Më 31 maj të vitit 2022 në Shkup, u mbajt konferenca “Përballja me dezinformatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në organizim të Fondacionit Metamorfozis, kushtuar ndërtimit të një qasjeje shumësektoriale për zgjidhjen e problemit me dezinformatat përmes angazhimit të përbashkët të institucioneve shtetërore, mediave të pavarura, organizatave të shoqërisë civile, bashkësisë akademike dhe sektorit privat.

Konferencën e hapi presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili tha: “Filtrimi i opinioneve personale dhe atyre të kundërta kontribuon në rrënjosjen e paragjykimeve dhe vlerave të caktuara, gjë që e rrit mosbesimin dhe i thellon ndarjet në shoqëri.” Pendarovski në fjalën e tij shtoi se dezinformatat synojnë të krijojnë frikë dhe se problemi më i madh që i shkaktojnë dezinformatat është numri në rritje i dyshimeve në opinionin e shkencës dhe njohurive të ekspertëve që e vë në pikëpyetje të vërtetën objektive në nivel global.

Foto: Vanço Xhambaski, CC BY-NC-SA 2.0

Në fjalimin e tij hyrës me video, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u zotua se Qeveria, dhe ai personalisht, do t’i konsiderojë të gjitha rekomandimet nga konferenca si një kontribut thelbësor në krijimin e një qasjeje shumësektoriale për reagimin adekuat ndaj kërcënimeve dhe pasojave të shkaktuara nga dezinformatat.

Foto: Vanço Xhambaski, CC BY-NC-SA 2.0

Vukashin Petroviq, drejtues i programit të Fondit për Qasje në Informacion, Instituti DT, në fjalimin e tij iu referua ndikimit rus në përpjekjet për të shkatërruar vlerat demokratike evropiane. “Pavarësisht se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, Rusia ka arritur ta minojë agjendën demokratike që supozohej të ndodhte në dekadat e ardhshme,” tha Petroviq.

Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova Panovska, tha se dezinformatat janë pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim. Ajo theksoi se përhapja e dezinformatave po bëhet një rrezik në rritje për sigurinë e shteteve dhe të institucioneve, e me këtë edhe për sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre. “Dezinformatat përparojnë më së shumti në mjedise që tashmë janë tronditur nga konfliktet e brendshme dhe ku besimi shoqëror dhe publik po luftojnë për t’i kapërcyer ndarjet politike, rajonale, etnike, fetare ose të tjera” – tha Karanfillova Panovska.

Foto: Vanço Xhambaski, CC BY-NC-SA 2.0

Drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, në fjalën e tij tha se tek ne që nga viti 2010 kur janë verifikuar mediat dhe të gjitha burimet e informacionit, vërehet se ka tendenca të cenimit të qeverisjes demokratike. “Rajoni dhe vendi ynë janë një terren shumë pjellor për teoritë konspirative. Ne kemi parë se duhet të punojmë shumë për të krijuar një masë kritike të njerëzve që kanë njohuri për t’i njohur burimet jo të besueshme, propagandën, lajmet e rreme dhe të kenë aftësi të të menduarit kritik që disi të mundësojnë që shoqëria jonë të bëhet imune ndaj ndikimeve të huaja” – Jashari.

Ai theksoi se lufta ndaj këtyre “valëve” që po vijnë, sa herë që zhvillohet ndonjë proces i rëndësishëm politik, duhet të rregullohet në bashkëpunim me institucionet qeveritare.

Foto: Vanço Xhambaski, CC BY-NC-SA 2.0

Ngjarja përbëhej nga dy sesione pune. Në sesionin e parë, folësit i prezantuan dhe diskutuan rezultatet e hulumtimeve aktuale mbi situatën për të kuptuar më mirë kontekstin. Në sesionin e parë folën Katarina Sinadinovska, kryetare e Këshillit Drejtues, Këshilli për Etikë në Media – KEMM, Gjorgji Mitrevski, hulumtues, Andreja Stojkovski, drejtor ekzekutiv i Institutit Prespa, Rosana Aleksoska, menaxhere e projektit “Lufta kundër narrativave të rreme”, Asociacioni qytetar “MOST”, kurse sesionin e moderoi Filip Stojanovski, Drejtor për Partneritete dhe Zhvillimit të Burimeve në Fondacionin “Metamorfozis”.

Foto: Vanço Xhambaski, CC BY-NC-SA 2.0

Folësit në sesionin e dytë – Marjan Zabërçanec, Koordinator Nacional për Ballkanin e Hapur dhe për Iniciativat Rajonale në Qeverinë e RMV-së, Dragan Sekullovski, Drejtor Ekzekutiv, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë – SHGM-së, Mihajllo Llahtov, Drejtor i Projektit për Media të USAID-it, Xhabir Deralla, Kryetar i CIVIL, diskutuan për rekomandimet dhe hapat e ardhshëm të aktorëve të ndryshëm shoqërorë për të kundërshtuar bashkërisht ndikimet e dëmshme të drejtuara kundër zhvillimit të demokracisë dhe proceseve integruese. Sesioni u moderua nga Elida Zylbeari, redaktore e “Portalb”-it.

Foto: Vanço Xhambaski, CC BY-NC-SA 2.0

Në ngjarje u prezantuan edhe rekomandimet që Fondacioni “Metamorfozis” i propozon si bazë për veprime të përbashkëta shoqërore për adresimin e këtij problemi, të marra si rezultat i procesit të hulumtimit dhe analizës së të dhënave në kuadër të aktiviteteve për luftën kundër dezinformatave.

Konferenca ofroi një platformë për diskutim ndërmjet palëve të interesuara që punojnë për zhvillimin e demokracisë duke i luftuar dezinformatat dhe duke e avancuar lirinë e shprehjes, duke u mundësuar atyre të rrjetëzohen dhe t’i ndajnë përvojat.

Foto: Vanço Xhambaski, CC BY-NC-SA 2.0

Pjesëmarrësit ranë dakord se ekziston nevoja për një veprim të gjerë shoqëror përmes të cilit të gjithë aktorët, brenda kompetencave dhe autorizimeve të tyre, do të mund të kontribuojnë në zgjidhjen e sfidave të shkaktuara nga ndikimet e huaja antidemokratike, duke i zbatuar reformat që janë pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe keqkuptimet që e penguan aktivitetin e përbashkët mes aktorëve nga vendi.

Si një nga hapat e parë drejt krijimit të një qasjeje të tillë, përfaqësuesi i Qeverisë së RMV-së, Marjan Zabërçanec, vuri në dukje iniciativën për krijimin e Strategjisë Kombëtare për Ballafaqimin me Dezinformatat, e cila doli nga procesi konsultativ që çoi në këtë konferencë. Drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski më tej theksoi se ndërtimi i politikave publike në këtë fushë duhet të vazhdojë përmes një procesi gjithëpërfshirës të bazuar në një debat të gjerë publik përmes të cilit do të tejkalohen sfidat e llojeve të ndryshme.

Konferencën e plotë mund ta shikoni më poshtë:

https://www.facebook.com/watch/live/?ref=external&v=1076663742933938

Ndaje: