Rrjeti Ballkanik për Luftën kundër Dezinformatave publikoi një komunikatë mbështetëse për medien kroate për verifikimin e fakteve Faktograf.hr, punonjësit e të cilës u kërcënuan me vdekje, ndërsa ueb-faqja e tyre pësoi një sulm masiv kibernetik që e dëmtoi funksionimin e saj.
Kjo valë e fundit e sulmeve kundër verifikuesve të fakteve, e cila filloi më 10 dhjetor, e zgjeron fushatën e vazhdueshme të njollosjes, e cila synon të njollosë medien dhe të minojë besimin në gazetarinë profesionale, element integral i së cilës është verifikimi i fakteve.
Rasti i sulmeve kundër Faktograf.hr e pasqyron realitetin e përditshëm të organizatave të pavarura dhe profesionale gazetareske në Evropën Juglindore. Realitet është ky: të gjithë, në nivele të ndryshme, janë objektiv i përpjekjeve të ngjashme për shpifje dhe frikësim për shkak të punës së tyre për demaskimin e dezinformatave dhe fillimin e debatit publik për burimet dhe kanalet e tyre të shpërndarjes.
Duke pasur parasysh se krimi kibernetik, ngacmimi në internet, duke përfshirë kërcënimet me vdekje dhe gjuhën e urrejtjes janë vepra të rënda penale sipas ligjit kroat, që është në përputhje me kornizën rregullatore të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, Rrjeti Ballkanik për Lufta Kundër Dezinformatave u bën thirrje autoriteteve kroate për zbatimin e ligjit dhe gjyqësorit t’i hetojnë dhe t’i ndëshkojnë veprat e dyshuara penale, duke siguruar me këtë rast mbrojtje për gazetarët e rrezikuar dhe punonjësit e tjerë të Faktograf.hr.
Si nënshkrues i autorizuar i Kodit të Parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve, Faktograf.hr i nënshtrohet procedurave të rrepta vetërregulluese sipas të cilave është morale t’i përmbahen standardeve të larta për cilësinë e gazetarisë profesionale dhe transparencën. Përveç kësaj, një numër organizatash vendase dhe ndërkombëtare për lirinë e mediave i kanë dënuar sulmet e pajustifikuara, duke përfshirë edhe Sindikatën e Gazetarëve dhe Profesionistëve të Medias të Kroacisë, Federatën Evropiane të Gazetarëve, si dhe organizata të tjera të verifikimit të fakteve.
Rrjeti Ballkanik për Luftën kundër Dezinformatave (antidisinfo.net) është një rrjet i krijuar nga dhjetë organizata kryesore mediatike nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia për të promovuar bashkëpunimin ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, mediave, institucioneve arsimore dhe të gjithë aktorëve të tjerë përkatës, në mënyrë që të formohet një front i gjerë për luftën kundër dezinformatave nëpërmjet afirmimit të standardeve më të larta të verifikimit të fakteve dhe të gjitha parimeve të tjera etike të gazetarisë profesionale, si dhe promovimit të edukimit mediatik dhe të menduarit kritik.
Rrjeti Ballkanik për Luftën kundër Dezinformatave u themelua nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut); Faktoje.al (Shqipëri); Journalists About Journalism (JAJ), Peace Journalism Lab, Qendra për Rrjetin e Komunikimit Digjital në Evropën Juglindore, Ellenika Hoaxes (Greqi), Istinomer (Serbi); Internews Kosova, Crno beli svet (CBS) (Kosovë); Fondacioni BlueLink (Bullgari).
Ndaje: