Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë karakteristika të përbashkëta. Të gjitha ato kanë popullsi të vogël, të ardhura relativisht të ulëta dhe ekonomi të mëdha joformale, por duke filluar nga qershori i vitit 2018, ato ndajnë edhe një gjë – Agjendën Digjitale për Ballkanin PerëndimorKomisionit Evropian.

Ka shumë barriera për zhvillimin e e-shoqërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por me një vizion të përbashkët dhe punë të përkushtuar, vitet e fundit kanë dëshmuar për mënyra shumë kreative për t’i kapërcyer ato barriera. Rajoni është privuar nga e-shërbimet cilësore për përdoruesit, nga platformat për e-tregti dhe proceset e automatizimit, për një kohë të gjatë, dhe tani të gjithë jemi dëshmitarë të zgjerimit dhe të potencialit të shërbimeve online, të cilat janë bërë edhe më të nevojshme dhe më të dukshme që nga fillimi i pandemisë. Pandemia e ka nxitur zhvillimin e e-shërbimeve dhe e-tregtisë në Ballkanin Perëndimor. Dyqanet e parëndësishme për njerëzit u mbyllën, administrata publike funksionoi për një numër të kufizuar orësh dhe i gjithë ndërveprimi u zhvillua përmes mediave sociale. Ndryshimi nuk ishte i menjëhershëm, por erdhi pasi kompanitë dhe administrata publike gjetën mënyra për të rritur përdorimin e internetit në një situatë kur kontakti fizik përbënte rrezik. Megjithatë, edhe e-tregtia dhe e-shërbimet gjithashtu mbartin një lloj rreziku. Frika kryesore kur bëhet fjalë për transaksionet online lidhet me sigurinë dhe keqpërdorimin e të dhënave personale. Kur kërkoni mallra ose shërbime në internet, nuk mund të shikoni nga afër produktin ose ta pyesni personin e vërtetë për të.

Agjenda Digjitale për Ballkanin Perëndimor synon ta ndryshojë perceptimin ndaj e-shërbimeve publike dhe ta rrisë përdorimin e tyre në jetën e përditshme. Gjashtë vendet partnere nga Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – së bashku me Komisionin Evropian janë zotuar për:

  • investim në lidhjen me bandë të gjerë;
  • rritjen e sigurisë kibernetike, besimit dhe digjitalizimin e industrisë;
  • forcimin e ekonomisë dhe shoqërisë digjitale dhe
  • forcimin e hulumtimit dhe inovacionit.

Komisioni Evropian është zotuar se do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë partnerët e tjerë për të siguruar zbatimin e plotë të Agjendës Digjitale dhe, ndër të tjera, përdorimin e duhur të e-shërbimeve publike.

 

Duke e ndarë vizionin e BE-së, Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje(Estoni), CRTA- Qendra Për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35mm (Mali i Zi), Të dhënat e hapura hapura – Open Data Kosovo (Kosovë) dhe Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), e filluan projektin Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA,, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Si pjesë e skemës së granteve të vogla të projektit, u ndanë 15 nën-grante, me të cilat u mbështet krijimi dhe funksionimi i Qendrave për mbështetjen e e-qeverisjes.

Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të përfshira në këtë aktivitet, secila me 3 organizata të shoqërisë civile (OSHC), me ç’rast janë mbështetur gjithsej 15 OShC në partneritet me institucionet lokale dhe kombëtare. Në 9 muajt e kaluar, këto 15 OShC kanë punuar në krijimin dhe menaxhimin e qendrave qytetare për të mbështetur e-qeverisjen. Përmes këtyre qendrave, grupet e tyre të synuara fuqizohen të përdorin e-shërbime të caktuara dhe të shpërndajnë edukimin digjital. Deri më 31 gusht, përmes këtyre qendrave, rreth 18,000 qytetarë u ndihmuan të marrin e-shërbime. Më shumë detaje në lidhje me secilin nën-grant mund të lexoni në linkun në vijim.

 

Shqipëri

Foto: ARTIVISTA (Shqipëri), punëtori në Përrenjas, Shqipëri

Në Shqipëri, tre OShC në partneritet me institucionet drejtojnë Qendrat për mbështetjen e e-qeverisjes dhe me këtë kontribuojnë në formimin dhe zbatimin e Agjendës Digjitale. Në Përrenjas dhe Pogradec, Artivista udhëheq Qendrën për mbështetjen e e-qeverisjes në partneritet me Nehemiah Gateway Albania, duke mbështetur komunitetin e biznesit dhe atë sipërmarrës në marrjen e e-shërbimeve.

Foto: Fushata promovuese e Epoka e Re

Paralelisht, Epoka e Re punon në nëntë njësitë administrative rurale të Bashkisë së Fierit. Në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë, ata krijuan një platformë për e-shërbimet lokale që i ofron bashkia e Fierit, përmes të cilave do të mbështesin qytetarët në marrjen e e-shërbimeve publike vendore që lidhen me bashkinë.

Në Elbasan dhe Durrës, Shoqata Rinore Evropiane në bashkëpunim me Postën Shqiptare Sh.A. ngritën stenda të lëvizshme përmes të cilave u ofrojnë qytetarëve qasje të gjerë në e-shërbimet qeveritare.

Foto: Fushata promovuese e Shoqatës Rinore Evropiane

 

Kosovë

Tre organizata të shoqërisë civile nga Kosova inkurajojnë pjesëmarrjen qytetare online. Demokracia plus synon të angazhojë qytetarët për të parashtruar ankesa dhe për ta rritur llogaridhënien e institucioneve. Ata nxisin një kulturë të pjesëmarrjes qytetare në Kosovë duke i angazhuar qytetarët që t’i raportojnë ankesat e tyre për shërbimet publike në ndreqe.com për komunitetin shqiptar dhe popravi.org për komunitetin serb.

Foto: Mbështetja e qytetarëve, Demokracia plus

Në ndërkohë, Forumi për Iniciativat Qytetare bashkëpunon me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike për t’u mundësuar të gjitha OShC-ve të regjistrohen dhe t’i përdorin shërbimet publike online të krijuara për to, përmes Akademisë Digjitale të përshtatur për organizatat qytetare të përshtatur për nevojat e tyre. Qëllimi është të rritet kapaciteti i OSHC-ve dhe i mediave për t’u përballur me sfidat që lidhen me Agjendën Digjitale, duke i inkurajuar ata që të bëhen pjesëmarrës aktivë në këtë proces dhe të ngrenë çështje që lidhen me Agjendën Digjitale në shoqërinë civile dhe mediat.

Foto: Forumi për Iniciativat Qytetare – profili në Twitter

Këshilli Rinor i Kosovës synon të lehtësojë qasjen duke ofruar udhëzime online për e-shërbimet për qytetarët, gjë që do ta rrisë cilësinë e përdorimit të e-shërbimeve qeveritare. Qëllimi i tyre është t’i edukojnë qytetarët dhe palët e tjera të interesuara se si t’i përdorin më mirë këto e-shërbime duke ofruar një platformë të përshtatshme teknike për dizajn që do t’u mundësojë atyre ta kuptojnë përdorimin e të gjitha e-shërbimeve që ekzistojnë në Kosovë.

 

Mali i Zi

Tre qendra të e-qeverisjes tashmë janë krijuar dhe janë funksionale në Mal të Zi. Qendrën që punon në Podgoricë udhëhiqet nga Qendra për Arsimin e të Rinjve, ku i promovojnë dhe i mbështesin shërbimet elektronike të disponueshme aktualisht të Komunës së Podgoricës. Fokusi i tyre është në promovimin e e-shërbimeve që i ofron kryeqyteti, por edhe në ndarjen e informacionit në lidhje me digjitalizimin dhe sipërmarrësinë.

E-qendra Klasa digjitale funksionon në kuadër të shkollës fillore “Bozhidar Vukoviq Podgoriçanin”, për të mbështetur mësimdhënësit dhe nxënësit në përdorimin e e-shërbimeve që lidhen me arsimin. Qendra drejtohet nga Firen Amenka, qëllimi kryesor i së cilës është të zvogëlojë ndarjen digjitale midis popullatës rome dhe asaj jo-rome.

OSHC-të gjithashtu kanë aktivitete të përbashkëta për të mbështetur qytetarët në përdorimin e e-shërbimeve në të cilat mori pjesë Firen Amenka, ndërsa aktiviteti i fundit i tillë ishte mbështetja e nxënësve për regjistrimin elektronik në shkollat e mesme.

Foto: Firen Amenka e ndihmon komunitetin rom gjatë regjistrimit elektronik në shkollë të mesme, postimi në Facebook.

Organizata e tretë Super Hub punon në Komunën e Plevljës dhe përmes qendrës së tyre i ndihmon qytetarët në përdorimin e e-shërbimeve ekzistuese në kuadër të portalit e-Qeveria.

Video: TV Pljevlja

 

Maqedonia e Veriut

Nga tre organizatat që punojnë me e-qendrat në Maqedoninë e Veriut, njëra gjendet në qytetin e Shkupit. Laboratori SmartUp për Inovacione Sociale në kuadër të qendrës së tyre Skopje Lab zhvilloi program për mbështetje për qytetarët që i përdorin e-shërbimet që i ofron qyteti. Qendra funksionon në hapësirat e Qytetit të Shkupit dhe është e hapur për publikun çdo ditë. Këtu qytetarët mund të marrin mbështetje përmes takimeve të drejtpërdrejta, përmes e-mailit dhe telefonit. SmartUp, gjithashtu, siguron mbështetje për qytetarët përmes ueb-faqes së tyre https://aplikacii.skopjelab.mk përmes të cilës qytetarët mund t’i përdorin disa nga shërbimet elektronike që i ofron qyteti dhe të marrin informacion në lidhje me mbështetjen në dispozicion. Kjo qendër menaxhohet nga dy agjentë për mbështetje teknike dhe aktualisht ofron mbështetje për aplikacionin online për subvencione (subvencione për kondicioner inverter, subvencione për biçikleta, subvencione për e-skuterë), si dhe e-aplikacion për mbështetje financiare për organizatat e shoqërisë civile dhe individët në më shumë fusha.

Foto: Platforma mbështetëse e Skopje Lab

Dy organizatat e tjera janë të lëvizshme dhe mbulojnë zona në disa rajone të planifikimit të vendit. Shoqata për Tolerancë dhe Bashkëpunim Qytetar – AGTIS vepron në Dollnen dhe Prilep, kryesisht me komunitetet e margjinalizuara duke përfshirë komunitetin rom, qytetarët me të ardhura të ulëta dhe qytetarë analfabetë.

Foto: Vullnetarët e AGTIS mbështesin qytetarët në përdorimin e e-shërbimeve

“Ka disa e-shërbime që ofrohen në nivel lokal. Sipas të dhënave që kemi, shërbimet plotësisht elektronike që janë në dispozicion janë këto: E-tatime, portali-gis, njohja me parcelat kadastrale të PDU-së. Sistemi për raportimin e problemeve funksionon, shkurtimisht dhe në mënyrë elektronike. Përndryshe, vetëm 0,89 pë rqind e klikimeve të përgjithshme në portalin e vetëqeverisjes lokale janë për e-shërbime. Ekziston titulli “e-shërbime”, por vetëm mund të printoni dokument” – shpjegon Blagica Cvetkoska, koordinatore e projektit në AGTIS në një intervistë për MKD. “Para do kohësh, ndodhi që të ketë nevojë për një e-shërbim për t’i regjistruar nxënësit e klasave të para. Për faktin se kohët e fundit po flitet shumë për shërbimet elektronike, aktivitetet e portalit u rritën menjëherë. Është i lehtë për t’u përdorur. I inkurajojmë qytetarët që të përdorin sa më shumë e-shërbime, ndërsa institucionet të ofrojnë shumicën e shërbimeve në mënyrë elektronike dhe të thjeshtë. “Vetëm atëherë qytetarët do të inkurajohen t’i përdorin ato.” tha Cvetkoska. AGTIS gjithashtu ka një karvan të lëvizshëm të aktiviteteve, ku ata i mbështesin qytetarët të përdorin e-shërbime të ndryshme në disa vende në të gjithë qytetin dhe në zonat rurale.

Video: AGTIS, Mos prisni në radhë – informohuni!

Koalicioni rural punon në rritjen e besimit në institucionet publike duke rritur përdorimin dhe cilësinë e e-shërbimeve për komunitetin lokal, veçanërisht kur bëhet fjalë për bujqësinë në Gostivar, Vrapçisht, Kërçovë, Krivogashtan dhe Dollnen. Përmes e e-qendrës, organizata do t’i ndihmojë fermerët dhe banorët lokalë të përdorin e-shërbime dhe t’i rrisin njohuritë e tyre digjitale.

Foto: Hapja e Qendrës për mbështetjen e e-qeverisje në Kërçovë, Koalicioni Rural

Rezultatet e hulumtimit të kryer nga Koalicioni Rural gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti me 246 të anketuar nga komunat e Kërçovës, Krivogashtanit, Vrapçishtit, Staro Nagoriçanit dhe Strumicës tregojnë se sa e nevojshme është një mbështetje e tillë në nivelin lokal. “Edhe pse 92% e të anketuarve kanë kartë për pagesë elektronike, shumica prej 60% e përdorin atë vetëm për të tërhequr para nga bankomati (ATM). Megjithatë, 93% e tyre janë të bindur se do ta përdornin për shërbime elektronike nëse do të kishin mbështetje në atë proces.”deklaroi Liljana Jonoski, Drejtore Ekzekutive e Koalicionit Rural në prezantimin e saj gjatë hapjes së e-qendrës. Qytetarët janë të vetëdijshëm se mënyrat e reja të ofrimit të shërbimeve u kursejnë kohë, para dhe e mbrojnë shëndetin e tyre. Rreth 64% e të anketuarve ende shkojnë në sportel ose e marrin informacionin e nevojshëm në lidhje me shërbimet përmes telefonit, kurse më pak se një e pesta (19,1%) kanë arritur ta kërkojnë dhe ta marrin shërbimin në mënyrë elektronike. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, vetëm 5,8% e kërkesave për subvencion janë parashtruar në mënyrë elektronike. Më shumë se gjysma e të anketuarve (54%) nuk e njohin portalin kombëtar www.uslugi.gov.mk ku mund të marrin shërbime në mënyrë elektronike. Sipas Jonoskit, përqindja e ulët e përdorimit të këtij portali është deri diku për shkak të besimit të ulët në lëshimin e dokumenteve elektronike.

Foto: Koalicioni Rural i mbështet të moshuarit në marrjen e e-shërbimeve në Kërçovë, Maqedonia e Veriut

 

Serbia

Nën-grantistët tanë në Serbi, gjithashtu kanë krijuar lidhje me institucionet shtetërore dhe lokale. Qendra për integrim social në partneritet me Qytetin e Vranjës synon të edukojë qytetarët, me theks në grupet e cenueshme, që ata të fitojnë aftësi themelore digjitale dhe krijuan një udhëzues audio/video në një platformë në internet me udhëzime se si të përdoret portalin i e-qeverisjes.

Video: “DIGITALIZACIJA – spona za budućnost”, kanali në YouTube

Deli bashkëpunon ngushtë me Qytetin e Nishit – ndërsa SINHRO punon në partneritet me qytetin e Pançevës. Të gjithë ata synojnë ta promovojnë Agjendën Digjitale në nivel lokal me fokus në përdorimin lokal të e-qeverisjes nga qytetarët dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj.

Foto: Ambinetet e SINHRO në Pançevë, Serbi, trajnim për edukatorët

Qendra SINHRO është një vend ku qytetarët mund të vijnë dhe të marrin informacion në lidhje me e-shërbimet për të cilat kanë nevojë për mbështetje, duke filluar nga certifikatat elektronike, e-qytetari, regjistrimi, pagesat, regjistrimi, lejet, etj.

Video: Faqja në Facebook e SINHRO

Rezultatet e mira të arritura përmes punës së këtyre 15 e-qendrave të hapura nuk kaluan pa pengesa, pavarësisht se a bëhet fjalë për situatën politike, pandemia e Kovid-19 apo mungesa e vetëdijes dhe mosbesimi i përgjithshëm në institucione. Megjithatë, ata dëshmojnë se bashkëpunimi i ngushtë midis sektorit të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore është çelësi për t’u afruar me qytetarët. Në kushte të lëvizshmërisë së kufizuar fizike dhe një të ardhme të pasigurt sociale, këto organizata u ndihmojnë administratave shtetërore dhe lokale t’i shfrytëzojnë mundësitë digjitale për t’i kryer përgjegjësitë e tyre. Sfidat më të mëdha me të cilat janë përballur qendrat tona elektronike në tetë muajt e fundit kanë qenë fitimi i besimit të qytetarëve dhe krijimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së të dhënave.

Ballkani Perëndimor mund të përfitojë shumë nga zhvillimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). TIK-u krijon gjithnjë e më shumë mundësi për qeveritë që të zhvillojnë strategji më të mira për hartimin e politikave, të formulojnë qasje të reja udhëheqëse dhe ta përmirësojnë efikasitetin dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve. Tani, qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në vendimet e qeverisë dhe në proceset e hartimit të politikave. Ata mund të inkuadrohen edhe në zonat më të largëta, por vëmendje dhe kohë e veçantë duhet t’i kushtohet rritjes së edukimit digjital, si një mjet për barazi. Si përfundim, TIK-u inkurajon qeverisjen e mirë, por është e nevojshme mbështetja nga të gjithë aktorët në shoqëri për t’i përfshirë të gjitha kategoritë e qytetarëve.

Pasi që këto 15 qendra punojnë shpejt për ta sjellë Agjendën Digjitale më pranë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, u dëshirojmë mirëseardhje grantistëve të rinj në Ciklin e skemës së granteve LOT 2: ndarja e granteve për zbatimin iniciativave avokuese për Agjendën Digjitale.

Ndaje: