Nga data 14 deri më 16 dhjetor në “Public Room” në Shkup u mbajt një trajnim treditor me temë “Gazetaria e bazuar në të dhëna dhe vizualizimi i të dhënave”. Në trajnimin, i cili u zhvillua në gjuhën angleze morën pjesë 14 të rinj, kryesisht studentë dhe gazetarë nga mbarë vendi, transmeton Portalb.mk.

Trajnimin e realizoi Derek Willis, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë “Philip Merrill” në Universitetin e Meriland në SHBA, Goran Rizaov, udhëheqës i programit “Media për Demokraci” në Fondacionin Metamorfozis dhe Bojan Bllazhevski, kryeredaktor i agjencisë së lajmeve Meta.mk.

Bëhet fjalë për trajnimin e parë nga seria e tre eventeve të tilla, të cilat Fondacioni Metamorfozis i realizon në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (International Center for Journalists – ICFJ) nga SHBA.

Gjatë tre ditëve të kaluara u realizuan një sërë ligjëratash, si dhe punë praktike e pjesëmarrësve në trajnim. Gjatë trajnimit u trajtuan temat: çfarë janë të dhënat dhe çfarë lloje të të dhënave ekzistojnë, si të gjenden të dhënat dhe cilat janë burimet më të përdorura online të grupeve të të dhënave në Maqedoninë e Veriut, si të pastrohen të dhënat në tabela dhe si të bëhet analiza e tyre.

U mbajtën trajnime të veçanta edhe për përdorimin etik të inteligjencës artificiale në gazetari, por gjithashtu u demonstrua praktikisht se si inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në pastrimin dhe strukturimin e të dhënave që duhen vizualizuar.

Pjesëmarrësit u ndanë në katër ekipe të cilat kishin për detyrë të krijonin një vizualizim nga të dhënat e përzgjedhura për një temë të caktuar dhe në fund të trajnimit ta prezantonin produktin e finalizuar. Të rinjtë që morën pjesë në trajnimin treditor morën certifikata për aftësitë e fituara, të lëshuara nga Qendra Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Fondacioni Metamorfozis.

Në tri punëtoritë që do të mbahen nga dhjetori i këtij viti deri në maj të vitit të ardhshëm trajnues do të jenë gazetarë eminentë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me gazetarët e mediave të Fondacionit Metamorfozis.

Gjashtë pjesëmarrësit më të mirë në tre punëtoritë do të kenë mundësinë për një praktikë njëmujore të paguar në një nga tre organizatat mediatike të Fondacionit Metamorfozis, gjatë verës së ardhshme. Ndërsa tre më të mirët do të shkojnë në një vizitë studimore njëjavore në SHBA në Uashington me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ).

Të gjitha aktivitetet e parapara janë pjesë e projektit “Gazetaria për gjeneratën e re”, të cilin Fondacioni Metamorfozis e zbaton në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ) dhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shkup, në periudhën nga muaji shtatori i vitit 2023 deri në korrik të vitit 2024.

Ndaje: