Më 3 mars 2021, Fondacioni Metamorfozis, me mbështetjen e Projektit të USAID-it për Pjesëmarrjen Qytetare, organizoi një diskutim publik në temën: “Si të përmirësojmë sistematikisht hapjen e institucioneve?”. Pjesëmarrësve iu drejtua përfaqësuesi i Zyrës së USAID-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Erik Janovski, i cili e potencoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve, duke theksuar: “Qeveria qendrore ekzekutive, përfiton në mënyrë të veçantë nga hulumtimet, pasi gjetjet dhe rekomandimet e Indeksit të Hapjes janë përdorur për të zhvilluar Strategjinë për Transparencë, një dokument strategjik që i vendos bazat për angazhimin e Qeverisë për të përmirësuar transparencën në të gjitha organet e saj. Prandaj, rekomandimet e bazuara në prova të marra nga ky indeks janë një mjet i dobishëm për të orientuar institucionet drejt përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies së tyre”, shtoi ai.

Drejtoresha e programeve në Fondacionin Metamorfozis, Qëndresa Sulejmani, i prezantoi rezultatet e matjes së hapjes së pushtetit ekzekutiv në vitin 2020. Ajo theksoi nevojën për besim të ndërsjellë midis institucioneve dhe qytetarëve për të rritur legjitimitetin e institucioneve, veçanërisht në ndërmarrjen e reformave ambicioze. Sipas rezultateve të hulumtimit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 64.9% të treguesve të përmbushur në këtë fushë, shquhet si një shembull i praktikës së mirë në bashkëveprimin me qytetarët. Pushteti ekzekutiv në rajon, mesatarisht, përmbush 44,88% të treguesve të shkallës së hapjes. Sipas matjes për këtë vit, mesatarisht, pushtet ekzekutiv më të hapur ka Maqedonia e Veriut (52.09%), e ndjekur nga Mali i Zi (51.67%), Serbia (40.17%) dhe Bosnja dhe Hercegovina (35.60%). Publikimi i plotë është në dispozicion këtu.

Indeksi i Hapjes e vlerëson performancën e qeverisë ekzekutive dhe kuvendeve në fushën e udhëheqjes së mirë duke u përqendruar në katër shtylla: (1) qasshmëria 2) vetëdija 3) integriteti dhe (4) transparenca. Hapja mesatare e ministrive në RMV në vitin 2020 është 56%, ndërsa midis ministrive më lartë janë renditur Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave.

Në diskutim morën pjesë më shumë se 35 përfaqësues të ministrive, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë. Në këtë ngjarje folën edhe Maja Llazarova, Zyrtare Kombëtare e Programeve në Misionin e OSBE-së në Shkup, Robert Popovski, Koordinator Kombëtar për Qeverisje të Përgjegjshme dhe Transparencë dhe Natalija Shikova, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Ndërkombëtar të Ballkanit. Ata ranë dakord se forcimi i kapacitetit demokratik të pushtetit ekzekutiv duhet të zbatohet në të gjitha politikat në mënyrë të barabartë, e jo përmes politikave të izoluara.

Ndaje: