Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut organizoi një forum të hapur për diskutim për liri më të mëdha në internet dhe të drejta digjitale, në të cilin morën pjesë dy përfaqësuese të Fondacionit Metamorfozis – Vesna Radinovska dhe Marijana Jançeska. Ngjarja u mbajt më 20 dhjetor 2022 në Qendrën Socio-Kulturore.

Përfaqësuesit e Fondacionit Metamorfozis u përfshinë në diskutimin në panel mbi gjendjen për mbrojtjen e të drejtave digjitale dhe lirive në internet. Marijana Jançeska foli për platformën www.digitalfirstaid.mk.

Ndihma e parë digjitale është produkt i bashkëpunimit mes RaReNet(https://www.rarenet.org/) dhe CiviCERT. Versionet në gjuhën maqedonase dhe shqipe të këtij produkti janë bërë me mbështetjen e Projektit Information Safety & Capacity (ISC).

Rrjeti i Reagimit të Shpejtë (Rapid Response Network) është një rrjet ndërkombëtar i reagimit të shpejtë dhe kampion për sigurinë digjitale, i cili përfshin EFF, Global Voices, Hivos & the Digital Defenders Partnership, Front Line Defenders, Internews, Freedom House, Access Now, Virtual Road, CIRCL, Open Technology Fund, Greenhost si dhe ekspertë individualë të sigurisë që punojnë në fushën e sigurisë digjitale dhe reagimit të shpejtë.

Ndihma e Parë Digjitale është një burim falas për t’i ndihmuar personat që ndihmojnë në situata urgjente, trajnerët e sigurisë digjitale dhe aktivistët me ekspertizë teknike që të mbrojnë më mirë veten dhe komunitetet që i mbështesin kundër llojeve më të zakonshme të problemeve digjitale. Mund të përdoret gjithashtu edhe nga aktivistë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, blogerë, gazetarë ose aktivistë mediatikë që duan të mësojnë se si të mbrohen dhe si t’i ndihmojnë të tjerët.

Vesna Radinovska foli për projektin “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i një ekosistemi digjital gjithëpërfshirës”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, në kuadër të të cilit bëhet analiza e shërbimeve publike elektronike në dispozicion dhe vlerësimi nëse dhe në çfarë mase ofrimi i tyre është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Megjithëse ky hulumtim ishte i fokusuar në sektorin publik dhe shërbimet publike, shumica e rekomandimeve të dala prej tij janë të zbatueshme edhe për bizneset, e madje edhe për organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë shërbime elektronike. Këto rekomandime mund të përdoren edhe si udhërrëfyes për përdoruesit e shërbimeve, përkatësisht qytetarët, në mënyrë që ata të vlerësojnë nëse dhe sa shërbimi që e përdorin përmban informata për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.

Ofruesit e shërbimeve elektronike duhet:

  • Të japin informacion të qartë për procesin e regjistrimit, kategoritë të dhënave personale që kërkohen minimalisht për të mundësuar regjistrimin e një profili të përdoruesit, në mënyrë që subjektet/përdoruesit, të informohen për përpunimin e të dhënave personale edhe para se të fillojnë të krijojnë profilin e tyre të përdoruesit. Përveç kësaj, të shtohet pëlqimi për përpunimin e të dhënave personale të nevojshme për regjistrimin e profilit të përdoruesit si fushë e detyrueshme gjatë regjistrimit, si dhe informacioni se si përdoruesi mund të tërheqë pëlqimin e dhënë më parë.
  • Të analizojnë se në cilat raste ato kanë angazhuar përpunues (për shembull, një kompani që e mirëmban softuerin, kompani që e kryen dorëzimin, etj.). Detyrimisht duhet të publikohet informacioni nëse gjatë zbatimit të shërbimit digjital, të dhënat personale të qytetarëve përpunohen edhe nga një person tjetër juridik ose nëse ato ndahen me përdorues të tjerë.
  • Të zhvillojnë politika të privatësisë. Politika e privatësisë është një nga mjetet kryesore për harmonizimin me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë duhet të shfrytëzohet maksimalisht për njoftimin e subjekteve të të dhënave personale në përputhje me ligjin. Politika e privatësisë duhet të publikohet, në mënyrë ideale, në të njëjtin vend ku është i disponueshëm edhe vetë shërbimi digjital, në mënyrë që qytetarët ta lexojnë atë përpara se ta përdorin shërbimin digjital.
  • Të emërojnë Zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale. Të gjitha autoritetet shtetërore dhe një numër i madh i kompanive private kanë detyrimin të caktojnë Zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa informacionet për zyrtarin duhet të publikohen në ueb-faqe. Institucionet detyrimisht duhet të publikojnë adresën dhe numrin e telefonit për kontakt të Zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale për të siguruar komunikim të drejtpërdrejtë të qytetarëve për të gjitha çështjet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale. Ta forcojnë rolin e Zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të krijojnë kushte që Zyrtari të mund ta kryejë pa probleme rolin e tij. Mendimi i Zyrtarit është vendimtar në të gjitha proceset e punës në të cilat përpunohen të dhënat personale, e veçanërisht në ato ku futen shërbime krejtësisht të reja ose procese krejtësisht të reja.
  • Të përfshijnë informacion në ueb– faqet e tyre dhe në Politikat e tyre të privatësisë se si i respektojnë parimet e konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë së të dhënave personale, si dhe për atë se cilat masa i marrin për sigurinë e të dhënave personale të nevojshme për realizimin e shërbimeve digjitale.
  • Të miratojnë procedurë për ushtrimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave personale gjatë përdorimit të shërbimeve digjitale, të përcaktojnë dhe të publikojnë formularë për parashtrimin e kërkesës për ushtrimin e të drejtave dhe t’i përfshijnë të gjitha të drejtat që zbatohen për secilin shërbim digjital veç e veç.
  • T’i zbatojnë protokollet e detyrueshme të sigurisë në faqet e tyre të internetit, por edhe në faqet individuale ku shërbimet apo mjetet digjitale janë të disponueshme për qytetarët.
  • T’i skenojnë ueb-faqet dhe të përcaktojnë se cilat kuki i mbledhin, të përgatisin Politikë të kukive me një listë të kukive dhe periudhat e ruajtjes së tyre. Opsioni për pranimin ose për refuzimin e kukive duhet patjetër të integrohen në ueb-faqe.
  • T’i analizojnë aktet që i kanë miratuar në përputhje me Ligjin e vjetër për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të kryejnë një analizë të rrezikut dhe t’i miratojnë aktet e brendshme të nevojshme për ta harmonizuar punën e tyre me dispozitat e Ligjit të ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ngjarja ishte një mundësi e shkëlqyer për publikun që të njihet më hollësisht me rëndësinë e të drejtave dhe lirive digjitale dhe aktivitetet që mund t’i zbatojë për t’i mbrojtur ato.

Ndaje: