Një pjesë e ekipit të Metamorfozis, mori pjesë në Programin Erasmus + Programi për Mobilitet në temën “Ndërtimi i një programi arsimor online”, që u mbajt nga 30 maji deri më 3 qershor në Vjenë. Trajnimi u organizua nga Techsoup Europe, ndërsa organizatë nikoqire ishte Fundraising Verband Austria (FVA).

Qëllimet e trajnimit tre-ditor ishin përmirësimi i njohurive të pjesëmarrësve/trajnuesve si edukatorë dhe trajnues të të rriturve rreth mjeteve dhe qasjeve të të mësuarit online dhe inovativ, kuptimi më i mirë i mjeteve të reja të arsimit online, si dhe parimet bazë të dizajnimit të trajnimeve online, duke përfshirë edhe krijimin e përmbajtjeve për mësimin online, si dhe mundësinë për të përmirësuar metodat e të mësuarit dhe përmbajtjet arsimore që u ofrohen organizatave të shoqërisë civile.

Në ditën e parë të trajnimit, pjesëmarrësit i ndanë përvojat dhe njohuritë e tyre në fushën e edukimit online edhe si dëgjues, mirëpo edhe si trajnues. U ndanë praktikat dhe shembujt e mirë nga edukimi online, si dhe pengesat dhe problemet në të cilat kanë hasur si rezultat i përdorimit të teknologjive të ndryshme që përdoren si kanale për realizimin e trajnimeve. Gjithashtu, u diskutuan edhe tendencat e reja në arsimin online dhe cilat elemente të realitetit virtual, M-mësimi dhe “gejmifikimi” do të përdoren si mjete për të përmirësuar arsimin online.

Në ditën e dytë dhe të tretë, pjesëmarrësit u njohën me metodologjitë dhe mjetet, si t’i strukturojnë më mirë trajnimet dhe uebinaret e tyre në mënyrë që seancat të jenë sa më interesante për dëgjuesit dhe se si pjesëmarrësit mund të nxjerrin sa më shumë njohuri nga trajnimet.

Më poshtë mund të lexoni përshtypjet nga pjesëmarrësit e Programit Erasmus + Programi për Mobilitet në Vjenë

“Programi Erasmus Plus është një program gjithëpërfshirës që ofron një shans për miliona njerëz me prejardhje të ndryshme për të fituar aftësi dhe përvojë, për t’i zgjeruar horizontet e tyre dhe, ndër të tjera, për t’u angazhuar në mënyrë vullnetare jashtë vendit. Ky program i Bashkimit Evropian e inkurajon bashkëpunimin, shkëmbimin ndërkulturor dhe ngritjen e kapaciteteve, të cilat më pas reflektohen nga përdoruesit në jetën e tyre të përditshme dhe të punës, duke e zgjeruar ndikimin në disa nivele.

Ky trajnim na ofroi njohuri të reja për dimensionet e shumta të arsimit online që ne do të jemi në gjendje t’i transferojmë në mjedisin tonë të punës në mënyrë që të ofrojmë një përvojë më të mirë të të mësuarit për pjesëmarrësit tanë në trajnime” – tha Milla Josifovska Danillovska – Menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis.

“Në trajnim patëm mundësinë të dëgjojmë përvoja nga vende dhe organizata të ndryshme, por edhe të shohim se sfidat me të cilat përballen organizatat kur bëhet fjalë për arsimin online janë të njëjta ose të ngjashme kudo. Trajnimi më ndihmoi të mësoja shumë rreth arsimit online, duke filluar me ndërtimin e strategjisë, tendencat aktuale dhe formatet dhe qasjet e ndryshme, si dhe të kuptoj se si ai mund të krijohet në mënyrë efektive dhe tërheqëse për audiencën. Mjedisi i mësimit elektronik ndryshon dhe evoluon vazhdimisht, veçanërisht pas pandemisë së Kovidit, kështu që ajo që kemi mësuar rreth mjeteve dhe qasjeve novatore do të zbatohet në punën e mëtejshme me audiencën e re” – tha Goshe Nikollov, gazetar-bashkëpunëtor në Agjencinë e Lajmeve “Meta.mk”, një nga pjesëmarrësit në Programin për Mobilitet Erasmus +.

“Trajnim mjaft i dobishëm, pata mundësinë të mësoj metodologji dhe rregulla të reja se si të strukturoj trajnime që do të jenë interesante për dëgjuesit/pjesëmarrësit, por edhe trajnime nga të cilat mund të përfitohen sa më shumë njohuri. Veçanërisht të dobishme i konsideroj mjetet virtuale që pata mundësinë të shoh se si funksionojnë dhe sa i rëndësishëm është aplikimi i tyre në arsimin online, tha Violeta Jonçevska – Specialiste e marketingut në Fondacionin Metamorfozis.

Në trajnim morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Portugalia, Italia, Bullgaria, Republika Çeke, Polonia dhe Austria.

Ndaje: