Me publikimin e Votëmatësit, Fondacioni “Metamorfozis” nga Shkupi, në bashkëpunim me shoqatat qytetare “Zashto ne” nga Sarajeva dhe LiNet nga Beogradi, e vazhdon iniciativën rajonale për zbatim të teknologjive të reja për edukim të votuesve dhe transparencë më të madhe të subjekteve politike, e përkrahur nga fondacioni joprofitabil amerikan NED, i financuar nga Kongresi i SHBA-ve, si pjesë e përpjekjeve për zhvillim të demokracisë në rajon.
Si funksionon Votemates.mk?
Gjatë disa javëve të kaluara, të gjitha partitë politike në Maqedoni, morën ftesë që të përgjigjen në një pyetësor të thjeshtë, dhe në këtë mënyrë t’i njoftojnë qytetarët me qëndrimet, mendimet dhe qëllimet e tyre. Pjesa më e madhe e subjekteve kryesore politike e shfrytëzuan këtë mundësi për kontakt transparent me elektoratin dhe përgjigjet e tyre janë futur në sistem.
Çdo shfrytëzues i internetit mund ta plotësojë këtë pyetësor, me ç’rast sistemi u ofron t’i krahasojnë përgjigjet e tyre me ato të partive, si dhe të kuptojnë shumë më tepër për qëndrimet e tyre të deklaruara për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me politikat publike në fushat kryesore shoqërore.
Një pjesë e partive politike premtuan se do të përgjigjen, mirëpo deri në këtë moment nuk i kanë dërguar pyetësorët e tyre të plotësuar. Në qoftë se e bëjnë këtë, edhe përgjigjet e tyre do të shtohen në sistem, që qytetarët të mund ta shohin se në çfarë mase përputhen me to.
Rezultati i shfrytëzimit të Votemates.mk është ngritja e nivelit të njohurive të qytetarëve, si dhe zgjerimi i mundësive që partitë nëpërmjet interaksionit me sektorin qytetar dhe publikun, ta ngrisin nivelin e transparencës dhe të llogaridhënies para popullit.
Metamorfozis është fondacion i pavarur, jopartiak dhe joprofitabil, qëllimet e të cilit janë zhvillimi i demokracisë dhe prosperiteti, nëpërmjet promovimit të ekonomisë së bazuar në dije dhe shoqëri informatike.
Ndaje: