Më 3 gusht 2023, me ftesë të Asistencës teknike për organizatat e shoqërisë civile (EU TACSO 3) në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, “Metamorfozis” pati fjalim në Takimin e parë Konsultativ për Agjendën Digjitale me titull “për çfarë ndryshimi bëhet fjalë?”. Qëllimi i këtij takimi online ishte të shqyrtonte ndikimin e tranzicionit digjital mbi organizatat e shoqërisë civile dhe të diskutonte strategjitë për përshtatjen me një botë në ndryshim. Takimi kishte për qëllim përcaktimin e prioriteteve në lidhje me Agjendën Digjitale dhe tranzicionin dixhital për organizatat e shoqërisë civile në rajon: të shqyrtojë aspekte të ndryshme të transformimit digjital dhe pasojat e tij në mënyrën se si punojnë organizatat civile dhe shfrytëzuesit e tyre.

Në emër të Fondacionit “Metamorfozis” foli Milla Josifovska Danilovska (Udhëheqëse e programeve – Llogaridhënia Sociale dhe të Drejtat e Njeriut në Internet), e cila e ndau përvojën e organizatës së saj dhe rezultatet e hulumtimit me më shumë se 70 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia, të cilët ishin të pranishëm në takim dhe i theksoi praktikat pozitive që i zbaton Fondacioni “Metamorfozis” në nivel kombëtar dhe rajonal.

 

Burimi: Pamja e ekranit të prezantimit të sesionit

“Transformimi digjital ka një ndikim të madh në punën, aktivitetet dhe efikasitetin e organizatave të shoqërisë civile, sepse jo të gjitha organizatat e shoqërisë civile i posedojnë aftësitë, njohuritë, politikat e brendshme dhe burimet e nevojshme për shfrytëzimin maksimal të përfitimeve të tij. Nga një këndvështrim pozitiv, transformimi digjital i ka detyruar organizatat e shoqërisë civile të dalin nga zonat e tyre të rehatisë, d.t.th. të fillojnë të investojnë më shumë në aftësitë digjitale të punonjësve ose anëtarëve të tyre, të zgjerojnë aktivitetet e tyre online dhe në këtë mënyrë të rrisin përfshirjen dhe ndikimin e tyre te një numër sa më i madh njerëzish falë mjeteve online për të kryer aktivitetet e tyre në një mënyrë më kreative. Ajo i bëri organizatat e shoqërisë civile të jenë më kreative, më fleksibël kur bëhet fjalë për ndryshime, të mësojnë gjëra të reja, të gjejnë mënyra të reja për të ndarë mesazhet e tyre me komunitetin” – theksoi Josifovska-Danillovska.

Megjithatë, ajo gjithashtu theksoi se transformimi digjital ishte një sfidë e madhe për sektorin civil. Me transformimin digjital, e veçanërisht me pandeminë, hapësira online, e cila ishte e ngarkuar edhe para vitit 2020, tashmë është e stërngarkuar me informacione dhe kërcënime kibernetike. Ajo foli edhe për algoritmet dinamike të rrjeteve sociale, shpejtësinë e zhvillimit të ri teknologjik dhe lodhjen online, të cilat janë gjithashtu sfida unike për sektorin civil.

Burimi: Postimi i EU TACSO në Facebook

Siguria kibernetike është një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i transformimit digjital që ajo e theksoi gjatë takimit, si diçka që shumë organizata të shoqërisë civile e neglizhojnë, nuk kanë politika, praktika apo kapacitete në këtë fushë për të mbrojtur veten si organizatë, për të mbrojtur shfrytëzuesit me të cilët punojnë, si dhe të dhënat e tyre. Ajo theksoi se forcimi i sigurisë kibernetike, veçanërisht në këtë periudhë kur teknologjia po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar, është një sfidë që kërkon vëmendje, përkushtim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në baza ditore. Përveç investimit në kapacitetet e brendshme, Metamorfozis ndërton edhe kapacitetet e qytetarëve, të organizatave të shoqërisë civile, të mediave dhe të institucioneve përmes trajnimeve, uebinareve, mentorimit dhe burimeve, për t’i mbështetur ata që të bëhen rezistentë ndaj të gjitha kërcënimeve me të cilat mund të përballen.

Ndaje: