Qytetarët duhet t’i kërkojnë gjithandej të punësuarit e Zyrave për Kontakt me Qytetarët, të cilët janë të angazhuar në orar të caktuar që të sigurojnë komunikim të deputetëve dhe qytetarëve. Portalb.mk i vizitoi 4 zyra në lokacione të ndryshme, gjegjësisht Tetovë, Çair, Karposh dhe Shuto Orizare për të shikuar nga afër si funksionojnë. Sipas asaj që pamë në terren, zyrat në fjalë nuk e respektojnë orarin e punës, ndërkaq disa prej tyre as nuk u përgjigjen thirrjeve telefonike. Qytetarët e kanë vështirë të kontaktojë me përfaqësuesit e deputetëve të cilët do të duhet t’i dëgjojnë hallet dhe nevojat e tyre, e që më pas të njëjtat të dorëzohen në Kuvend për të gjetur zgjidhje të caktuar.

Si funksionojnë?

Zyrat duhet të jenë të hapura për të gjitha çështjet, propozimet dhe iniciativat të cilat dalin nga qytetarët dhe janë në kompetencë të deputetëve të RMV-së. Me ndryshimet e Ligjit për Kuvend, nga viti 2010, puna e këtyre zyrave me qytetarët është pjesë e obligimeve ligjore të çdo deputeti në Kuvend.

Funksionimi i këtyre zyrave është e rregulluar sipas nenit 36 të Ligjit të Kuvendit, sipas të cilit Kuvendi në bashkëpunim me njësitë e vetadministrimit lokal siguron kushte adekuate për realizimin e kontakteve të deputetit me qytetarët në njësinë e tij zgjedhore.

“(2) Çdo ditë e fundit e javës së punës (e premte) caktohet si ditë për kontakte të deputetëve me qytetarët dhe zgjedhësit në njësitë zgjedhore. (3), Kuvendi në ditën e caktuar në paragrafin (2) të këtij neni [e premte] sipas rregullës nuk mban seanca plenare, seanca të trupave punues dhe aktivitete të grupeve të deputetëve për bashkëpunim me parlamentet e shteteve të tjera, përveç në situata urgjente dhe të paanulueshme. ”, thotë paragrafi 2 dhe 3 i nenit 36.

Mjetet për realizimin e kontakteve të deputetëve me qytetarët sigurohen nga mjetet e Buxhetit të Kuvendit të RMV-së për çka miraton akt Këshilli buxhetor i Kuvendit.

ueb-faqen e Kuvendit është e publikuar një hartë interaktive, në të cilën janë të treguara 34 lokacione, me të dhënat për zyrat përkatëse. Në përshkrimin e zyrës jepen të dhëna për emrin e partisë, deputetit, personit për kontakt, telefonit, orarit të punës dhe adresës. Sipas verifikimit tonë, të gjitha zyrat kanë përshkrime me të dhëna të plota.

Harta e lokacioneve të zyrave për kontakt me qytetarët
Harta e lokacioneve të zyrave për kontakt me qytetarët

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se nuk ekzistojnë raporte kualitative dhe kuantitative për efektet që i kanë këto takime.

“Deputetët janë të obliguar për secilën ditë të fundit të javës të jenë në kontakt me elektoratin e tyre, përmes pranisë fizike dhe qasjes në njësinë e vetëqeverisjes lokale nga e cila ato janë zgjedhur në funksionin e deputetit. Në dispozicion janë edhe informatat për kontaktet dhe lokacionet e zyrave lokale për kontakt me qytetarë, por nuk ekziston raport kualitativ ose kuantitativ për efektet e këtyre takimeve. Raporti Deputeti im duhet të përmbajë edhe informatë për numrin e takimeve që i ka pasur deputeti përmes zyrave për kontakt me qytetarët, pyetjet që i kanë parashtruar qytetarët dhe nëse është ndërmarrë aktivitet lidhur me shqetësimin për të cilin qytetarët i janë drejtuar deputetit të tyre”, thuhet në publikimin e “Metamorfozis”, bazuar në rezultate të vitit 2021, “Vlerësimi i qeverisjes së mirë në Maqedoninë e Veriut dhe rajon nëpërmjet indeksit të hapjes”, i cili rekomandon që Kuvendi ta përmirësojë komunikimin me qytetarët dhe ta rrit besimin në këtë institucion.

Zyrat në orar të punës, mbyllur!

  • Tetovë

Më 19 shtator, gazetari i Portalb.mk pas orës 13:00, ka vizituar zyrën në Tetovë, por e njëjta ka qenë e mbyllur. Gazetari ka kontaktuar me të punësuarën dhe e njëjta ka treguar se për arsye personale ka dalë pak më herët nga puna, por se zyra është e hapur çdo ditë pune në orar prej 09:00 deri në 14:00.

Gazetari ka vizituar një ditë vonë sërish zyrën, gjegjësisht më 20 shtator rreth orës 09:30, dhe këtë herë e punësuara ishte në zyrë.

Zyra për kontakt me qytetarët - Tetovë
Zyra për kontakt me qytetarët – Tetovë/foto: Portalb.mk

Sipas të punësuarës, qytetarët më së shumti vijnë për punësim, por shpesh ndodh që aty të vijnë të pyesin edhe për gjera për të cilat nuk janë nën kompetencë të tyre, gjegjësisht për çështje të ndryshme komunale.

“Zyra për komunikim me qytetarët është e hapur prej orës 09 deri në ora 14:00. Ne gjendemi në objekt të komunës dhe shpesh qytetarët vijnë pyesin edhe për çështje komunale. Më së shumti qytetarët vijnë për punësime, kanë probleme me urbanizmin, ekologjinë dhe unë i udhëzojë se ku duhet të shkojnë. Në ditë vijnë, 2-3 qytetarë. Mbajmë evidencë, çdo muaj dorëzojmë raport në Parlament. Pra kur vijnë qytetarët, pavarësisht cili është problemi i tyre i dorëzojmë”, tha e punësuara për Portalb.mk.

Raporti vjetor i Zyrës në Tetovë për vitin 2022/foto: Portalb.mk
Raporti vjetor i Zyrës në Tetovë për vitin 2022/foto: Portalb.mk
  • Çair

Më 21 shtator në ora 9:30 deri në ora 10:00, gazetari i Portalb.mk vizitoi zyrën që ndodhet në objektin e Komunës së Çairit. Përpara zyrës, nuk kishte tabelë informuese se zyra përkatëse është për qëllim të kontaktit të qytetarëve me deputetin.

Dy personat e angazhuar të cilët do të duhej të ishin në këtë zyrë prej orës 09 deri në ora 13:00, gjegjësisht 14:00, nuk ishin.

Zyra për kontakt me qytetarët - Çair/foto: Portalb.mk
Zyra për kontakt me qytetarët – Çair/foto: Portalb.mk

Portalb.mk tentoi t’i kontaktojë nëpërmjet numrit të telefonit. Njëri prej tyre nuk e hapi fare telefonin, ndërkaq tjetri tha se nuk është i punësuar aty prej muajit mars, por në një institucion tjetër, pra Kuvendi nuk i ka hequr të dhënat e tij prej ueb-faqes. Në vend të tij, kishte një të punësuar prej një subjekti tjetër politik, megjithatë për atë nuk kishte të dhëna zyrtare në ueb-faqen e Kuvendit dhe nuk arritëm të gjejmë kontakt.

Disa prej të punësuarve në Komunën e Çairit, në bisedë joformale me gazetarin e Portalb.mk, thanë se zyra nuk funksionon rregullisht dhe nuk e dinë se çfarë ndodh me këtë zyrë.

  • Karposh

Ekipi i Portalb.mk ishte në këtë zyrë më 21 shtator rreth orës 10:30.

Pavarësisht se kjo zyrë në këtë orar duhet të ishte e hapur, dyert e saja ishin të mbyllura.

Zyra për kontakt me qytetarët - Karposh/foto: Portalb.mk
Zyra për kontakt me qytetarët – Karposh/foto: Portalb.mk

Problem shtesë i kësaj zyre është lokacioni i saj, gjegjësisht ndodhet në mbikalim në të cilin ashensorët nuk punojnë. Pra, është e pamundshme qasja për personat me aftësi ndryshe.

Zyra për kontakt me qytetarët - Karposh/foto: Portalb.mk
Zyra për kontakt me qytetarët – Karposh/foto: Portalb.mk

Portalb.mk kontaktoi me të punësuarin i cili do të duhej të ishte te zyrë prej orës 09, por i njëjti nuk e hapi menjëherë telefonin. Pas rreth 20 minutave, i punësuari e thirri në telefon gazetarin e Portalbit dhe tha se nuk do të jetë në zyrë 2 ditë pasi që do të jetë në seancë të këshillit komunal.

  • Shuto Orizare

Më 21 shtator, rreth orës 12 e gjysmë ekipi i Portalb.mk ishte në Komunën e Shuto Orizares, për ta parë se si funksionon zyra e cila duhet të jetë e hapur prej 09:00 deri në 14:00.

Komuna Shuto Orizare, foto Portalb.mk
Komuna Shuto Orizare, foto Portalb.mk nga dita e vizitës

Disa prej të punësuarve në Komunën e Shuto Orizares, thanë se Zyra ndodhet në hapësirat e komunës, por nuk e lejuan gazetarin e Portalb.mk ta fotografojë.

Në bisedë joformale me disa të punësuar të Komunës, ata treguan se nuk kanë kontakte me personin përkatës dhe nuk e dinë ku është dhe kur vjen, pasi disa javë nuk e kanë parë.

Portalb.mk, tentoi të kontaktojë nëpërmjet numrit të telefonit i cili është i publikuar në ueb-faqen e Kuvendit, por telefoni i të punësuarit, ishte i fikur.

Kuvendi me statistika për rezultatin e zyrave për komunikim deputet-qytetar

“Kuvendi në vazhdimësi përgatitet dhe ndërmerr hapa në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes lokale, BNJVL dhe me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për sigurimin e kushteve hapësinore për hapjen edhe të zyrave të mbetura në pajtueshmëri me ligjin”, thonë për Portalb.mk nga Kuvendi i RMV-së.

Sipas të dhënave të Kuvendit, nga 75 zyrat e miratuara, në periudhën prej vitit 2018-të deri në vitin 2020 kanë qenë të hapura 46 zyra, ndërkaq në përbërjen aktuale parlamentare (2020-2024) deri më 1 shtator të këtij viti janë hapur 49 zyra.

Të dhënat që na i dorëzoi Kuvendi tregojnë se prej vitit 2018-të deri në shtator të vitit 2022, në në të gjitha zyrat e vendit janë regjistruar mbi 16.000 vizita, 5.000 raste janë zgjidhur, janë dorëzuar 460 pyetje deputetësh, janë ngritur në Kuvend 146 iniciativa qytetare dhe janë regjistruar 3.603 ngjarje për përfshirjen e qytetarëve.

Nga Kuvendi nuk shpjeguan mënyrën e inkorporimit të propozimeve në vendimet e Kuvendit.

Lokacionet e 49 zyrave të hapura deri në shtator 2022 janë në komunat: Tetovë, Resnjë, Aerodrom, Gostivar, Koçan, Ohër, Shtip, Radovish, Prilep, Negotinë, Veles, Kavadar, Shuto Orizarë, Demir Hisar, Dellçevë, Dibër, Çair, Strumicë, Sveti Nikole, Negotinë, Manastir, Vasilevë, Vinicë, Karposh, Gjevgjeli, Bogdanci, Mavrovë dhe Rostushe, Gjevgjeli, Kisella Vodë, Kërçovë, Gjorçe Petrov, Pllasnicë, Tearcë dhe Gazi Babë.

Deputetët të parregullt në vizita me qytetarët

Udhëheqësja e qendrës për mbështetje parlamentare dhe demokratizim në Institutin për Demokraci Societas Civilis – Shkup (IDSCS), Vlora Reçica, e cila ndër vite vëzhgon punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, thotë se deputetët nuk janë të rregullt në përmbushjen e obligimit të tyre ligjor që të takohen me elektoratin e tyre një herë në javë, gjegjësisht ditën e premte.

Vlora Reçica, hulumtuese në Institutin për Demokraci "Societas Civilis"
Vlora Reçica, hulumtuese në Institutin për Demokraci “Societas Civilis”

“Fatkeqësisht, jo (nuk janë të rregullt). E para, për shkak se jo gjithë deputetët i kanë zyrat e tyre lokale në njësitë zgjedhore nga vijnë. E dyta, për shkak të mungesës së kalendarit kuvendor, ku seancat parlamentare do të caktohen javë më parë, shpesh ndodh që deputetët të premteve të jenë në Kuvend në Shkup, në vend se në zyrat e tyre lokale. Të dy këto probleme janë të zgjidhshme, nëse ekziston vullnet për reformë në Kuvend sa i përket kalendarit kuvendor, dhe nëse aktivizohen të gjitha zyrat e deputetëve”, thotë Reçica.

Sipas sondazhit, Reçica shpjegon se qytetarët më së shumti preferojnë forma direkte të kontaktit me deputetët e tyre. Përqindja më e madhe e të anketuarve (26%) besojnë se deputetët duhet të informojnë qytetarët e rajonit të tyre përmes takimeve me qytetarë në vende publike. 21% mendojnë se duhet të informohen përmes mediave, 18% përmes takimeve në zyrat e deputetëve, ndërsa 17% mendojnë se deputetët duhet ta bëjnë këtë përmes paraqitjeve publike. 15% mendojnë se rrjetet sociale janë një kanal i përshtatshëm për informimin e qytetarëve.

Propozimi i saj është që të ketë edhe më shumë zyra se sa që ka aktualisht.

“Definitivsht, duhet të aktivizohen të gjitha zyrat për kontakt me qytetarët, si dhe e premtja të rezervohet ekskluzivisht për këtë aktivitet. Për më tepër, deputetët mund të jenë kreativ, dhe të organizojnë tribuna publike dhe takime me qytetarët, ku do të dëgjojnë problemet, propozimet dhe idetë e tyre”, shtoi Reçica.

  • Qytetarët mendojnë se Kuvendi është i mbyllur

Sipas anketës të Institutit për Demokraci për perceptimin e qytetarëve për punën e Kuvendit në kuadër të Programit për Mbështetje Parlamentare (PMP), më shumë se gjysma e të anketuarve (59%) besojnë se Kuvendi është plotësisht ose pjesërisht i mbyllur për publikun, që është një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2021 (55%), përkatësisht 10 pikë të përqindjes krahasuar me vitin 2020 (49%). Ky perceptim, thotë Reçica, ndër të tjera, është për shkak të mbylljes së Kuvendit për publikun për shkak të pandemisë Kovid 19 dhe nevojës për masa mbrojtëse, të cilat kufizojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e Kuvendit në fushën online.

Pothuajse gjysma e të anketuarve (54%) mendojnë se deputetët janë të mbyllur për vërejtjet e publikut dhe organizatave të shoqërisë civile gjatë hartimit të ligjeve. Prej tyre, 28% mendojnë se vërejtjet rrallë përfshihen, ndërsa 26% besojnë se ato injorohen plotësisht nga deputetët.

Të anketuarve u janë lexuar emrat e deputetëve të zgjedhur nga njësia e tyre zgjedhore / komuna / rajoni. Kështu, për një të tretën e qytetarëve (38%) emrat e deputetëve nga njësia e tyre zgjedhore / komuna / rajoni ishin të panjohura. Kur u pyetën nëse dinë kush janë përfaqësuesit e zgjedhur të njësisë zgjedhore / rajonit / komunës së tyre në Kuvend, më shumë se dy të tretat e të anketuarve (58%) u përgjigjën pozitivisht.

Sipas hulumtimit të Institutit Ndërkombëtar Republikan të zbatuar në nëntor dhe dhjetor të vitit 2021, vetëm 3% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim në këtë institucion. “Deri diku”, Kuvendit i besojnë 27%, derisa 33% “në masë të madhe, nuk i besojnë”. Kur bëhet fjalë për hapjen e Kuvendit për pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e tyre,

Sipas rezultatit të matjes së Indeksit të hapjes “ActionSEE” për vitin 2021, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka rezultat të përgjithshëm prej 71.89%. Për transparencë, hapje ka 54.36%, qasje 61.52%, ndërgjegjësim 51.11% dhe integritet 57.63%.

Link deri tek origjinali: RMV, zyrat për komunikim të deputetëve me qytetarët, mbyllur në orar të punës (Infografik) – PORTALB

Ndaje: