Të premten, më 2 prill, gazetarët dhe aktivistët në të gjithë botën e shënojnë për herë të pestë Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve të iniciuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve, anëtar i të cilit nga Maqedonia e Veriut është Fondacioni “Metamorfozis”.

Me këtë rast projekti “Mendim kritik për qytetarët me shkathtësi mediatike – KriThink” të cilin e zbatojnë Fondacioni “Metamorfozis” dhe “Eurothink” me mbështetjen e Bashkimit Evropian, dërgon ftesë publike për diskutimin në panel kushtuar verifikimit të fakteve si mjet për avancimin e edukimit mediatik, i cili do të mbahet online më 02.04.2021 me fillim në orën 12.00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e KriThink në Facebook.

Në diskutimin në panel që do të zgjasë një orë, fjalim hyrës do të mbajë Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, kurse për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me verifikimin e fakteve do të debatojnë:

Filip Stojanovski, menaxher i projektit KriThink,
Vlladimir Petreski, redaktor për verifikimin e fakteve në gjuhën maqedonase dhe kryeredaktor i Vërtematës-it,

Elida Zylbeari, redaktore për verifikimin e fakteve në gjuhën shqipe dhe kryeredaktore e Portalb.mk.

Pas fjalimeve hyrëse ku do të prezantohen përvojat vendore dhe ndërkombëtare, pjesëmarrësit në ngjarje do të kenë mundësi të marrin pjesë në diskutim të hapur me panelistët.

Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve shënohet që nga viti 2017 nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (International Fact-Checking Network) në bashkëpunim me mbi njëqind organizata të verifikimit të fakteve në të gjithë botën. 2 Prilli u zgjodh si antipodi i 1 Prillit – ditës së gënjeshtrës.

Në përgjigje të valës së dezinformatave që lidhen me pandeminë e Kovid-19, motoja e këtij viti është “verifikimi i fakteve mund të shpëtojë jetë dhe unë i mbështes verifikuesit e fakteve” (Fact-checking can save lives and I support fact-checkers).

Në të njëjtën ditë, anëtarët e rrjetit organizojnë një numër ngjarjesh publike në të gjithë botën me qëllimin e vetëm për të theksuar rëndësinë e luftës kundër dezinformatave, si dhe më shumë fakte në shëndetin publik, gazetarinë dhe jetën e përditshme.

Më shumë informacion në lidhje me këto aktivitete janë publikuar në ueb-faqen https://FactCheckingDay.com dhe përmes hashtag-ut #FactcheckingDay.

Projekti “Mendim kritik për qytetarët me shkathtësi mediatike – KriThink” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me Eurothink. Projekti është i financuar nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: