Më 30 nëntor 2020 (e hënë), Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, organizoi një trajnim një-ditor online për nëpunësit shtetërorë për t’u njohur me temat që lidhen me Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor. Agjenda Digjitale është një iniciativë e zhvilluar nga Bashkimi Evropian, e cili gjithashtu është zgjeruar dhe miratuar edhe për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka për qëllim të sigurojë se qytetarët e rajonit do t’i shfrytëzojnë përfitimet e transformimit digjital. Përkushtimi ndaj agjendës digjitale do të sigurojë që qytetarët t’i kenë aftësitë për t’i përmbushur kërkesat e ekonomisë së re dhe do të ndihmojë për modernizimin e administratave publike, forcimin e sigurisë në internet, rritjen e lidhshmërisë, si dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.

 

Trajnimi kishte për qëllim njohjen e nëpunësve shtetërorë nga ministritë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me temat që lidhen me Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor dhe praktikat e mira nga Estonia në lidhje me mundësitë e zhvillimit të kapaciteteve dhe vizionet e nevojshme për Agjendën Digjitale në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal, si dhe lehtësimin e rrjetëzimit dhe bashkëpunimit në arritjen e qëllimeve që dalin prej saj.

Në trajnim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Në trajnim u diskutua për Agjendën Digjitale si një iniciativë kryesore në proceset e transformimit digjital të Ballkanit Perëndimor, e-shërbimet elektronike, aftësitë digjitale, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe për mënyrën se si sektori i shoqërisë civile mund të jetë një aleat shumë i mirë në transformimin digjital.

Konkluzionet e përgjithshme të trajnimit mund të përmblidhen në punën për ngritjen e kapaciteteve të administratës për t’u përshtatur me transformimin digjital dhe edukimin digjital të popullsisë për të qenë në gjendje t’i përdorë më lehtë përfitimet e transformimit digjital, por edhe për të qenë më kompetent dhe konkurrues në tregun e punës. U konkludua se institucionet në nivelin lokal dhe kombëtar punojnë me kapacitete të ndryshme të TI-së dhe të burimeve njerëzore dhe financiare të cilat, jo gjithmonë, por shpesh, kontribuojnë në cilësinë e pabarabartë të shërbimeve të ofruara. Kur bëhet fjalë për burimet me të cilat disponojnë institucionet, shtrohet pyetja nëse ato janë shpërndarë dhe përdorur mirë, dhe nëse mund të ketë pasur nevojë për një plan më të mirë për përdorimin e tyre (si shembull u përmend përdorimi i Windows-it, i cili sipas disa përfaqësuesve të institucioneve është më pak i sigurt dhe shumë më i ndjeshëm ndaj sulmeve kibernetike, se sa Linux-i).

Përfundimi i mëtejshëm ishte se megjithëse legjislacioni është kryesisht në përputhje me legjislacionin e BE-së, ai nuk e ndjek gjithmonë progresin teknologjik. Ndërveprimi (interoperabiliteti) gjithashtu u veçua si një sfidë e madhe dhe u sugjerua të krijohej një Qendër e vetme e të dhënave ku institucionet mund t’i shkëmbenin të dhënat nga bazat e tyre të të dhënave. Konkluzioni përfundimtar ishte se duhet të punojmë në ndërtimin e besimit të ndërsjellë midis sektorit të shoqërisë civile dhe institucioneve, në mënyrë që të arrihen risi më efektive që do të përqendrohen te qytetari.

 

Trajnimi është pjesë e projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i cili është i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në 6 vende (Maqedoninë e Veriut, Serbi, Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Estoni). Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: