Niveli i transparencës dhe llogaridhënies që arrihet nga institucionet shtetërore në lidhje me komunikimin me publikun ndryshon. Disa nga organet shtetërore të Maqedonisë së Veriut renditen lart në listën e institucioneve llogaridhënëse, madje renditen edhe si më të mirat në rajon, ndërsa të tjerat janë në fund të së njëjtës listë, pothuajse plotësisht të paarritshme për qytetarët. Ndërsa disa kanë zhvilluar strategji të tëra komunikimi, të tjerat në epokën digjitale në të cilën jetojmë nuk kanë as faqe interneti për të ndarë informacionet themelore. Disa organe ekzekutive nuk ofrojnë as qasje në informatat me karakter publik, gjë që është në kundërshtim me ligjin, madje nuk u përgjigjen as pyetjeve gazetareske, shkruan Meta.mk.

Hapja dhe transparenca e autoriteteve është një nga çështjet kyçe në reformat e administratës publike dhe proceset e integrimit evropian që i zhvillojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithëse rajoni punon formalisht për këto detyra që duhet të na afrojnë me Bashkimin Evropian, megjithatë, ekziston një nevojë e madhe për rregullim sistematik të politikave të hapjes dhe komunikimit, të cilat duhet të vendosen në një bazë afatgjatë për të pasur përfitime konkrete dhe të qëndrueshme për komunitetet dhe shoqërinë.

Ndër institucionet e pushtetit ekzekutiv në rajon, më e hapura është Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila përmbush 82,71 për qind të kritereve të përcaktuara për hapje. Këtë e tregon Vlerësimi i qeverisjes së mirë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes i botuar nga Fondacioni Metamorfozis, qëllimi i të cilit është të matë objektivisht qeverisjen e hapur të institucioneve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo, të dhënat e mbledhura përmes Indeksit të Hapjes Rajonale tregojnë se aktivitetet e hapura dhe transparente të institucioneve ekzistojnë vetëm në nivel individual dhe se nuk ka praktika të vendosura afatgjata të sjelljes, gjegjësisht të rrallë janë shembujt e institucioneve që kanë vendosur rregulla dhe procedura të veprimit publik.

Foto: Glenn Carstens-Peters на Unsplash

Informacione të caktuara për punën e organeve qeveritare nuk mund të merren edhe kur ligji i detyron për këtë.

Qeveria renditet më e mira ndër 50 institucionet e vëzhguara në vend dhe më e hapura në rajon për të tretin vit radhazi. Renditja në krye të listës së institucioneve më të hapura korrespondon me përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të fokusohet në digjitalizimin e proceseve të institucioneve me qëllim të krijimit të sistemeve efikase dhe efektive të menaxhimit të mirë me transparencë dhe llogaridhënie të shtuar. Angazhimet, ndër të tjera, janë rezultat i presionit dhe i kushtëzimit të vendit nga procesi i anëtarësimit në BE, thuhet në Vlerësim.

Këtë vit, hulumtimi përmes Indeksit të Hapjes tregon se rezultati i përgjithshëm i pushtetit ekzekutiv, duke përfshirë edhe Qeverinë, ministritë dhe organet ekzekutive, arrin në 60,93 për qind. Me këtë rast, vlerësim më të lartë kanë treguesit e transparencës (55,65 për qind), ndërsa treguesit e qasshmërisë kanë vlerësimin më të ulët (51,09 për qind). Treguesit e qasshmërisë, në fakt, e vlerësojnë shkallën në të cilën e drejta për qasje në informata garantohet nga ligji dhe në praktikë, si dhe cilësinë e mekanizmave për përfshirjen dhe konsultimin gjatë proceseve të hartimit të politikave.

Siç theksohet në dokument, vlerësimi më i ulët për treguesit e qasshmërisë te pushteti ekzekutiv është, ndër të tjera, për shkak të vonesës së procesit të modernizimit dhe barazimit të faqeve të reja të internetit të ministrive dhe të qeverisë, të cilat do të ofronin mjete të reja digjitale dhe moderne për të lehtësuar transparencën proaktive të çdo institucioni.

Disa nga institucionet nuk kanë adresa të tyre në hapësirën e internetit

Nëse dëshironi të merrni informacion në lidhje me lejet për lundrim në Ohër, me siguri do t’ju duhet të mundoheni të gjeni një numër telefoni ku mund të drejtoheni dhe të bëni pyetje. Kapedania e porteve, e cila i rregullon marrëdhëniet e pjesëmarrësve në lundrimin në brendësi të liqeneve dhe lumenjve, nuk ka faqen e saj të internetit dhe kur e shkruani emrin e saj në një nga kërkuesit në internet, linku i parë që shfaqet do t’ju çojë në faqen e internetit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ku bën pjesë edhe Kapedania.

Megjithatë, edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Transportit janë shënuar vetëm emrat dhe e-mail-et e punonjësve të Kapedanisë së Porteve, pa sqaruar se cili prej tyre në cilin pozicion punon dhe pa numra telefoni të asnjë njësie. Pra, nëse keni nevojë për informacion në lidhje me lejet e lundrimit, do t’ju duhet të dërgoni një e-mail në një nga adresat e përmendura dhe të shpresoni që ai ose ajo të jetë punonjësi/ja që e ka informacionin që ju nevojitet, por gjithashtu të prisni një përgjigje me shkrim.

Qeveria turke synon të censurojë internetin
Ilustrim

Numrin e telefonit të Kapidanisë në fund ndoshta do ta gjeni në profilin në Facebook të këtij organi, por edhe atje Kapedania nuk është shumë “në disponim” për të publikuar informacione. Gjatë vitit që lamë pas, nga shtatori i vitit të kaluar e deri më sot, Kapedania ka ndarë vetëm një postim në Facebook – në janar, kur i shpalli terminet për marrjen e titullit “drejtues i anijes”.

Kapedani e Ohrit është një nga tetë organet ekzekutive të vëzhguara në vend, nga gjithsej 33 organe, që nuk kanë ueb-faqen e tyre. Krahas këtij organipa faqen e tyre në internet janë edhe Shërbimi për Sistemin Hapësinor dhe Informativ, Drejtoria për Zhvillimin dhe Promovimin e Arsimit në Gjuhët e Pjesëtarëve të Komuniteteve, Drejtoria për Farërat dhe Materialin e Farërave, Drejtoria për Ekonomizim me Ujërat, Drejtoria për Mbrojtjen e Bimëve, Drejtoria për Sistemin Hapësinor dhe Informativ, Administratën për Çështjet e Luftëtarëve dhe Invalidëve të Luftës dhe Shërbimi Pedagogjik.

Duke qenë se faqet e internetit janë, në mënyrë legjitime, burimi kryesor i informacionit për punën e institucioneve, si dhe mjeti për qasjen më të shpejtë, më të lehtë dhe më të sigurt, organet ekzekutive që nuk kanë faqe interneti janë në fund të shkallës së përmbushjes së treguesve.

Madje edhe disa nga ato institucione dhe organe që kanë faqe interneti, nuk i përdorin ato për ta informuar publikun për aktivitetet dhe temat në kuadër të fushës së veprimit të tyre. Ka shembuj të institucioneve dhe organeve që nuk i përditësojnë rregullisht faqet e tyre me lajme dhe ngjarje aktuale, me muaj apo edhe vite, si dhe nga ato që japin informacion shumë të shkurtër ose pothuajse aspak për punën e tyre.

Ideja për unifikimin e faqeve të internetit të të gjitha ministrive dhe institucioneve qeveritare dhe për t’i bërë ato më të qassshme për qytetarët, me siguri do të duhet të presë, kurse institucionet si arsye për procesin e ngadaltë në atë drejtim e potencojnë mungesën e parave.

“Ideja e unifikimit të faqeve të internetit të institucioneve shtetërore është diçka që duhet të çojë në atë që jo vetëm i gjithë informacioni të jetë i disponueshëm kudo në të njëjtën mënyrë, por besojmë se me këtë punë do të arrijmë ta ngremë nivelin e përgjithshëm të transparencës dhe disponueshmërisë së informacioneve për të gjitha institucionet. Ky proces është ngadalësuar për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore, e cila i ka ridestinuar mjetet në një drejtim tjetër”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, në ngjarjen ku u promovua Vlerësimi.

Të gjitha pyetjet në një adresë

Shërbimi për Sistemin Informativ Hapësinor, i cili është pjesë e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), është në fund të listës së hapjes sipas përqindjes së përmbushjes së treguesve. Në internet, informacione për këtë organ mund të gjeni në faqen e internetit të MMJPH-së, në kategorinë “Kontakti“, por aty është shënuar vetëm një informacion i kontaktit – ai i drejtorit.

Vetëm një kontakt të përgjithshëm ku qytetarët mund të drejtohen, kanë edhe organe të tjera ekzekutive, si Enti Gjeologjik, Drejtoria për Farërat dhe Materialet e Farërave, Byroja e Metrologjisë, Drejtoria për Mbrojtjen e Bimëve, Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike e shumë të tjera. Nga ana tjetër, informacione të përditësuara të kontaktit për nëpunësit shtetërorë mungojnë në dy ministri – atë për punët e jashtme dhe atë për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive, si dhe në 13 organe ekzekutive.

E përderisa faqet e internetit të Qeverisë dhe të ministrive vlerësohen pozitivisht për rregullsinë e përditësimit të faqeve të tyre, disa nga organet ekzekutive ngecin në këtë drejtim.

Të gjitha ministritë, përveç Ministrisë së Shëndetësisë, i publikojnë biografitë e ministrave, ndërsa rezultatet e organeve ekzekutive janë më të dobëta – vetëm 15 i publikojnë biografitë e drejtorëve të tyre.

Shumica e organeve ekzekutive, gjegjësisht 70 për qind i publikojnë organogramet e institucioneve.

Për më tepër, gjysma e ministrive kanë publikuar programe vjetore të punës, por në të njëjtën kohë, 43 për qind e ministrive nuk kanë publikuar raporte vjetore për punën e tyre. Rezultati në mesin e organeve ekzekutive është edhe më i dobët – 36 për qind e tyre kanë publikuar programe vjetore, ndërsa vetëm 24 për qind kanë publikuar raporte vjetore për zbatimin e këtyre programeve.

Në ueb-faqet e 13 ministrive mungojnë informacionet për rrogat e ministrave, megjithëse është e paqartë pse kjo nuk është bërë kur të dhënat janë publike në ueb-faqen e Qeverisë.

Kuvendi, si dhe shumë organe ekzekutive, nuk kanë publikuar në faqen e tyre as udhëzime për parashtrimin e vërejtjeve dhe ankesave, e as nuk kanë krijuar një kanal të veçantë për peticionet elektronike.

Strategjitë e komunikimit (PR) janë publikuar nga tre ministri – e Mbrojtjes, e Punëve të Brendshme dhe e Financave. Më parë edhe Qeveria e publikoi Strategjinë e komunikimit për periudhën 2019-2020, e cila, në fakt, kontribuoi për vlerësimin e lartë të Qeverisë sipas Indeksit të Hapjes. Strategjia e Komunikimit e Qeverisë që atëherë nuk është përditësuar dhe në pyetjen e Meta.mk nëse dhe kur planifikon ta përditësojë, për ironi, nuk morëm përgjigje.

Informacionet nuk jepet, bile edhe kur këtë e kërkon ligji

Edhe Ligji për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik ofron një bazë të mjaftueshme për të avancuar transparencën proaktive dhe reaktive.

Me ndryshimet e këtij ligji nga viti 2019, u zgjerua dhe saktësua lista e informacioneve që poseduesit e informacionit duhet ta publikojnë në mënyrë proaktive në ueb-faqet e tyre. Në mënyrë që kërkuesit e informacionit të kenë një pasqyrë më të mirë, nga poseduesit do të kërkohet ta publikojnë në faqet e tyre, në një vend, të gjithë listën e informacioneve dhe dokumenteve që sipas ligjit konsiderohen informata me karakter publik, thotë Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre e Qeverisë e ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë.

Foto ilustrim

“Kemi kërkuar nga të gjithë poseduesit e informatave me karakter publik, gjithsej 1.445, që të përgatisin një listë me informacionet më të kërkuara në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Temë e interesit janë çështjet nga të gjitha sferat, kërkuesit anë të interesuar për furnizimet publike, punësimet, mënyrën e pagesës së rrogave. Synimi ynë është që t’i zgjedhim informatat më të kërkuara dhe t’i obligojmë institucionet që t’i publikojnë rregullisht pa pasur kërkesë paraprake nga qytetarët. Me këtë, nga njëra anë, qytetarët do të informohen me shpejtësi në çdo moment, dhe nga ana tjetër do të përmirësohet efikasiteti i institucioneve dhe funksionimi i tyre në mënyrë më efikase në të gjitha segmentet”, tha Gërkovska në ngjarjen në të cilën u prezantua Vlerësimi.

Ueb-faqja e Qeverisë i plotëson plotësisht kriteret për ushtrimin e të drejtës për qasje të lirë, por raporti vë në dukje një dobësi gjithëpërfshirëse që mund të shihet në të gjitha institucionet e pushtetit ekzekutiv, përkatësisht dështimin që në ueb-faqet e tyre t’i publikojnë përgjigjet me të cilat tashmë kanë fituar qasje në informata pas kërkesës së parashtruar.

Dokumenti rekomandon ndjekjen e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe rajonale në lidhje me kohën e pritjes për një përgjigje në lidhje me kërkesën e parashtruar në letër për qasje të lirë në informata, e cila varion nga 7 deri në 15 ditë, dhe se është e nevojshme të ndërhyhet sërish në afatin e parashikuar në Ligjin e Maqedonisë së Veriut, d.t.th. nga 20 ditë, koha e pritjes duhet të reduktohet në maksimum 15 ditë.

Për të vlerësuar kohën e pritjes pas dorëzimit të një kërkese në institucionet e synuara, Fondacioni “Metamorfozis” u dërgoi kërkesa për qasje në informata të gjitha 50 institucioneve të monitoruara, nga të cilat 46 për qind u përgjigjën në kohë.

Katër ministri dhe shtatë organe ekzekutive iu përgjigjën kërkesave sipas afatit ligjor, ndërsa dy ministri dhe shtatë organe ekzekutive nuk iu përgjigjën fare kërkesave për qasje në informata me karakter publik.

Përgjigje me vonesë dhanë Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, e Shëndetësisë dhe ajo e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, ndërsa Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit me Ujërat dhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, nuk iu përgjigjën fare kërkesave.

Disa nga organet, duke përfshirë edhe Kuvendin, ende nuk i kanë publikuar kontaktet e personave që janë përgjegjës për të drejtën e qytetarëve për qasje në informatat me karakter publik.

Për përgjigje prisni, zëdhënësi është në pushime

Një problem tjetër kur kërkohen informata nga institucionet është mospërgjigja në pyetjet e parashtruara nga gazetarët, të cilat kërkojnë përgjigje urgjente. Edhe përvojat e Agjencisë së Lajmeve Meta.mk tregojnë se përgjigjet nga institucionet për disa pyetje vonohen nga disa ditë, e jo rrallë, nuk arrijnë fare.

I tillë është shembulli i komunikimit tonë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, të cilës i kemi dërguar pyetje katër herë gjatë muajit të kaluar, për katër tema dhe ngjarje të ndryshme dhe kemi marrë përgjigje vetëm një herë, por për ta marrë edhe atë, krahas pyetjes së dërguar me e-mail, është dashur të kontaktojmë përmes telefonit me përgjegjësin për marrëdhënie me publikun, si dhe me kabinetin e ministrit Jeton Shaqiri.

Ilustri, thirrje, telefon celular, foto: NordWood Themes/Unsplash
Foto: NordWood Themes/Unsplash

Për pyetjet për të cilat nuk kemi telefonuar për t’jua kujtuar se ua kemi dërguar, ende nuk ka përgjigje.

Sa i përket mospërgjigjeve në pyetjet e parashtruara, ndër të tjera, shpesh herë institucionet arsyetohen me mungesën e zëdhënësve apo rritjen e numrit të obligimeve të punës.

Por, puna nuk mund dhe nuk duhet të varet nga një person, konsideron komunikologu, Bojan Kordallov. Sipas tij, kur institucionet komunikojnë me mediat, pra edhe me qytetarët, nuk është me rëndësi nëse zëdhënësi është në pushime.

“Është e vërtetë se çdo institucion ka person përgjegjës për marrëdhëniet me publikun, i cili do të komunikojë me mediat, e madje edhe nëse nuk ka zëdhënës, çdo institucion formalisht ka sektorë, puna e të cilëve e përfshin edhe informimin e atyre që i paguajnë institucionet, e ata janë qytetarët dhe kompanitë. Dhe për këtë arsye, duhet të krijohet një sistem i thjeshtë – ju pyet media, ju përgjigjeni menjëherë, brenda pak minutash. Jo pas disa orësh, ditësh apo muajsh, por pas disa minutash”, thotë Kordallov.

Siç thotë komunikologu, qytetarët sot nuk kanë kohë, durim apo dëshirë t’i presin informacionet, pasi gjithçka është në dispozicion të tyre menjëherë.

“Për të porositur diçka online, ju duhet një minutë. Për të parë se çfarë po ndodh në pikën më të largët në botë, ju duhen thjesht disa sekonda. Por, për të marrë informacione të natyrës publike – për shembull, sa para janë shpenzuar për një takim të caktuar ose nëse do të ndërtohet një stacion për trajtimin e ujit, etj., ndonjëherë, si media, e me këtë edhe si qytetarë, duhet të prisni me javë. Ee kjo është e pakuptueshme në epokën digjitale. Jeni të detyruar si njësi, si shërbim brenda institucioneve, të përgjigjeni menjëherë”, shton Kordallov.

Disa organe shtetërore nuk kanë as rrjete sociale

Rrjetet sociale kontribuojnë gjithashtu në lehtësimin e komunikimit dhe ndërveprimit me publikun dhe roli i tyre në shoqërinë e sotme globale është i padiskutueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkëmbimin e informacionit, ndërgjegjësimin e publikut për çështjet me interes publik dhe njohjen e qytetarëve me aktivitetet e institucioneve.

Ndaje: