Debat “Ofrimi i shërbimeve dixhitale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

Për shërbime plotësisht digjitale për qytetarët, është e nevojshme të sigurohen zgjidhjet e duhura teknike dhe kadroviket, të miratohen ndryshime dhe akte nënligjore shtesë, dhe megjithëse tani baza për digjitalizimin është vendosur, mbetet ende shumë për t’u bërë për përfundimin e tij me sukses dhe për t’u bërë një shërbim i vërtetë për qytetarin që do t’ia lehtësojë jetën dhe do t’i plotësojë plotësisht nevojat e tij. Në të njëjtën kohë, duhet pasur kujdes të madh edhe për të gjetur zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme, gjegjësisht të përhershme, për dallim nga disa shembuj nga e kaluara ose tani, kur shërbime të caktuara digjitale të futura në përdorim tani nuk janë të disponueshme ose zbatohen vetëm pjesërisht, kështu që qytetarët ende duhet të shkosh në sportel dhe të marrin ose të dorëzojnë dokumente, theksuan pjesëmarrësit në debatin e sotëm “Ofrimi i shërbimeve digjitale të krijuara për qytetarët”.

 

Ngjarja, e organizuar nga Fondacioni për Liri “Friedrich Naumann”, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” dhe Instituti për Shkencat Shoqërore dhe Humaniste, i cili u mbajt me prezencë fizike dhe mund të ndiqej edhe përmes platformës “Zoom” dhe në Facebook, mblodhi së bashku përfaqësues të shoqërisë civile që punojnë në fushën e shërbimeve dixhitale dhe përfaqësues të qeverisë për të diskutuar se çfarë është bërë deri më tani, cilat janë gabimet që nuk duhet të përsëriten dhe cilat janë zgjidhjet më të mira për të arritur qëllimin e ofrimit të shërbimeve digjitale cilësore, të cilat janë pjesë integrale e Agjendës Digjitale të Qeverisë, e cila në fakt, në pjesën më të madhe, është pasqyrim i Agjendës Digjitale të BE-së.

Digjitalizimi po ngec, ka më shumë shembuj të këqij se sa të mirë


Ivajlo Conev nga Fondacioni “Friedrich Naumann” në debatin “Ofrimi i shërbimeve digjitale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

“Tema është e rëndësishme për çdo vend, sepse digjitalizimi nuk është e ardhmja, por e tashmja. Kur flasim për digjitalizimin e qeverisë, të shërbimeve shoqërore, duhet të dimë se ai ka një efekt pozitiv të drejtpërdrejtë jo vetëm në funksionimin e shtetit, por në të gjitha proceset shoqërore dhe zhvillimin e shoqërisë. “Çdo ngadalësim në këtë plan çon në ngadalësim të të gjitha proceseve,” theksoi Ivajlo Conev, koordinator i projektit për Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut në Fondacionin për Liri “Friedrich Naumann”.

Qëndresa Sulejmani, Drejtore e Programeve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” dhe Iskra Gerazova-Mujçin, hulumtuese në Institutin e Shkencave Shoqërore dhe Humaniste, i prezantuan dy hulumtimet mbi përvojat dhe kërkesat e qytetarëve për shërbimet digjitale, si dhe drejtimet në të cilat duhet të orientohet zbatimi i digjitalizimit.

Siç vuri në dukje Sulejmani, nga anketimi i qytetarëve për shërbimet elektronike në nivel komunal është konstatuar se për qytetarët është më e rëndësishme të marrin të paktën informacion të qartë në formë digjitale, sesa t’u ofrohen shërbime digjitale që në realitet, megjithatë, nuk funksionojnë mirë. Hulumtimi i Fondacionit “Metamorfozis” përfshiu 12 shërbime.

Qëndresa Sulejmani nga Fondacioni “Metamorfozis” në debatin “Ofrimi i shërbimeve digjitale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

“Komuna e Kriva Pallankës dhe e Dellçevës janë shembuj të mirë të komunave me seli në qytet që ofrojnë shërbime digjitale të azhurnuara dhe të qëndrueshme dhe ku qytetarët janë të kënaqur, kurse për sa i përket komunave me seli në fshat, këtu një shembull i mirë është komuna e Debarcës. Është interesante se 95% e qytetarëve që i anketuam theksuan se janë të kënaqur edhe vetëm me informacion të qartë, pa ofruar një shërbim të plotë digjital, në vend që të kenë shërbime që nuk janë të qëndrueshme – gjegjësisht, ato mund të jenë ideale, por nuk zbatohen mirë. I tillë është shembulli i “Shih, raporto, rregullo”, i cili është një zgjidhje e shkëlqyer, por komunat kanë ndaluar së përdoruri atë. Ky është një shembull i mirë sesi qytetarët e humbasin besimin në shërbimet elektronike edhe para se të ekzistojnë ato. Në hulumtimin tonë, shumë qytetarë thonë se është më efikase të kalosh gjysmë dite në sportele dhe të kryesh punën, sesa të provosh online”, shpjegoi Qëndresa Sulejmani, duke e prezantuar hulumtimin “Analiza e e-shërbimeve në komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Iskra Gerazova – Mujçin, duke folur për hulumtimin “Digjitalizimi si rrugë e administratës së mirëfilltë të orientuar drejt qytetarëve: decentralizimi i proceseve si një mjet për reforma të përshpejtuara dhe efektive “ theksoi se kryesisht janë hulumtuar shërbimet e dokumenteve personale. Problem i madh këtu është se administrata ose nuk i di ose nuk dëshiron t’i zbatojë ligjet, sepse qytetarëve u kërkohet ende të sigurojnë dokumente që administrata duhet t’i marrë sipas detyrës zyrtare.

Iskra Gerazova – Mujçin nga Instituti i Shkencave Shoqërore dhe Humaniste në debatin “Ofrimi i shërbimeve digjitale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

“I kemi hulumtuar edhe ligjet edhe aktet nënligjore që i referohen dokumenteve personale, dhe përshtypja e parë është se ka shumë rregullore në to që në një farë mënyre i ngarkojnë qytetarët dhe janë në favor të administratës. Ligji për Procedurën e Përgjithshme dhe Administrative në nenin 63 thotë se dokumentet shoqëruese për një shërbim, nëse nuk dorëzohen nga qytetarët, do të sigurohen nga institucioni. D.t.th., thuhet se institucioni mund t’i sigurojë ato, por i kërkon nga qytetari. Sa i përket ligjeve për dokumentet personale, edhe pse që nga viti 2019 disa prej tyre kanë pësuar ndryshime dhe plotësime, asnjëra prej tyre nuk është për digjitalizimin, në gati tre vjet, asnjë nuk është përshtatur” – theksoi Gerazova-Mujçin.

Nevojiten pajisje dhe softuer, por edhe para
Perceptime dhe rekomandime për atë që është bërë deri më tani dhe për atë që duhet të realizohet në të ardhmen, në diskutim dhanë edhe Zoran Dimitrovski, zëvendësministër në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale; Ana Malceva – Marinkoviq, Zyrtare në Kabinet për koordinimin e bashkëpunimit të Kryeministrit me organet shtetërore, ndërmarrjet publike, institucionet, shoqëritë tregtare, shoqatat e qytetarëve dhe personat e tjerë juridikë; Iskra Belçeva – Ristovska, Koordinatore e Programve në Qendrën për Menaxhimin me Ndryshimet; dhe Milla Josifovska-Danillovska, Menaxhere e Programit për Përgjegjësinë Shoqërore dhe të Drejtat e Njeriut Online në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”.

Debat “Ofrimi i shërbimeve dixhitale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

Edhe Zëvendësministri Dimitrovski sheh mungesa logjike në situatën aktuale, por konsideron se fakti që qeveria e ka vendosur digjitalizimin si prioritet kryesor jep optimizëm se gjërat mund të rregullohen.

Zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zoran Dimitrovski, në debatin “Ofrimi i shërbimeve digjtale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

“Para çdo seance të Qeverisë, jepet informacion se deri ku ka arritur procesi. Tani flasim për korrikun 2022 si një periudhë përfundimtare të transformimit digjital. Por, gjithashtu duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij procesi, sepse në të kaluarën kemi pasur e-Qeveri, pastaj sistem me një sportel, iniciativa për të lehtësuar shërbimet për qytetarët dhe e gjithë hasi në probleme në terren, dhe në fund ndodhi që shërbimet që i kemi marrë në mënyrë digjitale, si p.sh., nga Drejtoria për dokumentet amë, ju mund të aplikoni në mënyrë digjitale, ata ju caktojnë termin për t’i sjellë dokumente fizikisht, dhe ky proces nuk është lehtësuar, por është komplikuar. Procesi i digjitalizimit duhet të marrë parasysh qëndrueshmërinë, mbështetjen softuerike, nëpunësit… E dimë se si burokracia jonë, d.m.th. administrata sillet kur lëshon dokumente, kemi parë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme me letërnjoftimet dhe pasaportat, edhe procesi i digjitalizimit mund të bëhet më i komplikuar nëse nuk merret parasysh qëndrueshmëria. E Qeveria duhet të bëjë buxhetim që tani për Agjendën Digjitale për harduer, softuer, menaxhim, dhe për të gjitha këto duhen para. Shumë komuna ankohen se nuk mund të hyjnë në procesin e digjitalizimit, sepse nuk kanë financa dhe qeveria duhet të mendojë për bllok-dotacione për këtë qëllim,” theksoi Zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale.

Ana Malceva -Marinkoviq nga Kabineti i Kryeministrit theksoi se digjitalizimi përmban edhe elemente të luftës kundër korrupsionit, për një jetë më të mirë dhe më të gjelbër të qytetarëve – në aspektin e zvogëlimit të letrës së përdorur, por edhe në aspektin e interesave të qytetarëve. Tre grupe pune janë duke punuar aktualisht në realizimin e Agjendës Digjitale, tha ajo.

Ana Malceva – Marinkoviq (majtas) nga Kabineti i Kryeministrit në debatin “Ofrimi i shërbimeve digjitale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

“Tani ne po bëjmë një kopje digjitale të të gjitha ndërveprimeve tona fizike, dhe atë që e kishim veçanërisht parasysh gjatë zhvillimit të sistemit të ri është të shmangim parimin e ecjes së qytetarëve në platforma të ndryshme digjitale, por gjithçka të jetë e centralizuar, në një pikë komunikimi. Më 16 dhjetor 2019, e krijuam Portalin Kombëtar për Shërbimet Elektronike, dhe ai u promovua, por për shkak të epidemisë, ra interesi për përdorimin e tij. Përndryshe, aktualisht në Qeveri për digjitalizim janë formuar tri grupe pune: një për ndryshimin dhe plotësimin e 150 ligjeve, një grup pune inxhinierësh të koordinuar nga MSHIA-ja dhe i treti për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë dhe të gjithë kanë një koordinim të ngushtë. Për sa i përket asaj se ku duam të arrijmë si vend, korriku 2022 është padyshim data kryesore dhe shpresoj se do ta arrijmë. Tani ka shumë ligje në procedurë qeveritare, një bollëk ndërhyrjesh ligjore, dhe qëllimi nuk është të dhunohet sistemi ligjor, por të ndërhyhet minimalisht për të siguruar siguri juridike” – theksoi Malceva-Marinkoviq.

Sa i përket sigurisë dhe të drejtave të qytetarëve, Milla Josifoska-Danillovska nga Fondacioni “Metamorfozis” e përmendi si veçanërisht të rëndësishëm respektimin e versionit të fundit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sa i përket dixhitalizimit, ajo tha se duhet të konsultohen qytetarët në se me çfarë renditje duhet të digjitalizohen shërbimet, por edhe të sigurohet infrastruktura për qasjen e qytetarëve në shërbimet digjitale.

Milla Josifovska Danillovska (majtas) nga Fondacioni “Metamorfozis” në debatin “Ofrimi i shërbimeve digjitale të krijuara për qytetarët”. Foto: Meta.mk, 2 shtator 2021

“Një parakusht për digjitalizimin është të kemi institucione të gatshme që kanë kapacitet për të dizajnuar, ofruar dhe promovuar shërbime digjitale, si dhe për t’i mbështetur qytetarët në këtë proces. Në të njëjtën kohë duhet të sigurohet infrastruktura e nevojshme që qytetarët të mund të qasen në shërbimet digjitale, dhe ata që nuk kanë qasje nga shtëpia në internet dhe në pajisje digjitale. Kjo mund të bëhet përmes qendrave lokale për mbështetjen e qytetarëve, klubeve ekzistuese të internetit, qendrave “Një pikë për shërbimet”, theksoi Josifoska-Danillovska.

Teksti është marrë plotësisht nga agjencia e lajmeve Meta.mk, kurse teksti origjinal mund të lexohet këtu.

Ndaje: