Aplikacioni për ueb – Hartëzimi i shkollave i cili ishte zgjidhja fituese e Hakatonit të dytë për të dhëna të hapura është në dispozicion për përdorim. Aplikacioni u zhvillua nga ekipi i kompanisë fillestare (start-up) “Web pillar & Data consulting”.
Duke e marrë parasysh rëndësinë e transparencës dhe disponueshmërisë së informacionit, zgjidhja fituese ofroi hartëzimin dhe regjistra sipas parametrave të përcaktuar paraprakisht të të gjitha shkollave të mesme dhe fillore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Aplikacioni synon të vizualizojë vendndodhjet e shkollave fillore dhe të mesme, vendndodhjet më të afërta të bastoreve dhe kazinove, distancën ndërmjet tyre për të parë nëse është në përputhje me ligjin. Gjithashtu do të shërbejë si një faqe blogu për të gjitha shkollat ku do të postohen të gjitha kushtet, lajmet dhe sukseset që i arrijnë. Përdoruesit do të kenë një aplikacion ku mund t’i krahasojnë shkollat, por edhe që do të stimulojë konkurrencën mes tyre.
Aplikacioni gjithashtu lejon një krahasim mes shkollave të ndryshme në bazë të parametrave të caktuar paraprakisht, ofron mundësi për vlerësimin, gjegjësisht rangimin e shkollave, përcaktimin e distancës ndërmjet shkollave dhe bastoreve në afërsi, si dhe një opsion për administrator të shkollës, i cili do të publikojë informacion të rëndësishëm për shkollën e tij.
Aplikacioni për ueb për hartëzimin e shkollave mbështet tre gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht.
Edicioni i dytë i Hakatonit për të dhëna të hapura u organizua nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrje Qytetare, në periudhën prej 30 nëntorit deri më 3 dhjetor 2021, në Shkup, si pjesë e Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.mk. Qëllim i hakatonit ishte të zhvillohet një aplikacion për ueb/celular që do të mundësojë vizualizimin, shfaqjen interaktive dhe/ose lehtësimin/digjitalizimin e proceseve për mbushjen dhe përditësimin e të dhënave nga bazat e të dhënave të publikuara nga organet e administratës shtetërore. Në hakatonin për të dhëna të hapura morën pjesë 4 ekipe të përbëra nga studentë dhe kompani fillestare (start-up).
Ndaje: