Sipas informacioneve të fundit, më shumë se 3.600.000 njerëz në 215 vende të botës janë të infektuar me virusin COVID-19. Ka rreth 250.000 viktima në të gjithë botën, ndërsa numri i personave të shëruar është mbi 1.148.000.

Sikurse edhe shumica e qeverive në botë, edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor zbatuan strategji të ndryshme për ta parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Nga ana tjetër, masat drastike siç është mbyllja e kufijve, mbyllja e shkollave dhe kufizimet e udhëtimit çuan në rritje të shpejtë të përdorimit të shërbimeve onlajn në të gjithë rajonin. Në këtë kohë krize, kur kombet janë të detyruara të luftojnë në fronte të shumta, mund të dëshmojmë për rëndësinë themelore të Agjendës Digjitale dhe rolit të saj. Më poshtë janë prezantuar disa nga nismat më të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor që janë partnerë të ICEDA-s.

Raste të raportuara të COVID-19 në vendet e Ballkanit Perëndimor deri më 7 maj 2020
Vendi Rastet e konfirmuara Të shëruar Vdekje Raste aktive
Shqipëria 842 605 31 206
Kosova 861 561 27 273
Mali i Zi 324 265 8 51
Maqedonia e Veriut 1572 1079 89 404
Serbia 9848 2160 206 7688

Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë

Gjatë krijimit të kanaleve digjitale për komunikim dhe funksionim të përgjithshëm gjatë pandemisë me KOVID-19, u ndoqën disa trende botërore. Për shembull, të gjitha vendet partnere të ICEDA (Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Shqipëria) kanë ueb-faqe të veçanta zyrtare ku qytetarët mund t’i gjejnë informacionet më të fundit për rastet e koronavirusit. Serbia krijoi një faqe me të dhëna të hapura dhe i ftoi njerëzit që t’i përdorin dhe përpunojnë lirisht informacionet në lidhje me KOVID-19 që ofrohen në këtë faqe. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut e lansoi aplikacionin celular StopKorona! për t’i zbuluar kontaktet e afërta me persona potencialisht të infektuar përmes vendndodhjes. Megjithatë, pas disa reagimeve për sigurinë e aplikacionit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e urdhëroi ministrin e shëndetësisë që të formojë një grup pune dhe ta kontrollojë kodin burimor të aplikacionit celular.

Institucionet në të pesë vendet tashmë i kanë promovuar e-platformat ekzistuese për lëshimin e llojeve të ndryshme të dokumenteve zyrtare. Për shembull, në Kosovë dhe në Shqipëri, këto platforma përdoren kryesisht nga qytetarët për të kontrolluar nëse bizneset e tyre lejohen të punojnë gjatë pandemisë, të aplikojnë për leje për të shkuar në punë ose për të blerë në internet. Ndërkohë, Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi ka përgatitur dhe ka publikuar një “Udhëzues për shërbime elektronike” falas për përdorimin e të gjitha e-platformave kombëtare. Ky udhëzues u shpërnda përmes portaleve relevante dhe gazetave të shkruara. Megjithëse përqindja e përdoruesve në vendet tona, së bashku me numrin e e-shërbimeve të disponueshme është rritur gjatë krizës së koronavirusit, janë shfaqur edhe disa probleme. Një nga problemet ndodhi kur baza elektronike zyrtare e të dhënave për rastet e KOVID-19 në Serbi u komprometua për një periudhë prej tetë ditësh. Në periudhën prej 9 deri më 17 prill, baza e të dhënave ishte në dispozicion për të gjithë përmes një kërkimi të thjeshtë në Google. Një nga institucionet shëndetësore e linte edhe emrin e përdoruesit edhe fjalëkalimin të dukshëm për këdo që hyn në atë faqe. Pasi kjo u zbulua nga një organizatë e shoqërisë civile dhe iu përcoll organeve kompetente, të dhënat për lajmërim u hoqën. Një shkelje e ngjashme e sigurisë ndodhi edhe në Mal të Zi kur të dhënat personale për shëndetin e të infektuarve me koronavirus “rrodhën” për publikun.

Pasi që shkollat janë të mbyllura, nxënësit në Ballkanin Perëndimor e ndjekin mësimin në internet. Është interesante se, megjithëse sistemet tona shkollore janë ende shumë tradicionale, shumica e vendeve reaguan me shpejtësi dhe siguruan mekanizma për mësim përmes internetit, me ç’rast disa janë më të suksesshme se të tjerat. Aktivitetet arsimore digjitale ndryshonin nga një vend në tjetrin, nga platforma EDUION, #ShkencëPërFëmijët dhe platforma arsimore 5 plus me programe mësimore për klasën e parë deri në të katërtën në Maqedoninë e Veriut, deri në projektin # Učidoma në Mal të Zi së bashku me aplikacionin e lansuar së fundmi eDnevnik ku prindërit mund t’i gjejnë të gjitha informacionet në lidhje me notat dhe sjelljen e fëmijëve të tyre në një vend. Ministria e Arsimit të Kosovës ka edhe ueb-faqe zyrtare në të cilën publikohen të gjitha materialet arsimore, ndërsa në Shqipëri, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë zhvilloi një sondazh në internet, në të cilin u përgjigjën 320.000 prindër, studentë, nxënës dhe mësimdhënës mbi efektivitetin e këtyre formave të aplikuara të arsimit. Rezultatet e sondazhit janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit në Serbi organizoi një testim të sistemit online për hyrjen në provimet përfundimtare të shkollës fillore në gjithë territorin e Serbisë. Sistemi “ra” si rezultat i numrit të madh të kërkesave për të krijuar profile të përdoruesve në të njëjtën kohë. Problemi u zgjidh duke propozuar orë të ndryshme për lajmërim në sistem gjatë ditës, në bazë të vendbanimit.

Komunitetet në secilin vend janë gjithashtu shumë aktive, dhe numri i iniciativave në internet po rritet çdo ditë. Në Maqedoninë e Veriut, në Fondin e Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik janë dorëzuar gjithsej 546 iniciativa për përballje me krizën për shkak të KOVID-19, mes të cilave kishte platforma dhe aplikacione të TI-së. Njëra nga iniciativa për të cilat u miratua financimi ishte aplikacioni ChallengerDoma, i cili i motivon njerëzit të qëndrojnë në shtëpi duke u dhënë atyre pikë për qëndrimin në shtëpi, të cilat më vonë mund t’i përdorin për zbritje në marketet lokale. Komuniteti në Maqedoninë e Veriut dhe mediat i mbështetën përpjekjet e institucioneve për t’i informuar qytetarët, duke krijuar dhe shpërndarë vizualizime dhe video arsimore, por gjithashtu i përdorën këto mjete për ngritjen e vetëdijes për anët e këqija të sistemit, për luftën kundër dezinformatave në lidhje me pandeminë dhe shpërndarjen e informacionit iniciativat e suksesshme vullnetare në komunitet. Në të njëjtën kohë, në Mal të Zi u krijuan platforma të tilla si “DobroJeTo” për të ofruar ndihmë për bizneset e vogla gjatë COVID-19. Bashkia e Tiranës ka nisur një iniciativë interesante të quajtur “Adopto një gjyshe/gjysh” ku tani më janë përfshirë mbi një mijë vullnetarë. Iniciativa të tilla si platforma për Solidaritet digjital në Serbi mblodhën një mori të përmbajtjeve digjitale falas, platforma për mësim në shtëpi, punë nga shtëpia, si dhe libra, kurse, muzikë, filma dhe përmbajtje të tjera arsimore dhe argëtuese falas gjatë pandemisë së COVID-19. Në të pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, një grup entuziastësh u mblodhën për t’u ndihmuar punonjësve të shëndetit. Ata, përmes printerëve 3D përgatisin mburoja për fytyrë dhe ua dërgojnë ato qendrave shëndetësore.

Shëndeti psikologjik është një aspekt shumë i rëndësishëm të cilit duhet kushtuar vëmendje për shkak të masave shumë të rrepta që i bllokojnë njerëzit në karantinë madje për disa javë. Digjitalizimi i mbështetjes psikologjike në Kosovë është demonstruar përmes krijimit të Platformës së veçantë “Fol shlirë” për këtë lloj komunikimi. Qendra e parë familjare në Maqedoninë e Veriut para do kohësh siguroi këshillim në internet gjatë pandemisë si shërbim i parë i specializuar në vend, i disponueshëm për viktimat dhe kryerësit e dhunës seksuale dhe familjare, duke i përfshirë edhe të miturit. Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNDP-ja në Mal të Zi lancuan një aplikacion celular të quajtur “Budi sigurna”(Ji e sigurt), i cili u mundëson viktimave të dhunës menjëherë ta ndezin alarmin se janë në rrezik, ta raportojnë dhunën në familje dhe të kërkojnë ndihmë. Aplikacioni është krijuar gjatë shpërthimit të krizës së COVID-19, por është një zgjidhje afatgjatë. Për shembull, qytetarët në Serbi mund t’i kontaktojnë mjekët ose ta shfrytëzojnë ndihmën psikologjike përmes aplikacionit “Dok-Tok”, të lancuar në prill. Në të njëjtën kohë, në Shqipëri është e mundur të kërkohet këshillë dhe mbështetje përmes konsultimit me urdhrin e psikologut në Republikën e Shqipërisë.

Kjo pandemi e ka rritur nevojën për shërbime elektronike në gjithë rajonin në shumë aspekte. Institucionet, organizatat, por edhe qytetarët, po përballen me shumë sfida dhe megjithëse mund të themi se ka përmirësime në zbatimin e Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor, është e qartë se shumë nga këto zgjidhje duhet të jenë në dispozicion në plan afatgjatë. Me hapat e ardhshëm duhet të futen një larmi mjetesh digjitale në arsim, dhe mbi të gjitha, në ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve. Qeveritë e të pesë vendeve, e poashtu edhe vetëqeverisjet lokale, duhet të punojnë për t’i koordinuar më mirë iniciativat në kohë krize. Vëzhgimi në Ballkanin Perëndimor muajt e fundit tregoi se roli i transformimit digjital për të ecur përpara është i padiskutueshëm në të gjithë rajonin.


Projekti Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA është i financuar nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi kryesor i projektit është të rritet pjesëmarrja e organizatave qytetare (OQ) në formësimin dhe zbatimin e Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor.

Ndaje: