mund të jenë vendimtare për zgjedhjen e kandidatit për punësim siç është fotografia e aplikantit ose vërtetime shtesë për shkak të specifikës së punës në fjalë siç është patenta e shoferit, diploma dhe/ose certifikata shtesë, etj., mund të kërkohen nga punëdhënësi vetëm me pëlqimin e shprehur të aplikantit.

Image by Werner Heiber from Pixabay.

Gjithashtu, kur aplikanti zgjidhet nga punëdhënësi dhe bëhet lidhja e marrëdhënies së punës, bëhet ripërpunimi i të dhënave personale, këtë herë specifike për vendosjen dhe përmbushjen e qëllimeve të punësimit të punëtorit të ri. Marrëdhënia e punës themelohet me kontratë pune të lidhur ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kontrata e punës përfshin të dhënat personale të punëtorit emri dhe mbiemri, NUAQ, adresa, llogaria e transaksionit etj. Pas themelimit të marrëdhënies së punës, punëdhënësi ka obligim ligjor të ruajë dhe përpunojë përmbledhjet e të dhënave personale të të punësuarve në bazë të dispozitave të ligjeve të lartpërmendura. Të dhënat personale janë të nevojshme për punëdhënësin për t’ia dhënë rrogën të punësuarit, për paraqitjen e të punësuarit në sigurimin social dhe shëndetësor, etj. Nëse i punësuari i ndryshon të dhënat e tij personale është i detyruar ta njoftojë punëdhënësin brenda 15 ditësh nga ndryshimi, me qëllim për të vazhduar përmbushja e të drejtave dhe detyrimeve nga marrëdhënia e punës ndërmjet të punësuarit dhe punëdhënësit bazuar në të dhëna të sakta dhe të përditësuara, siç kërkon në fakt parimi i “saktësisë së të dhënave” nga LMDHP-ja. Meqenëse përpunimi i këtyre përmbledhjeve të të dhënave është një detyrim ligjor i punëdhënësit sipas ligjeve tjera të lartpërmendura nga sfera e punës, mospërpunimi, përditësimi ose shkatërrimi i këtyre përmbledhjeve të të dhënave mund të çojë në dënime për punëdhënësin, ndërsa i punësuari nuk ka të drejtë të kërkojë ndërprerje të përpunimit ose shkatërrim të tyre (për shembull, me qëllim të pagimit të rrogës të punësuarit, punëdhënësi duhet të ketë dhe të përpunojë emrin dhe mbiemrin e të punësuarit, NUAQ-in e tij si dhe numrin e llogarisë transaksionale të të punësuarit dhe bankës depozituese të tij. Mospërpunimi i këtyre të dhënave personale do të çojë në mospagesën e rrogës për të punësuarin, për të cilën punëdhënësi do të vuajë sanksione nga organet kompetente. Për shkaqet e njëjta, punëtori nuk mund të kërkojë që këto të dhëna personale të pushojnë së përpunuari). Gjithashtu, LMDHP-ja parashikon që të merren të gjitha masat për ruajtjen e sigurt të këtyre përmbledhjeve të të dhënave dhe të kufizohet qasja në ato vetëm për personat e autorizuar.

Pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, përmbledhjet e të dhënave personale për të punësuarin pushojnë së përpunuari, përkatësisht ato ruhen dhe/ose arkivohen përgjithmonë nga punëdhënësi. Ky detyrim i punëdhënësve për ruajtjen e përmbledhjeve të të dhënave personale rrjedh nga ligjet tjera nga sfera e punës. Nëse punëdhënësi pushon së ekzistuari, ai ka obligim t’i dorëzojë këto dokumente për ruajtje në Arkivin Shtetëror të RMV-së.

Image by Ag Ku from Pixabay

Marrëdhënia tipike e punës themelohet me kontratë për punësim. Gjatë aktiviteteve parakontraktuese, përkatësisht aplikimit për punë, pas themelimit të marrëdhënies së punës, si dhe pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, përpunohen kategori të ndryshme të të dhënave personale. Përpunimi i këtyre të dhënave personale është përfshirë nga më shumë ligje, mes të cilave edhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Në atë aspekt, të drejtat dhe detyrimet e punëtorit që dalin nga LMDHP-ja janë të kufizuara me qëllim përmbushjen e qëllimeve të ligjeve tjera nga sfera e punës. Megjithatë, punëtori i gëzon këto të drejta kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale ose përmbledhjen e të dhënave personale të cilat nuk janë të domosdoshme për përmbushjen e qëllimeve të ligjeve tjera.

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje: